LIVE UPDATES
Aktualitet

Ndërpritet seanca për shpërthimin në Ibër-Lepenc, mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit

Avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllaiq tha se nuk ka vërejtje për trupin gjykues, por kërkoi që prokurori Kodraliu të përjashtohet nga lënda.

24 December 2025, 16:57 Nga M.L

Ndërpritet seanca për shpërthimin në Ibër-Lepenc,

Për shkak të kërkesës së mbrojtjes të të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllaiq tha se nuk ka vërejtje për trupin gjykues, por kërkoi që prokurori Kodraliu të përjashtohet nga lënda.

Çfarë thanë avokatët mbrojtës?

Sipas tij, klienti i tij u arrestua më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm gjashtë ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhjen e provave. Sipas Vllaiqit, kjo kërkesë iu dorëzua prokurorisë së shtetit dhe gjykatës dhe provat iu dorëzuan të dyja palëve.

Vllaiq tha se atëbotë prokuror në këtë rast ishte Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu, duke pretenduar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga provat që ai i ka propozuar.

“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me katër persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale. Kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, tha Vllaiq.

Mbrojtësi pretendoi se Kodraliu ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.

Vllaiq pretendoi se provat janë humbur përgjithmonë sepse askush nuk është i obliguar që t’i ruajë incizimet për një vit, nëse nuk ka një urdhër për një gjë të tillë. Nisur nga kjo, sipas tij, është shkelur neni i Kodit të Procedurës Penale sa i përket një procesi të drejtë dhe mbrojtje të drejtë.

Të gjitha këto shkelje të pretenduara, sipas Vllaiqit, nxisin dyshime "në paanshmëri të prokurorit".

Kërkesën për përjashtimin e Kodraliut, Vllaiq tha se e ka dërguar edhe te kryeprokurori i shtetit.

Ndërkaq, avokati i Dragisha Viqentijeviq, Millosh Delleviq, iu bashkëngjit kësaj kërkese.

Ai tha se ka parashtruar kërkesë te prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.

Por, sipas Delleviq, deri sot prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet. Megjithatë, ajo tha se nuk ka asnjë vërejtje për prokurorin.

"Konsideroj që në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të Dragisha Vishetijeviq. Përveç neneve që përmendi kolegu Vllaiq, ai ka shkelur edhe nenin 47 të KPP-së i cili parasheh obligimin e prokurorit special ndaj të pandehurit. Ai nen parasheh që prokurori shtetëror gjatë hetimeve t’i shqyrtojë provat dhe faktet të cilat e rëndojnë të pandehurin dhe ato që i shkojnë në dobi", tha ai.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, u shpreh se ndoshta mbrojtjes nuk i pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se sulmi ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.

Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe janë dëgjuar edhe sot. Kodraliu u shpreh se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se u janë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por, Kodraliu theksoi se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.

“Ka qenë sulm që ka cenuar direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush është i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvilluar me partnerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Kodraliu tha se prokuroria ka vlerësuar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.

“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh pesë arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, u shpreh ai.

Sipas tij, pesë arsyet janë: kur është palë e dëmtuar në proces, kur është familjar me të pandehurit apo të dëmtuarin, kur është kujdestar ligjor apo është prind i të pandehurit apo të dëmtuarit, nëse kam marr pjesë si gjyqtar në këtë proces gjyqësor dhe nëse unë si prokuror kam ndonjë konflikt interesi me këta të pandehurit – "me sa e di unë nuk kam ndonjë konflikt interesi".

Kodraliu tha se është në dorën e gjyqtarit të vendosë për ndërprerjen e seancës dhe më pas gjykatësi Vesel Ismaili vendoi që seanca të ndërpritet, derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të marrë një vendim.

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Radios Evropa e Lirë se Kodi i Procedurës Penale përcakton që lidhur me kërkesën për përjashtimin e një prokurori nga një çështje me kërkesën e palëve, vendos kryeprokurori nga prokuroria nga vjen prokurori, në këtë rast i Prokurorisë Speciale, dhe atë brenda shtatë ditësh.

Në seancën fillestare, që u ndërpre, të pranishëm ishin vëllezërit Viqentijeviq, ndërkaq Dimoviq po mbrohet në liri.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”.

Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksplozivë që shërben për përdorim ushtarak (TNT) në brendësi të kanalit të Ibër-Lepencit, “përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike”.

“Të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarrpërcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasoj është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të Ibër-Lepencit; është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës; është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi, çka me këto veprime të pandehurit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës, ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm materiale në vlerë prej 376.774.70 euro”.

Sipas aktakuzës, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok dhe tjetra në fshatin Prevllak të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga Policia e Kosovës, u është gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

Aktakuza po ashtu thotë se Jovan Viqentijeviq, në cilësinë e të rekrutuarit të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, “ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës dhe t’ua komunikojë këtij shërbimi, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj, e të cilat informacione dhe dokumente i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit”.

Në shtëpinë e të pandehurit të tretë, Igor Dimoviq, pas sulmit janë gjetur tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa uniforma ushtarake, të cilat i janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Për shqyrtimin gjyqësor, Prokuroria ka ofruar prova si raporte të ndryshme të Policisë së Kosovës, që përfshijnë raportin nga vendi i ngjarjes, kontrollin e pronave, raportin mbi analizimin e pajisjeve elektronike, raporte zyrtare nga KFOR-i amerikan lidhur me ekzaminimet preliminare të mbetjeve të eksplozivit pas shpërthimit, si dhe raportet zyrtare nga Ministria e Brendshme e Italisë lidhur me ekzaminimet e dëshmive nga vendi i ngjarjes.

Mes tyre është edhe raporti i ekspertimit gjeologjik të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) mbi mostrat e “dheut të çizmeve”, të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viqentijeviq, së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët e Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e FBI-së të marra në vendin e ngjarjes, si dhe në oborrin e shtëpisë së të pandehurve.

“…nga të cilat mostra qartazi vërtetohet se në mes dheut të marr nga çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin Ibër-Lepenc nuk ka dallueshmëri, për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes së dheut, çka vërteton se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist”.

Prokuroria në aktakuzë kërkon që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen, duke i obliguar të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, si dhe të bëjnë kompensimin e dëmit ndaj Ibër-Lepencit në vlerën prej 376.774.70 eurosh.

Jovan Viqentijeviq, në dëshminë e tij të dhënë Policisë së Kosovës më 2 dhjetor 2024, ka thënë se në ditën kritike në mëngjes është takuar me një shok në Zubin Potok, ndërsa nga ora 08:30 deri në ora 13:00 ka qenë në punë, në një shkollë, dhe më pas ka shkuar në shtëpi. Rreth orës 15:00, sipas dëshmisë së tij, ai ka shkuar në fshatin Veli Breg “për të shkrirë dhjam”, ku ka qëndruar deri në ora 19:00–20:00.

Sipas Prokurorisë, Jovan Viqentijeviq ka tentuar të ndërtojë alibinë e tij të rrugëtimit.

“Ky përfundim ndërtohet sipas rezultateve të rrugëtimit të tij, dëshmive të ADN-së dhe mostrave të dheut të marra nga vendi i ngjarjes dhe nga çizmet e tij, të cilat e vërtetojnë faktin se i njëjti ka kryer këtë sulm terrorist”.

Sipas aktakuzës, dëshmia e vëllait të tij, Dragisha Viqentijeviq, është kundërthënëse në vetvete dhe me veprimet e të pandehurit Jovan Viçentijeviq.

Jovani ka përmendur po ashtu se është takuar me vëllain në mëngjesin e ditës kritike, gjë që nuk e ka përmendur fare Dragisha.

Prokuroria po ashtu, nga ekzaminimi i dosjes elektronike, ka nxjerrë fotografi të të pandehurit Jovan Viqentijeviq i veshur me uniformë ushtarake, si dhe komunikime në lidhje me sulmin.

Në aktakuzë thuhet se Prokuroria Speciale, i ka paraqitur autoriteteve serbe, disa herë kërkesa për ofrimin e provave konkrete për ndriçimin e këtij rasti, përmes zyrës se BE-së në Kosovë, për hetimin e të cilit kishin shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, “por deri me tani nuk kemi pranuar asnjë provë apo ndihmë juridike në këtë rast penal nga Serbia”.

Çfarë është Ibër–Lepenci?

Ndërmarrja kosovare Ibër–Lepenc, me seli në Prishtinë, furnizon me ujë të papërpunuar impiante industriale dhe shërben për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.

Kjo ndërmarrje furnizon me ujë edhe disa qytete në Kosovë nga liqeni i Ujmanit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.

Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967.

Ndërtimi i këtij hidrosistemi është zhvilluar në dy faza: faza e Ibrit, e cila përfundoi në vitin 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua kurrë.

Sot, kjo ndërmarrje është shoqëri aksionare, 100 për qind në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.

Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.

Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim./ REL

shpërthimi në ibër-lepenc seanca gjyqesore

Sondazh

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin