LIVE UPDATES
Bota

Firmat e sanksionuara, dikur në bashkëpronësi të Radoiçiçit, fituan miliona euro

Këtë nuk e shpjeguan as dy kompanitë publike “Putevi Srbije” dhe “Elektroprivreda”, të cilat, siç zbuloi REL-i, u kanë ndarë punë kompanive të sanksionuara përmes prokurimit publik. Përgjigje për punët dhe fitimet nuk dhanë as kompanitë “Inkop”, “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka”.

10 May 2024, 07:29 Nga N.F
Firmat e sanksionuara, dikur në bashkëpronësi të
Makineritë e firmës "Inkop"

SERBI- Mbi 23.5 milionë euro. Kaq fituan tri kompani ndërtimi në Serbi, të cilat gjenden në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 2023. Kompania “Inkop” dhe kompanitë simotra “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka” arritën këtë rezultat në vitin kur Millan Radoiçiç u tërhoq zyrtarisht nga pronësia e tyre.

Siç e pranoi edhe vetë publikisht, Radoiçiç ishte organizator i sulmit të armatosur kundër policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në fshatin Banjskë. Në të ardhurat e kompanive të lartpërmendura kontribuuan, mes tjerash, edhe punë që paguhen nga arka e shtetit të Serbisë.

Këtë e dëshmojnë raportet e fundit financiare, të publikuara në ueb-faqen e regjistrit komercial të Serbisë në fund të prillit, si dhe tenderët dhe dokumentet e tjera që analizoi Radio Evropa e Lirë. Ndërtimi i autostradave të shpejta, mirëmbajtja e rrugëve lokale dhe ndërtimi i shtyllave për linjat e transmetimit ishin vetëm disa nga punët prej milionash të këtyre kompanive.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Ndërtimit dhe Infrastrukturës e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse kompanitë nga lista e zezë e SHBA-së përfshihen në kryerjen e këtyre punimeve.

Këtë nuk e shpjeguan as dy kompanitë publike “Putevi Srbije” dhe “Elektroprivreda”, të cilat, siç zbuloi REL-i, u kanë ndarë punë kompanive të sanksionuara përmes prokurimit publik. Përgjigje për punët dhe fitimet nuk dhanë as kompanitë “Inkop”, “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka”.

“Inkop”, kompani e regjistruar në qytetin Quprija në Serbinë qendrore, arriti fitimin më të lartë - rreth 17 milionë euro.

Fitimi i saj në vitin 2023 mbeti në nivele të njëjta me një vit më parë, tregojnë të dhënat financiare. Në tetor të vitit 2023, pasi mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, Radoiçiç u largua nga bashkëpronësia e këtij biznesi prej milionash.

Ai ua la punën ish-partnerëve të tij të biznesit, vëllezërve Zharko dhe Zvonko Vesellinoviç, biznesmenë nga veriu i Kosovës, të cilët - ashtu sikurse Radoiçiç - janë në listën e sanksioneve të SHBA-së që nga viti 2021, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Radoiçiç ua ndau vëllezërve Vesellinoviç, në “pjesë të barabarta”, 40 për qind të aksioneve të tij në “Inkop”. Të dyve ua kaloi nga 20 për qind të pronësisë, pa ndonjë kompensim. Zvonko Vesellinoviç ka tani 60 për qind të aksioneve në “Inkop”, ndërsa vëllai i tij, Zharko, i ka 40 për qind të tjerat. Derisa “Inkop” dhe kompanitë simotra me pronarë të rinj/të vjetër vazhdojnë punën pa u penguar, Radoiçiç kërkohet nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, ndërsa Kosova dhe Serbia bëjnë hetime të ndara të sulmit në Banjskë.

Radoiçiç supozohet se gjendet në Serbi dhe bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Beogradit zyrtar që t’i ndjekë penalisht të gjithë përgjegjësit për Banjskën. Raporti financiar nuk zbulon detaje se me kë ka bërë biznes kompania “Inkop” në vitin 2023, e as Ministria e Ndërtimit nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë se në cilat projekte shtetërore është e angazhuar kjo kompani aktualisht.

Mirëpo, një punë e “Inkop”-it, e cila paguhet me paratë e shtetit, mund të shihet në ueb-faqen e kompanisë simotër, “Novi Pazar-put”. Makineritë e tyre po ndërtojnë rrugën Pozharevac-Gollubac në lindje të Serbisë, e quajtur “Korridori i Danubit”.

Në atë rrugë, “Inkop” është nënkontraktor i kompanisë kineze të ndërtimit “Shandong”. Në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kinës, “Shandong” fitoi punën për ndërtimin e kësaj rruge me kontratë direkte, pa tender. Kompania i zgjedh vetë nënkontraktorët, ndërsa për angazhimin e tyre duhet pëlqimi i shtetit.

REL-i raportoi edhe më herët se “Inkop”, që nga shkurti i vitit 2022, ka pëlqimin e Ministrisë së Ndërtimit për të punuar në pjesën nga Pozharevci deri në Gollubac. Sipas njoftimeve të fundit nga zyrtarët, ajo rrugë pritet të përfundojë në fund të vitit 2025. Kompania kineze “Shandong” nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse kompanitë nga lista e zezë amerikane, “Inkop” dhe “Novi Pazar-put”, kanë qenë kandidate për partnere biznesi.

