Veliaj refuzon të operohet në Fier, kërkon ndërhyrjen në Tiranë: I jam drejtuar GJKKO-së, nuk ja besoj jetën Kryeministrit
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit 2...
Plagosja me thikë në Korçë/ 30-vjeçari jep dëshminë para policisë: Më sulmuan disa persona të panj...
“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari tregon dhunën në polici: Më gjobitën 5 mi...
• Disa zona të vendit u përfshinë mbrëmjen e kaluar nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. • Stuhia e fortë shkaktoi kaos në Sarandë, duke rrëzuar pemë, të cilat bllokuan disa rrugë, që më pas kanë krijuar vështirësi edhe në qarkullim. • Probleme u raportuan edhe në bizneset përgjatë shëtitores. •Si pasojë e stuhisë tre persona kanë përfunduar në spital, duke marrë ndihmë mjekësore, pasi janë plagosur nga thyerja e xhamave. • Moti i keq shkaktoi dëme edhe në qytetin bregdetar të Vlorës. • Era e fortë e shoqëruar nga stuhitë dhe reshjet e shiut ka sjellë shkarkesa elektrike, duke bërë që shumë biznese të ndërpresin punën. • Siç shihet edhe në pamje, stuhia ka marrë para karriget e lokaleve në zonën e Lungomares. • Në pamje shihen gjithashtu banorët teksa vrapojnë për t’iu shpëtuar objekteve që fluturojnë në ajër. • Si pasojë e stuhisë, mungesa e energjisë elektrike vazhdon të prekë pjesë të Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit, ndërsa Patosi mbetet pa furnizim me ujë për shkak të ndërprerjes së energjisë në stacionin e pompimit të Varibopit. • Një punonjës i OSHEE ndërroi jetë në Himarë teksa, sipas policisë, ishte në punë për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit. • Elektricisti 54-vjeçar Bashkim Boçi nga Elbasani, i cili ishte pjesë e grupit të punës për sezonin, u dërgua në spital pa shenja jete. • Dyshohet se gjatë ndërhyrjes punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me energjinë elektrike, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizës teknike.
5 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Një peshkatar është gjetur i pajetë në det në afërsi të ishujve të Ksamilit, në Sarandë. Mësohet se viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ai është mbytur, ndërsa policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të tij, i cili rezultonte i fundosur. 61-vjeçari ishte i divorcuar dhe fëmijët e tij jetojnë në Greqi, ndërsa në Shqipëri ai kishte vetëm një motër.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, gjatë kushteve të këqija atmosferike dhe stuhisë që ka përfshirë zonën. Policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po shqyrton pistën e një mbytjeje aksidentale si pasojë e motit të keq, por edhe pista të tjera./Dosja.al

TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar lidhur me stuhinë që 'mbërtheu' vendin mbrëmjen e kaluar, ku u shkakatun problematika të përkohshme në infrastrukturë, furnizimin me energji elektrike dhe disa shërbime publike.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, grupet e punës kanë qenë në terren që në momentet e para për të ndërhyrë dhe për të normalizuar situatën. Ministria thotë se në akset rrugore ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht gjendjen dhe kanë ndërhyrë për pastrimin e materialeve të rëna në rrugë.
Po ashtu akset kombëtare kanë vijuar të jenë të kalueshme dhe qarkullimi është zhvilluar normalisht, pa probleme. Problematika janë evidentuar edhe në furnizimin me energji elektrike. Aktualisht janë 21 fidera jashtë pune në disa zona, kryesisht në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Librazhd. Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1 mijë punonjës në terren për rikthimin e furnizimit.
Njoftimi i Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës:
Mbrëmjen e djeshme, disa zona të vendit u përfshinë nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. Grupet e punës, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë qenë në terren që në momentet e para, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.
AKSET RRUGORE
Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo materialeve. Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme pa problematika dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.
ARRSH është në gatishmëri dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e rrugëve.
FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Aktualisht, në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.
Në orët e para të mëngjesit është vendosur në punë Nst i Livadhjasë dhe është rikthyer energjia në disa zona. OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike.
RRJETI I TRANSMETIMIT
Aktualisht, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.
KASKADA E DRINIT
Situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.
FURNIZIMI ME UJË
Sarandë
Situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) në Sarandë është rikthyer në normalitet. Gjithashtu, edhe SPUN në Ksamil është rikthyer në funksionim normal. Rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.
Durrës
Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë. Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.
Fier
Rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit. Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.
PORTET DHE AEROPORTI
Aeroporti i Tiranës.
Situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.
Porti i Durrësit
Si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.
Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht. Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht./Dosja.al
HIMARË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Himarë, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në momentin kur ekipet teknike po punonin për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta.
Viktima është një 55-vjeçar me origjinë nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet e terrenit në riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjet. Gjatë ndërhyrjes, dyshohet se punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me energjinë elektrike, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizës teknike.
Ndërkohë Policia dhe grupi hetimor kanë nisur menjëherë veprimet në vendngjarje për të dokumentuar rrethanat e aksidentit, ndërsa autoritetet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si ndodhi kjo ngjarje tragjike./Dosja.al
VLORË- Një stuhi e fortë ka përfshirë qytetin bregdetar të Vlorës mbrëmjen e kaluar, në kulmin e sezonit turistik. Kjo ka bërë që pushuesit të largohen menjëherë nga plazhi dhe ambientet e hapura ku ndodheshin.
Era e fortë e shoqëruar nga stuhitë dhe reshjet e shiut ka sjellë shkarkesa elektrike, duke bërë që shumë biznese të ndërpresin punën. Siç shihet edhe në pamje, stuhia ka marrë para karriget e lokaleve në zonën e Lungomares.
Rrufetë e njëpasnjëshme kanë ndriçuar qiellin e qytetit bregdetar gjatë gjithë kohës së stuhisë. Në pamje shihen gjithashtu banorët teksa vrapojnë për t’iu shpëtuar objekteve që fluturojnë në ajër./Dosja.al

SARANDË- Stuhia ka përfshirë mbrëmjen e kaluar edhe qytetin bregdetar të Sarandës, duke shkaktuar kaos në vetëm pak minuta. Bëhet me dije se era e fortë ka rrëzuar pemë, të cilat kanë bllokuar disa rrugë, që më pas kanë krijuar vështirësi edhe në qarkullim. Probleme janë raportuar edhe në bizneset përgjatë shëtitores, ku era e fortë ka shkaktuar dëme.
Një nga incidentet më serioze është shënuar në rrugën përballë stadiumit, ku një pishë është rrëzuar dhe ka dëmtuar tre automjete. Si pasojë e stuhisë tre persona kanë përfunduar në spital, duke marrë ndihmë mjekësore, pasi janë plagosur nga thyerja e xhamave.

Siç shihet edhe në pamje, stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të Sarandës, ndërsa punonjësit e shërbimeve të Bashkisë kanë zbritur në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në zonat e prekura./Dosja.al