Veliaj refuzon të operohet në Fier, kërkon ndërhyrjen në Tiranë: I jam drejtuar GJKKO-së, nuk ja besoj jetën Kryeministrit
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit 2...
Plagosja me thikë në Korçë/ 30-vjeçari jep dëshminë para policisë: Më sulmuan disa persona të panj...
“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari tregon dhunën në polici: Më gjobitën 5 mi...
• Dosja.al ka siguruar progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026. • Komisioni Europian ngre një sërë shqetësimesh për Shqipërinë në progres-raportin, duke evidentuar problematikat në luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve, drejtësinë, lirinë e medias dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve. • KE e cilëson korrupsionin si një sfidë reale për Shqipërinë, ndërsa vlerëson punën e SPAK dhe pavarësinë e treguar nga kjo strukturë në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivelet e larta. • Megjithatë, Komisioni thekson se hetimet duhet të shoqërohen me më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe me sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive të përfituara nga korrupsioni. • Shqetësime ngrihen edhe për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. • Në raport kërkohet forcimi i llogaridhënies dhe reduktimi i ndikimit të padrejtë të zyrtarëve publikë dhe politikanëve në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë, përfshirë SPAK-un. • Një tjetër kritikë lidhet me mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhoi protestat e zhvilluara në vend. • KE evidenton pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve, duke kërkuar që institucionet të garantojnë respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut gjatë trajtimit të incidenteve të tilla. • Komisioni Europian kërkon gjithashtu një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. • Sipas raportit, pavarësisht se kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm, rekomandimet e kahershme të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të paadresuara. • Kritika ka edhe për funksionimin e Kuvendit, i cili sipas KE-së i ushtron kompetencat me efektivitet të pjesshëm. • Raporti evidenton moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe mungesën e dialogut politik e të konsultimeve publike. • Në fushën e lirisë së medias, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes. • Ndikimi i grupeve të biznesit me lidhje politike, mungesa e transparencës së financimit, përqendrimi i pronësisë së mediave, frikësimet dhe paditë SLAPP renditen ndër problematikat kryesore. • KE kërkon gjithashtu mbrojtje më efektive për gazetarët nga kërcënimet dhe sulmet, hetimin e rasteve të dhunës ndaj tyre, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave sociale. • Një tjetër shqetësim i evidentuar në raport lidhet me përdorimin e paraburgimit. Komisioni thekson se kjo vijon të jetë masa kryesore shtrënguese gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit, ndërsa kërkon përdorimin më të gjerë dhe më efektiv të masave alternative. • Për të garantuar përparimin në procesin e integrimit europian, Komisioni Europian kërkon angazhim të vazhdueshëm për zbatimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe respektimin e standardeve europiane.
10 artikuj për këtë temë.

BRUKSEL- Komisioni Europian ka shprehur shqetësim për mënyrën se si janë realizuar dy emërime në krye të institucioneve të pavarura në Shqipëri, duke evidentuar politizimin e procesit dhe mungesën e konsensusit mes forcave politike.
Në progres-raportin e publikuar këtë të mërkurë, KE ndalet te zgjedhja e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, dhe Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa Bungo, të cilët morën mbështetjen vetëm të votave të Partisë Socialiste.
Sipas Komisionit Europian, kjo praktikë përbën një problem serioz, pasi bie ndesh me traditën e krijuar ndër vite për arritjen e konsensusit ndërpartiak në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura.
Në raport theksohet se emërimi i Avokatit të Popullit u bë pa mbështetjen e opozitës, duke shmangur konsensusin politik që ka karakterizuar më parë procese të tilla. E njëjta mënyrë veprimi, sipas KE-së, u ndoq edhe në zgjedhjen e Komisioneres së re për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Parlamenti bëri emërime në institucionet e pavarura, por politizimi i këtyre emërimeve mbetet një çështje serioze. Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer një traditë të konsoliduar të konsensusit ndërpartiak. I njëjti proces u ndoq edhe për emërimin e një Komisioneri të ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi,”shkruhet në raport./Dosja.al
STRASBURG- Komisioni Europian kërkon nga institucionet shqiptare përdorimin më të gjerë të masave alternative ndaj paraburgimit, duke evidentuar se kjo vijon të jetë masa kryesore shtrënguese gjatë hetimeve dhe në pritje të gjykimit. Në progres-raportin e siguruar nga Dosja.al, theksohet se në Shqipëri vazhdojnë të jenë të pranishme problematikat që lidhen me respektimin e të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar.
Mes shqetësimeve të evidentuara janë e drejta për t'u informuar gjatë procedimeve penale, respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, aksesi te një avokat që në fazat e para të hetimit dhe sigurimi në kohë i ndihmës juridike.
Komisioni Europian nënvizon se institucionet përkatëse duhet të marrin masa për të garantuar përdorimin më të gjerë dhe më efektiv të alternativave ndaj paraburgimit.
"Kuadri ligjor për të drejtat procedurale është i paplotë dhe mbrojtja e të drejtave të viktimave ka nevojë për përmirësim. Kuadri ligjor për ndihmën juridike është gjithëpërfshirës, ndërsa ndihma juridike parësore dhe dytësore ofrohet si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor. Megjithatë, mbetet ende për t'u kryer vlerësimi i hartës së re gjyqësore në lidhje me ndihmën juridike, si dhe vlerësimi i përputhshmërisë së saj me standardet e BE-së. Burimet financiare dhe koordinimi ndërinstitucional për garantimin e të drejtave të viktimave të veprave penale mbeten të pamjaftueshme, përfshirë këtu qasjen në informacion dhe kompensimin ligjor përkatës. Qasja në ndihmë juridike ose në këshillim të përshtatshëm ligjor në kohën e duhur – çështje kjo që prek veçanërisht grupet më të cenueshme në procedurat penale – mbetet ende problematike.
Vazhdojnë të jenë të pranishme probleme që lidhen me të drejtat procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar, të cilat duhen trajtuar. Këtu përfshihen aspekte thelbësore si: e drejta për t'u informuar gjatë procedurave penale, mbrojtja e prezumimit të pafajësisë, e drejta për t'u përfaqësuar nga një avokat që në fazat më të hershme të hetimeve, si dhe qasja në ndihmë juridike në kohën e duhur. Paraburgimi vazhdon të mbetet masa kryesore shtrënguese që zbatohet gjatë hetimeve dhe gjykimit. Institucionet përkatëse duhet të marrin masa për të siguruar një përdorim më të gjerë të masave alternative ndaj paraburgimit.”, thuhet në raport./Dosja.al

STRASBURG- Komisioni Europian ngre shqetësime për përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim të padrejtë në sistemin gjyqësor shqiptar, përfshirë SPAK-un, si dhe për sulmet personale ndaj magjistratëve. Në progres-raportin për Shqipërinë të siguruar nga Dosja.al, KE vlerëson përparimin e bërë në zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016, duke theksuar se procesi i vettingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët është përfunduar, pas mbylljes së fazës së apelimit.
Në raport theksohet se mungesa e burimeve njerëzore, përfshirë magjistratët dhe stafin mbështetës, vijon të ndikojë në cilësinë e drejtësisë. Komisioni Europian evidenton se, pavarësisht reduktimit të pjesshëm të çështjeve të prapambetura, mbeten problematike efikasiteti, cilësia dhe integriteti i sistemit gjyqësor, infrastruktura e gjykatave, siguria dhe vonesat në krijimin e një sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve.
Për vitin e ardhshëm, KE kërkon nga Shqipëria të forcojë llogaridhënien dhe të reduktojë ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë. Një tjetër rekomandim është që emërimet, ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe inspektimet të bazohen në meritë dhe të zhvillohen përmes proceseve transparente.
Pjesë nga progres-raporti i KE-së për Shqipërinë:
-Funksionimi i gjyqësorit
Shqipëria është midis një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje dhe ka bërë përparim të mirë në funksionimin e gjyqësorit. Shqipëria vazhdoi të zbatojë reformën në drejtësi të vitit 2016. Procesi i verifikimit për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët u përfundua plotësisht pas finalizimit të fazës së apelimit, duke forcuar më tej pavarësinë llogaridhënien dhe integritetin në sektorin e drejtësisë. Rregullat për emërimin e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) u përputhën me ato që zbatohen për anëtarët magjistratë në lidhje me verifikimet e pasurisë dhe të së kaluarës.
Kryeprokurori i ri Special në Zyrën e Prokurorisë Speciale u emërua përmes një procesi konkurrues dhe transparent. Sfidat mbeten në kryerjen e vlerësimeve në kohë dhe cilësore të magjistratëve. Mungesa e burimeve njerëzore, duke përfshirë magjistratët, si dhe stafin mbështetës ligjor dhe administrativ, vazhdon të ndikojë në cilësinë e drejtësisë. Përpjekjet nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndikim të padrejtë në sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, dhe sulmet personale ndaj magjistratëve vazhduan gjatë periudhës së raportimit. Ndërsa numri i çështjeve të prapambetura është reduktuar pjesërisht, çështjet urgjente mbi efikasitetin, cilësinë dhe integritetin gjyqësor - duke përfshirë infrastrukturën e gjykatave, sigurinë dhe vonesën në krijimin e një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve - mbeten për t'u adresuar.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe disa mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:
→ të forcojë më tej llogaridhënien dhe të zvogëlojë ndërhyrjen politike në gjyqësor dhe shërbimet e prokurorisë, duke përfshirë rritjen e mbrojtjes së sinjalizuesve brenda strukturave gjyqësore, duke siguruar emërime, ngritje në detyrë, vlerësime dhe inspektime të bazuara në meritë dhe transparente, në përputhje me standardet e larta të përcaktuara nga procesi i verifikimit, dhe duke plotësuar vendet vakante të magjistratëve-inspektorëve në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë;
→ të përmirësojë cilësinë e drejtësisë, në veçanti duke vazhduar të plotësojë vendet e lira dhe duke siguruar staf të mjaftueshëm administrativ të gjykatave në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke rritur numrin total të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë drejt mesatares së BE-së, dhe duke finalizuar rishikimin e kurrikulave të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm dhe provimin e pranimit për
Shkollën e Magjistraturës dhe duke përmirësuar kapacitetin e shkollës për të ofruar trajnim gjyqësor;
→ të përmirësojë efikasitetin gjyqësor, duke përfshirë miratimin e masave të mëtejshme për të rritur efikasitetin në të gjitha nivelet, dhe duke zvogëluar më tej ngarkesën e lëndëve të prapambetura, në përputhje me Udhërrëfyesin për Efikasitetin Gjyqësor, parimet e reformës në drejtësi dhe standardet evropiane, duke siguruar zbatimin e shpejtë të sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve dhe duke zgjeruar sistemin online të njoftimit në të gjitha gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm./Dosja.al

STRASBURG- Komisioni Europian ngre shqetësime për situatën e lirisë së medias në Shqipëri, duke theksuar se vendi nuk ofron ende garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes dhe se gazetarët përballen me kërcënime, frikësime dhe kushte të pasigurta pune. Në progres-raportin e KE-së të siguruar nga Dosja.al thuhet se mjedisi mediatik duhet të përmirësohet në mënyrë që mediat të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
Raporti evidenton si problem ndikimin e grupeve të biznesit me lidhje politike në tregun mediatik, ndërthurjen e interesave politike dhe ekonomike, mungesën e transparencës së financimit dhe përqendrimin e lartë të pronësisë së mediave. Shqetësime ngrihen gjithashtu për frikësimet, fushatat denigruese, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe kushtet e pasigurta të punës së gazetarëve.
Një tjetër pikë e rëndësishme është mbrojtja e gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe paditë SLAPP. KE kërkon që institucionet ligjzbatuese të garantojnë hetimin dhe ndjekjen gjyqësore të rasteve të dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë incidentet gjatë protestave. Në raport kërkohet gjithashtu përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve, forcimi i të drejtave të tyre të punësimit dhe atyre sociale, si dhe zbatimi i njëtrajtshëm i Kodit të Punës.
Pjesë nga progres-raporti:
Shqipëria ndodhet ndërmjet një niveli të caktuar dhe një niveli mesatar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka shënuar njëfarë progresi gjatë periudhës së raportimit, veçanërisht sa i përket përafrimit të kuadrit të saj ligjor me acquis-in e Bashkimit Europian dhe standardet europiane. Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, ndërsa mjedisi në të cilin operojnë mediat duhet të përmirësohet, në mënyrë që ato të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
Shqipëria ka përjashtuar gazetarët e regjistruar nga dispozitat penale për shpifjen, në kushte të caktuara, megjithëse dekriminalizimi i plotë i shpifjes ende nuk është arritur. Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe nga ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe interesave të tjera. Faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht janë mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë së mediave, si dhe frikësimet dhe fushatat denigruese, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe kushtet e pasigurta të punës së gazetarëve.
Vijuan të ngrihen shqetësime lidhur me ndikimin politik në emërimet si në autoritetin rregullator të medias, ashtu edhe në transmetuesin publik. Rekomandimet e Komisionit Europian të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Rekomandimet e Komisionit Europian për vitin e ardhshëm
Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të përqendrohet veçanërisht në këto drejtime:
1. Reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të medias
Të miratojë reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, me qëllim:
• Zbatimin e plotë të masave për garantimin e transparencës së pronësisë së mediave, forcimin e pluralizmit mediatik dhe pavarësisë editoriale.
