Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka deklaruar se incidentet e ndodhura gjatë protestës së studentëve nuk janë shkaktuar nga vetë studentët, por nga persona që ishin paguar për të provokuar dhe krijuar tensione. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse PD-ja duhet të organizojë protesta të veçanta nga studentët, Berisha deklaroi se nuk ka pasur asnjë incident nga ana e tyre, ndërsa pretendoi se personat që krijuan tensione nuk ishin studentë, por individë të moshave 30 deri në 50 vjeç, të paguar për të nxitur dhunën. Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi mediat pranë qeverisë se kishin qenë të pranishme pikërisht në momentet e incidenteve për t'i filmuar ato.
Berisha theksoi se PD-ja do të vijojë të mbështesë studentët, pa simbolet partiake dhe në respekt të lëvizjes. Ai bëri të ditur se mbi 600 studentë kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra e PD-së, duke pretenduar se opozita i ka mbështetur ata përballë policisë dhe procedimeve gjyqësore. Në përfundim, kreu i demokratëve u bëri thirrje të gjitha forcave politike opozitare dhe qytetarëve që ti bashkohen revoltës studentore, duke theksuar se askush nuk mund t'ia kufizojë askujt të drejtën për të protestuar.
*Kristi: Doktor, në protestën e djeshme përsëri pati incidente mes protestuesve. Mendoni se ndoshta Partia Demokratike duhet të ketë protestën e vet dhe mos të shkojë në ditën që e shpallin studentët?*
*Sali Berisha:* Siç e patë ju i dashur Kristi, asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente.
Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t'ua them, por vetëm për hir të asaj që s'po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente. Në qoftë se e vutë re ju Kristi, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t'i filmonin.
Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30 vjeçarë me radhë, kështu që s'kanë asgjë të përbashkët me studentët. Por një gjë, në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën. Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat.
Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre. Kristi, që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët. Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera. Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore.
Ndaj dhe ne jemi parti proteste.
Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë. Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t'i mbështesim studentët. Regjimi kreu barbarinë ndaj tyre. Si mundet ne të pranojmë të tërhiqemi para akteve barbare, para plumbave që u vërshuan mbi të rinjtë, para gjymtyrëve të thyera, kafkave të çara. Nuk mundet të ndodhë kjo kurrë.
Ne jemi forcë politike. Ne përdorim ato instrumente që kemi. Dhe kur ne bëjmë thirrje, nuk shkojmë kurrë për të postuar, jo, ne shkojmë për të mbështetur dhe për të mbrojtur, po.
Dhe unë them se këtë detyrë e kemi bërë më shumë se asnjë forcë tjetër politike. Ndaj dhe edhe njëherë shfrytëzoj rastin të bëj thirrje për bashkim, të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore. Ata që mendojnë se protesta është e tyre, ata përsërisin në mënyrë të pavetëdijshme, në një formë apo një tjetër, kufizimin e të drejtës për protestë. Askush s'mund t'i kufizojë tjetrit të drejtën e protestës. Kjo është e paimagjinueshme./Dosja.al