LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Lobimi i LSI në SHBA/ Meta: Çdo veprim e bëri Monika! Kryemadhi: Negociatat i bëra unë! Faturat që paraqet SPAK nuk përputhen. Ish-çifti akuza Yuri Kim

• Sot u mbajt seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ku në fokus ishte çështja e lobimit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. • Këtë herë, ish-deputetja Monika Kryemadhi paraqiti kundërshtimet e saj ndaj provave të SPAK-ut. • Gjatë seancës, Ilir Meta deklaroi se veprimet për lobimin ishin kryer përmes Monika Kryemadhit, duke u distancuar nga përgjegjësia për këtë çështje. • Nga ana tjetër, edhe Kryemadhi tha se Meta nuk ka dijeni dhe se negociatat me kompaninë amerikane GSIS i kishte zhvilluar vetë, në cilësinë e sekretares organizative të LSI-së. • Sipas saj, kontrata ishte firmosur nga Petrit Vasili, ndërsa tre faturat e partisë ishin paguar nga ish-sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. • Ajo këmbënguli gjithashtu se Meta nuk kishte dijeni për këto veprime. • Po ashtu, Kryemadhi kundërshtoi pretendimet e SPAK-ut për pagesat e kryera nga kompania Unifi drejt GSIS-it, duke pretenduar se numrat e faturave nuk përputhen me ato të LSI-së. • Për këtë arsye, kërkoi që Bank of America të paraqesë faturat origjinale dhe që të dëshmojë edhe përfaqësuesi i kompanisë GSIS, Dennis Burke. • Gjatë deklaratave të tyre, Meta dhe Kryemadhi ngritën akuza edhe ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadores amerikane Yuri Kim, duke theksuar se kanë ndikuar në hetimet e SPAK-ut. • Meta deklaroi gjithashtu se gjatë kohës që ishte President ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave të huaja lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese. • Në të njëjtën seancë, Meta depozitoi në gjykatë një kërkesë me 103 pika, përmes së cilës kërkon administrimin e provave të reja, një ekspertim të ri financiar dhe shpalljen e pavlefshmërisë së disa akteve të SPAK-ut.

4 artikuj për këtë temë.

1 JAVE ME PARE

"Negociatat i bëra unë, Meta s’kishte dijeni"/ Lobimi i LSI-së në SHBA, Kryemadhi: Faturat që paraqet SPAK nuk përputhen

Lobimi i LSI në SHBA/ Meta: Çdo veprim e bëri Monika!
Monika Kryemadhi

TIRANË- Monika Kryemadhi ka kundërshtuar pretendimet e SPAK-ut lidhur me financimin e lobimit në SHBA, duke deklaruar se faturat e paraqitura nga kompania Unifi për GSIS nuk kanë të njëjtin numër me faturat e LSI-së. Sipas saj, dokumentet bankare nuk provojnë se pagesat janë kryer në emër të LSI-së.

Gjatë fjalës së saj për mediat, Kryemadhi bëri të ditur se ka kërkuar informacion nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për deklarimet e GSIS në regjistrin FARA, si dhe dokumentacionin përkatës nga Bank of America. Ajo kërkon gjithashtu të dëshmojnë Dennis Burke dhe drejtuesi aktual i GSIS-it, për të sqaruar kontratën dhe veprimet financiare.

Kryemadhi sqaroi se kontrata e lobimit është firmosur nga Petrit Vasili dhe negociatat me kompaninë i ka zhvilluar ajo, ndërsa tri faturat e LSI-së janë paguar nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm, Luan Rama. Sipas saj, Ilir Meta nuk ka pasur komunikime apo dijeni për këtë kontratë.

Ajo komentoi gjithashtu deklaratat e Metës për presionet lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se kishte informuar Departamentin Amerikan të Shtetit për një mesazh të përcjellë nga një ambasador i një vendi të BE-së. Gjithashtu Kryemadhi akuzoi prokurorinë se dokumentacioni financiar është interpretuar në mënyrë të gabuar dhe se kjo ka krijuar perceptime të pasakta në hetim dhe në procesin gjyqësor.

Pjesë nga deklarata për mediat:

Pyetje: Na thoni çfarë pretenduat sot për episodin e fundit të lobimit?

Monika Kryemadhi: Sot, për episodin e fundit të lobimit, unë pretendova se prokuroria hamendëson që faturat që kompania Unifi i ka paguar kompanisë së lobimit GSIS janë paguar për llogari të LSI-së. Por, kur sheh pasqyrën bankare që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it.

