Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si raportin më pozitiv që vendi ka marrë ndonjëherë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Duke folur në konferencën e përbashkët me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, Rama theksoi se raporti i publikuar një ditë më parë shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj procesit të Integrimit.
Krahasuar me një vit më parë, Kryeministri tha se niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur ndjeshëm dhe Komisioni Europian ka evidentuar përparim në disa fusha. Veçanërisht, Rama nënvizoi vlerësimin pozitiv të KE-së për progresin në pushtetin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, duke veçuar edhe rolin e SPAK-ut. Sipas tij, raporti vlerëson se SPAK ka dëshmuar pavarësi dhe ka prodhuar rezultate në përmbushjen e misionit të tij.
“E nderuar ambasadore e bashkimit Europian në Shqipëri! E dashur Sofia! Mirëserdhët sot, me Raportin më të mirë të Progresit që Shqipëria ka marrë në dorë, ndonjëherë, cka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Për një kohë të gjatë rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit, “po, jo, kur”; hapja e negociatave, “po, jo kur”; miratimi i piketave të ndërmjetme, “po, jo, kur”... Sot, ky raport i publikuar dje nga Komisioni Europian përcakton një rrëfim të ri, jo mbi atë që presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona!Dhe besoj se ky është lajmi kryesor i raportit.
Shqipëria po hyn në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Natyrisht, kujdes, ky kilometër i fundit ka njëmijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer, një e nga një, duke harmonizuar të gjitha lëvizjet e organizimit të shtetit tonë në funksion të pikëmbërritjes historike.Raporti tregon se krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton një përparim të rëndësishëm në një sërë fushash nga ekonomia dhe transformimi digjital, tek energjia, arsimi dhe përafrimi legjislacionit me standardet evropiane.Komisioni Europian vlerëson gjithashtu, një progres të mirë në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, sikundër nënvizon faktin se SPAK ka vazhduar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në misionin e tij”., tha Rama./Dosja.al