Arben Voja
TIRANË- Arben Voja, drejtori aktual i Spitalit Rajonal të Fierit, u arrestua sot me urdhër të Prokurorisë, në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Ai dyshohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, për veprime që lidhen me periudhën kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Fier.
Sipas hetimeve, prona publike dyshohet se është kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi private dhe më pas u është shitur investitorëve për ndërtimin e një impianti fotovoltaik. Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe persona të tjerë, ndërsa hetimet synojnë të zbardhin të gjithë mekanizmin e dyshuar të tjetërsimit të pronës.
Një karrierë e gjatë në administratën publike
Arben Voja ka mbajtur ndër vite disa poste drejtuese në institucionet publike të Fierit. Karrierën e tij në administratë e ka shtrirë në disa fusha, duke drejtuar institucione të ndryshme. Ai ka qenë kryetar i ish-Komunës Seman, drejtues i Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Territorit në Fier, si dhe drejtues i Agjencisë Rajonale të Mjedisit.
Në maj të vitit 2022, Voja u emërua në krye të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier. Më pas, më 30 janar 2025, mori drejtimin e Spitalit Rajonal të Fierit, pas largimit nga detyra të ish-drejtorit Roel Zoga.
Përballjet e mëparshme me drejtësinë
Emri i Arben Vojës është përmendur edhe në hetime të mëparshme të organeve të drejtësisë, lidhur me periudhën kur ushtronte funksione drejtuese në administratën publike. Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës e kallëzoi atë në SPAK, duke ngritur dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Në këtë kallëzim përmendej edhe një specialiste e institucionit, ndërsa dëmi ekonomik i pretenduar ndaj shtetit llogaritej në rreth 9.5 milionë lekë. Një tjetër çështje lidhet me periudhën kur Voja drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier. Në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e çështjes në gjykatë ndaj tij dhe gjashtë punonjësve të tjerë.
Ata dyshohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në lidhje me parregullsi të pretenduara në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore. Tashmë, arrestimi i tij në kuadër të dosjes së tjetërsimit të 44 mijë metrave katrorë tokë në Povelçë rikthen në vëmendje aktivitetin e tij në disa prej institucioneve kryesore publike të Fierit dhe çështjet e mëparshme./Dosja.al