Edi Rama
DUBLIN- Kryeministri Edi Rama ka kritikuar qasjen e Europës ndaj luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve me Rusinë, duke e cilësuar gabim të madh ndërprerjen e përpjekjeve diplomatike dhe përqendrimin e gjithë vëmendjes te armatimet. Duke folur nga Dublini, Rama tha se Europa nuk duhet të kishte hequr dorë nga dialogu me Moskën, ndërsa kritikoi faktin që përpjekjet për paqe tashmë janë lënë në duart e presidentit amerikan Donald Trump.
Kreu i qeverisë e cilësoi gjithashtu të pafalshme për Europën faktin që përpjekjet diplomatike për paqe po zhvillohen pa një rol të drejtpërdrejtë të saj. Duke iu referuar takimit në Abu Dhabi, ku janë të përfshira Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara, Rama theksoi mungesën e Europës në tryezën e negociatave.
Kryeministri tha gjithashtu se lufta e Vladimir Putinit nuk ishte thjesht një luftë kundër Ukrainës, por një përpjekje edhe kundër Europës dhe rendit të saj demokratik. Sa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë, Rama tha se ato nuk kanë pasur asnjëherë një nivel të rëndësishëm që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1990.
Ai kujtoi shkëputjen historike të Shqipërisë nga blloku Lindor në vitet '60 dhe theksoi se vendi ynë nuk ka pasur kontakte të rëndësishme të nivelit të lartë me Moskën. Rama tha ndër të tjera se Shqipëria nuk ka peshën diplomatike për të zgjidhur konfliktin, duke shtuar se vendi nuk mund të mbahet përgjegjës për mungesën e një zgjidhjeje.
"Nuk është se niveli i marrëdhënieve me Rusinë ka rënë. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie me Rusinë qysh prej viteve ’60, që kur Shqipëria reshti së angazhuari me bllokun Lindor, në emër të besnikërisë. Edhe kur rusët vetë hoqën dorë nga Stalini, shqiptarët e mbajtën fort Stalinin. Pastaj, që prej vitit 1990, lidhën marrëdhënie diplomatike, por jo në nivel shumë domethënës. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka asnjë fluturim nga Kremlini në Tiranë dhe anasjelltas, nuk kemi asnjë takim të nivelit të lartë dhe, ç’është e vërteta, nuk na merr malli. Europa ka bërë një gabim të madh që ditën e parë, që hoqi dorën nga diplomacia dhe përqendroi gjithçka te armatimet. Ndryshoi natyrën e vetvetes. Ndalja e çdo lloj bisedimi me Rusinë ishte një gabim shumë i madh. Pastaj Europa ia jashtëkontrakton këtë përpjekje për paqe Donald Trumpit, është diçka që do të mbetet në librat e Europës si diçka e qortueshme. Fakti që sot në Abu Dhabi janë Rusia, Ukraina, SHBA-ja dhe nuk është Europa…Për fat të keq, e pamë edhe një herë që ishim vonë për atë që duhej të ishte bërë më parë. Nëse ndryshimet për lëvizjet ajrore që vetë Zelensky i kishte kërkuar më parë, gjërat do të ishin shumë më ndryshe. Që prej ditës së parë ishte e qartë: lufta e Vladimir Putinit nuk ishte vetëm një luftë kundër Ukrainës, ishte një luftë kundër Europës, për të rrëzuar Europën. Europa është një mozaik demokracish, partish. Më gjen rehat të flas për këtë temë, sepse askush nuk do t’i kërkojë Shqipërisë që të zgjidhë gjë dhe askush nuk do t’i vërë faj Shqipërisë se përse nuk zgjidh dot gjë," tha Rama./Dosja.al