LIVE UPDATES
Insights

A ka Shqipëria një Politikë të Jashtme?

Pas Luftës së Parë Botërore, rendi zgjati dy dekada. Rendi tjetër që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, zgjati katër dekada. Ndërkohë që pas rënies së Murit të Berlinit politologë si Francis Fukuyama flisnin për “fundin e historisë” dhe përqafimin e demokracisë liberale si forma përfundimtare e qeverisjes. Tri dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, po jetojmë fundin e fundit të historisë. Një rend tjetër është në formim e sipër.

11 May 2026, 11:57 Nga Ditmir Bushati

A ka Shqipëria një Politikë të Jashtme?

Kjo pyetje shtrohet teksa jetojmë në një periudhë tranzicioni dhe transformimi të thellë gjeopolitik, ku normat e rendit të deridjeshëm, prej të cilit ne shqiptarët përfituam, po shpërfillen gjithnjë e më shumë. Bota nuk është më e parashikueshme. Politika e forcës është rikthyer dhe siguria është sërish në qendër të çështjeve ndërkombëtare. Shtetet, pavarësisht nga madhësia e tyre, kanë kohë që debatojnë së brendshmi në rrafshin politik, akademik e shoqëror për pasojat e kësaj situate.
Historia na tregon se pasi një rend vendoset, ai qëndron për njëfarë kohe.

Pas Luftës së Parë Botërore, rendi zgjati dy dekada. Rendi tjetër që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, zgjati katër dekada. Ndërkohë që pas rënies së Murit të Berlinit politologë si Francis Fukuyama flisnin për “fundin e historisë” dhe përqafimin e demokracisë liberale si forma përfundimtare e qeverisjes. Tri dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, po jetojmë fundin e fundit të historisë. Një rend tjetër është në formim e sipër.

Edhe nëse pasojat nuk ndihen ende kudo, shpërbërja e rendit botëror është tashmë një realitet i hidhur. Dhe pikërisht aty qëndron rreziku, sepse efektet fillimisht shfaqen ngadalë, pastaj përshkallëzohen gjithnjë e më shpejt. Rivaliteti për energjinë, teknologjinë, zinxhirët e furnizimit me ushqim, industrinë dhe financat, është intensifikuar. Kushdo që pret një kthim të shpejtë në normalitet po humbet kohë të çmuar. Situata në të cilën ndodhemi ngjason me një cunami, ku valët nuk janë menjëherë të dukshme.

Megjithatë, kjo periudhë tranzicioni ka disa karakteristika. Karakteristika e parë është çarja e Perëndimit dhe e aleancës transatlantike. Perëndimi mbetet një ideal normativ i vlefshëm, por aktualisht ai nuk ekziston si një realitet politik. Ekzistenca e polit të fuqishëm të SHBA-ve mbetet, ndonëse me fuqi më të kufizuar se në dy dekadat që pasuan rënien e Murit të Berlinit.
Karakteristika e dytë është pozicionimi i Kinës si kujdestare e rendit botëror, e cila ka potencialin më të madh për të sfiduar dominimin amerikan. Dallimet midis Kinës dhe SHBA-ve nuk janë vetëm politike, ushtarake dhe ideologjike, por shtrihen në fusha të shumta, nga teknologjia te planet dhe projektet e mëdha ndërkombëtare.

Krahas karakteristikave të viteve të para të shekullit të XXI, siç është ekzistenca e polit të vetëm, si dhe të shekullit të XX, siç ishte konkurrenca midis dy superfuqive, sot mund të dallojmë edhe një karakteristikë të tretë, që të kujton shekullin e XIX, për shkak të mirëkuptimit të pjesshëm të fuqive të mëdha për të toleruar në mënyrë të heshtur shkeljen e rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Sado i vogël e i papërfillshëm të jetë një shtet në arenën ndërkombëtare ai e ka të nevojshme pasjen e një strategjie në politikën e jashtme. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme në këtë periudhë tranzicioni. Tri janë shtyllat që formësojnë karakterin e politikës së jashtme: vlerat, interesat dhe fuqia. Këta tre elementë janë thelbësorë kur ekuilibri dhe dinamika e rendit botëror ndryshojnë.

Në rastin tonë janë të vlefshme vetëm dy të parat, pasi fuqia është një luks i lojtarëve më të mëdhenj. Ata mund të projektojnë pushtet ushtarak dhe ekonomik, duke i detyruar lojtarët më të vegjël të linjëzohen me qëllimet e tyre. Ndërkohë, aleancat, grupimet dhe diplomacia e zgjuar janë ato që i japin një lojtari të vogël ndikim përtej madhësisë së ekonomisë apo ushtrisë që posedon.