• Forcimin e transparencës së financimit të mediave nga burimet private dhe shtetërore.
• Forcimin e autonomisë së autoritetit rregullator të medias dhe pavarësisë së transmetuesit publik.
• Shfuqizimin e plotë të dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen.
• Përafrimin e aspekteve civile të shpifjes me standardet europiane.
• Garantimin e mëtejshëm të shpërndarjes së drejtë dhe transparente të reklamave shtetërore, si dhe forcimin e aksesit në informacionin publik.
2. Mbrojtja e gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe paditë SLAPP
Të garantojë më tej tolerancë zero ndaj frikësimeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese, si dhe të sigurojë mbrojtje efektive kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP). Gjithashtu, të garantojë zbatimin e ligjit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë ndjekjen e tyre nga organet gjyqësore. Të forcojë më tej kapacitetet e organeve ligjzbatuese për trajtimin e rasteve të dhunës, përfshirë incidentet që ndodhin gjatë ose në kontekstin e protestave, si dhe rastet e tjera penale që përfshijnë gazetarët. Në veçanti, duhet të garantohet respektimi i standardeve të larta të të drejtave të njeriut gjatë trajtimit të incidenteve që përfshijnë gazetarët, përmes:
• Udhëzimeve detyruese për organet ligjzbatuese.
• Procedurave disiplinore, administrative dhe/ose gjyqësore.
• Mbledhjes dhe administrimit të të dhënave.
• Masave për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
3. Përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve
Të përmirësojë kushtet e punës së gazetarëve shqiptarë, veçanërisht duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të tyre të punësimit dhe të drejtave sociale, si dhe duke garantuar zbatimin e njëtrajtshëm të Kodit të Punës./Dosja.al

STRASBURG- Komisioni Europian kritikon funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë, duke evidentuar moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore. Në progres-raportin e siguruar nga Dosja.al, thuhet se Parlamenti i ushtron kompetencat e tij, përfshirë kontrollin ndaj ekzekutivit dhe përfshirjen në procesin legjislativ, me efektivitet të pjesshëm.
Sipas raportit, mungesa e dialogut politik dhe e konsultimeve publike, si dhe përplasjet mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, kanë kufizuar funksionimin e Kuvendit.
"Parlamenti i ushtron kompetencat e tij, përfshirë kontrollin ndaj ekzekutivit dhe përfshirjen në procesin legjislativ, me efektivitet të pjesshëm. Mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe e konsultimeve publike, si dhe përplasjet ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës, vijuan të kufizonin efektivitetin e tij. Parlamenti gjithashtu nuk zbatoi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Miratimi me konsensus i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit ishte një zhvillim pozitiv. Megjithatë, paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese apo institucionet e pavarura," thuhet në progres-raport./Dosja.al

STRASBURG- Komisioni Europian kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në Shqipëri, duke e cilësuar atë urgjente përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në progres-raport theksohet se kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm, por një sërë rekomandimesh të kahershme të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias vijojnë të mbeten të paadresuara.
“Kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm. Megjithatë, disa rekomandime të kahershme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Komisionit të Venecias mbeten të paadresuara. Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, thuhet në progres raport./Dosja.al

STRASBURG- Progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ngre shqetësime për mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhoi protestat e zhvilluara në vend, duke evidentuar pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Në raport thuhet se protestat e nisura në maj 2026 në Tiranë përbëjnë mobilizimin më të madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e tyre.
Komisioni Europian evidenton gjithashtu se në tetor 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Ndërsa protestuesit shkaktuan dëme në prona publike dhe private, më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga efektivët ndaj qytetarëve dhe gazetarëve.
Pjesë nga progres raporti
Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.
Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.
Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion. Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv./Dosja.al

STRASBURG- Komisioni Evropian e cilëson korrupsionin një sfidë reale për Shqipërinë dhe kërkon më shumë vendime përfundimtare për korrupsionin e nivelit të lartë dhe sekuestrimin e konfiskimin e pasurive që burojnë nga aktiviteti korruptiv. Në progres-raportin për Shqipërinë, Komisioni vlerëson punën e SPAK dhe pavarësinë e treguar nga kjo strukturë, duke evidentuar rezultatet pozitive në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivelet e larta.
Megjithatë, KE thekson se hetimet duhet të shoqërohen me më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe me sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive të përfituara nga korrupsioni. Një tjetër rekomandim lidhet me institucionet shtetërore, të cilave u kërkohet të bëjnë më shumë referime proaktive pranë prokurorisë për rastet e dyshuara të korrupsionit.
Pjesë nga progres-raporti:
Shqipëria është midis një niveli të moderuar dhe një niveli të mirë përgatitjeje dhe ka treguar përparim të mirë në përgjithësi. Strategjia Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe plani i saj i veprimit 2024-2026 janë duke u zbatuar. Struktura e Specializuar Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vazhduar të demonstrojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke bërë përparim të prekshëm drejt një rekordi të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë e vërtetë. Legjislacioni për të parandaluar korrupsionin u përafrua më tej me standardet evropiane, duke përfshirë konfliktet e interesit dhe lobimin. Përafrim i mëtejshëm u arrit në mbrojtjen e sinjalizuesve. Vlerësimet e rrezikut të korrupsionit bazuar në sektorë janë iniciuar dhe deklaratat e pasurisë së nivelit të lartë janë publikuar.
Ndikimi aktual i këtyre dhe masave të tjera parandaluese në korrupsion mbetet për t'u demonstruar, duke marrë parasysh hetimet e vazhdueshme të korrupsionit të nivelit të lartë. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe disa prej tyre mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:
→ të forcojë dhe konsolidojë më tej historikun e hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit dhe të sigurojë më shumë dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e profilit të lartë. Kjo përfshin sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve kriminale që vijnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin, si dhe rritjen e ndjeshme të referimeve proaktive nga institucionet përkatëse shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Zyrën e Prokurorisë Speciale (ZPS) dhe Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme (ZPP);
→ të konsolidojë më tej kuadrin e parandalimit të korrupsionit duke: zbatuar dhe monitoruar masat legjislative të miratuara rishtazi; forcimin e kapacitetit institucional dhe angazhimin në zbatimin e strategjisë dhe legjislacionit kundër korrupsionit; zgjerimin e
vlerësimeve të rrezikut të korrupsionit në sektorët e cenueshëm, si dhe planet e integritetit në nivel qendror dhe lokal, dhe zbatimin e gjetjeve të tyre; përmirësimin e verifikimit të deklarimit të pasurisë nga të gjitha organet përkatëse, përfshirë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Auditimit të Pasurive dhe Konflikteve të Interesit (ILDKPKI);
→ Forcimin e masave për të përmirësuar llogaridhënien dhe integritetin e Policisë Shtetërore Shqiptare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Policisë dhe sigurimin e pavarësisë dhe stabilitetit të udhëheqjes së saj./Dosja.al


STRASBURG- Dosja.al ka siguruar progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku vlerësohet se vendi ka vijuar përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hapur edhe grupin e fundit të kapitujve të negociatave. Sipas raportit, Shqipëria ka përmbushur standardet e përkohshme në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, duke krijuar kushtet për mbylljen e përkohshme të katër kapitujve.
Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur kërkesat në të gjithë kapitujt e mbetur. Për të arritur objektivin ambicioz, por të realizueshëm, të përfundimit të negociatave deri në vitin 2027, Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të sigurojë zbatimin e shpejtë të reformave cilësore që lidhen me BE-në.
Një tjetër element i evidentuar në progres-raport është situata politike dhe shoqërore në vend. Komisioni Evropian nënvizon se periudha e raportimit u shoqërua me mobilizimin më të madh qytetar në Shqipëri që prej tranzicionit demokratik. Në këtë kontekst, raporti thekson se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë dhe një dialog politik konstruktiv e gjithëpërfshirës.
"Shqipëria vazhdon të bëjë përparim drejt anëtarësimit në BE. Gjatë periudhës raportuese, ajo hapi grupin e fundit të mbetur, përmbushi standardet e përkohshme në kapitujt e sundimit të ligjit, duke hapur rrugën për mbylljen e përkohshme të katër kapitujve. Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme në të gjithë kapitujt e mbetur. Arritja e objektivit ambicioz, por të arritshëm të Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 kërkon ruajtjen e vrullit të reformave dhe nxitjen e dialogut politik gjithëpërfshirës. Ruajtja e vrullit do të kërkojë zbatim të shpejtë të reformave me cilësi të lartë që lidhen me BE-në. Në të njëjtën kohë, periudha raportuese pa mobilizimin më të madh qytetar të vendit që nga tranzicioni i tij demokratik. Anëtarësimi në BE është një qasje e të gjithë shoqërisë që kërkon dialog konstruktiv," thuhet nw pwrshkrimin e progres-raportit./Dosja.al