LIVE UPDATES
Bota

"Gjithçka e trazuar në frontin e Kremlinit!" Analiza: Lufta në Ukrainë po dëmton ekonominë dhe shoqërinë ruse

Në fillim të nëntorit, në përvjetorin e revolucionit bolshevik, Vladimir Putin mbajti një fjalim për prirjet e historisë. Ai tha se pushtimi komunist i Rusisë ishte një nga “ngjarjet që përcaktoi rrjedhën e historisë, natyrën e politikës, diplomacisë, ekonomive dhe strukturës shoqërore”.

21 December 2024, 07:27 Nga M.B
"Gjithçka e trazuar në frontin e Kremlinit!" Analiza:
Foto ilustruese

UKRAINA- Lufta në Ukrainë po dëmton ekonominë dhe shoqërinë ruse. Pavarësisht përparimeve në fushëbetejë, tensioni po rritet, shkruan The Economist. Në fillim të nëntorit, në përvjetorin e revolucionit bolshevik, Vladimir Putin mbajti një fjalim për prirjet e historisë. Ai tha se pushtimi komunist i Rusisë ishte një nga “ngjarjet që përcaktoi rrjedhën e historisë, natyrën e politikës, diplomacisë, ekonomive dhe strukturës shoqërore”. Putini la të kuptohej se edhe lufta që ai nisi në vitin 2022 duke pushtuar Ukrainën, ishte një tjetër ngjarje e tillë.

“Ne po dëshmojmë formimin e një rendi krejt të ri botëror, që nuk i ngjason asnjë sistemi të mëparshëm të vendosur nga konferencat e Vestfalisë apo Jaltës”, tha ai.

“Përpjekjet për të izoluar dhe për të kontrolluar Rusinë, kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Kundërshtarët tanë menduan se do të na shkaktonin një disfatë dërrmuese, duke i dhënë një goditje përfundimtare Rusisë, nga e cila ajo të mos ngrinte më kokën kurrë”.

Por ja që në fakt, “po vëmë re se këto vende janë mbërthyer nga kaosi dhe kriza sistematike, dhe po përpiqen të ndërtojnë strategji për t’u përballur me gjendjen e vështirë”.

Me këto fjalë, Putini donte të krijonte përshtypjen sikur problemet e Amerikës dhe Europës janë më të mëdha se ato të Rusisë. Kjo është një hiperbolë e madhe, por ideja se lufta ka riformuar ekonominë dhe strukturën shoqërore të Rusisë, është deri diku e vërtetë. Një studim i fundit i kryer nga Laboratori i Sociologjisë Publike, një grup i pavarur kërkimor, na jep një ide se si ndihen rusët e zakonshëm për luftën.

Në studim u morën në shqyrtim tre qytete provinciale, secili në një rajon të ndryshëm: Buryatia në Rusinë Lindore, Ural në qendër dhe Krasnodar në jug. Për disa javë, etnografët kryen intervista dhe vëzhguan jetën e përditshme të qytetarëve, duke raportuar mbi gjendjen shpirtërore të njerëzve. Studimi zbuloi se rusët që banojnë në zona të tilla, nuk janë as militaristë të indoktrinuar dhe as pasivë të shkëputur nga ngjarjet e botës, siç hamendësohet shpesh. Në të vërtetë, ata duket se janë armiqësorë ndaj shtetit rus, dhe kjo vlen si për patriotët e flaktë, ashtu edhe për mërgimtarët pro-perëndimorë.

Në të tre qytetet, propaganda pro luftës është zhdukur plotësisht. Njerëzit kanë hequr posterat “Z” që kishin vendosur nëpër makina në javët e para të “operacionit special ushtarak”. Jashtë një hoteli në zonën e Uraleve, flamuri me vija të zeza dhe portokalli (një tjetër simbol ushtarak) që qëndron jashtë, është rreckosur.

Banorët përpiqen të kujtojnë ndonjë ngjarje patriotike që është zhvilluar në qytet në muajt e fundit. Një shfaqje falas e një filmi propagandistik, nuk tërhoqi pothuajse askënd. Por nuk ka asnjë kritikë të hapur ndaj luftës, dhe kjo jo vetëm për shkak të shtypjes së qeverisë, por edhe sepse njerëzit në qytetet e vogla kanë frikë se mos përjashtohen nga shoqëria.

Kur një studiuese në qytetin Buryatia pyeti një grua se çfarë po i pengonte njerëzit të flisnin kundër luftës, ajo u përgjigj: “Njerëzit thjesht duan të jenë me gjithë të tjerët dhe nuk duan të ndahen nga shumica ose të bëjnë diçka jashtë normës”.

Shumë njerëz sillen sikur lufta nuk po ndodh. “Po të mos ishin lajmet e vazhdueshme për vdekje dhe funerale, rusët do të kujtonin se nuk po ndodh një luftë”, thotë një banor në zonën e Uraleve. “Duket sikur nuk jemi në një luftë”, përsërit një tjetër banor i qytetit Buryatia.

Një temë që bisedohet shpesh, janë shpërblimet e mëdha për ata që regjistrohen në luftë. Rusët shpesh tregojnë historinë e ndonjë fqinji që ka fituar një mal me para, apo për gruan e një ushtari të vrarë që bleu një makinë me paratë e bashkëshortit të ndjerë dhe më pas u martua me një burrë tjetër.

“Në djall vafshin paratë, e pse më duhen?” – tallet një grua me idenë se i shoqi do të regjistrohej si ushtar për të fituar para për familjen. “Unë do t’i fitoj vetë ato para, dhe do ta di që kam gjithçka dhe familja ime është e shëndetshme.

Do t’i blej vetë ato vathë dhe do të kem një burrë pranë. Kurrë nuk do ta dërgoja tim shoq drejt vdekjes së sigurt!”

Fakti që njerëzit fitojnë aq shumë para duke u regjistruar për në luftë, do të thotë se viktimat e luftës nuk shihen si viktima të shtetit, por si agjentë të lirë që bëjnë një përpjekje të rrezikshme, por racionale, për të përmirësuar jetën e vet. Shumë njerëz nuk u zënë besë deklaratave zyrtare në lidhje me luftën, por megjithatë përsërisin propagandën se Perëndimi është fajtor. “Ata po dërgojnë fëmijë në luftë”, thotë një grua. “Unë nuk i kuptoj këto politika.

Çfarë po përpiqen të arrijnë me këtë?” Megjithatë, e njëjta grua, pak minuta më vonë, ankohet: “SHBA-ja po godet njerëzit e zakonshëm. Ata po vrasin civilë dhe po fajësojnë Rusinë për këtë”. Studimi gjithashtu vë në dukje se rusëve nuk u pëlqen të flasin për luftën. Një agjente pronash në Krasnodar ankohet se të afërmit e saj në Ukrainë nuk i flasin më me gojë.

“Çfarë lidhje kam unë me luftën? Mos e desha unë apo e fillova unë këtë luftë?” pyet ajo. Raporti thekson: “Në përgjithësi, të gjithë janë gati të pranojnë se lufta është “e keqe” dhe “e frikshme”. Disa thanë se nuk mund ta kuptojnë “domethënien e luftës”. Ajo çka njerëzit dëshirojnë, nuk është fitorja, pasi nuk e kanë të qartë idenë se çfarë ajo nënkupton, por duan që gjërat të kthehen siç ishin para luftës.

Sondazhet publike i vërtetojnë këto zbulime. Sipas një sondazhi të fundit, rreth gjysma e rusëve do të ishin dakord për tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina, pa arritur qëllimet e deklaruara të Putinit. Përqindja është më e lartë tek gratë dhe të rinjtë. Siç shpjegon Kirill Rogov, një mërgimtar që drejton organizatën Re-Russia: “Nuk ka një shumicë pro luftës në Rusi. Ka një pakicë militante pro luftës dhe një pakicë kundër luftës”.

Në përgjithësi, shumica janë patriotë, por jo të verbër. Në vitin 2014, pasi Rusia pushtoi Krimenë në Ukrainë dhe u ndëshkua nga sanksionet perëndimore, të anketuarit rusë ishin të ndarë në lidhje me pyetjen nëse do të donin që Rusia të ishte një fuqi e madhe, e respektuar dhe e frikshme në sytë e vendeve të tjera, apo të kishte një standard të lartë jetese për qytetarët e saj.

Në vitin 2021, kur ekonomia mbeti në stanjacion, rusët që donin mirëqenie ekonomike, ishin më të shumtë në numër se rusët që vlerësonin më tepër statusin e fuqisë së madhe, përkatësisht 60% kundrejt 30%. Gjysma e rusëve duan lidhje më të ngushta ekonomike me Perëndimin. Kjo është sa dyfishi i përqindjes së rusëve që përkrahin autarkinë. Në një sondazh që u mbajt menjëherë pas fillimit të luftës në vitin 2022, vetëm 25% përkrahën nismën për të aneksuar më tepër territor ukrainas.

Edhe disa blogerë të ashpër militantë, janë të pakënaqur me luftën, pavarësisht përparimeve të vazhdueshme të forcave ruse. Njëri prej tyre, Maksim Kallashnikov, bëri publik rrëfimin e një ushtari rus në vijën e parë të frontit: “Kufoma, kufoma, dhe vetëm kufoma të luftëtarëve tanë. Mund t’i shihni kudo… Ata tashmë janë vendosur të shtrirë në dy ose tre rreshta, pranë të plagosurve. Kundërmimi i kufomave dhe era e keqe e mishit të kalbur nga plagët, ka qelbur bodrumin”.

U raportua se në tetor, forcat ruse pësuan rreth 1500 viktima dhe të plagosur në ditë. “Ne marrim territore, por me një çmim shumë të lartë”, ankohet zoti Kallashnikov. Ai mendon se është “vetëm çështje kohe”, derisa ofensiva e Rusisë të tërhiqet, pa i bërë ndonjë dëm serioz linjave të furnizimit dhe sistemeve komanduese të Ukrainës. Ai fajëson ngurrimin e elitës politike dhe ka frikë se Donald Trump do ta detyrojë Rusinë të ngrijë luftën përgjatë vijës së tanishme të frontit, që sipas tij do të ishte një dështim i tmerrshëm.

Në të njëjtën kohë, po fillon të zbehet vrulli ekonomik që u krijua nga shpenzimet e mëdha qeveritare për luftën dhe rritja e pagave prej mungesës së fuqisë punëtore. Vitin e ardhshëm, banka qendrore ruse parashikon se PBB-ja e vendit do të rritet midis 0.5% dhe 1.5%, shumë më poshtë se niveli 3% këtë vit dhe 3.5% vitin e kaluar. Ndërkohë, norma zyrtare e inflacionit është 9.5%, edhe pse banka qendrore e ka rritur normën kryesore të interesit në 21%. Ky mund të jetë një nënvlerësim: firma e pavarur kërkimore Romir, që ndjek shpenzimet e 40,000 rusëve në 240 qytete, beson se fatura mesatare për mallrat dhe shërbimet e përditshme, po rritet me më shumë se 22% në vit (shih grafikun).

Kursi i këmbimit të rublës po bie, si për shkak të inflacionit, ashtu edhe për shkak të sanksioneve të reja amerikane ndaj bankave ruse që po e bëjnë më të vështirë marrjen e dollarëve. Këtë javë, kursi i këmbimit ra më poshtë se 100 rubla për 1 dollar, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Ndërmarrjet shtetërore, veçanërisht ato që operojnë në industrinë e mbrojtjes, po përthithin shuma të mëdha kapitali, duke e bërë më të vështirë që sektori privat të marrë hua, madje edhe me norma të larta. Gjithsesi, pak kanë besimin për ta bërë këtë. Siç tha një biznesmen në një intervistë për edicionin rus të revistës Forbes: “Nuk ka asnjë vizion për të ardhmen.

Të menduarit për plane afatgjata, të çon vetëm në depresion. Është e vështirë të krijosh një ide biznesi që mund të konkurrojë me një depozitë në Sberbank. Gjendja vetëm sa do të përkeqësohet. Oleg Vyugin, një ish-nënkryetar i bankës qendrore, shpjegon se për të paguar për luftën pa shkurtuar shpenzimet e tjera, qeveria hoqi një rregull, i cili e detyronte që të gjitha të ardhurat shtesë që fitoheshin kur çmimi i naftës rritej mbi 45 dollarë për fuçi, duheshin ruajtur në një fond rezervë që do të shërbente për ditë të vështira.

Kështu, qeveria filloi të shpenzonte kursimet e saj. Por ky fond po pakësohet me shpejtësi, kështu që qeverisë i është dashur të rrisë taksat mbi të ardhurat e korporatave dhe të ardhurat vetjake, që do të vihen në zbatim, duke filluar nga viti i ardhshëm. Ajo ka përfshirë në parashikimin e të ardhurave për vitin e ardhshëm, edhe 600 miliardë rubla (5.3 miliardë dollarë) në gjoba, për shkelje që ende nuk janë kryer. Asnjë nga këto probleme nuk pritet të gjunjëzojë ekonominë, por njëkohësisht, ajo nuk mund të mbahet në këtë gjendje për një kohë të pacaktuar.

Zoti Vyugin argumenton se qeveria përballet me një zgjedhje: ose të shkurtojë shpenzimet ushtarake, që do të shkaktonte një tërheqje në fushëbetejë, ose të nxisë inflacionin edhe më shumë, duke vazhduar të shpenzojë bujarisht, gjë që do të kërkonte një kurë edhe më të ashpër më vonë. Nevoja e Forcave të Armatosura për para, është e jashtëzakonshme, argumenton Bell, një gazetë e pavarur e biznesit: “Është e pamundur edhe të pranosh se lufta dhe sanksionet kanë shkaktuar këtë cikël mbinxehjeje dhe rënieje”. Elvira Nabiullina, guvernatorja e Bankës Qendrore, ka mbrojtur normat e larta të interesit në Parlament. Ajo argumentoi se ekonomia ruse po funksionon me kapacitet të plotë.