Për Shqipërinë, një nga sfidat në politikën e jashtme është ruajtja e koherencës dhe qëndrueshmërisë në raport me vlerat që mbrojmë dhe interesat që kemi, duke ruajtur njëkohësisht aleancat me partnerët strategjikë. Kjo kthehet në domosdoshmëri, sidomos në një kohë të pasigurt kur referencat ndryshojnë vazhdimisht. Ndërsa interesat dhe aspiratat tona përbëjnë horizontin e politikës së jashtme, vlerat dhe qëndrueshmëria e tyre duhet të jenë vija përcaktuese të horizontit.

Çarja transatlantike nuk është një ogur i mirë për Shqipërinë dhe rajonin tonë, ku që prej rënies së perdes së hekurt, SHBA-të shihen si garantues të perimetrit të sigurisë, ndërsa europianët si ‘alergjikë’ ndaj përdorimit të forcës. Sikurse dihet, BE-ja është një projekt që e ka gjenezën e vet në mbështetjen amerikane pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Sot mosmarrëveshjet midis SHBA-ve dhe BE-së janë më të mëdha se kurrë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve është pasqyrim i këtij realiteti, ku BE-ja përshkruhet si shkaktare e ‘shuarjes së civilizimit europian’.

Formësimi i rendit të ri botëror dhe pozicioni që do të ketë aleanca transatlantike do të përcaktohen në një të ardhme jo të largët. Shtete si Shqipëria nuk janë as lojtarë kryesorë dhe as spektatorë në këtë histori. Pasiguria është pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos gjatë tranzicioneve nga një epokë në tjetrën. E rëndësishme është të kuptohet pse po ndodh ndryshimi dhe si të reagohet ndaj tij. Veprimi ynë bazuar në vlera dhe interesa do të na krijojë hapësirën e nevojshme për të lundruar në këtë epokë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare. Raporti ynë më SHBA-të është i pazëvendësueshëm. Po kaq e rëndësishme është që ne të mos e shpërdorojmë mundësinë për anëtarësim në BE, të krijuar si pasojë e situatës gjeopolitike.

Luftërat e njëkohshme në Ukrainë dhe Lindje të Mesme që janë shoqëruar me çarje të aleancës transatlantike kanë shpërfaqur një tipar kameleonik të politikës sonë të jashtme. Nuk e di se sa të vlefshme janë propozimet për të dialoguar me Putinin, në kushtet kur ishim po ne që si bashkëpenëmbajtës me SHBA-të në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështjet e lidhura me Ukrainën, spikatëm për qëndrimin kritik, përtej gjuhës diplomatike, kundër agresionit rus. Çfarë ndikimi mund të këtë ky propozim për rajonin tonë dhe përmbylljen e konflikteve të shtetësisë? Sa serioz është ky propozim kur qëndrimet e udhëheqësve kryesorë europianë, që deri dje janë kritikuar për një qasje të butë ndaj Rusisë, sot vendosin theksin tek ndërtimi i arkitekturës europiane të sigurisë kundër agresionit rus?

Po kështu, nevoja për të bërë dallimin mes nesh dhe vendeve të tjera europiane, për sa i përket pranisë së Shqipërisë në Bordin e Paqes, është jo produktive. Ne jemi në vendin ku na takon të jemi, përkrah SHBA-ve, sa herë që kontributi ynë çmohet i vlefshëm. Ndonëse në një format, kohë dhe kontekst tjetër gjeopolitik, kemi qenë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të në luftën në Irak, edhe pse një pjesë e mirë e aleatëve europianë hezituan apo ishin kritikë me të.

Propozimi i pakërkuar për të kryer operacione ushtarake kundër Iranit nga territori i Shqipërisë, në kushtet e mungesës së bazave amerikane ushtarake, vendos pikëpyetje mbi besueshmërinë e propozimit. Ai mund të lexohet edhe si sfidë ndaj aleatëve europianë, të cilët, edhe pse kanë baza ushtarake amerikane, nuk iu përgjigjen thirrjeve të presidentit të SHBA-ve.
Cili është interesi i propozimeve të tilla? E shtroj këtë pyetje pasi interesi udhëheq zgjedhjet që bëjnë shtetet dhe kjo është plotësisht legjitime. Interesi ynë është të jemi përkrah SHBA-ve, por duhet të kemi peshën që na mungon për të ndërmarrë angazhime të tilla.

