"Të relaksohemi"/ Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund, por ne i vlerë...
Aktualitet
‘50 mijë euro ose të hedh biznesin në erë’/ Në pranga 21-vjeçari që kërcënoi biznesmenin në Dibër, u zbulua nga kamerat e sigurisë
Kërcënimi i është bërë biznesmenit përmes një kutie picash, brenda së cilës ishte vendosur një letër ku kërkoheshin 50 mijë euro, ndërsa paralajmërohej se në të kundërt do t’i hidhej në erë biznesi.
3 October 2026, 09:12Nga I.A
Pamjet
DIBËR- Policia ka arrestuar një 21-vjeçar me emrin Engjëll Karoshi, i dyshuar se ka kërcënuar me jetë biznesmenin Zija Shulku, pronar i një pike karburanti në Peshkopi. Sipas policisë, të riut iu arrit identifikimi përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.
Engjëll Karoshi
Kërcënimi i është bërë biznesmenit përmes një kutie picash, brenda së cilës ishte vendosur një letër ku kërkoheshin 50 mijë euro, ndërsa paralajmërohej se në të kundërt do t’i hidhej në erë biznesi. Në kuti ishte vendosur edhe një telefon i lidhur me tela, duke krijuar pamjen e një pajisjeje shpërthyese. Pas kontrollit nga forcat xheniere, rezultoi se në kuti nuk kishte lëndë plasëse.
Njoftimi i Policisë:
DIBËR Finalizohet operacioni policor i koduar “Kërcënimi”. Vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërcënoi për shpërthimin e saj, në këmbim të 50 000 eurove. Policia zbardh brenda pak orëve ngjarjen, identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar. Më datë 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese. Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori. Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë. Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme./Dosja.al