Veliaj refuzon të operohet në Fier, kërkon ndërhyrjen në Tiranë: I jam drejtuar GJKKO-së, nuk ja besoj jetën Kryeministrit
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit 2...
Plagosja me thikë në Korçë/ 30-vjeçari jep dëshminë para policisë: Më sulmuan disa persona të panj...
“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari tregon dhunën në polici: Më gjobitën 5 mi...
• Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar ditën e sotme më 7 qershor kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. • Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor. • Votimi ka nisur në orën 07:00, ndërsa procesi zgjedhor do të zhvillohet në 949 qendra të votimit me gjithsej 2,550 vendvotime në të gjithë Kosovën. • Të drejtë vote, sipas listës së votuesve të miratuar nga KQZ-ja, kanë rreth dy milionë qytetarë, përfshirë diasporën. • KQZ bën të ditur se 22.685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. • Procesi zhvillohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa diaspora ka votuar një ditë më parë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. • Edhe kësaj radhe, procesi monitorohet nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. • Në garë marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. • Vetëvendosja garon në koalicion me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja konkurrojnë të vetme. • Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial. • E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. • Një ditë më parë ka votuar diaspora në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. • Sipas të dhënave zyrtare, nga 27.724 votues të regjistruar jashtë vendit kanë votuar 22.414 qytetarë, ose 80.85% e tyre. • Procesi është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasada dhe konsullata në Evropë, SHBA dhe Kanada. • Zgjedhjet po ndiqen me interes edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka kërkuar krijimin e institucioneve të qëndrueshme për të çuar përpara reformat dhe procesin e integrimit evropian.
14 artikuj për këtë temë.
KOSOVA- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë sërish thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhet e parakohshme parlamentare, të cilat po zhvillohen ditën e sotme në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti u shpreh se sa më e gjerë të jetë vendimmarrja aq më e fortë është demokracia dhe Republika e Kosovës.
“Të dashur qytetarë, Kanë mbetur më pak se 3 orë kohë për të votuar. Të gjithë ju, që ende nuk keni votuar, ju lutem ta bëni një gjë të tillë. Për pak minuta vendosim për zhvillim, siguri dhe stabilitet për vendin tonë. E ju që tashmë keni votuar, ftoni miqtë, farefisin e dashamirët të shkojnë për të votuar. Sa më e gjerë vendimmarrja aq më e fortë demokracia dhe Republika jonë.
E juve që ju ka zënë puna të jeni në komuna tjera, mund të votoni me kusht në cilëndo komunë ku jeni. Secila komunë e ka një qendër të votimit bash për këtë punë. Dil dhe voto! Pak kohë ka mbetur. Mos e le për në fund! Ju dua”, tha Kurti./Dosja.al
KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat zyrtare mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave të fundit, deri në orën 17:14, numri i votuesve në nivel vendi deri në orën 17:00 ka arritur në 27.87%.
Deri më tani, të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar gjithsej 546,185 qytetarë nga 1,959,962 që janë gjithsej në listën e votuesve. Ndërkohë, deri më tani janë procesuar të dhënat nga 2,361 vendvotime nga 2,498 sa janë gjithsej, që përbën 94.52% të vendvotimeve të rregullta në mbarë Kosovën./Dosja.al
KOSOVA- Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph ka vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinën e saj. Përmes një video në rrjetet sociale, Rudolph u shpreh se po monitoron ecurinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë me katër ekipe.
Ai tha se deri tani gjithçka duket e qetë dhe se procesi i votimit po zhvillohet pa problem. Në fund, Rainer Rudolph u shpreh se pret me interes rezultatet e zgjedhjeve.
“Përshëndetje, sot është dita e zgjedhjeve në Kosovë dhe, me vendosmërinë për të vëzhguar procesin, po marrim pjesë me katër ekipe në ushtrimin e monitorimit të zgjedhjeve të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Aktualisht jam duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinën e saj. Gjithçka që kam parë deri tani duket e qetë dhe po zhvillohet pa probleme. Prandaj, presim me interes rezultatet e zgjedhjeve sonte. Shihemi atëherë’’, tha ai./Dosja.al
KOSOVË- Që nga ora shtatë e mëngjesit u hapën qendrat e votimit në të gjithë territorin e Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë brenda 16 muajve. Synimi, për të zhbllokuar krizën institucionale.