Gjithashtu, është pak por e sigurt të thuhet se fati i konkurrencës amerikano-kineze nuk do të vendoset në Shqipëri. Ndaj, duhet të shmangim çdo retorikë që do t’i vendoste përballë këta dy aktorë, përkundrejt realitetit shqiptar. Në politikën e jashtme, qëndrueshmëria është një komponent thelbësor i besueshmërisë. Të kuptohemi, Shqipëria është një vend i vogël që nuk ka në dorë zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara ndërkombëtare. Por që të veprojmë me seriozitet dhe të demonstrojmë qartësi strategjike është detyrimi ynë. Të tilla çështje kërkojnë drejtpeshimin e interesave dhe vlerave që kemi promovuar ndër vite, pasi në lojë është pjekuria dhe vazhdimësia e shtetit, aftësia për t’u orientuar siç duhet në një botë që ndryshon vazhdimisht.

Gjithashtu, shqetësuese është humbja e një prej aseteve kryesore të politikës sonë të jashtme: pesha dhe influenca tek shqiptarët në rajon. E cila, nuk mund të rikuperohet me organizimin e takimeve mbarëkombëtare në Tiranë. Raportet dhe miqësitë personale që synojnë të mbajnë në këmbë një rrjet të fosilizuar nga koha e gjatë e qëndrimit në pushtet, instrumentalizimi i interesit kombëtar për nevojat e politikës së ditës, gara e pakuptimtë, në mungesë të bashkëveprimit, mes Tiranës e Prishtinës për influencë mes shqiptarëve në rajon, kanë dobësuar ndjeshëm fuqinë përcaktuese të shqiptarëve dhe njëkohësisht ritmin e përparimit të të drejtave që duhet të gëzojnë.

Përqendrimi i energjive për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, është shoqëruar me dobësimin e rolit udhëheqës të faktorit shqiptar në rajon. Kam qenë dhe jam në mbështetje të normalizimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Por këto marrëdhënie nuk mund të ndërtohen në shpërfillje të historisë, gjeografisë dhe realitetit në rajonin tonë.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë pozicionin e Shqipërisë, që nga njëra i kërkonte publikisht BE-së “të mos ushtronte presion ndaj Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë”, dhe nga ana tjetër, pezulloi takimet e përbashkëta qeveritare me Kosovën, për shkak të masave shtrënguese që padrejtësisht BE-ja vendosi ndaj Kosovës.

Mbetet e pashpjegueshme se përse qëndrimet e kryeministrit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Bordin e Paqes, ndaj Dhomave Speciale të Kosovës në Hagë, sikundër rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit të Shqipërisë nuk përkojnë me qëndrimet dhe veprimet e politikës sonë të jashtme. Shqipëria, në mënyrë të përsëritur i është bashkuar deklaratës së BE-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për “rëndësinë dhe nevojën e mbështetjes të punës së Dhomave Speciale të Kosovës”, edhe pse kjo nuk është një çështje e politikës së përbashkët të sigurisë dhe asaj të jashtme, të cilën, BE-ja e shqyrton në kuadër të linjëzimit nga ana e vendeve kandidate. Kujt i shërbejnë iluzionet e rrejshme kur jo vetëm politika e brendshme nuk reflektohet në atë të jashtme, por as deklarimet në forume ndërkombëtare nuk përkthehen në qëndrime e veprime të politikës së jashtme?

Gjuha e papranueshme e përdorur ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është simptomë e një politike që herë karakterizohet nga paternalizmi e herë nga indiferenca, shoqëruar me mungesën e ndjeshmërisë për sakrificat e shqiptarëve për t’u trajtuar si të barabartë me maqedonasit. Platforma e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut e vitit 2017, e mbështetur nga Shqipëria, bazohej mbi parimin e përparimit të të drejtave të shqiptarëve dhe barazisë me maqedonasit. Kjo platformë arriti të prodhojë disa suksese pikërisht sepse politika jonë e jashtme ishte e përqendruar në përmbushjen e objektivave të lidhura me interesin kombëtar dhe jo me fatin politik të partive e individëve të caktuar.

Përfshirja pa asnjë arsye të qenësishme në një cikël replikash me Bullgarinë, në lidhje me mosmarrëveshjet e saj me Maqedoninë e Veriut, po reflektohet në kërkesat e Bullgarisë ndaj Shqipërisë në procesin e zgjerimit. Nuk duhet të habitemi, pasi shtetet dhe diplomacia veprojnë në mënyrë të ftohtë e të llogaritur. Historia dhe gjeografia janë dy komponentë që nuk mund të ndryshohen në politikën e jashtme. Askush nuk i zgjedh fqinjët. Për këtë arsye është thelbësore të bëhen të gjitha përpjekjet për të bashkëjetuar me ta. Shqipëria duhet të ketë një strategji të nivelit të lartë dhe afatgjatë për të adresuar çështjet me Greqinë, si fqinji më i zhvilluar në Ballkan. Një strategji që duhet të mbështetet tek vlerat dhe interesat e vendit, duke i trajtuar çështjet dypalëshe në tërësinë e tyre.

Sa herë ndryshon ministri i jashtëm është bërë zakon të flitet për një “fillim të ri” në marrëdhëniet me Greqinë. E vërteta e hidhur është se asnjë hap nuk është hedhur në këtë drejtim, që prej vitit 2018. Gabimisht, Shqipëria ka mbivlerësuar përfitimet afatshkurtra duke mos llogaritur humbjet afatgjata. Pas një procesi shumëvjeçar diskutimesh e negociatash, në vitin 2018, ne ishim pranë një kompromisi historik me Greqinë. Them historik, pasi do të mbylleshin njëherë e mirë të gjitha çështjet e pazgjidhura mes nesh në mënyrë të drejtë. Ndoshta as Shqipëria e as Greqia nuk ishin gati për këtë kompromis. Sot mund të jenë pjekur kushtet. Ndaj, duhen zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme në tërësi e jo adresim i çështjeve në mënyrë selektive.

Në këtë këndvështrim, do të ishte gabim të veçohej çështja e detit nga paketa e çështjeve të pazgjidhura me Greqinë. Njoftimi i ministrit të jashtëm për ta referuar zgjidhjen e kësaj çështjeje në një gjykatë ndërkombëtare brenda vitit, nëse bëhet pa kushte dhe përgatitje paraprake, rrezikon të përsërisë gabimet e vitit 2009. Që vendi të shkojë në gjykatën ndërkombëtare nuk mjafton kontraktimi i kompanive avokatore të huaja. Vendi duhet të ketë përgatitjen e duhur, në raport me jurisprudencën ndërkombëtare, të ketë kryer “detyrat e shtëpisë”, dhe të ketë nxjerrë konkluzionet nga gabimet e vitit 2009 dhe arritjet e vitit 2018.

Pasi nuk kemi të bëjmë me transferim të përgjegjësive për mënyrën e adresimit të kësaj çështjeje, por me shprehjen e gatishmërisë së palëve ndërgjyqëse për të pranuar verdiktin e gjykatës ndërkombëtare.
Thënë ndryshe, vendi duhet të ketë aftësinë për të kryer tri detyra: kuptimin e plotë të precedentëve të krijuar nga e drejta ndërkombëtare e detit, përpunimin e thelluar të zgjidhjeve alternative në respekt të jurisprudencës kushtetuese, dhe formulimin e një strategjie për zbatimin e më të dobishmes prej tyre.

Trajtimi i problemeve të vështira të politikës së jashtme kërkon strategji, kohë dhe durim. Ky mësim nuk ka të bëjë me fatalizmin apo shmangien e zgjedhjeve të vështira. Ka të bëjë me atë që mund të arrihet me një kosto të pranueshme në krahasim me prioritetet e tjera, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Përsosmëria rrallë është në meny në diplomaci, veçanërisht në ditët e sotme. Për të perifrazuar Henry Kissinger, shtetari nuk e ka luksin e analistit në politikën e jashtme, pasi atij problemi i imponohet, koha për të gjetur zgjidhjen e duhur nuk mjafton asnjëherë, dhe zgjidhja e gabuar nuk rikuperohet. Dhe për më tepër, suksesi i vendimmarrjes i nënshtrohet gjykimit të historisë.

ditmir bushati

Sondazh

Insights 6 May 2026, 21:24 Klodian Tomorri

Nga buron suksesi i zotit Teqja

Dionis Teqja, pronari i Megatekut ka bere nje padi kunder nje numri te madh portalesh ne Shqiperi, ku kerkon heqjen e nje lajmi dhe gjobitjen me 500 mije euro...

Insights 27 April 2026, 20:54 Ermal Mulosmani

Vuajtjet çnjerëzore të Ilir Metës

Ermal Mulosmani Pamjet e Ilir Metës në gjyq sot ishin makabre. Një fytyrë e zbehtë me një ngjyrë kufome, jepte të k...

Insights 29 March 2026, 16:49 Lutfi Dervishi

Kur teshtin njësia nr 2 në Tiranë!

Lutfi Dervishi Nga gjithë lajmet e ditës, vetëm njëri i tronditi tregjet globale.Bëhet fjalë për ndryshimin e drejtuesv...

Insights 24 March 2026, 15:52

Taxi city

Në metropolin e zhurmshëm të Tiranës, marrja e një taksie është kthyer në një ruletë ruse për qytetar&e...

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin