
TIRANË- Avokati Plarent Ndreca ka kundërshtuar vijimin e seancës gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke argumentuar se nuk mund ta ushtrojë mbrojtjen pa u konsultuar me klientin e tij. Gjatë diskutimeve në Gjykatën e Posaçme, Ndreca deklaroi se kishte tentuar të takonte Veliajn në IEVP Fier, por nuk ishte lejuar. Ai theksoi gjithashtu se klienti i tij lëviz me paterica për shkak të dëmtimit të këmbës.
Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado kërkoi që seanca të vijojë, duke theksuar se nuk provohet pamundësia e Veliajt për të marrë pjesë në procesin gjyqësor. Nga ana tjetër, edhe Altin Dumani kundërshtoi shtyrjen e mëtejshme të seancës, duke theksuar se mbrojtjes i është dhënë kohë e mjaftueshme për tu konsultuar me klientin.
PJESË NGA DISKUTIMI:
Ndreca: Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën, pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. E kam të pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elemente që duhet t’i konfirmoj me të. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore.
Gjykata: E ka të pamundur të lëvizë Veliaj? Nuk lëviz fare?
Ndreca: Është me këmbë të thyer, lëviz me paterica gjithë kohës.
Ols Dado: Prokuroria i ka informacionet e veta për këtë situatë. Duhet të vijojë seanca, nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë gjyqësore.
Altin Dumani: Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë arsye u shty seanca, që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. Ne e kemi dërguar çështjen që në shtator 2025 dhe akoma jemi këtu. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK-u. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja./Dosja.al