Edi Rama
PARIS- Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e Ukrainës në përballjen me agresionin rus, duke theksuar se vendit duhet t’i njihen meritat për luftën që, sipas tij, nuk po zhvillohet vetëm për mbrojtjen e territorit ukrainas, por edhe për Europën. Duke folur nga Parisi, Rama u shpreh se në paketën e re të zgjerimit të Bashkimit Europian dallohen katër vende që konsiderohen në pararojë të procesit: Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.
Kryeministri e cilësoi procesin e anëtarësimit në BE si një mundësi të rëndësishme për forcimin e shtetit dhe institucioneve shqiptare. Ai theksoi se procesi i integrimit është i gjatë, por i domosdoshëm, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të parimit të meritës dhe përmbushjes së detyrimeve nga secili vend kandidat. Sipas tij, asnjë shtet nuk duhet të kërkojë të anashkalojë hapat e anëtarësimit, pasi përgatitja dhe përmbushja e kritereve janë thelbësore për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
“Unë besoj që Ukrainës duhet t’i njihen meritat, sepse po lufton jo vetëm për veten, por edhe për Europën. Unë besoj se në paketën e re të zgjerimit ka qartësi rreth katër vendeve që konsiderohen se janë në pararojë, që janë Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. Procesi i anëtarësimit është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë. Ne nuk jemi Franca, por një vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët. Jemi me një traditë shumë të vogël të shtetit, institucioneve që mbajnë vendin, ndaj BE është bekim, sepse na jep instrumentet për të ndërtuar shtetin tonë. Besoj se procesi është i gjatë, por i nevojshëm. Askush nuk duhet ta tejkalojë shansin, sepse është njësoj si të marrësh patentën pa ditur si t’i japësh makinës. Procesi i mbështetur në meritë duhet të vazhdojë. Çdo vend duhet të bëjë detyrat e shtëpisë e të ulet rreth tryezës. Nëse do të marrësh më shumë nga tryeza, duhet të bësh më shumë. Kjo është mënyra e ndryshimit të paradigmës së proceseve që nuk mbarojnë kurrë," tha Rama./Dosja.al