Çfarë do të thotë kjo? E shpjegova edhe në sallën e gjyqit. Nëse unë dhe Fation Gjini paguajmë të dy energjinë elektrike te OSHEE-ja, kjo nuk do të thotë që Fationi e ka paguar energjinë për mua. Fationi ka faturën e vet, Monika ka faturën e vet. Fation Gjini mund ta paguajë edhe energjinë për mua, por atëherë thotë: “Unë po paguaj 2.000 apo 3.000 lekë për energjinë elektrike të Monika Kryemadhit.” Ndërkohë, fatura së cilës i referohet SPAK-u nuk ka asnjë të dhënë që e lidh me LSI-në. Është një faturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numër 12-shifror, ndërsa faturat e LSI-së kanë numra katërshifrorë.

Pyetje: Cilët dëshmitarë kërkuat të thirren?

Monika Kryemadhi: Së pari, kemi kërkuar që, me letërporosi, t’i kërkohet informacion Departamentit Amerikan të Drejtësisë për deklarimet që GSIS ka bërë në regjistrin zyrtar të FARA-s. Pra, kush është personi që i ka bërë këto deklarime?

Së dyti, kërkojmë që Bank of America të sjellë faturat që pretendohet se janë paguar nga kompania Unifi. Nuk mund të sjellësh thjesht një pasqyrë bankare, sepse në pasqyrën bankare të GSIS-it figuron edhe Parlamenti meksikan. Kjo s’do të thotë që Parlamenti meksikan ka paguar GSIS-in për llogari të LSI-së. Me çfarë cilësie dhe me çfarë të dhënash i ka lëshuar GSIS-i këto fatura? Për shpenzimet administrative mbi 1.000 dollarë, kontrata parashikonte që ato të miratoheshin nga LSI-ja. GSIS-i duhet të paraqesë autorizimin e dhënë nga LSI-ja.

Kemi kërkuar të thirret si dëshmitar edhe Dennis Burke, përfaqësuesi i GSIS-it që erdhi në Shqipëri për reformën në drejtësi. Nëse e mbani mend, ishte periudha e nenit 88, për të cilin nuk po arrihej dakordësia me Partinë Demokratike. Ai është takuar me ambasadorin amerikan të asaj kohe, Donald Lu, me Fatmir Xhafajn, që drejtonte komisionin e reformës në drejtësi, si dhe me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Ai duhet të vijë të tregojë për çfarë ishin këto takime, sepse kontrata e lobimit për të cilën flasim kishte të bënte vetëm me reformën në drejtësi në atë kohë.

Kërkojmë gjithashtu të pyetet presidenti aktual i GSIS-it nëse ka dijeni për veprimet financiare që ka firmosur dhe për deklarimet që ka bërë në përgjigje të letërporosisë.

Pyetje: Zonja Kryemadhi, Meta deklaroi në gjykatë se, nëse ka bërë ndonjë shkelje në këtë pikë, e ka bërë përmes jush. Ai ju përmendi në lidhje me rolin tuaj në strukturat e LSI-së. Keni një koment?

Monika Kryemadhi: Ai më përmendi në aspektin politik dhe organizativ. Unë isha sekretare organizative. Në kontratën së cilës i referohet organi i akuzës nuk ka asnjë firmë të Ilir Metës dhe, për këtë kontratë, nuk ka asnjë komunikim të tij me GSIS-in. Ilir Meta ka vetëm dy komunikime me ta. Njëri lidhet me ardhjen e ish-prokurorit Dennis Burke, përfaqësues i GSIS-it, në qershor të vitit 2016 për reformën në drejtësi. Tjetri lidhet me një takim që mund të jetë zhvilluar në shkurt të po atij viti.

Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me kompaninë i kam bërë unë, ndërsa tri faturat e LSI-së i ka paguar sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, për hir të së vërtetës, Ilir Meta nuk ka pasur komunikim për kontratën dhe nuk ka pasur dijeni për çfarë kemi bërë ne.

Nëse kthehemi pas në kohë, Partia Demokratike nuk kishte komunikim me ambasadën amerikane. Ambasada amerikane dhe zoti Lulzim Basha nuk komunikonin. Ne na duhej një ndërmjetësues mes ambasadës amerikane dhe Partisë Demokratike për të arritur një votim me konsensus të reformës në drejtësi.

Ilir Meta ka zhvilluar një takim në janar të vitit 2016 me ambasadorin William Brownfield, zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i kërkoi që reforma në drejtësi të votohej me konsensus. Në atë kohë, nëse e mbani mend, Rama nisi negociatat për blerjen e nëntë deputetëve të Partisë Demokratike, që ndryshimet kushtetuese të miratoheshin me vota të blera. Kjo u kundërshtua si nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, zoti Meta, ashtu edhe nga ambasadori Brownfield.

Pyetje: Kur po shpjegonit çështjen e përgjigjeve nga SHBA-ja, thatë, po ju citoj, “Ndërkohë, burri i botës ishte në burg”. E kishit fjalën për Metën?

