"Fjalën e fundit e ka sovrani" / Berisha: 28 Nëntori po vjen, duhet të bashkohemi, askush nuk fiton duke qëndruar veçmas
Bylykbashi largohet nga drejtimi politik i PD-së në Durrës: Dorëzova detyrën te Berisha, duhet të vijojë përt&eu...
Bylykbashi largohet nga drejtimi politik i PD-së në Durrës: Dorëzova detyrën te Berisha, duhet të vijojë përt&eu...
Grumbullimi i protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”/ Efektivët nuk lejojnë revoltën paqësore, s...
Abuzimi seksual ndaj 13-vjeçares/ Arrestohen dy persona në Tiranë dhe Fier, policia në kërkim të të dyshuarve t&eum...
Ndërhyrja kirurgjikale e Veliajt, Ndreca: Nuk e përcakton prokurori se kush mjek do e operojë, por familja 24 Nëntor, 12:44 ...
• Nga Durrësi, ku Partia Demokratike zhvilloi foltoren e ‘Ripërtëritjes‘, kryetari Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, ndërsa u shpreh se 28 Nëntori po vjen. • Në këtë ditë është thirrur një protestë mbarëkombëtare, ku pritet që numri i protestuesve të jetë i madh. • Në fjalën e tij, Berisha ka përshëndetur studentët dhe të rinjtë për protestat e tyre të vazhdueshme. • Kryetari i PD-së ka theksuar gjatë fjalës së tij në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Durrës, se bandat dhe Padrino i tyre do të përfundojnë para ligjit. • Duke folur përa demokratëve, ai u shpreh se, nuk ka zgjedhje në kushtet e partisë shtet. • Lideri i demokratëve, gjatë fjalës së mbajtur në Durrës, u shpreh se opozita ndodhet në prag të ‘një fitore të vërtetë mbarëshqiptare’, ndërsa paralajmëroi se Rama i ka kohërat e numëruara. • Berisha foli për protestat e muajit qershor dhe revoltën studentore, duke u shprehur se, ato dëshmuan pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë. • Ai e cilësoi regjimin e Ramës si ‘më të diskredituarin në Evropë dhe në botë’ dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër qeverisë, të cilën e akuzoi se përbën ‘një rrezik ekzistencial për Durrësin, Tiranën, Shqipërinë dhe shqiptarët’. • Gjatë fjalës në Foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Durrës, Berisha tha se porti i qytetit, të cilin e cilësoi si ‘aortën jo vetëm të Durrësit, por të kombit’, u është marrë qytetarëve dhe punonjësve që siguronin jetesën prej tij. • Ai ngriti akuza edhe për portin e peshkimit, duke përmendur emrat e Luca-s dhe Troplinëve. • Berisha e cilësoi situatën demografike në Shqipëri si një ‘rrezik ekzistencial’ dhe pretendoi se rënia e lindshmërisë dhe largimi i qytetarëve janë pasoja të qeverisjes së Edi Ramës. • Në përfundim, ai u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen për të larguar qeverinë dhe për të ‘çliruar votën e lirë’. • Berisha, u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se askush nuk fiton duke qëndruar veçmas.
4 artikuj për këtë temë.
DURRËS- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë takimit me demokratët në Durrës se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike, por sipas tij, edhe në një moment shpresëdhënës. Ai vlerësoi protestat e zhvilluara në qershor dhe revoltën studentore, duke i cilësuar si shprehje të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisë, si dhe u shpreh se Rama nuk arriti të largohej nga pushteti pas protestave, por u diskreditua në arenën ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për dëmtimin e Durrësit përmes ndërtimeve pa kriter, duke përmendur edhe ish-kryebashkiakun Vangjush Dako. Ai e cilësoi qeverinë Rama si rrezik për vendin dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër saj, duke deklaruar se Rama i ka kohërat e numëruara.
Berisha: Ky ishte terreni, ky ishte mjedisi në të cilin në fillim të muajit qershor, Shqipëria njohu shpërthimin më të fuqishëm popullor. Do ta quaja dhe e quaj me bindjen më të thellë një nga mrekullitë më të mëdha të shqiptarëve ku me dhjetëra dhe qindra mijëra mbushën rrugët, sheshet e Tiranës pa dallime partiake, socialistë, demokratë, të paparti, punonjës... më njoftonin demokratët edhe të kryeministrisë, edhe të institucioneve të tjera. Shpërtheu në mënyrën më të fuqishme pakënaqësia dhe urrejtja ndaj regjimit. Në fakt, emri i shqiptarit u lartësua më shumë se kurrë.
Njerëzit e qytetëruar, ua them unë ju, shtrojnë gjithnjë një pyetje për popujt e shtypur: Si e durojnë? Më thoshte mua një zyrtar më i lartë i BE, Sali, po si ka mundësi që i durojnë socialistët shqiptarë, qytetarët kur këta haptas duan të pengojnë integrimin?
Pra, shqiptarët u ngritën në mënyrën më të fuqishme. Ajo lëvizje nuk realizoi qëllimin, dorëheqjen e Edi Ramës, po ajo lëvizje e tërhoqi zvarrë atë në rrugët e Tiranës dhe në të gjitha pistat e opinionit publik ndërkombëtar, e damkosi dhe dëshmoi se çfarë ishte ky. Pas saj, erdhi revolta studentore. Nuk ka parë Tirana vajza dhe djem më trima se ata, prandaj i thashë Edi Ramës, fjalën e fundit e ka sovrani, bëj sa të duash mbledhje prapa shpine dhe çdo gjë, por e garantoj se sovrani do t’i thotë atij atë që meriton. Pra, e bëra këtë analizë për të theksuar se jemi në një situatë në krizë të thellë, por në një situatë realisht shpresëdhënëse. Jemi në agun e një fitoreje të vërtetë mbarëshqiptare. Edi Rama i ka kohërat e numëruara. Regjimi i tij është sot regjimi më i diskredituar në Evropë dhe në botë.
Por jemi në një moment kritik, në një moment ku çdo qytetar shqiptar ftohet të bashkohet kundër kësaj të keqe më të madhe. Miq, në qoftë se ne kemi qëndruar, në qoftë se ne kemi mbetur të pamposhtur, njerëz jemi ne, nuk është se nuk i ndjejmë dhimbjet, nuk është se nuk i ndjejmë sakrificat, nuk është se nuk e ndjejmë lodhjen, por ne na mban të fortë dhe në këmbë besimi ynë tek e vërteta. Ne mbrojmë të vërtetën. Ne gjatë gjithë kohës kemi mbrojtur ato të vërteta që kemi besuar. Sot, e vërteta më tragjike është se Edi Rama dhe regjimi i tij përbën një rrezik ekzistencial për Durrësin, Tiranën, Shqipërinë dhe shqiptarët në Shqipëri.
Para se të vija këtu, më pyeti gazetari, po i thashë, cfarë të them, a ka qytet tjetër, a ka një qytet të dytë në Shqipëri apo Evropë që të ketë pësuar ato që ka pësuar Durrësi nga betoni i Gjushit? Edhe 100 vite burg meriton ai. Prisni se do t’i marrim pak kështu. Në vitin 2000, unë në Bruksel, aty takoj një zyrtar italian të Komisionit Evropian dhe ulem unë e po ia përshkruaj regjimin e Nanos. Në atë kohë kishte plot gazeta me tituj, mafia e rrezikshme shqiptare, etj me radhë. Më thotë mua, kanë filluar të bëjnë bamirësira? Jo, i thashë, nuk kanë filluar. Qenke mirë, më thotë, se kur fillon mafia me bamirësinë, atëherë përbën problem. Këta japin pensione, këta marrin vendime, këta japin leje ndërtimi./Dosja.al
DURRËS- Oerd Bylykbashi ka njoftuar dorëzimin e detyrës si drejtues politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke e cilësuar vendimin si një hap të nevojshëm për përtëritjen dhe zgjerimin e forcës politike. Gjatë fjalës së tij në Foltoren e PD-së në Durrës, Bylykbashi bëri të ditur se detyrën ia kishte dorëzuar kryetarit të partisë, Sali Berisha, rreth një javë më parë.
Ai theksoi se rruga drejt suksesit politik duhet të mbështetet te morali dhe parimet, ndërsa kujtoi këshillat që ka marrë ndër vite nga Berisha. Bylykbashi u ndal edhe te zgjedhjet e fundit në Bashkinë e Durrësit, duke deklaruar se demokratët nuk kanë bërë kompromis përballë presioneve dhe ofertave.
Oerd Bylykbashi: Kjo është hera e fundit që ju flas si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Kam dorëzuar detyrën rreth një javë më parë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë formë mund ta çojmë përpara përtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.
Kemi vetëm një rrugë, rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Në 19 vite kam marrë leksione të jashtëzakonshme nga Berisha; një ndër ta ishte: ‘Qëndro i palëkundur në parime!’. Me këtë jemi përballur gjithë këto vite.
Edhe kur oferta dhe presioni kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë kryeqytet, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe në vend, ne nuk bëmë kompromis dhe dhamë rezultatin që doli. Me këtë devizë ne do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme./Dosja.al
DURRËS- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhjet e 11 majit, duke përmendur Elvis Troplinin, Avdylajt dhe Çelat. Ai u zotua se të gjithë personat që, sipas tij, kanë intimiduar qytetarët dhe ndikuar në votime do të dalin para drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij, ai i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si farsë elektorale, duke pretenduar se u zhvilluan në kushtet e një 'partie-shtet'. Berisha akuzoi mazhorancën për përdorim të burimeve publike gjatë fushatës, shpërndarje bonusesh për pensionistët dhe ndërhyrje për të ndikuar te votuesit, ndërsa vlerësoi qëndresën e demokratëve dhe protestat kundër qeverisë.
Berisha: Unë ju përshëndes ju dhe vlerësoj votën tuaj, vlerësoj qëndresën tuaj. Me 11 maj, gazetarët raportonin nga Durrësi se zgjedhjet po i kontrollon banda. Se anëtarët e bandës, është fjala për Elvis Troplinin që rri tani në vrima miu, i mbrojtur nga shteti, kalonin nga qendra në qendër. Unë u jap fjalën atyre, këtu para jush, fjala fjalë, se vrimë miu në Shqipëri dhe botë nuk do ketë, por do gjenden kudo që të jenë dhe do vihen para ligjit. Jo vetëm ata, por edhe Avdylët, të tjerët, Çelat, të gjithë kudo që janë, në Shkodër, në Elbasan, në Fier, në Vlorë, nuk do munden më kurrë këta vrasës të intimidojnë, të trembin qytetarët.
Jo, jo, kohërat po marrin fund, bashkë me Padrinon e tyre edhe ata do përfundojnë para ligjit. Vëllezër dhe motra, qëndresa juaj si opozitë e vërtetë, ka qenë e një rëndësie historike sepse ajo bëri të dështojë çdo përpjekje përnjë opozitë fasadë siç e donte Edi Rama. Ishte qëndresa juaj që bëri të mundur që PD para të gjithë botës të faktojë se zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan në kushtet e partisë shtet. Dje po bisedoja me Oerd Bylykbashin. I them, Oerd, në janar të vitit 1991, kur po përgatitej greva e urisë së studentëve, një nga studentët tona në atë kohë ishte të ndahej shteti nga partia.
Sepse ishte parti shtet. Sepse në kushtet e partisë shtet, zgjedhje nuk ka, ka farsë elektorale. Dhe ne ishim para zgjedhjeve. Pas 35 viteve, vëzhguesit më seriozë ndërkombëtarë, shkruajnë në unison në raportet e tyre se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Dhe kjo është vepra e zezë e Edi Ramës. Pra, ju qëndruat. Qëndruat, ndonëse u ndërmorën për të rrëmbyer votën, 4300 aktivitete vetëm e vetëm për të ndikuar tek ju në votë. Të paligjshme. Në një periudhë që ligji nuk e lejon. U arrestuan në vitin elektoral drejtuesit e dy partive kryesore opozitare dhe i treti i vu në ndjekje penale. U shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë në mes të fushatës zgjedhore, U amnistuan 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamata. 210 mijë familje prekeshin nga kjo masë, 84 mijë biznese.
Shikoni ju se ç’u bë kundër votës tuaj. Imagjinojeni! U dekretua mbjellja e 29 mijë hektarë kanabis. U firmosën me mijëra fletë punësimi, legalizime, certifikata pronësie. Të gjitha këto bënë që komuniteti ndërkombëtar të arrijë në përfundimin se këtu zgjedhjet u zhvilluan nga partia shtet. Pra ishin farsë elektorale. Të gjitha këto u mishëruan në një seri rezolutash ndërkombëtare. Për të gjitha këto, demokratët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë nisën protestat nga dhjetori i vitit të kaluar protestat më të fuqishme gjer në maj të këtij viti./Dosja.al
DURRËS- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të qeverisë për protestat e studentëve, duke akuzuar kryeministrin Rama për përdorim të dhunës ndaj të rinjve dhe duke e cilësuar regjimin aktual si 'narkodiktaturë'. Gjatë një takimi me demokratët në Durrës, Berisha bëri një paralelizëm mes protestave të studentëve në vitin 1990 dhe zhvillimeve të fundit, duke përmendur edhe ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës së tij, ai shprehu mbështetjen për studentët dhe pedagogët e Universitetit të Durrësit, universiteteve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Berisha iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Rama, duke deklaruar se nuk mund të qëndrojë në pushtet përmes dhunës ndaj studentëve dhe të rinjve. Sakaq, kreu i PD-së përmendi edhe 28 Nëntorin, duke deklaruar se Dita e Flamurit do të nderohet këtë vit më shumë se kurrë.
Berisha: Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt ju demokrateve dhe demokratëve të qarkut të Durrësit në këtë sallë, banorëve, qytetarëve të këtij qarku në Durrës, në të gjitha zonat e tij, në Shqipëri dhe kudo që janë sonte.
Nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për secilin prej jush dhe për të gjithë ata që në kushte të një narkodiktature, i qëndruan besnikë idealeve të tyre të lirisë, i qëndruan besnikë dinjitetit të tyre, qëndruan të pamposhtur dhe vijmë sot në një kohë kritike, por krejt tjetër. Të dashur deputete dhe deputetë të qarkut të Durrësit, drejtues të degëve të PD të këtij qarku, të nderuar aleatë, dhe njëherë një përshëndetje të përzemërt nga unë dhe mirënjohje për punën që keni bërë. Të dashur miq, jeta, veprimtaria politike në një diktaturë janë të vështira dhe duhet ta përsëris se midis të gjitha diktaturave, narkodiktatura, diktatura e bazuar në drogën apo ndryshe diktatura e bandave, vlerësohet më e keqja, më e rrezikshmja. Vlerësohet e tillë nga ata që kanë studiuar të gjitha llojet e diktaturave.
Dhe në fakt, kur e kam lexuar për herë të parë, nuk është se e kam pranuar menjëherë këtë gjë sepse mendoja se diktaturë si ajo që kaluam ne, toka nuk ka pasur. Diktaturë e cila mohonte me zero tolerancë pluralitetin. Por diktatura e sotme është sipas Hantingtonit, më e keqja e të gjitha formave sepse ai thotë se këto lloj diktaturash nuk kanë asnjë ligj, nuk respektojnë asnjë normë, nuk pyesin për asgjë. Dhe në qoftë se kthehemi bashkë me ata që kanë memorie, u kërkoj ndjesë të rinjve që janë fatlumë që nuk i njohin ato vite, por në qoftë se kthehemi pas jo në vitet e zeza, por në vitet ’90, krahasojmë disa zhvillime.
Edhe atëherë studentët u ngritën kundër regjimit. Regjimi ishte i dyzuar, të përdorë forcën apo të kërkojë marrëveshje me ta. Regjimi, për të shmangur një skenar të Bukureshtit, vendosi të negociojë me ta. Por një gjë, ishin studentët ato dy ditë me datën 10 dhe 11 dhjetor të vitit 1990, që zgjodhën përfaqësuesit e tyre. U mblodhën në ato salla dhe votonin njëri-tjetrin, zgjidhnin njëri-tjetrin dhe nuk ua zgjodhi njëri. Imagjinoni këtë të sotmin. Pasi theu kafka, theu gjymtyrë, u dha plumbin e gomës në lule të ballit, pasi përdori të gjitha mjetet kundër tyre, i zgjodhi si hijenë një grusht studentësh dhe u shfaq aty ku diktatori i fundit komunist u shfaq me studentët.
Por dallimi ishte se ai kishte zbatuar ligjin. Studentët kishin zgjedhur përfaqëesuesit e vet. Kurse ky ua zgjidhte studentëve përfaqësuesit. Më është kujtuar Hangtingtoni shumë herë, pra ky jashtë çdo morali, jashtë çdo standardi, imagjinoni në vitin ’90 atëherë kishte marrë fund, me datën 11 dhjetor e gjithë Tirana ishte në Qytetin Studenti, por prapë kishte një njeri në Byro Politike dhe plenum që thoshte t’u fusim tanket se pushtetin e morëm me gjak dhe pa gjak nuk e lëshojmë.
Kush ishte ky?
Ky ishte daja i Edi Ramës, ishte Spiro Koleka. A nuk veproi ky këto ditë, këto kohë në mënyrën më të egër ndaj studentëve?
Unë në emër tuaj dua t’u jap një përshëndetje të përzemërt studenteve, studentëve, pedagogëve të Universitetit të Durrësit, të universiteteve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për lëvizjen e tyre, për revoltën e tyre të paparë. Dhe ta garantoj diktatorin se ti këto kohërat që të kanë mbetur po sillesh njëlloj si shumica e tiranëve në kohërat e fundit të tyre. Por lexo historinë. Në të gjitha këto raste, fjalën e fundit, shtytjen e fundit, të shtënën e fundit e ka pasur sovrani.
Dhe të garantoj se do e ketë edhe për ty.
I them Edi Ramës, mos mendo mor i mjerë se do mund të rrish në atë karrige duke thyer kocka studentësh dhe të rinjsh.
Jo, jo, nuk ke njohur ti akoma kufijtë e trimërisë së tyre. Nuk i ke njohur akoma. Në qoftë se ata udhëhiqen nga vetëpërmbajtja, e cila është trimëri, është guxim, i bindur edhe njëherë se fjalën e fundit në të gjitha këto lloj betejash midis tiranit dhe sovranit, e ka thënë sovrani. Se firmën e fundit midis tiranit dhe sovranit, e ka vendosur sovrani.
Ndaj dhe je krejtësisht i pashpresë. Studentët janë të gatshëm dhe do jenë të gatshëm, takohu me kë të duash prapa skenave, por ata do i kesh në shesh të pamposhtur. Data 28 Nëntor po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre./Dosja.al