Pamje nga protesta
TIRANA- Pedagogu Ervin Goci ka komentuar protestën dhe zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste, duke pretenduar se pakënaqësia ndaj qeverisë ka depërtuar edhe në strukturat dhe elektoratin e kësaj force politike. Në një prononcim për mediat, Goci u shpreh se PS mund të përballet me një proces përçarjeje dhe shpërbërjeje, duke theksuar se brenda saj ka edhe anëtarë dhe mbështetës që sipas tij, nuk pajtohen me zhvillimet aktuale.
Sipas Gocit, situata në Partinë Socialiste paraqet një ndryshim, pasi përplasja nuk po mbetet vetëm brenda strukturave partiake, por po reflektohet edhe ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta. Më tej, pedagogu e konsideroi protestën si një zhvillim që mund të ndikojë në ekuilibrat e brendshëm të Partisë Socialiste.
Ervin Goci: Protesta ka hyrë në zemër të PS-së. Ajo parti ishte e degjeneruar dhe do të shkojë drejt shkrirjes. Aty ka dhe elektorat dhe njerëz të ndershëm. Mos harroni se çfarë ka ndodhur me PD-në. Atë ditën e 8 janarit e mori goditje PD-ja, kur kapën hunjtë me njëri-tjetrin. Dhe PS sot, kur e kupton se ka të korruptuar kryetarin dhe anëtarët, mirë që rreh të vetin, por rreh dhe shqiptarët. Kjo është e njëjta gjë që i ndodhi PD-së. Por PD-ja i nxori hunjtë ditën kur pati konfliktin e brendshëm, kurse PS-ja i nxori për të rrahur qytetarët./Dosja.al