“Tani, për herë të parë, jemi në një gjendje ku po përdoren pothuajse të gjitha burimet në ekonomi”, tha ajo. Shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët rekord prej 2.4%.

“Kremlini nuk ka burime të mjaftueshme njerëzore si për të vazhduar luftën, ashtu edhe për të mbështetur rritjen ekonomike”, shkruan Alexandra Prokopenko nga qendra Carnegie.

Natyrisht, ironia është se lufta nuk po krijon vetëm kërkesë për punë, por po ul edhe ofertën, duke bërë që shumë njerëz në moshë pune të largohen nga vendi dhe shumë të tjerë të vriten ose të gjymtohen. Putini ka qenë i fiksuar për të frenuar rënien demografike të Rusisë, që kur erdhi në pushtet.

Ai ka shpenzuar triliona rubla në skema të ndryshme për të nxitur lindjet. Madje, Ivan Krastev nga Instituti për Shkenca Humane, institucion akademik në Austri, argumenton se ekspansionizmi i Putinit nxitet pjesërisht nga dëshira për ta bërë Rusinë një vend më të populluar. Aneksimi i Krimesë shtoi 2.2 milionë banorë. Por përpjekja për të pushtuar Ukrainën ka pasur efekt shkatërrues mbi popullsinë ruse.

Numri i njerëzve në Rusi (afërsisht 144 milionë), po pakësohej edhe para luftës, ashtu si edhe fuqia punëtore, që është rreth 75 milionë. Sipas vlerësimeve perëndimore, rreth 200,000 rusë janë vrarë dhe gjysmë milion janë plagosur në luftë. Rreth 700,000 burra janë në vijën e parë të frontit. Për të mbështetur rekrutimin në luftë në shkallën e tanishme, pra prej rreth 30,000 vetash në muaj, ushtria është detyruar të rrisë bonusin e shërbimit në luftë me më shumë se pesëfish, nga 200,000 rubla në fillimin e luftës, në 1.2 milionë tani.

Përveç kësaj, të paktën 650,000 deri në 1 milion rusë, janë larguar nga vendi për të shmangur ndonjë thirrje të detyrueshme në luftë. Edhe pse kjo shifër përbën vetëm rreth 1% të fuqisë punëtore të paraluftës, pjesa më e madhe e këtyre të larguarve janë rusë të rinj dhe të arsimuar. Në të njëjtën kohë, lindjet kanë rënë në nivele që nuk janë vënë re që nga vitet 1990, kur ndodhi kolapsi ekonomik pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Sot, një grua tipike ruse pritet të lindë mesatarisht 1.4 fëmijë në jetën e saj, shumë më poshtë se niveli 2.1 që nevojitet për të mbajtur popullsinë në një nivel të qëndrueshëm.

Në qershor u regjistruan për herë të parë më pak se 100,000 lindje. Edhe sikur lufta të përfundonte nesër, ajo ka ndryshuar trajektoren demografike të Rusisë, që është një “katastrofë” sipas fjalëve të zëdhënësit të Putinit. Një tregues tjetër i ndryshimit shoqëror që ka sjellë lufta, është rritja e krimeve të rënda. Ministria e Brendshme ruse thotë se veprat penale si vrasjet, përdhunimet, lëndimet e rënda trupore, sabotimet, shkeljet e pronës dhe dhuna ndëretnike, janë në nivelin më të lartë në të paktën 15 vjet. Një shkak për këtë mund të jetë lirimi i kriminelëve nga burgu për t’iu bashkuar luftës, të cilët më pas janë kthyer në atdhe si “heronj”. Verstka, një organizatë e pavarur ruse e lajmeve, llogarit se të paktën 242 qytetarë rusë janë vrarë nga ushtarë rusë që kthehen nga Ukraina dhe 227 të tjerë janë plagosur rëndë.

Rikthimi në normalitet që dëshirojnë njerëzit e zakonshëm, është i pamundur, argumenton zoti Rogov. Çdo ndërprerje e luftës do të fillonte të ngrinte pyetje se për çfarë u bë lufta dhe nëse ia vlente kostoja. Ndërkohë, Rusia vazhdon të ketë përparësi në fushëbetejë dhe pavarësisht parashikimeve të shpeshta për të kundërtën, ekonomia e saj nuk duket se është në prag të kolapsit. Por lufta, e cila më parë nuk kishte pasur ndikim të madh në jetën e shumicës së njerëzve, ka filluar të shkaktojë përçarje. Kjo përçarje nuk është ende aq e rëndë sa ajo që nxiti revolucionin bolshevik në të kaluarën. Por Putini ka të drejtë, kur thotë se lufta e ka ndryshuar në mënyrë dramatike rrugën e Rusisë./ Monitor

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin