Erion Veliaj
TIRANË- Erion Veliaj i është drejtuar me një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar t’i mundësohet pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila është njoftuar se do të zhvillohet më 14 nëntor 2026. Në kërkesën e tij, Veliaj kërkon që pjesëmarrja të realizohet fizikisht, nëse autorizohet nga autoritetet kompetente, ose ndryshe përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me videokonferencë nga ambientet e IEVP Fier, ku ndodhet në paraburgim.
Veliaj argumenton se masa e sigurimit personal “arrest në burg” kufizon lirinë e tij të lëvizjes, por nuk sjell automatikisht humbjen e të drejtave politike dhe statutore. Kryebashkiaku i referohet neneve 17 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se kufizimet duhet të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.
Në letrën drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Veliaj kërkon që t'i komunikohen zyrtarisht ora, vendi dhe rendi i ditës së mbledhjes, si dhe dokumentet që do të shqyrtohen. Ai kërkon gjithashtu marrjen e masave teknike për të mundësuar pjesëmarrjen e tij online, me të drejtën për të ndjekur diskutimet, për të marrë fjalën dhe për të paraqitur propozime.
Një tjetër kërkesë është bashkërendimi paraprak me administratën e IEVP Fier dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për realizimin e lidhjes audiovizive, duke respektuar rregullat e sigurisë së institucionit. Ndërkohë, në kërkesën drejtuar prokurorit të çështjes në SPAK, Veliaj kërkon shqyrtimin me urgjencë të mundësisë ligjore për pjesëmarrjen fizike ose, në pamundësi, përmes videokonferencës. Ai thekson se kërkesa nuk synon ndryshimin apo pezullimin e masës së sigurimit, por gjetjen e një mënyre për të ushtruar të drejtat politike dhe statutore pa cenuar kushtet e paraburgimit.
Veliaj kërkon gjithashtu që, në rast se nuk i mundësohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë, qëndrimi i tij me shkrim t'i përcillet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin e mbledhjes, duke nënvizuar se kjo alternativë nuk duhet të konsiderohet zëvendësim automatik i së drejtës për të marrë pjesë. Në fund të shkresës, Veliaj kërkon një përgjigje përpara datës 14 nëntor, në mënyrë që të ketë kohë për organizimin e pjesëmarrjes në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
LETRA E PLOTË
Fier, më 10.11.2026
DREJTUAR:
Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë
Prokurorit të çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
PËR DIJENI:
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Drejtorisë së IEVP Fier
LËNDA: Kërkesë urgjente për garantimin e pjesëmarrjes dhe ushtrimin e të drejtave statutore në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të datës 14 nëntor 2026, përmes pjesëmarrjes fizike ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.
I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,
I nderuar z. Prokuror,
Në datën 14 nëntor 2026 është njoftuar zhvillimi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, organ më i rëndësishëm i drejtimit dhe vendimmarrjes politike të partisë në mes dy kongreseve.
Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë.
Aktualisht ndodhem në paraburgim në IEVP Fier, në zbatim të masës së sigurimit personal të caktuar ndaj meje. Kjo rrethanë më kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk sjell, në vetvete, humbjen e të drejtave të mia politike dhe statutore, për aq sa ushtrimi i tyre është i pajtueshëm me kufizimet e ligjshme që burojnë nga masa e sigurimit dhe regjimi i paraburgimit. E drejta për organizim dhe pjesëmarrje në jetën politike gëzon mbrojtje kushtetuese dhe konventore. Nenet 17 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkojnë që kufizimet e ushtrimit të këtyre të drejtave të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.
Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë.
Për këto arsye, kërkoj të më mundësohet pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, mundësisht në mënyrë fizike dhe nëse kjo nuk realizohet, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë audiovizive.
I. KËRKESA DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË SOCIALISTE
Në cilësinë e autoritetit përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së organeve të partisë, ju kërkoj të ndërmerrni masat organizative dhe teknike për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
Në mënyrë të veçantë, kërkoj:
1. Të më njoftohen zyrtarisht ora, vendi, rendi i ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhjen e datës 14 nëntor 2026.
2. Të merren masat për mundësimin e pjesëmarrjes sime fizike, nëse kjo autorizohet nga autoritetet kompetente.
3. Në alternativë, të sigurohet infrastruktura teknike për lidhjen time të drejtpërdrejtë me videokonferencë nga IEVP Fier, me mundësi për të ndjekur diskutimet, për të marrë fjalën, për të paraqitur propozime dhe për të ushtruar të drejtat e tjera që më njeh Statuti.
4. Të bashkërendohen paraprakisht veprimet me administratën e IEVP Fier dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për realizimin e lidhjes audiovizive, duke respektuar kërkesat e sigurisë së institucionit.
5. Nëse pjesëmarrja ime e drejtpërdrejtë nuk mundësohet, të më jepet mundësia që qëndrimi im i shkruar t’i paraqitet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin e mbledhjes, pa e konsideruar këtë alternativë si zëvendësim automatik të së drejtës për pjesëmarrje.
Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore.
II. KËRKESA DREJTUAR PROKURORIT TË ÇËSHTJES
Duke qenë se ndodhem nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”, ju kërkoj të shqyrtoni me urgjencë mundësinë ligjore të pjesëmarrjes sime fizike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dhe sipas kompetencës suaj, të jepni miratimin përkatës ose t’ia përcillni kërkesën pa vonesë autoritetit kompetent për vendimmarrje. Nëse pjesëmarrja fizike nuk mund të realizohet, kërkoj që të shqyrtohet dhe të mundësohet pjesëmarrja ime nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e IEVP Fier.
Kjo alternativë nuk kërkon largimin tim nga institucioni, nuk cenon zbatimin e masës së sigurimit dhe mund të organizohet nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare, duke respektuar kushtet ligjore dhe të sigurisë. Theksoj se kërkesa ime nuk synon ndryshimin, pezullimin apo shmangien e masës së sigurimit personal. Ajo synon vetëm gjetjen e një mënyre proporcionale për ushtrimin e një të drejte politike dhe statutore, pa cenuar qëllimet e ligjshme të paraburgimit. Për këtë arsye, kërkoj që çdo kufizim apo refuzim të mbështetet në një bazë konkrete ligjore, të arsyetohet dhe të marrë në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në distancë si alternativë më pak kufizuese.
III. URGJENCA E SHQYRTIMIT
Duke qenë se mbledhja e Asamblesë Kombëtare është caktuar për datën 14 nëntor 2026, kërkoj që kjo kërkesë të shqyrtohet menjëherë dhe që vendimmarrja të më komunikohet në kohë të mjaftueshme për organizimin e pjesëmarrjes. Mungesa e një përgjigjeje përpara zhvillimit të mbledhjes do ta bënte praktikisht të pamundur ushtrimin e të drejtës sime për të marrë pjesë në një proces konkret të vendimmarrjes politike.
Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj.
Në përfundim, kërkoj që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe autoritetet kompetente të bashkërendojnë veprimet e nevojshme për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, fizikisht ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.
Me respekt,
ERION VELIAJ
Anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Pasditen e 28 tetorit Veliaj u transferua papritur nga paraburgimi i Durrësit në qelitë e burgut të Fierit me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Transferimi i tij ka shkaktuar reagime dhe polemika të shumta, si dhe një "luftë" brenda socialistëve. Transferimin nga qelia e Durrësit në Fier, Veliaj e cilësoi si një “rrëmbim policor” pasi nuk ishte njohur me aktin që urdhëronte transferimin dhe arsyet e lidhura me këtë vendim. Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve tha se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave, por dokumenti është klasifikuar “sekret shtetëror”, ndaj nuk mund të bëhet publik jashtë kushteve të parashikuara në ligj.
Transferimi i Veliajt ka sjellë një "luftë" mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama. E gjitha u bë publike, pasi Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pranoi se ka zhvilluar takim me Veliajn në burgun e Fierit në mënyrë të fshehtë, por mohoi që t'i ketë përcjellë mesazhe kërcënuese nga kryeministri Edi Rama, të cilat ishin raportuar në media. Gogu tha se takimi është zhvilluar të premten, në kuadër të përgjegjësive të tij si ministër i Drejtësisë. Sipas tij, vizita kishte për qëllim njohjen me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe dëgjimin e ankesave të ngritura publikisht nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Por Veliaj tregoi një anë tjetër të takimit, duke konfirmuar mesazhet kërcënuese që ka marrë dy ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama nëpëmjet Ministrit Toni Gogu.
Sipas versionit të Veliajt, gjatë takimit të zhvilluar të premten në orën 22:30, Gogu i ka komunikuar disa kërkesa që lidhen me pranimin e përfshirjes në protestat, heqjen dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe delegimin te Arbër Hajdari, si dhe ndërprerjen e këshillimit me avokatin Plarent Ndreca. Në letrën e publikuar nga kryebashkiaku, thuhet gjithashtu se mospranimi i këtyre kërkesave mund të sillte rëndimin e pozitës së tij ligjore dhe përballjen me akuza të tjera. Po ashtu, Veliaj ka mohuar kategorikisht lidhjen me protestat dhe i ka kërkuar kryeministrit të paraqesë prova për këto pretendime. Ai ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga dinjiteti i tij, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al