Kompania simotër e “Inkop”-it, “Novi Pazar-put”, fitoi rreth 5.7 milionë euro në vitin 2023, thuhet në raportin financiar. Fitimi është pak më i ulët se në vitin 2022, kur kompania regjistroi një fitim prej rreth 6.5 milionë eurosh. Rrugët lokale në Priboj, Tutin, Prijepole, Kralevë, Sjenicë, Novi Pazar dhe rreth manastirit mesjetar Zhiça janë “projekte aktuale” - siç i përshkruan kompania në faqen e saj në internet.

Punimet paguhen me paratë e shtetit. Investuese është ndërmarrja publike “Putevi Srbije”, por, nga informacionet në ueb-faqen e kompanisë “Novi Pazar-put”, nuk dihet se në çfarë faze janë aktualisht punimet dhe sa do të kushtojnë ato.

Në vitin 2023, “Novi Pazar-put”, siç thotë vetë, kishte mbi dhjetë projekte të përfunduara në rrugët lokale në disa komuna. Edhe ato i financoi ndërmarrja “Putevi Srbije”. Kjo kompani publike i tha Radios Evropa e Lirë se “Novi Pazar-put” është i angazhuar në mirëmbajtjen e rregullt të rrugëve shtetërore, si dhe në “punë rehabilitimi dhe emergjente”.

Por, ajo nuk iu përgjigj pyetjes se si “Novi Pazar-put”, si kompani e sanksionuar nga SHBA-ja, është zgjedhur për bashkëpunëtore. Rrjeti i rrugëve shtetërore që mirëmban kjo kompani - në zonën e Novi Pazarit, Kralevës, Rashkës, Sjenicës dhe Tutinit - është i gjatë 800 kilometra.

Në fund të shkurtit, “Novi Pazar-put” u mburr me “asfaltimin rekord”, duke thënë se, për shkak të kushteve të favorshme atmosferike gjatë dimrit, i ka shtuar edhe aktivitetet në kantieret lokale. Bashkëpunimi i kompanisë “Novi Pazar-put” me “Putevi Srbije” shihet edhe në dokumentacionin financiar vjetor për vitin 2023. “Putevi Srbije” pagoi një paradhënie prej rreth 650 mijë eurosh.

Kjo kompani i tha REL-it se paradhënia është ndarë për “blerjen e kripës dhe orizit” për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Dhe, në fund të nëntorit të vitit 2023, kompania “Novi Pazar-put” njoftoi se ura e rikonstruktuar në Adrane, afër Kralevës, është vënë në qarkullim “para afatit”.

Për këtë punë, me vlerë rreth një milion euro, ajo u dakordua me “Putevi Srbije”, më 27 shtator, 2023 - tri ditë pas sulmit të armatosur në Banjskë, kur Radoiçiç ishte ende bashkëpronar i kompanisë. E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se përse “Novi Pazar-put” mori punë dhe nëse vendimi ishte rishikuar pas sulmit në Banjskë, kompania “Putevi Srbije” tha se Ligji për Prokurim Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënien e kontratës” në atë rast.

Ajo, po ashtu, tha se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimin publik”. Sipas “Putevi Srbije”, kompania “Novi Pazar-put” ndërtoi edhe një unazë rreth Novi Pazarit, në vitin 2023, me vlerë prej rreth 2.25 milionë eurosh.

Në të njëjtin vit, ajo përfundoi edhe një punë tjetër që ia kishte besuar shteti: rehabilitimin e rrugës nga Rashka në Novi Pazar, me vlerë rreth 14 milionë euro. Në vitin 2023, “Novi Pazar-put” vazhdoi bashkëpunimin edhe në projekte të tjera të mëdha shtetërore, siç ishte ndërtimi i autostradave me shpejtësi të madhe. Raporti financiar tregon vazhdimin e bashkëpunimit të kompanisë “Novi Pazar-put” me degën e kompanisë kineze “Shandong”.

“Shandong” i pagoi kompanisë “Novi Pazar-put” një paradhënie prej rreth 1.7 milionë eurosh në vitin 2023. Nuk dihet se për cilat punë bëhej fjalë.

Siç raportoi më herët Shërbimi i Ballkanit i REL-it, “Novi Pazar-put”, nga viti 2022, është nënkontraktor në rrugën me shpejtësi të madhe nga Valeva në Llajkovac, e cila po ndërtohet nga “Shandong”. Afatet për përfundimin e punimeve në këtë trase u shtynë disa herë dhe, sipas njoftimeve të fundit nga qeveritarët, rruga duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Makineritë e kompanisë “Novi Pazar-put”, siç njoftohet në ueb-faqen e saj, po ndërtojnë edhe një tjetër trase, ku kontraktore kryesore është dega e “Shandong”. Në magjistralen Pozharevc - Gollubac, përmes “Inkop”-it, ajo u mor me punë kullimi.

Cili është qëndrimi i Serbisë ndaj “listave të zeza”?

Që nga vendosja e Radoiçiçit, vëllezërve Vesellinoviq dhe kompanive të tyre në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Beogradi zyrtar nuk i ka zbatuar ato sanksione, sepse nuk ka detyrime ndërkombëtare për një gjë të tillë. Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe të llogarive të tyre në SHBA, nëse kanë, si dhe ndalimin e bizneseve dhe qytetarëve amerikanë që të bëjnë biznes me ta.

Nga dhjetori i vitit 2022, Radoiçiç dhe Vesellinoviqët janë edhe nën sanksionet e Britanisë së Madhe. Kompania “Betonjerka Aleksinac” e mbylli vitin 2023 me rreth 950 mijë euro të ardhura. Ky fitim ishte për rreth 200 mijë euro më i mirë se në vitin 2022.

Një analizë e Radios Evropa e Lirë nxori në pah se “Betonjerka” ishte në grupin e kompanive që kontraktuan punë bashkërisht me kompaninë shtetërore - përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike - “Elektrodistribucija Srbije”.

Marrëveshja dyvjeçare për ndërtimin e shtyllave prej betonit për linjat e transmetimit - me vlerë rreth 2.5 milionë euro - u lidh në fillim të shtatorit të vitit 2023. Nga dokumentacioni i tenderit rezulton se puna është ende në vazhdim e sipër. Përmes një kontrolli të prokurimit publik, REL-i konstatoi se prokurimi i fundit në serinë e kontratave për këtë punë, është bërë në fund të prillit të këtij viti.

“Betonjerka Aleksinac” - një kompani dikur me borxhe nga jugu i Serbisë - u ble nga kompania “Inkop” në tetor të vitit 2019.

Me pronarët e rinj, gjatë viteve në vazhdim, “Betonjerka” lidhi kontrata të mëdha me elektrodistribucionin serb, ndërsa të hyrat e saj filluan të rriten, tregojnë raportet financiare dhe dokumentet nga portali i prokurimit publik. Kompania energjetike nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për marrëveshjet e lidhura me kompaninë “Betonjerka”.

Kjo e fundit është, gjithashtu, nën sanksionet e SHBA-së nga dhjetori i vitit 2021. Për dallim nga kompanitë e tjera të vëllezërve Vesellinoviq, të cilat shënuan fitime vitin e kaluar, kompania “Dolly Bell” operoi në minus. Kjo kompani menaxhon hotelin luksoz “Grey” në Kopaonik të Serbisë, i cili ndan emrin me restorantin e sekuestruar të Radoiçiçit në Mitrovicën e Veriut. Sipas raportit financiar për vitin 2023, kompania “Dolly Bell” operoi me një humbje prej rreth 1.47 milion eurosh.

Kështu, minusi i saj u dyfishua në krahasim me një vit më herët. Në publikun serb, prej vitesh, Millan Radoiçiç dhe Zvonko Vesellinoviq prezantoheshin si partnerë biznesi me origjinë nga Kosova. Deri në sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, Radoiçiç ishte nënkryetar i Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kur e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, më 29 shtator, ai gjithashtu njoftoi se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe. Edhe para kësaj, Radoiçiç ishte në arrati nga autoritetet e Kosovës, por për shkak të akuzave për korrupsion.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si një nga udhëheqësit e strukturave kriminale në veri të Kosovës. Prokuroria e Kosovës i lidh Vesellinoviqin dhe Radoiçiçin me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Olliver Ivanoviq. Ata përmenden si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk u ngrit asnjë akuzë, pasi atëkohë ishin në arrati.

Ligji i Kosovës nuk e lejon ngritjen e aktakuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ato janë hetuar më parë. Në dhjetor të vitit 2021, kur komentoi vendimin e SHBA-së për t’i vënë në listën e zezë Radoiçiçin dhe vëllezërit Vesellinoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka nëse ka “akuza serioze”.

Mirëpo, në muajt pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk mori vesh nëse akuzat janë hetuar. As Qeveria dhe as Presidenca serbe nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë. Pasi Interpoli, me kërkesë të Kosovës, lëshoi një fletarrestim për Radoiçiçin, për shkak të Banjskës, udhëheqësit e Serbisë thanë se ekstradimi i tij është “i pamundur” dhe se të gjitha procedurat gjyqësore do të zhvillohen “para gjykatave vendase”.

Ndonjë aktakuzë, megjithatë, nuk ka ende. Për shkak të pjesëmarrjes në sulmin në Banjskë, prona e Radoiçiçit në Kosovë u sekuestrua nga institucionet e Kosovës në fillim të prillit. Ndër pasuritë e sekuestruara janë një banesë dhe një restorant në Mitrovicën e Veriut dhe një vilë në Liqenin e Ujmanit. As në Kosovë nuk ka ende aktakuzë kundër Radoiçiçit, ndonëse u paralajmërua se ajo do të ngrihej deri në fund të marsit të këtij viti.

Marrë nga REL

firma milan radoiçiç shqiptaret ne serbi

Sondazh

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin