22 September 2022, 14:40
Nga d.a.
Osmani dhe Stoltenberg
SHBA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës. Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, kontribuon në rritje të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Megjithatë, Osmani ka thënë se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe. Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork, në të cilin ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës.
Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.
Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj KFOR. Të mërkurën, NATO-ja ka dërguar disa trupa rezervë të misionit KFOR për stërvitje në Kosovë. Komandanti rajonal i KFOR-it, koloneli Christopher Samulski, ka thënë se ato janë pjesë e "planifikimeve normale".
Më 20 shtator, NATO-ja ka thënë se është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve në mesin e minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.
“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.
Sipas tij, situata, aktualisht, është e qetë, por e brishtë, andaj NATO-ja nuk e përjashton mundësinë e tensioneve të reja apo të dhunës, kur të skadojë afati për riregjistrimin e veturave, më 31 tetor.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar më 31 korrik, një ditë para se Qeveria e Kosovës të niste zbatimin e vendimit për dokumentet për hyrje/dalje dhe regjistrimin e targave të makinave në RKS.
Serbët lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Për shkak të tensioneve, dhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës e pati shtyrë zbatimin e vendimit për një muaj dhe barrikadat më pas janë hequr. Ndërkohë palët janë dakorduar për çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, ndërsa vendimi për regjistrim të makinave, ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.
Autoritetet në Kosovë nuk kanë ofruar hollësi se si do të veprojnë pas skadimit të këtij afati. Në Kosovë vlerësohet se janë rreth 10.000 makina me targa të qyteteve të Kosovës – kryesisht KM (Mitrovicë e Kosovës) të cilat i lëshon Serbia.
Kosova i konsideron këto targa ilegale, meqë Prishtina dhe Beogradi kanë marrëveshje për liri të lëvizjes prej vitit 2011. Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës tregojnë se, nga 1 shtatori, kur edhe ka filluar procesi i riregjistrimit, vetëm pesë makina kanë marrë targat RKS. Dy prej tyre në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërsa tri të tjera në jug./REL/
vjosa osmani ne shba jens stoltenberg asambleja e okb ne new york
Bota
22 September 2022, 14:32
d.a.
lira turke
TURQI- Lira turke ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë, duke u treguar me 18.40 për një do...
Bota
22 September 2022, 14:24
d.a.
Harta
RUSI- Fluturimet që largohen nga Rusia po shiten ose po rriten pasi presidenti Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të rezervist&...
Bota
22 September 2022, 14:13
k.m.
Anonymous
Ky grup e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, pas protestave kombëtare që janë mbajtur si shenjë pak...
Bota
22 September 2022, 14:10
d.a.
termet ne Itali
ITALI- Një tërmet i fortë është ndjerë pak më parë në Italinë Qendrore rreth orë...
Bota
22 September 2022, 14:05
d.a.
google
RUSI- Kërkimet në Google për “si të thyhet krahu në shtëpi” u rritën në Rusi pasi presidenti rus...
Bota
22 September 2022, 14:00
d.a.
Putin dhe Macron
FRANCË- Presidenti francez Emmanuel Macron foli për "mobilizimin e pjesshëm" të shpallur nga Putin në Rusi, ...
Bota
22 September 2022, 13:53
d.a
Autobuzi me serbe
KOSOVË- Një grup serbësh, anëtarë të Shoqatës së Banorëve të Planjanës afër P...
Bota
22 September 2022, 13:37
d.a.
Medvedev
RUSI- Ish-kryeministri rus dhe zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Dmitry Medvedev, vi...
Bota
22 September 2022, 13:43
d.a.
Enver Hoxhaj
KOSOVË- Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka apeluar kryeministrit të Kosovës, Albin Kur...
Bota
22 September 2022, 13:29
d.a.
ushtria ruse
RUSI- Presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën, më 21 shtator, urdhëroi mobilizimin e parë ushtarak të R...