Monika Kryemadhi: Po, patjetër. Nëse hetimi për lobimin dhe për gjithë dosjen vazhdonte ende, si mund të çohej çështja për gjykim? Nëse dosja ka vajtur në gjykatë më 28 gusht dhe ti vazhdon të marrësh dëshmi e përgjigje… Prokuroria mund të pretendojë se kërkesën për letërporosi e ka bërë në korrik të vitit 2024. “Burri i botës” është thjesht një shprehje shqiptare. Për mua tani është i botës. Nuk është i imi, është i Partisë së Lirisë.

Pyetje: Zonja Kryemadhi, Meta u ndal në dy pika. Së pari, tha se një grup ndërkombëtarësh, mes tyre McGonigal dhe ish-ambasadorja amerikane, kanë krijuar dosjen kundër tij. Së dyti, tha se është kërcënuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. A keni qenë në dijeni?

Monika Kryemadhi: Patjetër që kam qenë në dijeni. Për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, jam unë që ia kam përcjellë zotit Meta mesazhin e një ambasadori të një vendi të Bashkimit Europian. Për hir të së vërtetës, mund të pyesni zotin Vasili. Ai i thotë: “Lëre këtë zonjën të kalojë, se pastaj diskutojmë me Ramën që të vendosim zonjën Xhaferllari.” Madje, unë e kam mesazhin.

Në atë kohë isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë zyrtare dhe po bisedoja me zotin Vasili. Ai më pyeti: “More vesh çfarë ka ndodhur? I kanë çuar këtë mesazh. Çfarë thua t’i them?” Unë komunikova drejtpërdrejt me personat përkatës në Departamentin e Shtetit dhe i vura në dijeni për mesazhin.

Ishte thënë se ambasada amerikane, ajo britanike dhe, më duket, edhe ajo gjermane do të dilnin me një deklaratë në favor të zonjës Arta Vorpsi. Pastaj Meta mund të bënte një marrëveshje me Ramën që, kur të vinin tre propozimet e tjera nga Gjykata e Lartë, Marsida Xhaferllari të përfshihej në atë treshe, ose diçka e tillë. Meta sigurisht që s’mund ta pranonte këtë. Pasi u vunë në dijeni institucionet amerikane, që kishin mbështetur reformën në drejtësi, zgjedhja u bë sipas rendit kushtetues. Pra, u ushtrua presion duke përdorur instrumentet e ambasadave që vepronin në Shqipëri. Për këtë mesazh e kam informuar unë Departamentin e Shtetit.

Sa i përket Yuri Kim, po, është e vërtetë që Yuri Kim është e përfshirë në çështjen tonë të lobimit. Letërporosia ka ardhur në vitin 2024, në periudhën e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ardhur vetëm një pasqyrë bankare, pa shpjeguar se për çfarë i ka bërë pagesat Monika Kryemadhi. Të gjithë bëjmë pagesa. Para 15 vjetësh mund të mos na kërkonin gjëra të tilla, por sot, edhe kur bëj një pagesë nga aplikacioni i bankës, më kërkon faturën elektronike ose foton e dokumentit. Kështu që, sipas meje, ideja është: “Hajde ta mbajmë sa më gjatë brenda, se pastaj flasim.”

Gazetari: Faleminderit.

Monika Kryemadhi: Shumë faleminderit. Nuk e di nëse isha e qartë për ju. Unë do t’ju jap tani gjithë dokumentacionin që kam për fibrën optike, interkoneksionin, ligjin e minierave dhe analizën financiare. Sot, për shembull, i përmenda prokurorit një fakt. Gjyqtari më pyeti pse po kërkoja të flisja për lobimin. I thashë se edhe përmendja e të ardhurave financiare në vitet e gabuara, qoftë në mënyrë të njëanshme, qoftë për shkak të një lapsusi, ka krijuar perceptime të gabuara në akuzë dhe në procesin gjyqësor. Ju faleminderit shumë./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

Meta depoziton mbi 100 faqe në GJKKO, kërkon prova nga SHBA dhe kundërshton interpretimin e materialeve nga SPAK

Lobimi i LSI në SHBA/ Meta: Çdo veprim e bëri Monika!
Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar në Gjykatën e Posaçme një dokument voluminoz prej më shumë se 100 faqesh, ku paraqet një sërë kërkesash dhe kundërshtimesh lidhur me procesin gjyqësor ndaj tij. Në parashtresat e datës 12 nëntor 2026, ish-presidenti vë në pikëpyetje mënyrën se si SPAK ka interpretuar provat gjatë hetimit, ndërsa kërkon administrimin e dokumentacionit dhe informacioneve shtesë që, sipas mbrojtjes, janë të rëndësishme për zbardhjen e çështjeve për të cilat akuzohet.

Një nga kërkesat kryesore lidhet me lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta kërkon që GJKKO t’i drejtohet Departamentit Amerikan të Drejtësisë për të marrë informacion të detajuar mbi kontratën mes LSI-së dhe kompanisë GSIS. Konkretisht, ai kërkon të sqarohet vlera e pagesave, shërbimet e ofruara, personat që kanë autorizuar shpenzimet, si dhe nëse gjatë zbatimit të marrëveshjes janë përdorur fonde me origjinë të paligjshme.

Në një tjetër pjesë të dokumentit, Meta kundërshton ekspertizën financiare të përdorur gjatë hetimeve paraprake. Për këtë arsye, ai kërkon informacion nga ILDKPKI lidhur me mënyrën se si janë trajtuar dietat dhe të ardhurat e zyrtarëve publikë në deklarimet e pasurisë përgjatë viteve. Mbrojtja kërkon gjithashtu thirrjen dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, si dhe përjashtimin nga procesi të disa deklarimeve, të cilat, sipas pretendimeve të saj, nuk janë marrë apo administruar në përputhje me kërkesat e legjislacionit procedural.

Një tjetër çështje e ngritur nga ish-presidenti është monitorimi i takimeve me avokatin e tij. Meta kërkon ndërhyrjen e gjykatës për të garantuar paprekshmërinë dhe konfidencialitetin e komunikimit me mbrojtësin ligjor, duke argumentuar se mbikëqyrja e këtyre kontakteve cenon të drejtën për një mbrojtje efektive.

Po ashtu, Meta i cilëson interpretimet e SPAK si arbitrare dhe joobjektive. Përmes këtyre kërkesave, ai synon që gjykata të marrë në shqyrtim pretendimet e mbrojtjes, të administrojë prova të tjera dhe të rivlerësojë elementet e paraqitura nga prokuroria në kuadër të procesit gjyqësor./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

"SPAK u ndikua nga McGonigal dhe Yuri Kim"/ Meta: Pesë ambasada më kërcënuan për emërimet në Kushtetuese

Lobimi i LSI në SHBA/ Meta: Çdo veprim e bëri Monika!
Ilir Meta

TIRANA- Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta ka ngritur akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, gjate seances gjyqësore ndaj tij dhe Monika Kryemadhit. Ai ka deklaruar se hetimet ndaj tij janë ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Ish-presideni i ka cilësuar këto si ndërhyrje në procesin hetimor dhe ka hedhur poshtë akuzat për presione gjatë kohës kur ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës.

Një ndër çështjet që ai ngriti lidhej me përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të cilën tha se gjatë procesit të emërimit të një anëtareje të kësaj gjykate, ai ishte përballur me presion nga përfaqësues të pesë ambasadave të huaja.

Në lidhje me këtë, ai ka deklaruar se i është kërkuar që të mos dekretonte Marsida Xhaferllarin, por të mbështeste kandidaturën e Arta Vorpsit. Më tej, Meta foli edhe për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara, duke u shprehur se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë amerikane, nëse do të provohej ndonjë shkelje nga ana e tij.

Ilir Meta: Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë. Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi. Nëse SHBA gjente një shkelje të vetme ndaj meje për çështjen e lobimit, jam i gatshëm të shkoj me shpenzimet e mia në SHBA dhe të përballem me drejtësinë./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

Mbahet sot seanca e rradhës për ish-presidentin Meta dhe Monika Kryemadhin, ish-deputetja pritet të kundërshtojë akuzat për lobimin në SHBA

Lobimi i LSI në SHBA/ Meta: Çdo veprim e bëri Monika!
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në GJKKO

TIRANA- Gjykata e Posaçme zhvillon sot seancën e radhës në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi. Në fokus të seancës do të jetë edhe qëndrimi i ish-deputetes, e cila pritet të paraqesë kundërshtimet e saj lidhur me akuzat për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në seancën e mëparshme, mbrojtja e ish-presidentit ngriti sërish shqetësimin për mbikëqyrjen me kamera të takimeve mes Metës dhe avokatëve të tij në ambientet e paraburgimit 313. Për këtë pretendim, Gjykata bëri me dije se do t'ia përcillte shqetësimin Drejtorisë së Burgjeve. Gjatë të njëjtës seancë, GJKKO rrëzoi kërkesat e Ilir Metës për transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit gjyqësor dhe për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të seancave. 

Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi deklaroi se në dosje nuk ekziston asnjë dokument që të provojë kontratën mes dy kompanive për çështjen e fibrës optike. Për këtë arsye, ajo kërkoi thirrjen e dëshmitarëve për të sqaruar rrethanat e kësaj çështjeje. Sa i përket akuzave që lidhen me deklarimin e pasurisë, Kryemadhi bëri të ditur se mbrojtja ka kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së akteve, duke argumentuar se mungon dokumentacioni i nevojshëm. 

Dosja "Meta" 

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al

ilir meta monika kryemadhi gjkko

Sondazh

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin