Rigers Sheqeri, Zhaneta Beqiri dhe Elona Lalaj
TIRANA- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka firmosur largimin nga detyra të dy zyrtarëve të lartë, ndërsa në proces pritet të jetë edhe shkarkimi i drejtoreshës së Policisë Bashkiake, Elona Lalaj. Bëhet me dije se nga detyra është larguar Rigers Sheqeri, i cili mbante postin e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Po ashtu është firmosur nga Veliaj edhe vendimi për shkarkimin e Zhaneta Beqirit, drejtoreshës së Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve. Largimi i saj lidhet me pretendime për shkelje me pasoja ekonomiko-financiare, të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ndërkohë, një tjetër emër që përmendet në kuadër të ndryshimeve në Bashkinë e Tiranës është Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake, për të cilën bëhet me dije se ka nisur procedura e largimit nga detyra. Çështja e drejtoreshës së Policisë Bashkiake është përmendur edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë për Tiranën, të zhvilluar këtë të shtunë. Në fjalën e tij, Rama kritikoi mundësinë e largimit të Lalajt, duke e cilësuar të padrejtë një vendim të tillë dhe duke e lidhur situatën me faktin se ajo nuk kishte pëlqyer apo shpërndarë postimet e Erion Veliajt në rrjetet sociale.
Kryeministri deklaroi se nuk mund të largohet nga puna një punonjëse që, sipas tij e ka ushtruar detyrën me dinjitet, vetëm për shkak të qëndrimeve apo veprimeve të saj në rrjetet sociale. Ai paralajmëroi gjithashtu se Partia Socialiste do të reagojë ndaj çdo veprimi që konsideron të padrejtë ndaj punonjësve të Bashkisë së Tiranës, duke përmendur në mënyrë të veçantë edhe rastin e Elonës Lalaj.
“Po si mund largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë, drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?
E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Po ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin ‘’shërbëtorë’’ publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës.
E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisë vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës“, tha Rama në Asamblenë e kësaj të shtune./Dosja.al