Protestuesi
TIRANË- Protesta qytetare antiqeveritare shënon sot ditën e 75-të të tubimit. Pas vendosjes së protestuesve përballë godinës së Kryeministrisë, janë mbajtur fjalime nga organizatorët e protestës dhe jo vetëm.
Një i ri, pjesëmarrës së protestën e sotme, në fjalën e tij, ka theksuar se 75 ditë protestë tregojnë pakënaqësinë e madhe të qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të korruptuara. Ai shprehet se kjo qëndresë synon t’i japë fund korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kërkuar sovranitet dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e vendit.
Gjatë fjalës së tij, i riu i bëri thirrje protestuesve të jenë krenarë, duke e cilësuar qëndresën si një moment historik për Shqipërinë. Sipas tij, protesta do të vijojë çdo ditë deri në arritjen e objektivave, përfshirë ndryshimin kushtetues dhe ndërtimin e një modeli të ri qeverisës, me reforma në shëndetësi, arsim dhe institucione.
“Kjo është një qëndresë e madhe për 75 ditë. Kjo tregon pakënaqësinë e madhe ndaj këtij shteti, që ka grabitur dhe plaçkitur këtë vend. Kjo protestë tregon vetëm një gjë, se korrupsionit dhe krimit të organizuar, i ka ardhur fundi! Ju erdhi fundi!
Jini krenar për këtë prezencë këtu çdo ditë, se ky është misioni ynë, i një populli që nuk kërkon asgjë më shumë, sovranitet. Në fund të ditës jemi ne që e kemi bërë Shqipërinë dhe do e bëjmë. Do e largojmë këtë kastë të korruptuar politikanësh. Në fund të Bulevardit dhe këtu në mes, kanë ardhur njerëz, që të dëgjojnë dhe të flasin, që të tregojnë se ne shqiptarët jemi këtu dhe duam ne të vendosim. Ndaj asgjë nuk e ndal këtë frymë popullore.
Jini krenar se po shkruajmë historinë e këtij vendi. Po ndërtojmë Shqipërinë e vërtetë të gjithsecilit prej nesh. Ju erdhi fundi. Shqipëria duhet të ketë një ndryshim kushtetues. Shqipëria është bashkë dhe ne po ashtu, për qëllime të përbashkëta se si duhet të jetë modeli qeverisës nesër, shëndetësia apo arsimi.
Ndaj, nuk mund të mbaronin kurrë këto gjëra, se ne dimë se çfarë heqim me institucionet e kalbura dhe të korruptuara. Ne do të jemi këtu çdo ditë deri në arritjen e qëllimeve tona historike.”, tha ai./Dosja.al