Pjesëmarrja në votime deri në mesditë sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është pak mbi 8 përqind, pjesëmarrje kjo akoma e ulët, por, fluksi më i madh pritet gjatë pasdites. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes, ndërsa, rezultatet preliminare të votimit, varësisht nga dinamika e numërimit të votave priten diku rreth mesnatës.
KQZ: Votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme
"Procesi i votimit po zhvillohet sipas planifikimeve. Sipas të dhënave nga komisionet komunale, deri tash votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme”, tha kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi. Votimi normalisht po zhvillohet edhe në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe, ndonëse, vëzhguesit lokal, kanë evidentuar turma të organizuara që kanë shkuar të votojnë pranë qendrave të votimit, sikundër flamuj të Serbisë të vendosur në disa shkolla ku zhvillohet votimi. Votimi i organizuar dhe flamujt e shteteve tjera ndalohen sipas rregullave të zgjedhjeve.
Sipas listës së votuesve tashmë të miratuar nga KQZ-ja, të drejtë vote kanë pak mbi dy milionë qytetarë, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës. Procesi zgjedhor brenda vendit po zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime. Në garë zgjedhore janë 23 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garon në koalicion me tri subjekte të vogla, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane, ndërsa tri partitë kryesore opozitare shqiptare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.
E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Pjesë e garës është edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i prin listës për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte para mandatit presidencial vetë Osmani.
Dita e zgjedhjeve llogaritet heshtje zgjedhore, dhe nuk lejohen thirrjet për të votuar një subjekt të caktuar politik. Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. "Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë. Unë ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, si dhe dashuri për vendin”, tha Haxhiu.
Policia e Kosovës nga ana e saj, po siguron mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Edhe kësaj here, zgjedhjet do të vëzhgohen nga qindra vëzhgues vendorë, por do të ketë pak vëzhgues ndërkombëtarë, për faktin që, sipas zyrtarëve të BE-së, për shkak të kohës së shkurtër nuk kanë qenë në gjendje të dërgojnë një mision vëzhgues të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Megjithatë, 500 vëzhgues të zgjedhjeve prezent në 500 vendvotime janë angazhuar vetëm nga rrjeti më i madh i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV). "Gjatë ditës së sotme ata do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nga hapja e vendvotimeve deri në mbyllje të procesit të numërimit të votave për subjektet politike. Me theks, ata do të përcjellin respektimin e procedurave të votimit dhe numërimit, garantimin e fshehtësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët - sipas standardeve ndërkombëtare për vëzhgim të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet në njoftimin e DNV-së, duke iu bërë një thirrje të veçantë 16,934 votuesve që votojnë për herë të parë: "vota juaj, më shumë se një e drejtë – është zëri juaj në vendimmarrje”.
Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërkaq, kërkoi nga të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre angazhim për një proces zgjedhor paqësor, të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës. Kjo thirrje, sipas BE-së, "thekson rëndësinë e garantimit të një votimi të lirë, duke shmangur çdo ndërhyrje, presion apo manipulim që mund të cenojë vullnetin e lirë të qytetarëve”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë janë të tretat me radhë vetëm brenda 16 muajve të fundit dhe mbahen pas krizave të njëpasnjëshme politike dhe mungesës së konsensusit ndërmjet partive për emrin e presidentes/it. Analistët politikë, ndërkaq, mbajtjen kaq shpesh të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë e vlerësojnë të dëmshme për vendin sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, ndërsa fajin ua hedhin partive politike të cilat, sipas tyre, kanë dështuar të ndërtojnë klimë konsensusi për vendime nacionale./DW
TIRANË- Kosova po zhvillon sot procesin e zgjedhjeve të treta parlamentare brenda një harku kohor prej 18 muajsh.
Mbi dy milionë qytetarë gëzojnë të drejtën e votës, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) raporton se deri në orën 15:00, pjesëmarrja në votime ka qenë 22.74%. Këto zgjedhje të parakohshme u thirrën pas pamundësisë së Kuvendit për të zgjedhur presidentin e vendit.
“Deri në orën 15:00, kanë votuar 445,622 votues apo 22.74% nga gjithsej 1,959,962 votues me të drejtë vote.”, njofton KQZ./Dosja.al
KOSOVA- Policia e Kosovës ka ndaluar ditën e sotme dy persona, pasi dyshohet se grisën fletët e votimit, gjatë procesit zgjedhor në Prishtinë dhe Drenas. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë.
“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste Asgjësim i dokumentit të votimit në Drenas dhe në Prishtinë, ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, deklaroi për “Express” zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti./Dosja.al
KOSOVA- Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është paraqitur pranë qendrave të votimit për të votuar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Pasi ushtroi të drejtën e votës, Molliqaj bëri thirrje për sa më shumë pjesëmarrje në votim nga ana e qytetarëve.
Gjatë një prononcimi për mediat, ai u shpreh se të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve deri në mesditë.
Sipas tij, sa më i madh numri të jetë numrii qytetarëve në kutitë e votimit, aq më e madhe është garancia për demokraci në Kosovë. Në fund, Molliqaj theksoi se Partia Socialdemokrate beson se demokracia është çelësi i organizimit shoqëror dhe politik.
“Ajo çka po shohim sot në mesditë, fluksi i qytetarëve që po votojnë dhe nga statistikat e KQZ-së, aty-aty jemi dhe ka pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve të Kosovës. Unë besoj se është jetike që pas debateve dhe fushatës që ka ndodhur, sa më shumë njerëz të shkojnë në kutitë e votimit. Sa më i madh numri i qytetarëve në kutitë e votimit, aq më e madhe është garanci për demokraci. Ne besojmë që demokracia është çelësi i organizimit shoqëror dhe politik në secilin vend, e në veçanti te ne. Ftesa jonë është e qartë që secili që ka mundësi dhe vullnet të dalë të votojë, pasi kjo është garanci për një mundësi të mirë dhe zgjedhje të mira”, përfundoi ai./Dosja.al
KOSOVË- Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë. Pas hedhjes së votos në kuti, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes.
Kosova po zhvillon sot zgjedhjet parlamentare për përbërjen e re të Kuvendit, në një proces që vjen pas një periudhe të gjatë bllokimi politik. Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 16 muajve, pas votimeve të mbajtura më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.
Rikthimi i vendit në kutitë e votimit erdhi si pasojë e pamundësisë së forcave politike për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe tejkalimin e ngërçit institucional./Dosja.al
KOSOVË- Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces zgjedhor të rregullt dhe demokratik.
Pas votimit, Osmani u shpreh se pret që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe transparente, duke kontribuar në forcimin e demokracisë dhe në formimin e shpejtë të institucioneve të reja në vend. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së gjerë në zgjedhje.
Osmani e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm për vendin, duke shprehur besimin se qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm politik të Kosovës. Sipas Osmanit, vota e qytetarëve do të jetë vendimtare për formimin e institucioneve të reja dhe për tejkalimin e krizës politike në vend.
“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili kontribuon në demokraci dhe në krijimin sa më shpejt të institucioneve, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Njëkohësisht i falënderoj të gjitha institucionet që gjatë ditës do të jenë në terren për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova të festojë dhe të fitojë”, u shpreh ajo./Dosja.al
KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë. Pasi hodhi votën e tij në kuti, Kurti u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë, pasi sot vendosin ata.
“’U sugjeroj qytetarëve të kontrollojnë ku e kanë vend votimin dhe më pas të nisen në këtë ditë kaq të rëndësishme për Kosovën, qeverisjen në vazhdim dhe për mbarëvajtjen e republikës. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja në zgjedhje aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë dhe prandaj u bëj thirrje qytetarëve të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike”, u shpreh Kurti pasi votoi./Dosja.al
KOSOVË- Procesi i votimit ka nisur zyrtarisht në mbarë Kosovën, ku qendrat e votimit u hapën në orën 07:00. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, pas hedhjes së votës së tij, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
Ai ftoi votuesit të dalin në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Radoniqi tha gjithashtu se KQZ-ja ka qenë e angazhuar intensivisht në përgatitjet për ditën e zgjedhjeve dhe se të gjitha procedurat e nevojshme janë përmbyllur me kohë./Dosja.al

KOSOVË- Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit janë angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial. Në njoftim theksohet se ata do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim e Zyrës së Kryeprokurorit.
Prokurori i Shtetit i ka ftuar qytetarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./Dosja.al
KOSOVË- Kosova sot shkon në zgjedhje të parakohshme, pasi politika dështoi të zgjidhte presidentin e ri. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës brenda 16 muajve.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve përfshin 2.092.174 shtetas, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Nga ky numër, 1.959.962 qytetarë votojnë brenda Kosovës, ndërsa 132.212 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.
KQZ bën të ditur se 22.685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Procesi zhvillohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa diaspora ka votuar një ditë më parë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës./Dosja.al

KOSOVË- Qytetarët e Kosovës do të përpiqen sot t’i japin drejtim një krize që, sipas vëzhguesve, buron nga ambicia për kontroll të plotë të pushtetit dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis. Dalja prej saj tani është e kufizuar në vetëm pak skenarë.
Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor. Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave shumicën më të madhe në Kosovën shtet nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, deklaroi Haxhiu më 30 prill.
Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, shpërndarja e legjislaturës së dhjetë ishte “mjerim politik”, i shkaktuar nga partitë deri atëherë në opozitë, të cilat i akuzoi për mungesë bashkëpunimi dhe bojkotim të qëllimshëm të seancave për zgjedhjen e presidentit.
“Kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, prandaj edhe është në rënie të lirë, është duke rënë vazhdimisht nëpër ciklet elektorale”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 mandate deputetësh, 35 më pak se Lëvizja Vetëvendosje me 57, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 15, pesë më pak se në zgjedhjet e shkurtit, dhe të tjerat më pak.
Këto parti e mirëpritën shkuarjen në zgjedhje të reja, edhe pse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ato u imponuan nga pushteti, i cili, me shumicën prej 51%, kërkoi “nënshtrim” politik.
“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë...”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.
Njësoj e vetme garon edhe Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.
Të drejtë vote, sipas listës së votuesve të miratuar nga KQZ-ja, kanë rreth dy milionë qytetarë, përfshirë diasporën. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit votuan rreth 900 mijë prej tyre, ose rreth 45 për qind e elektoratit. Për organizimin e këtij procesi, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milionë eurove. Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milionë.
Edhe kësaj radhe, procesi monitorohet nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Haxhiu, shkroi në letrën dërguar udhëheqësve evropianë se “prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”.
Ndonëse pajtohen për zgjedhje të organizuara vazhdimisht mirë, vëzhguesit e zhvillimeve politike në Kosovë thonë se ky cikël vetëm për rotacion pushteti nuk është, por për drejtimin që do të marrë vetë shteti: përqendrim më i madh i pushtetit të një partie, model konsensual ose vazhdim i bllokadës. Agon Maliqi e përkufizon qartë dilemën: mes “liderit të fortë” dhe kompromisit të detyruar.
Ai paralajmëron se Kosova rrezikon të rrëshqasë drejt një modeli si në Shqipëri apo në Serbi, ku pushteti përqendrohet te një lider që kontrollon gjithçka, përballë alternativës së një sistemi që imponon bashkëpunim dhe ruan balancat demokratike.
“Personalisht, besoj se do të duhej një rezultat më i përafërt me atë të zgjedhjeve të shkurtit, i cili imponon konesnsus jo vetëm për presidentin, por edhe për qeverinë, sepse sistemin politik e kemi të tillë ai e bën të vështirë ose të pamundur që një parti të kontrollojë gjithçka”, thotë Maliqi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Sistemi politik në Kosovë është i ndërtuar në atë mënyrë që për një sërë vendimesh të rëndësishme, si zgjedhja e presidentit, kërkohet shumica prej dy të tretash në Kuvend. Kjo obligon bashkëpunim ndërpartiak dhe marrëveshje politike. Por, sipas Maliqit, problemi qëndron tek aktorët politikë, të cilët shpesh synojnë më shumë pushtet sesa u jep mandati elektoral.
Në analizën e tij, ai vlerëson se situata aktuale i krijon komoditet Qeverisë në detyrë, pasi funksionon me më pak mbikëqyrje dhe më shumë hapësirë për justifikime. Kjo gjendje, sipas tij, mund të shfrytëzohet edhe për të shtyrë marrjen e vendimeve të vështira, përfshirë ato që lidhen me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në të njëjtën frymë kritike, edhe Artan Muhaxhiri argumenton se situata është produkt i një “klase politike të papërgjegjshme”, e cila, siç thotë, vepron në shpërputhje me nevojat e qytetarëve. Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te shpeshtësia e zgjedhjeve, por edhe te mungesa e kulturës së kompromisit dhe funksionalitetit institucional.
“… sepse, përmendet shpesh Belgjika apo ndonjë rast tjetër ku ka pasur zgjedhje të njëpasnjëshme, mirëpo ato kanë sisteme institucionale e sociopolitike që e kanë një trajektore të paracaktuar, kanë qëndrueshmëri dhe nuk varen në çdo gjë nga politika, siç është rasti me Kosovën”, thotë Muhaxhiri për Exposenë.
Me një popullsi prej rreth 1.6 milion banorësh dhe e vlerësuar si vendet më të varfra në Evropë, Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj pasojave të paqëndrueshmërisë politike. Të dy vëzhguesit paralajmërojnë rritje të mosbesimit qytetar dhe zhgënjimit institucional, ndërsa BE-ja alarmon për humbje të mëtejshme të kohës dhe fondeve.
Një raport i Parlamentit Evropian, i miratuar këtë javë, e përshkruan vitin 2025 si të humbur për Kosovën, me rrezik që stagnimi të vazhdojë edhe më 2026. Kjo, sipas raportit, mund të vërë në pikëpyetje përfitimin e miliona eurove nga Plani i Rritjes dhe fondet e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja nuk mund t’ia bëjë detyrat e shtëpisë Kosovës” ishte mesazhi që presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u dha udhëheqësve kosovarë gjatë një vizite në Prishtinë më 3 qershor.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja”, tha ai.
Në raportet me partnerët ndërkombëtarë, Muhaxhiri e cilëson sinjalin që dërgon Kosova si “katastrofal për stabilitetin” me pasoja konkrete në investime dhe mbështetje.
“Asnjë zhvillim i madh gjeopolitik i Kosovës nuk mund të bëhet pa përkrahjen e Uashingtonit edhe të Brukselit. Është jashtëzakonisht zhgënjyese që politikanët tanë nuk e kanë vetëdijen e mjaftueshme politike që t’i shohin të gjitha këto dëme që ia kanë shkaktuar Kosovës, sepse do të duhet shumë kohë që të kthehemi në pikën ku kemi qenë para bllokadës”, thotë ai.
Maliqi shkon edhe më larg, duke paralajmëruar se Kosova po ngec në një lloj limboje në raport me integrimet evropiane, së bashku me vende si Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria ecin përpara. Ndryshe prej tyre, Kosova është edhe e vetmja që nuk ka status kandidati për anëtarësim në BE.
“Kostot e kësaj do të shihen më vonë, pra kostot e mungesës së një raporti produktiv me vendet e BE-së, kostot e mungesës së përfshirjes në projekte të ndryshme ekonomike, sidomos ato amerikane. Ka pasur një vazhdimësi në fushën e mbrojtjes nga ana e SHBA-së, që nuk është ndërprerë pothuajse asnjëherë, por në fusha të tjera - politike, ekonomike - ka ngecje”, thotë Maliqi.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë reaguar disa herë ndaj bllokadave në Kosovë, duke kërkuar formimin e institucioneve dhe daljen nga ngërçi, por pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Muhaxhiri vlerëson se arritja e marrëveshjes për institucionet, pa trysninë e ndërkombëtarëve, do të jetë e vështirë. Ai thotë se vetëm presioni nga Brukseli dhe Uashingtoni, përmes paralajmërimeve për pasojat e bllokimit politik, mund t’i shtyjë palët drejt kompromisit përndryshe vendi rrezikon të mbetet në të njëjtin cikël ngërçi pa rezultate konkrete.
“Edhe në të kaluarën ka pasur bllokada. Ka qenë, për shembull, ai hendeku i madh mes PDK-së dhe LDK-së, por me përkrahjen ndërkombëtare, me trysninë ndërkombëtare, ka arritur të tejkalohet”, kujton ai.
Në retorikën publike, udhëheqësit politikë në Kosovë janë shprehur shpesh të vetëdijshëm për këto pasoja.
“Qytetarët nga ne presin bashkim, kur bëhet fjalë për interesat e vendit, presin institucione stabile dhe jo të kundërtën. Po vonohemi në shumë reforma, pa asnjë nevojë”, ka thënë Haxhiu.
Por, kjo nuk është reflektuar në veprim... dhe për analistët, kjo e bën krizën kryesisht të prodhuar dhe të riprodhuar nga vetë elitat politike, përmes kokëfortësisë që kanë në qëndrime. Ndaj, në fund, pyetja nuk është vetëm kush fiton, por nëse pas 7 qershorit Kosova do të jetë në gjendje të qeveriset. Një element që lë hapësirë për optimizëm është fakti se, ndonëse fushata zgjedhore është shoqëruar me gjuhë të polarizuar, nuk ka pasur retorikë të vijave të kuqe që do ta pamundësonte bashkëpunimin paszgjedhor.