LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms anëtarëve të PS fjalimin që do të mbante në Asamble: Partia është më e madhe se Kryetari i saj

• Kryebashkiaku, Erion Veliaj u ka dërguar me SMS anëtarëve të Partisë Socialiste fjalimin që kishte përgatitur të mbante në Asamblenë Kombëtare. • Rreth një ore para nisjes së Asamblesë, Veliaj ka publikuar tekstin e plotë të fjalimit: “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”. • Nga ambientet e IEVP Fier, ku ndodhet në paraburgim, kryebashkiaku i Tiranës, ka përcjellë një mesazh të fortë politik për drejtimin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e saj, Edi Rama. • Në fjalimin e gjatë, Veliaj ngre një sërë kritikash për mënyrën se si drejtohet sot partia, duke e cilësuar atë si një organizatë që ka humbur demokracinë e brendshme, debatin dhe solidaritetin. • Veliaj kritikon gjithashtu përqendrimin e vendimmarrjes në duart e një individi, mungesën e rolit të forumeve drejtuese, mënyrën e përzgjedhjes së ministrave dhe deputetëve, si dhe trajtimin e mendimit ndryshe brenda partisë. • Ai ndalet veçanërisht te përgjegjësia politike e Edi Ramës, duke argumentuar se kryetari i PS-së duhet të japë llogari për modelin e drejtimit dhe dobësimin e institucioneve të partisë. • Kryebashkiaku shprehet më tej se pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste. • Në mesazhin e tij, ai kujton gjithashtu rrugëtimin politik në PS, kontributin e socialistëve ndër vite dhe fitoret elektorale në Tiranë, duke nënvizuar se historia e partisë nuk mund të identifikohet me asnjë drejtues të vetëm. 

9 artikuj për këtë temë.

1 JAVE ME PARE

Veliaj i kërkon Asamblesë të rrëzojë Ramën: Është kthyer në pengesën kryesore të reformimit të PS-së

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

TIRANË- Kryebashkiaku, Erion Veliaj deklaroi se kryeministri Edi Rama është pengesa kryesore për reformimin e partisë. Në fjalimin drejtuar Asamblesë Kombëtare, ai ka kërkuar gjithashtu aktivizimin e procedurës statutore për mocionin e mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së. Veliaj kritikon edhe nismën “Prania Besnike”, duke thënë se ajo është hartuar nga kryetari pa debat dhe pa miratim real nga forumet e partisë.

Sipas tij, PS-ja nuk përfshihet në vendimmarrje, por thirret të mbajë përgjegjësi për pasojat e saj. Po ashtu, Veliaj kërkon që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të së drejtës për mocion mosbesimi, në përputhje me statutin e PS-së.

Pjesë fjalimi i Veliajt: 

V. A KEMI ENDE MUNDËSI TË NDRYSHOJMË?
Unë besoj se Partia Socialiste e ka potencialin për të ndryshuar. Ka njerëzit, historinë, përvojën
dhe energjinë për t'u ringritur. Por, sipas gjykimit tim, ky ndryshim nuk mund të realizohet pa
ndryshuar më parë modelin e drejtimit dhe kryetarin që e ka ndërtuar atë.

Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është
kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar
te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë
demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi
që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka
përqendruar vendimmarrjen.
Shembulli më i fundit është “Prania Besnike”. Përballë pakënaqësisë qytetare dhe nevojës së
ethshme për ndryshim, përgjigjja ishte sërish një nismë e hartuar nga kryetari, jo nga forumet e
Partisë Socialiste, pa debat, pa votim dhe pa një miratim real nga organet e saj. Një instrument që
ia ngarkon Partisë Socialiste përgjegjësinë për të zgjidhur një problem për të cilin ajo nuk është
përgjegjëse, sepse nuk është dëgjuar. Një problem që është shkaktuar nga institucionet shtetërore
që nuk u përgjigjen qytetarëve. Sepse drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përzgjedhur
përmes një procesi politik që pasqyron ndjeshmërinë, vlerat dhe vullnetin e socialistëve, por
përmes emërimeve klienteliste, jashtë vendimmarrjes së forumeve të partisë dhe brenda një sistemi
marrëdhëniesh që i shërben ruajtjes së pushtetit.
Pra, partia nuk pyetet kur merren vendimet, por thirret të mbajë përgjegjësi kur ato dështojnë. Nuk
vendos për njerëzit që qeverisin, por duhet të dalë përpara qytetarëve për të mbrojtur pasojat e
qeverisjes së tyre. Ja ky është përdorim i grushtit dhe trëndafilit të Partisë Socialiste për interesa
që nuk kanë asgjë të përbashkët as me grushtin, si simbol i forcës sonë kolektive, as me trëndafilin,
si simbol i vlerave tona socialiste.
Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai
përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste.
VI. PËRGJEGJËSIA E ASAMBLESË KOMBËTARE
Përgjegjësia politike nuk mund të mbetet një diskutim pa përfundim dhe pa pasoja institucionale.
Për këtë arsye, në cilësinë time si anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së Partisë
Socialiste, kërkoj që kjo Asamble të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të kryetarit të
partisë, Edi Rama, për mënyrën e drejtimit të saj, funksionimin e organeve kolegjiale dhe
respektimin e parimeve të demokracisë së brendshme.
Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit
të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje Statutin dhe me rregullat përkatëse
të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën
e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen
sipas Statutit.
Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka
drejtuar fitore të rëndësishme elektorale. Ai është një marrëdhënie përgjegjësie politike, e
cila duhet t'i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit që parashikon vetë Statuti.
Nuk kërkoj që një çështje e tillë të zgjidhet me përjashtime, presione apo vendime të paracaktuara.
Kërkoj që ajo të shqyrtohet përmes procedurës së rregullt statutore, me debat të hapur, me respekt

për mendimin ndryshe dhe me mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët që kanë të drejtë të marrin
pjesë. Vendimmarrja mbi besimin ndaj kryetarit duhet të jetë rezultat i një procesi demokratik, jo
i autoritetit personal të cilit i kërkohet llogari. Partia Socialiste ka institucione, rregulla dhe
anëtarësi. Pikërisht këtyre duhet t'u besohet zgjidhja e çështjeve që lidhen me drejtimin e saj.
Të dashura shoqe dhe shokë,
Kam pasur 21 muaj kohë për të menduar për politikën, pushtetin, miqësinë, besnikërinë dhe
përgjegjësinë. Kam menduar për gjithçka kemi ndërtuar së bashku. Për fitoret, për gabimet dhe për
njerëzit që na kanë besuar. Kam menduar edhe për një të vërtetë që pushteti shpesh na e bën të
vështirë ta pranojmë: askush nuk është i pazëvendësueshëm.
As unë. As Edi Rama. Askush. Ne jemi të përkohshëm në detyrat që mbajmë. Por institucionet,
vlerat dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve duhet të mbeten.
Kërkoj që askush të mos heqë dorë nga e drejta për të menduar, për të folur dhe për të gjykuar në
mënyrë të pavarur. Unë mbetem përgjegjës për vendimet e mia dhe do të kërkoj që çdo drejtues të
përballet me të njëjtin standard përgjegjësie.
Një parti demokratike nuk është pronë e kryetarit të saj sot. Nuk është as pronë e atyre që aspirojnë
ta drejtojnë nesër. Ajo u përket njerëzve që e kanë ndërtuar, që i kanë besuar dhe që kanë të drejtë
të kërkojnë llogari prej saj.
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se mandati i çdo kryetari. E ardhmja e saj nuk mund
të mbështetet te paprekshmëria e askujt.
Nëse duam që institucionet e Shqipërisë të jenë më të forta se njerëzit që i drejtojnë, duhet të
fillojmë duke zbatuar të njëjtin parim brenda partisë sonë.
Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë
institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerzit e tij./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

“Kur mungon demokracia, mbetet pushteti, por jo partia”/ Veliaj drejton gishtin nga Kryeministri: Rama mban përgjegjësinë kryesore për degradimin e PS-së

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

FIER- Erion Veliaj ka kritukuar ashpër Kryetarin e Partisë Socialiste, duke theksuar se ai mban përgjegjësinë kryesore për degradimin e PS-së. Në fjalimin e tij, Veliaj shprehet se kritika dhe kundërshtimi nuk duhet të trajtohen si mosbindje, por si pjesë e funksionimit demokratik të një partie.

Ai nënvizon se deputetët, anëtarët e Kryesisë dhe të Asamblesë duhet të kenë lirinë të shprehin mendimet e tyre dhe të kërkojnë llogari, ndërsa solidariteti politik, sipas tij, duhet të bazohet te parimet dhe jo te mbrojtja e pakushtëzuar e individëve.

Po ashtu, Kryebashkiaku kërkon një debat më të gjerë për funksionimin e Kryesisë, rolin e Asamblesë, lirinë e mendimit në Grupin Parlamentar, përzgjedhjen e drejtuesve dhe autonominë e institucioneve. Sipas Veliajt, historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se drejtimi i çdo kryetari dhe kontributi historik nuk duhet të përjashtojë askënd nga detyrimi për të dhënë llogari.

Pjesë nga fjalimi i Valiajt: 

Mendimi ndryshe dhe solidariteti politik
A jemi sot më demokratikë dhe a kemi më shumë solidaritet? Demokracia e brendshme dhe
solidariteti nuk janë thjesht vlera morale, por dy burime themelore të forcës së një organizate
politike. Demokracia i jep partisë aftësinë të dëgjojë, të debatojë dhe të korrigjojë gabimet, ndërsa
solidariteti krijon besimin dhe kohezionin e nevojshëm për të vepruar së bashku.
Kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kritika si kërcënim, partia humbet aftësinë për të
reflektuar. Një deputet duhet të jetë i lirë të shprehë mendimin e tij. Një anëtar i Kryesisë duhet të
ketë guximin të kundërshtojë. Një anëtar i Asamblesë duhet të ketë autoritetin të kërkojë llogari.
Një socialist duhet të vlerësohet për kontributin dhe bindjet e tij, jo për shkallën e bindjes ndaj
drejtuesit. Solidariteti nuk është mbrojtje e pakushtëzuar e individëve, por besnikëri ndaj parimeve
dhe përgjegjësi për njëri-tjetrin. Një parti ku secili hesht për të mbrojtur veten, gradualisht humbet
aftësinë për të mbrojtur interesin e përbashkët.
Një parti pa demokraci të brendshme humbet aftësinë për t'u korrigjuar; një parti pa
solidaritet humbet forcën për të qëndruar e bashkuar. Kur mungojnë të dyja, mbetet
pushteti, por organizata politike jo.

IV. PËRGJEGJËSIA PËR GJENDJEN E PARTISË SOCIALISTE

Të gjitha çështjet që kam ngritur na çojnë te një pyetje që nuk mund të shmanget: kush mban
përgjegjësi për mënyrën se si drejtohet sot Partia Socialiste?
Përgjegjësia politike nuk mund të shpërndahet në mënyrë të tillë që, në fund, të mos mbetet askush
përgjegjës. Edi Rama është njëkohësisht kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste. Ai ka
drejtuar për vite të tëra proceset kryesore politike dhe organizative të saj. Për këtë arsye,
përgjegjësia kryesore politike për modelin e drejtimit të partisë, për funksionimin e organeve të saj
dhe për mekanizmat e llogaridhënies i takon atij. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë e askujt tjetër.
Edhe unë kam përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë, për gabimet që mund të kem bërë
dhe për mënyrën se si kam ushtruar funksionet që më janë besuar. Nuk kërkoj përjashtim nga ky
standard. Por përgjegjësia ime dhe e drejtuesve të tjerë nuk mund të shërbejë si arsye për të
shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së kryetarit të partisë.

Ai ka të drejtë të marrë meritat për arritjet e drejtimit të tij. Por kjo e drejtë shoqërohet me detyrimin
për të dhënë llogari edhe për pasojat e vendimeve, për dobësimin e kontrollit të brendshëm dhe për
mënyrën se si janë trajtuar kundërshtimet politike. Në këtë kuadër, unë e konsideroj rastin tim
kulmin e degradimit të marrëdhënieve politike brenda Partisë Socialiste.
Në parashtrimet e mia përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kam ngritur
pretendimin se pas paraburgimit dhe zhvillimeve të tjera që më kanë larguar nga ushtrimi i
funksioneve ekziston edhe një qëllim politik për neutralizimin tim. Nuk kërkoj që Asambleja të
marrë rolin e një forumi gjyqësor. Por kërkoj që ajo të shqyrtojë domethënien institucionale të një
situate në të cilën një drejtues i zgjedhur, anëtar i organeve më të larta të partisë, ngre pretendime
kaq serioze për ndërhyrje politike dhe për përpjekje për ta larguar nga jeta publike.
Për mua, këtu lind edhe një pyetje historike. Partia Socialiste u krijua në një periudhë kur Shqipëria
kërkonte të shkëputej nga praktikat e një sistemi ku kundërshtimi politik trajtohej si armiqësi dhe
ku pushteti përqendrohej pa kontroll demokratik. A i jemi kthyer kësaj kulture politike që shfaqen
përsëri në marrëdhëniet tona me pushtetin dhe me njëri-tjetrin?
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se drejtimi i çdo kryetari. Ajo nuk mund të
identifikohet me interesin politik të një individi dhe as me vazhdimësinë personale të askujt në
pushtet. Prandaj, debati për përgjegjësinë e Edi Ramës nuk duhet të kufizohet te marrëdhënia e tij
me mua, sado e rëndë të jetë ajo. Ai duhet të përfshijë mënyrën se si funksionon Kryesia, rolin real
të Asamblesë, lirinë e mendimit në Grupin Parlamentar, përzgjedhjen e drejtuesve, marrëdhënien
me anëtarësinë dhe respektimin e autonomisë së institucioneve.
Sepse pasojat e një modeli drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë. Kur meritokracia dobësohet,
dobësohet administrata. Kur vendimmarrja përqendrohet, dobësohet kontrolli. Kur mendimi kritik
nuk dëgjohet, gabimet nuk korrigjohen. Kur institucionet perceptohen si të varura nga
marrëdhëniet personale, dobësohet besimi i qytetarëve te shteti. Kur anëtarësia nuk merr pjesë
realisht në vendimmarrje, dobësohet lidhja ndërmjet partisë dhe shoqërisë.
Për këtë arsye, kërkimi i përgjegjësisë politike nuk duhet të konsiderohet sulm ndaj partisë por
ndaj sëmundjes që i kanë injektuar. Asnjë drejtues nuk mund të jetë i përjashtuar nga llogaridhënia
për shkak të kontributit të tij historik. Asnjë arritje e së kaluarës nuk e shuan detyrimin për të
shqyrtuar problemet e së tashmes. Asnjë konflikt personal nuk duhet të pengojë një debat të
nevojshëm për mënyrën se si funksionon Partia Socialiste.
Respektimi i historisë së Partisë Socialiste nuk kërkon heshtje përballë problemeve të saj. Kërkon
aftësinë për t'i identifikuar, për t'i shqyrtuar dhe për t'i korrigjuar përmes institucioneve të saj
demokratike./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

"Më kërcënuan të jap dorëheqjen"/ Veliaj: Rama donte të më neutralizonte politikisht

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

FIER-  Kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama për ndërhyrje politike në pushtetin vendor, duke u ndalur te zhvillimet në Bashkinë e Vlorës dhe atë të Tiranës, si dhe te procedura e shkarkimit të tij nga detyra. Në fjalim e tij që do të mbante në Asamble, Veliaj thekson se ndryshimet në administratën e Bashkisë së Vlorës në korrik 2025 dhe largimet e drejtuesve në Bashkinë e Tiranës janë diktuar nga presioni politik i kryeministrit.

Sa i përket Tiranës, ai deklaron se gjatë paraburgimit të tij ndryshimet në administratë janë përdorur për të dobësuar ndikimin e tij politik dhe për të larguar bashkëpunëtorët me të cilët kishte punuar prej vitesh. Veliaj rikthehet edhe te shkarkimi i tij nga detyra në shtator 2025, duke e cilësuar atë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit të fituar me votë.

Ai i referohet vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin thotë se shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën. Kryebashkiaku thekson gjithashtu se ndaj tij është ushtruar presion politik dhe se gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë i janë përcjellë kërcënime për rëndimin e pozitës penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit, nëse nuk jepte dorëheqjen.

Pjesë nga fjalimi i Veliajt: 

Pushteti vendor dhe autonomia e institucioneve
Zhvillimet në pushtetin vendor e bëjnë edhe më të rëndësishëm këtë diskutim. Në korrik 2025 u
njoftuan ndryshime të gjera në drejtimin e administratës së Bashkisë Vlorë, përfshirë dorëheqje të
drejtuesve dhe hapjen e vendeve vakante. Këto dorëheqje u kërkuan nga kryeministri Edi Rama
dhe presioni i tij politik bëri që një pjesë e drejtuesve të largoheshin, edhe pse gëzonin mbrojtje
ligjore në ushtrimin e detyrës.
E njëjta sjellje u shfaq edhe në Bashkinë e Tiranës. Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm
i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e
personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar
ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja
e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë
nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe
marrëdhëniet klienteliste.
Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. Në shtator
2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim.
Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra.
Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes
përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në
Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi
vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ky është një fakt juridik i qartë.
Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një
procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur
drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për
shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik. Këtë bindje e lidh me një sërë
zhvillimesh: protestat e opozitës përpara bashkisë, kallëzimet anonime, shkeljet e prokurorisë dhe
vendimmarrjet gjyqësore për vijimin e paraburgimit edhe pas 21 muajsh, ndërthurjen e tyre me
veprime politike që, kanë tentuar largimin tim nga ushtrimi i funksioneve dhe kufizimin e
marrëdhënieve të mia politike, duke ushqyer përceptimin publik mbi fundin politik të një të
pafajshmi, siç kushtetuta jonë e prezumon.
Këto veprime politike kulmuan menjëherë pas qëndrimeve të mia publike dhe refuzimit për t'ia
dorëzuar mandatin e qytetarëve një njeriu që nuk e ka marrë atë me votë, me atë që unë e konsideroj
rrëmbimin tim nga Durrësi në Fier, pa më vënë në dispozicion asnjë akt të shkruar. Më pas erdhi
takimi me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, siç kam deklaruar, m'u përcollën në emër të Edi
Ramës kërcënime për rëndimin e pozitës sime penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit,
nëse nuk jepja dorëheqjen nga funksioni për të cilin më kanë zgjedhur qytetarët. Ajo që e bën edhe

më të rëndë këtë situatë është se, pas këtyre kërcënimeve, ato po provohen me veprime konkrete
ku pengohem në marrjen e kujdesit mjekësor: nuk më mundësohet ekzaminimi i nevojshëm për të
vlerësuar gjendjen e këmbës sime të thyer dhe për pasojë, as ndërhyrja kirurgjikale që mund të
rezultojë e domosdoshme. Kjo nuk është ankesë, por konstatim politik. Nëse kushtet e
paraburgimit dhe e drejta për kujdes shëndetësor përdoren për të imponuar një dorëheqje politike,
atëherë kemi të bëjmë me një inkuizicion politik.
Këto janë pretendime jashtëzakonisht serioze, të cilat ia kam paraqitur për shqyrtim dhe verifikim
Grupit tonë Parlamentar, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Nuk
kam kërkuar që Partia Socialiste të zëvendësojë organet e drejtësisë. Por ajo nuk mund të shmangë
përgjegjësinë politike për të shqyrtuar veprimet që prekin mandatin e një të zgjedhuri të saj dhe
mënyrën se si ushtrohet pushteti në emër të saj./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

“Deputetët nuk janë nëpunës të Ramës”, Veliaj për Grupin Parlamentar: PS është kthyer në makineri votash

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

TIRANË- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj drejtimit të Partisë Socialiste, duke u ndalur te mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe funksionimi i Grupit Parlamentar socialist. Veliaj ngre pikëpyetje mbi kriteret që përdoren për përzgjedhjen e deputetëve, duke kërkuar të dihet se sa vlerë kanë kontributi në parti, integriteti, përvoja dhe besimi që kandidatët gëzojnë në komunitetet e tyre.

Sipas tij, deputetët nuk duhet të jenë thjesht zbatues të vendimeve të kryetarit apo kryeministrit, por përfaqësues të qytetarëve, me të drejtën dhe përgjegjësinë për të ushtruar gjykimin e tyre të pavarur. Veliaj thekson se disiplina politike është e nevojshme, por nuk duhet të shndërrohet në bindje të pakushtëzuar personale. Ai paralajmëron se frika për të kundërshtuar vendimet e drejtimit politik dhe presioni ndaj qëndrimeve të pavarura rrezikojnë përfaqësimin parlamentar.

Pjesë nga fjalimi i Veliajt: 

Grupi Parlamentar dhe përfaqësimi politik
E njëjta çështje shtrohet për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Kush i përzgjedh kandidatët
për deputetë? Mbi çfarë kriteresh politike, profesionale dhe përfaqësuese? Sa peshë kanë kontributi
në parti, integriteti, përvoja dhe besimi që gëzojnë në komunitetet e tyre? Sa ndikim kanë
anëtarësia dhe strukturat socialiste në këtë proces? A përfaqëson Grupi Parlamentar sot pluralitetin
e mendimit politik brenda Partisë Socialiste, apo përbërja dhe drejtimi i tij varen gjithnjë e më
shumë nga vullneti i një individi?
A është ky Grupi Parlamentar që përfaqëson vërtet Partinë Socialiste, historinë e saj, vlerat,
traditën e debatit dhe kontributin e brezave të socialistëve? Apo është shndërruar në një
grup njerëzish të mbledhur për të votuar vendime që merren diku tjetër, pa diskutuar, pa
kundërshtuar dhe pa ushtruar përgjegjësinë politike që u buron nga mandati i tyre?
Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë thjesht një makineri votash. Ajo ka qenë një bashkësi politike
idesh, personalitetesh dhe bindjesh. Një grup parlamentar që humbet aftësinë për të debatuar,
rrezikon të humbasë edhe aftësinë për të përfaqësuar. Deputetët nuk janë nëpunës të emëruar nga
kryetari i partisë apo nga kryeministri. Ata janë përfaqësues të popullit, të zgjedhur përmes një
procesi kushtetues dhe zgjedhor, me mandat përfaqësues dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Besnikëria ndaj programit politik nuk mund të kërkojë dorëzimin e lirisë së mendimit dhe
të gjykimit të pavarur. Disiplina politike është e nevojshme për funksionimin e një shumice
parlamentare. Por ajo nuk mund të shndërrohet në bindje të pakushtëzuar personale. Kur një
deputet nuk guxon të kundërshtojë, kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kur qëndrimi
publik për një koleg bëhet shkak për presion nga drejtimi politik, atëherë vihet në diskutim ushtrimi
real i mandatit përfaqësues. Deputeti duhet ta ushtrojë mandatin në përputhje me Kushtetutën,
ndërgjegjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, jo nën frikën se një qëndrim i pavarur mund t'i
kushtojë të ardhmen politike.
Kur Grupi Parlamentar humbet aftësinë për të diskutuar, për të kontrolluar dhe për të kërkuar
llogari, nuk dobësohet vetëm demokracia e brendshme e partisë. Dobësohet edhe funksioni

kushtetues i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe kontrollues i pushtetit ekzekutiv. Pasojat e
kësaj mënyre drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë apo Kuvendit. Ato shfaqen edhe në
marrëdhënien ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit vendor./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

"PS thirret vetëm për tu njohur me vendimet"/ Veliaj: Kush i propozon ministrat dhe mbi cilat kritere

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

FIER-  Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj drejtimit të Partisë Socialiste, duke u ndalur te mënyra e formimit të qeverisë dhe roli që duhet të kenë strukturat drejtuese të partisë në këtë proces. Në një pjesë të fjalimit, Veliaj ngre pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes së ministrave, përfaqësimin e tyre në PS dhe nivelin e debatit që zhvillohet në organet drejtuese për përbërjen dhe drejtimin e qeverisë.

Ai thekson se Kushtetuta ia njeh kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave, por sipas tij, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj Partisë Socialiste, e cila ka marrë mandatin për të qeverisur. Veliaj ngre pyetjen nëse këto struktura diskutojnë realisht për drejtimin e qeverisë, kërkojnë llogari për vendimet dhe rezultatet, apo thirren vetëm për tu njohur me vendime që janë marrë më parë nga kryetari.

Pjesë nga fjalimi i veliajt: 

Qeveria dhe përgjegjësia politike
Le të fillojmë nga mënyra se si formohet qeveria. Kush i propozon ministrat? Mbi cilat kritere
politike dhe profesionale përzgjidhen? Çfarë përfaqësimi kanë në Partinë Socialiste? Çfarë debati
zhvillohet në organet e saj për përbërjen dhe drejtimin politik të qeverisë?
Përgjigjja që dëgjojmë shpesh është se qeveria është përgjegjësi e kryeministrit. Kushtetuta ia njeh
kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Kjo

kompetencë është e qartë dhe nuk vihet në diskutim. Por kompetenca kushtetuese për të formuar
qeverinë nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.
Kompetenca kushtetuese dhe përgjegjësia politike nuk janë e njëjta gjë. Kryeministri ushtron
kompetencat që i njeh Kushtetuta. Partia Socialiste, nga ana tjetër, ka organet, rregullat dhe
përgjegjësinë e saj për të diskutuar, orientuar dhe vlerësuar drejtimin politik të qeverisjes. Prandaj,
pyetja nuk është nëse kryeministri duhet të marrë autorizimin e partisë për çdo emërim. Pyetja
është nëse Asambleja dhe Kryesia po ushtrojnë realisht përgjegjësinë e tyre politike.
A diskutojnë ato për drejtimin e qeverisjes? A shqyrtojnë kriteret e përfaqësimit politik? A
kërkojnë llogari për vendimet dhe rezultatet? Apo thirren kryesisht për t'u njohur me vendime që
tashmë janë marrë? Nëse organet drejtuese nuk marrin pjesë realisht në formimin e vullnetit
politik, por vetëm informohen për vendimmarrjen e kryetarit, atëherë ato nuk e ushtrojnë
funksionin për të cilin ekzistojnë./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

"Ishim partia e Dritëroit, sot e 'Nesti Angonit'"/ Veliaj: Na iku i madhi Gramoz, na erdhi Dashi i vogël i Saliut

 "Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

FIER- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj Partisë Socialiste dhe drejtimit të saj, duke kërkuar reflektim mbi mënyrën se si funksionon sot organizata politike. Nën pyetjen “Ku po shkojmë?”, Veliaj e krahason PS-në e dikurshme me atë të sotmen, duke deklaruar se partia ka humbur frymën reformuese, debatet e brendshme dhe tolerancën.

Ai sjell në vëmendje edhe ndryshimin e qëndrimit ndaj brezit të ri, duke thënë se dikur Gjenerata Z shihej si e ardhmja e shtetit, ndërsa sot trajtohet si kundërshtare e pushtetit. Me ironi Veliaj thotë gjithashtu se Dikur “Ishim partia e Dritëroit. Sot e ‘Nesti Angonit’”, ndërsa përmend largimin e Gramoz Ruçit dhe bën një tjetër krahasim me Dash Sulon, i cili ua bashkua PS dhe iku nga PD. 

Ai ngre gjithashtu pyetjen nëse PS-ja do të vazhdojë të ndryshojë vetëm njerëzit në drejtim apo do të ketë guximin të ndryshojë kursin politik. Po ashtu, Veliaj pranon se gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës ka bërë gabime dhe se ka vendime që sot do t'i shqyrtonte ndryshe, duke u shprehur i gatshëm të japë llogari për përgjegjësitë e tij politike dhe njerëzore. Megjithatë, ai thekson se përgjegjësia individuale nuk duhet të shmangë shqyrtimin e përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin e Partisë Socialiste.

Pjesë nga fjalimi i Veliajt; 

Ku po shkojmë?
Ishim reformatorë të së majtës, të vendosur të largoheshim nga Partia e Punës. Sot rikthejmë
kallëzimet anonime dhe fletërrufetë.
Ishim gjuetarë të ideve, jo të njëri-tjetrit.
Dikur mezi prisnim debatet televizive për të mbrojtur idetë tona. Sot shmangim përballjet për të
mos u përgjigjur për vendimet tona.
Dikur zgjonim imagjinatën. Sot e trembim atë.
E shihnim brezin Z si të ardhmen e shtetit, jo si armikun e pushtetit.
Ishim tolerantë dhe bashkëpunues. Sot dyshues dhe hakmarrës.
Talleshim me teoritë e konspiracionit. Sot i prodhojmë dhe u besojmë vetë.
Dikur ndiznim ëndrra. Sot prodhojmë makthe.
Ishim partia e Dritëroit. Sot e “Nesti Angonit”.

Na iku i madhi Gramoz, na erdhi Dashi i vogël i Saliut.
Quo Vadis, Partia Socialiste?
A do të vazhdojmë të ndërrojmë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të gjejmë
guximin të ndryshojmë drejtimin për ta shmangur atë?
Të dashura shoqe dhe shokë,
Këto nuk janë thjesht kujtime të një kohe tjetër, as nostalgji për Partinë Socialiste që ka qenë. Janë
ato që kemi humbur gjatë ushtrimit të pushtetit dhe për mënyrën se si funksionon sot organizata
jonë politike. Ndryshimi më shqetësues nuk është vetëm te njerëzit që janë larguar apo te debatet
që nuk zhvillohen më. Është te mënyra se si merren vendimet dhe te roli që u ka mbetur
institucioneve të partisë. A janë organizatat tona socialiste ende vende ku diskutohet dhe vendoset,
apo janë kthyer kryesisht në struktura që aktivizohen gjatë fushatave? A dëgjohen socialistët që
mendojnë ndryshe? A promovohen njerëzit me integritet dhe autoritet në komunitetet e tyre, apo
mjafton lidhja me drejtuesin?
Këto çështje na përfshijnë të gjithëve. Edhe mua.
Unë nuk dua të flas nga pozita e njeriut që ka bërë gjithçka drejt. Kam drejtuar për vite një
administratë të madhe, kam marrë mijëra vendime dhe kam mbajtur përgjegjësi që kanë ndikuar
në jetën e qindra mijëra qytetarëve. Në këtë rrugëtim kam bërë gabime. Ka vendime që sot do t'i
shqyrtoja ndryshe, njerëz që mund të mos i kem dëgjuar sa duhet dhe situata ku mund të kisha
treguar më shumë kujdes e ndjeshmëri. Për përgjegjësitë e mia politike dhe njerëzore jam i gatshëm
të jap llogari.
Por përgjegjësia individuale e secilit prej nesh nuk mund të përdoret për të shmangur shqyrtimin e
përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin politik të Partisë Socialiste. Pushteti i gjatë krijon një
rrezik të njohur për çdo organizatë politike. Në fillim, njerëzit të afrohen sepse besojnë te idetë e
tua. Më pas, kur fiton pushtetin, të afrohen edhe njerëz që kërkojnë mundësi, favore, ndikim dhe
përfitime, e lloj-lloj “të fortësh”, të cilët janë më të gatshëm të të shërbejnë. Nëse organizata nuk
ruan mekanizmat e kontrollit, një ditë mund të zbulosh se njerëzit që të thonë gjithmonë “po” janë
bërë më të shumtë se ata që kanë guximin të të thonë të vërtetën. Kjo nuk mbetet vetëm çështje e
marrëdhënieve mes njerëzve. Ajo përcakton mënyrën se si formohet qeveria, si përzgjidhen
përfaqësuesit dhe si funksionojnë institucionet./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj: Kur iu bashkova PS-së ishim partia e shpresës, sot jemi bërë e drojës dhe tutjes

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

FIER- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj Partisë Socialiste në fjalimin drejtuar Asamblesë Kombëtare, duke ngritur një sërë shqetësimesh për mënyrën se si, sipas tij, ka ndryshuar partia gjatë viteve. Në pjesën e titulluar “Quo Vadis, PS?”, Veliaj bën një krahasim mes Partisë Socialiste të 17 viteve më parë dhe asaj të sotmes, duke deklaruar se nga një parti e shpresës është kthyer në një parti të heshtjes, frikës dhe përçarjes.

Ai kritikon atë që e konsideron si humbje të solidaritetit dhe të frymës së bashkëpunimit, duke thënë se sot vendimmarrja është përqendruar te një apo dy individë dhe se në parti janë krijuar ndarje mes njerëzve të afërt me figura të ndryshme politike. Veliaj ndalet edhe te raporti i PS-së me qytetarët, duke thënë se dikur partia kërkonte të përfshinte sa më shumë njerëz, ndërsa sot përballet me largime dhe shmang pakënaqësitë e tyre.

Kryebashkiaku kritikon gjithashtu aleancat me atë që i cilëson si “të fortët e qyteteve”, në vend të mësuesve, mjekëve dhe profesionistëve, si dhe kontrastin mes investimit te shkollat dhe sipas tij, fokusit të sotëm te burgjet.

Pjesë nga fjalimi i Veliajt: 

III. QUO VADIS, PS?

Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e
fshehjes, drojës dhe tutjes.
Atëherë ngrinim zërin për çdo gjë. Sot heshtim për shumëçka.
Kërkonim drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot bashkëjetojmë me padrejtësinë.
Në asamble e kongrese kishte entuziazëm dhe optimizëm. Sot pllakos heshtja dhe frika, si në
“Squid Game”: kush do të “hahet” i radhës?
Dikur sfida jonë ishte si t'i përfshinim të gjithë njerëzit që na afroheshin. Sot kemi hallin e atyre
që na largohen.
Bënim aleanca me mësuesit, mjekët dhe profesionistët. Sot bëjmë aleanca me të fortët e qyteteve.

Quo Vadis, PS?

Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine.
Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat.

Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq.
Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca.
Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë.
Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj.
Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me
pakënaqësinë e tyre.
Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës,
gazit dhe zjarrit.
Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve.
Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por
mbështetje më të vogël.
Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi.
Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm.
Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

"Nuk jam larg socialistëve"/ Veliaj kujton rrugëtimin politik: Bashkëpunimin me Ramën e nisa kur i mbylleshin dyert në PS

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms

FIER-  Erion Veliaj i është drejtuar Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste përmes një mesazhi, ku ka folur për situatën e tij personale, rrugëtimin politik dhe raportin me Partinë Socialiste. Veliaj thekson se prej 21 muajsh ndodhet i privuar nga liria dhe fizikisht larg familjes, Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve, por nënvizon se mbetet i lidhur me përgjegjësitë dhe bindjet e tij politike.

Në fjalimin e tij ai kujton nisjen e bashkëpunimit me Edi Ramën dhe angazhimin në Partinë Socialiste, duke theksuar se në politikë besimi fitohet përmes punës dhe përgjegjësisë, jo përmes emërimeve apo lidhjeve të privilegjuara. Veliaj përmend gjithashtu rrugëtimin e tij elektoral, nga angazhimi në opozitë deri te gjashtë fitoret në fushatat në Tiranë dhe tre mandatet në krye të Bashkisë së kryeqytetit.

Ai shpreh gjithashtu mirënjohje për socialistët, të rinjtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët e Tiranës, përfshirë edhe ata që nuk e kanë votuar, duke vlerësuar kontributin e tyre në rrugëtimin e tij politik.

Pjesë fjalimi i Veliajt: 

Të dashura shoqe dhe shokë, Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare, Sot ju drejtohem në rrethana që nuk do t'i kisha imagjinuar kurrë në rrugëtimin tim politik. Prej 21 muajsh ndodhem i privuar nga liria. Jam fizikisht larg familjes, larg zyrës sime, larg rrugëve të Tiranës, larg qytetarëve që më kanë besuar drejtimin e kryeqytetit dhe larg socialistëve me të cilët kam ndarë për vite të tëra punën, përpjekjet, fitoret dhe vështirësitë. Por nuk jam larg përgjegjësive të mia. Nuk jam larg bindjeve të mia dhe nuk jam larg Partisë
Socialiste. Sot nuk dua t'ju flas vetëm për atë që më ka ndodhur mua, por edhe për atë që besoj se po i ndodh Partisë Socialiste dhe vendit tonë. Sepse këta 21 muaj më kanë dhënë kohë të mendoj jo vetëm për fatin tim personal, por edhe për përgjegjësitë që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi ndaj qytetarëve.

I. RRUGËTIMI IM ME SOCIALISTËT

Unë kam ardhur në Partinë Socialiste si njeri i protestës, i zërit qytetar dhe i besimit se Shqipëria
mund të modernizohej dhe evropianizohej. Bashkëpunimin me Edi Ramën e kam nisur në një kohë
kur atij i mbylleshin dyert brenda vetë Partisë Socialiste. As Asambleja e Lezhës nuk e lejonte të
hynte në Pallatin e Kulturës, me kontributin direkt, te atyre qe perseri sot hapin e mbyllin perseri
dyert e kryetarit. Ishte koha kur na bashkonte bindja se politika mund të ndryshonte jetën e
njerëzve, se një parti progresiste duhej të krijonte mundësi për ata që nuk i kishin pasur dhe se të
rinjtë mund të merrnin përgjegjësi pa pasur nevojë për mbiemra të njohur, lidhje të privilegjuara
apo mbështetje nga njerëz të fuqishëm. Në këtë parti kam mësuar se besimi nuk fitohet me emërime
apo autoritet personal, por duke punuar, duke dëgjuar, duke qëndruar pranë njerëzve dhe duke
mbajtur përgjegjësi për atë që premton.
Kam pasur nderin të bashkëdrejtoj një fushatë në Qarkun e Gjirokastrës dhe pasi bëra gavetën nga
viti 2009 deri në vitin 2013, pa mandat deputeti, por në front të çdo beteje opozitare, fitova në
gjashtë fushata në Tiranë. Kam marrë besimin e qytetarëve për tri mandate në krye të bashkisë më
të madhe shqiptare. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam punuar me mijëra socialistë që nuk kanë
kërkuar kurrë asgjë për veten, përveç mundësisë për të kontribuar.
Atyre u detyrohem shumë. U përulem me mirënjohje socialistëve që kanë trokitur derë më derë,
që kanë mbrojtur idetë tona në lagje e komunitete dhe që kanë sakrifikuar kohën e tyre pa kërkuar
shpërblim. U detyrohem të rinjve që besuan se PS ishte vendi ku talenti dhe puna mund të hapnin
rrugë. U detyrohem bashkëpunëtorëve të mi në Bashkinë e Tiranës, me të cilët kemi punuar për ta
shndërruar kryeqytetin në një metropol evropian dhe u detyrohem qytetarëve të Tiranës, përfshirë
ata që nuk më kanë votuar, sepse jam bërë një kryetar bashkie më i mirë edhe prej tyre./Dosja.al

1 JAVE ME PARE

Veliaj u dërgon me sms anëtarëve të PS fjalimin që do të mbante në Asamble: Partia është më e madhe se Kryetari i saj

"Kemi thikat pas shpine"/ Veliaj u dërgon me sms
Erion Veliaj

FIER- Kryebashkiaku, Erion Veliaj u ka dërguar me SMS anëtarëve të Partisë Socialiste fjalimin që kishte përgatitur të mbante në Asamblenë Kombëtare. Rreth një ore para nisjes së Asamblesë, Veliaj ka publikuar tekstin e plotë të fjalimit: “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”.

Nga ambientet e IEVP Fier, ku ndodhet në paraburgim, kryebashkiaku i Tiranës, ka përcjellë një mesazh të fortë politik për drejtimin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e saj, Edi Rama. Në fjalimin e gjatë, Veliaj ngre një sërë kritikash për mënyrën se si drejtohet sot partia, duke e cilësuar atë si një organizatë që ka humbur demokracinë e brendshme, debatin dhe solidaritetin.

“Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes”, shkruan Veliaj.

Veliaj kritikon gjithashtu përqendrimin e vendimmarrjes në duart e një individi, mungesën e rolit të forumeve drejtuese, mënyrën e përzgjedhjes së ministrave dhe deputetëve, si dhe trajtimin e mendimit ndryshe brenda partisë. Ai ndalet veçanërisht te përgjegjësia politike e Edi Ramës, duke argumentuar se kryetari i PS-së duhet të japë llogari për modelin e drejtimit dhe dobësimin e institucioneve të partisë.

Kryebashkiaku shprehet më tej se pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste. Në mesazhin e tij, ai kujton gjithashtu rrugëtimin politik në PS, kontributin e socialistëve ndër vite dhe fitoret elektorale në Tiranë, duke nënvizuar se historia e partisë nuk mund të identifikohet me asnjë drejtues të vetëm.

Postimi i plotë i Erion Veliajt:

Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj!

Sot, nga qelia ku më kanë kyçur vetëm trupin, iu drejtova Asamblesë Kombëtare të PS-së me një fjalim për atë që ishim, atë që jemi bërë dhe atë që duhet të bëjmë.

Quo Vadis, PS?

Pse kemi zëvendësuar debatin me heshtjen, solidaritetin me frikën dhe meritokracinë me besnikërinë personale?

Në fjalimin tim kërkoj debat të hapur, llogaridhënie për mënyrën e drejtimit të partisë dhe aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama.

“Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerëzit e tij.

FJALIMI I PLOTË:

PARTIA SOCIALISTE ËSHTË MË E MADHE SE

KRYETARI I SAJ

Të dashura shoqe dhe shokë,
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare,
Sot ju drejtohem në rrethana që nuk do t'i kisha imagjinuar kurrë në rrugëtimin tim politik. Prej 21
muajsh ndodhem i privuar nga liria. Jam fizikisht larg familjes, larg zyrës sime, larg rrugëve të
Tiranës, larg qytetarëve që më kanë besuar drejtimin e kryeqytetit dhe larg socialistëve me të cilët
kam ndarë për vite të tëra punën, përpjekjet, fitoret dhe vështirësitë.
Por nuk jam larg përgjegjësive të mia. Nuk jam larg bindjeve të mia dhe nuk jam larg Partisë
Socialiste. Sot nuk dua t'ju flas vetëm për atë që më ka ndodhur mua, por edhe për atë që besoj se
po i ndodh Partisë Socialiste dhe vendit tonë. Sepse këta 21 muaj më kanë dhënë kohë të mendoj
jo vetëm për fatin tim personal, por edhe për përgjegjësitë që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi
ndaj qytetarëve.
I. RRUGËTIMI IM ME SOCIALISTËT
Unë kam ardhur në Partinë Socialiste si njeri i protestës, i zërit qytetar dhe i besimit se Shqipëria
mund të modernizohej dhe evropianizohej. Bashkëpunimin me Edi Ramën e kam nisur në një kohë
kur atij i mbylleshin dyert brenda vetë Partisë Socialiste. As Asambleja e Lezhës nuk e lejonte të
hynte në Pallatin e Kulturës, me kontributin direkt, te atyre qe perseri sot hapin e mbyllin perseri
dyert e kryetarit. Ishte koha kur na bashkonte bindja se politika mund të ndryshonte jetën e
njerëzve, se një parti progresiste duhej të krijonte mundësi për ata që nuk i kishin pasur dhe se të
rinjtë mund të merrnin përgjegjësi pa pasur nevojë për mbiemra të njohur, lidhje të privilegjuara
apo mbështetje nga njerëz të fuqishëm. Në këtë parti kam mësuar se besimi nuk fitohet me emërime
apo autoritet personal, por duke punuar, duke dëgjuar, duke qëndruar pranë njerëzve dhe duke
mbajtur përgjegjësi për atë që premton.
Kam pasur nderin të bashkëdrejtoj një fushatë në Qarkun e Gjirokastrës dhe pasi bëra gavetën nga
viti 2009 deri në vitin 2013, pa mandat deputeti, por në front të çdo beteje opozitare, fitova në
gjashtë fushata në Tiranë. Kam marrë besimin e qytetarëve për tri mandate në krye të bashkisë më
të madhe shqiptare. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam punuar me mijëra socialistë që nuk kanë
kërkuar kurrë asgjë për veten, përveç mundësisë për të kontribuar.
Atyre u detyrohem shumë. U përulem me mirënjohje socialistëve që kanë trokitur derë më derë,
që kanë mbrojtur idetë tona në lagje e komunitete dhe që kanë sakrifikuar kohën e tyre pa kërkuar
shpërblim. U detyrohem të rinjve që besuan se PS ishte vendi ku talenti dhe puna mund të hapnin
rrugë. U detyrohem bashkëpunëtorëve të mi në Bashkinë e Tiranës, me të cilët kemi punuar për ta
shndërruar kryeqytetin në një metropol evropian dhe u detyrohem qytetarëve të Tiranës, përfshirë
ata që nuk më kanë votuar, sepse jam bërë një kryetar bashkie më i mirë edhe prej tyre.

II. ARRITJET DHE PËRGJEGJËSITË TONA
Shoqe dhe shokë,
Ne kemi shumë arsye të flasim për arritjet e qeverisjes sonë. Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria
që morëm përsipër të qeverisim. Janë ndërtuar rrugë, shkolla, spitale, infrastruktura dhe shërbime.
Ekonomia ka ndryshuar. Qytetet tona kanë ndryshuar. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt
Evropës. Tirana ka qenë vit pas viti Kryeqyteti Evropian i Rinisë, Sportit dhe i Kulturës
Në këtë transformim ka kontribut qeveria socialiste, kryeministri i saj, kryetarët e bashkive,
deputetët, administrata dhe mijëra njerëz që kanë punuar me përkushtim. Unë nuk kam ndërmend
të mohoj asnjë nga këto arritje. Por sot duhet të kemi kurajon politike t'i bëjmë vetes një pyetje
tjetër:
A mjaftojnë më arritjet për të justifikuar mënyrën se si po ushtrohet pushteti ynë sot?
Ne kemi ndërtuar shumë. Por a kemi ndërtuar po aq drejt? Kemi modernizuar administratën. Por
a e kemi bërë më të ndershme dhe më të përgjegjshme? Kemi zhvilluar ekonominë. Por a kemi
krijuar mundësi të barabarta? Kemi fituar shumë zgjedhje. Por a kemi qenë “fair” dhe a na kanë
bërë ato më të besueshëm? Këto pyetje nuk i zhvlerësojnë arritjet tona. Përkundrazi, janë pyetjet
që duhet t'i bëjë një forcë politike e përgjegjshme, pikërisht sepse ka qeverisur gjatë dhe ka pasur
mundësinë të ndryshojë vendin.
III. QUO VADIS, PS?
Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e
fshehjes, drojës dhe tutjes.
Atëherë ngrinim zërin për çdo gjë. Sot heshtim për shumëçka.
Kërkonim drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot bashkëjetojmë me padrejtësinë.
Në asamble e kongrese kishte entuziazëm dhe optimizëm. Sot pllakos heshtja dhe frika, si në
“Squid Game”: kush do të “hahet” i radhës?
Dikur sfida jonë ishte si t'i përfshinim të gjithë njerëzit që na afroheshin. Sot kemi hallin e atyre
që na largohen.
Bënim aleanca me mësuesit, mjekët dhe profesionistët. Sot bëjmë aleanca me të fortët e qyteteve.
Quo Vadis, PS?
Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine.
Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat.

Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq.
Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca.
Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë.
Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj.
Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me
pakënaqësinë e tyre.
Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës,
gazit dhe zjarrit.
Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve.
Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por
mbështetje më të vogël.
Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi.
Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm.
Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.
Ku po shkojmë?
Ishim reformatorë të së majtës, të vendosur të largoheshim nga Partia e Punës. Sot rikthejmë
kallëzimet anonime dhe fletërrufetë.
Ishim gjuetarë të ideve, jo të njëri-tjetrit.
Dikur mezi prisnim debatet televizive për të mbrojtur idetë tona. Sot shmangim përballjet për të
mos u përgjigjur për vendimet tona.
Dikur zgjonim imagjinatën. Sot e trembim atë.
E shihnim brezin Z si të ardhmen e shtetit, jo si armikun e pushtetit.
Ishim tolerantë dhe bashkëpunues. Sot dyshues dhe hakmarrës.
Talleshim me teoritë e konspiracionit. Sot i prodhojmë dhe u besojmë vetë.
Dikur ndiznim ëndrra. Sot prodhojmë makthe.
Ishim partia e Dritëroit. Sot e “Nesti Angonit”.

Na iku i madhi Gramoz, na erdhi Dashi i vogël i Saliut.
Quo Vadis, Partia Socialiste?
A do të vazhdojmë të ndërrojmë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të gjejmë
guximin të ndryshojmë drejtimin për ta shmangur atë?
Të dashura shoqe dhe shokë,
Këto nuk janë thjesht kujtime të një kohe tjetër, as nostalgji për Partinë Socialiste që ka qenë. Janë
ato që kemi humbur gjatë ushtrimit të pushtetit dhe për mënyrën se si funksionon sot organizata
jonë politike. Ndryshimi më shqetësues nuk është vetëm te njerëzit që janë larguar apo te debatet
që nuk zhvillohen më. Është te mënyra se si merren vendimet dhe te roli që u ka mbetur
institucioneve të partisë. A janë organizatat tona socialiste ende vende ku diskutohet dhe vendoset,
apo janë kthyer kryesisht në struktura që aktivizohen gjatë fushatave? A dëgjohen socialistët që
mendojnë ndryshe? A promovohen njerëzit me integritet dhe autoritet në komunitetet e tyre, apo
mjafton lidhja me drejtuesin?
Këto çështje na përfshijnë të gjithëve. Edhe mua.
Unë nuk dua të flas nga pozita e njeriut që ka bërë gjithçka drejt. Kam drejtuar për vite një
administratë të madhe, kam marrë mijëra vendime dhe kam mbajtur përgjegjësi që kanë ndikuar
në jetën e qindra mijëra qytetarëve. Në këtë rrugëtim kam bërë gabime. Ka vendime që sot do t'i
shqyrtoja ndryshe, njerëz që mund të mos i kem dëgjuar sa duhet dhe situata ku mund të kisha
treguar më shumë kujdes e ndjeshmëri. Për përgjegjësitë e mia politike dhe njerëzore jam i gatshëm
të jap llogari.
Por përgjegjësia individuale e secilit prej nesh nuk mund të përdoret për të shmangur shqyrtimin e
përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin politik të Partisë Socialiste. Pushteti i gjatë krijon një
rrezik të njohur për çdo organizatë politike. Në fillim, njerëzit të afrohen sepse besojnë te idetë e
tua. Më pas, kur fiton pushtetin, të afrohen edhe njerëz që kërkojnë mundësi, favore, ndikim dhe
përfitime, e lloj-lloj “të fortësh”, të cilët janë më të gatshëm të të shërbejnë. Nëse organizata nuk
ruan mekanizmat e kontrollit, një ditë mund të zbulosh se njerëzit që të thonë gjithmonë “po” janë
bërë më të shumtë se ata që kanë guximin të të thonë të vërtetën. Kjo nuk mbetet vetëm çështje e
marrëdhënieve mes njerëzve. Ajo përcakton mënyrën se si formohet qeveria, si përzgjidhen
përfaqësuesit dhe si funksionojnë institucionet.
Qeveria dhe përgjegjësia politike
Le të fillojmë nga mënyra se si formohet qeveria. Kush i propozon ministrat? Mbi cilat kritere
politike dhe profesionale përzgjidhen? Çfarë përfaqësimi kanë në Partinë Socialiste? Çfarë debati
zhvillohet në organet e saj për përbërjen dhe drejtimin politik të qeverisë?
Përgjigjja që dëgjojmë shpesh është se qeveria është përgjegjësi e kryeministrit. Kushtetuta ia njeh
kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Kjo

kompetencë është e qartë dhe nuk vihet në diskutim. Por kompetenca kushtetuese për të formuar
qeverinë nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.
Kompetenca kushtetuese dhe përgjegjësia politike nuk janë e njëjta gjë. Kryeministri ushtron
kompetencat që i njeh Kushtetuta. Partia Socialiste, nga ana tjetër, ka organet, rregullat dhe
përgjegjësinë e saj për të diskutuar, orientuar dhe vlerësuar drejtimin politik të qeverisjes. Prandaj,
pyetja nuk është nëse kryeministri duhet të marrë autorizimin e partisë për çdo emërim. Pyetja
është nëse Asambleja dhe Kryesia po ushtrojnë realisht përgjegjësinë e tyre politike.
A diskutojnë ato për drejtimin e qeverisjes? A shqyrtojnë kriteret e përfaqësimit politik? A
kërkojnë llogari për vendimet dhe rezultatet? Apo thirren kryesisht për t'u njohur me vendime që
tashmë janë marrë? Nëse organet drejtuese nuk marrin pjesë realisht në formimin e vullnetit
politik, por vetëm informohen për vendimmarrjen e kryetarit, atëherë ato nuk e ushtrojnë
funksionin për të cilin ekzistojnë.
Grupi Parlamentar dhe përfaqësimi politik
E njëjta çështje shtrohet për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Kush i përzgjedh kandidatët
për deputetë? Mbi çfarë kriteresh politike, profesionale dhe përfaqësuese? Sa peshë kanë kontributi
në parti, integriteti, përvoja dhe besimi që gëzojnë në komunitetet e tyre? Sa ndikim kanë
anëtarësia dhe strukturat socialiste në këtë proces? A përfaqëson Grupi Parlamentar sot pluralitetin
e mendimit politik brenda Partisë Socialiste, apo përbërja dhe drejtimi i tij varen gjithnjë e më
shumë nga vullneti i një individi?
A është ky Grupi Parlamentar që përfaqëson vërtet Partinë Socialiste, historinë e saj, vlerat,
traditën e debatit dhe kontributin e brezave të socialistëve? Apo është shndërruar në një
grup njerëzish të mbledhur për të votuar vendime që merren diku tjetër, pa diskutuar, pa
kundërshtuar dhe pa ushtruar përgjegjësinë politike që u buron nga mandati i tyre?
Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë thjesht një makineri votash. Ajo ka qenë një bashkësi politike
idesh, personalitetesh dhe bindjesh. Një grup parlamentar që humbet aftësinë për të debatuar,
rrezikon të humbasë edhe aftësinë për të përfaqësuar. Deputetët nuk janë nëpunës të emëruar nga
kryetari i partisë apo nga kryeministri. Ata janë përfaqësues të popullit, të zgjedhur përmes një
procesi kushtetues dhe zgjedhor, me mandat përfaqësues dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Besnikëria ndaj programit politik nuk mund të kërkojë dorëzimin e lirisë së mendimit dhe
të gjykimit të pavarur. Disiplina politike është e nevojshme për funksionimin e një shumice
parlamentare. Por ajo nuk mund të shndërrohet në bindje të pakushtëzuar personale. Kur një
deputet nuk guxon të kundërshtojë, kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kur qëndrimi
publik për një koleg bëhet shkak për presion nga drejtimi politik, atëherë vihet në diskutim ushtrimi
real i mandatit përfaqësues. Deputeti duhet ta ushtrojë mandatin në përputhje me Kushtetutën,
ndërgjegjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, jo nën frikën se një qëndrim i pavarur mund t'i
kushtojë të ardhmen politike.
Kur Grupi Parlamentar humbet aftësinë për të diskutuar, për të kontrolluar dhe për të kërkuar
llogari, nuk dobësohet vetëm demokracia e brendshme e partisë. Dobësohet edhe funksioni

kushtetues i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe kontrollues i pushtetit ekzekutiv. Pasojat e
kësaj mënyre drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë apo Kuvendit. Ato shfaqen edhe në
marrëdhënien ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit vendor.
Pushteti vendor dhe autonomia e institucioneve
Zhvillimet në pushtetin vendor e bëjnë edhe më të rëndësishëm këtë diskutim. Në korrik 2025 u
njoftuan ndryshime të gjera në drejtimin e administratës së Bashkisë Vlorë, përfshirë dorëheqje të
drejtuesve dhe hapjen e vendeve vakante. Këto dorëheqje u kërkuan nga kryeministri Edi Rama
dhe presioni i tij politik bëri që një pjesë e drejtuesve të largoheshin, edhe pse gëzonin mbrojtje
ligjore në ushtrimin e detyrës.
E njëjta sjellje u shfaq edhe në Bashkinë e Tiranës. Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm
i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e
personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar
ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja
e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë
nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe
marrëdhëniet klienteliste.
Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. Në shtator
2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim.
Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra.
Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes
përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në
Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi
vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ky është një fakt juridik i qartë.
Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një
procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur
drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për
shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik. Këtë bindje e lidh me një sërë
zhvillimesh: protestat e opozitës përpara bashkisë, kallëzimet anonime, shkeljet e prokurorisë dhe
vendimmarrjet gjyqësore për vijimin e paraburgimit edhe pas 21 muajsh, ndërthurjen e tyre me
veprime politike që, kanë tentuar largimin tim nga ushtrimi i funksioneve dhe kufizimin e
marrëdhënieve të mia politike, duke ushqyer përceptimin publik mbi fundin politik të një të
pafajshmi, siç kushtetuta jonë e prezumon.
Këto veprime politike kulmuan menjëherë pas qëndrimeve të mia publike dhe refuzimit për t'ia
dorëzuar mandatin e qytetarëve një njeriu që nuk e ka marrë atë me votë, me atë që unë e konsideroj
rrëmbimin tim nga Durrësi në Fier, pa më vënë në dispozicion asnjë akt të shkruar. Më pas erdhi
takimi me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, siç kam deklaruar, m'u përcollën në emër të Edi
Ramës kërcënime për rëndimin e pozitës sime penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit,
nëse nuk jepja dorëheqjen nga funksioni për të cilin më kanë zgjedhur qytetarët. Ajo që e bën edhe

më të rëndë këtë situatë është se, pas këtyre kërcënimeve, ato po provohen me veprime konkrete
ku pengohem në marrjen e kujdesit mjekësor: nuk më mundësohet ekzaminimi i nevojshëm për të
vlerësuar gjendjen e këmbës sime të thyer dhe për pasojë, as ndërhyrja kirurgjikale që mund të
rezultojë e domosdoshme. Kjo nuk është ankesë, por konstatim politik. Nëse kushtet e
paraburgimit dhe e drejta për kujdes shëndetësor përdoren për të imponuar një dorëheqje politike,
atëherë kemi të bëjmë me një inkuizicion politik.
Këto janë pretendime jashtëzakonisht serioze, të cilat ia kam paraqitur për shqyrtim dhe verifikim
Grupit tonë Parlamentar, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Nuk
kam kërkuar që Partia Socialiste të zëvendësojë organet e drejtësisë. Por ajo nuk mund të shmangë
përgjegjësinë politike për të shqyrtuar veprimet që prekin mandatin e një të zgjedhuri të saj dhe
mënyrën se si ushtrohet pushteti në emër të saj.
Mendimi ndryshe dhe solidariteti politik
A jemi sot më demokratikë dhe a kemi më shumë solidaritet? Demokracia e brendshme dhe
solidariteti nuk janë thjesht vlera morale, por dy burime themelore të forcës së një organizate
politike. Demokracia i jep partisë aftësinë të dëgjojë, të debatojë dhe të korrigjojë gabimet, ndërsa
solidariteti krijon besimin dhe kohezionin e nevojshëm për të vepruar së bashku.
Kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kritika si kërcënim, partia humbet aftësinë për të
reflektuar. Një deputet duhet të jetë i lirë të shprehë mendimin e tij. Një anëtar i Kryesisë duhet të
ketë guximin të kundërshtojë. Një anëtar i Asamblesë duhet të ketë autoritetin të kërkojë llogari.
Një socialist duhet të vlerësohet për kontributin dhe bindjet e tij, jo për shkallën e bindjes ndaj
drejtuesit. Solidariteti nuk është mbrojtje e pakushtëzuar e individëve, por besnikëri ndaj parimeve
dhe përgjegjësi për njëri-tjetrin. Një parti ku secili hesht për të mbrojtur veten, gradualisht humbet
aftësinë për të mbrojtur interesin e përbashkët.
Një parti pa demokraci të brendshme humbet aftësinë për t'u korrigjuar; një parti pa
solidaritet humbet forcën për të qëndruar e bashkuar. Kur mungojnë të dyja, mbetet
pushteti, por organizata politike jo.
IV. PËRGJEGJËSIA PËR GJENDJEN E PARTISË SOCIALISTE
Të gjitha çështjet që kam ngritur na çojnë te një pyetje që nuk mund të shmanget: kush mban
përgjegjësi për mënyrën se si drejtohet sot Partia Socialiste?
Përgjegjësia politike nuk mund të shpërndahet në mënyrë të tillë që, në fund, të mos mbetet askush
përgjegjës. Edi Rama është njëkohësisht kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste. Ai ka
drejtuar për vite të tëra proceset kryesore politike dhe organizative të saj. Për këtë arsye,
përgjegjësia kryesore politike për modelin e drejtimit të partisë, për funksionimin e organeve të saj
dhe për mekanizmat e llogaridhënies i takon atij. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë e askujt tjetër.
Edhe unë kam përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë, për gabimet që mund të kem bërë
dhe për mënyrën se si kam ushtruar funksionet që më janë besuar. Nuk kërkoj përjashtim nga ky
standard. Por përgjegjësia ime dhe e drejtuesve të tjerë nuk mund të shërbejë si arsye për të
shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së kryetarit të partisë.

Ai ka të drejtë të marrë meritat për arritjet e drejtimit të tij. Por kjo e drejtë shoqërohet me detyrimin
për të dhënë llogari edhe për pasojat e vendimeve, për dobësimin e kontrollit të brendshëm dhe për
mënyrën se si janë trajtuar kundërshtimet politike. Në këtë kuadër, unë e konsideroj rastin tim
kulmin e degradimit të marrëdhënieve politike brenda Partisë Socialiste.
Në parashtrimet e mia përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kam ngritur
pretendimin se pas paraburgimit dhe zhvillimeve të tjera që më kanë larguar nga ushtrimi i
funksioneve ekziston edhe një qëllim politik për neutralizimin tim. Nuk kërkoj që Asambleja të
marrë rolin e një forumi gjyqësor. Por kërkoj që ajo të shqyrtojë domethënien institucionale të një
situate në të cilën një drejtues i zgjedhur, anëtar i organeve më të larta të partisë, ngre pretendime
kaq serioze për ndërhyrje politike dhe për përpjekje për ta larguar nga jeta publike.
Për mua, këtu lind edhe një pyetje historike. Partia Socialiste u krijua në një periudhë kur Shqipëria
kërkonte të shkëputej nga praktikat e një sistemi ku kundërshtimi politik trajtohej si armiqësi dhe
ku pushteti përqendrohej pa kontroll demokratik. A i jemi kthyer kësaj kulture politike që shfaqen
përsëri në marrëdhëniet tona me pushtetin dhe me njëri-tjetrin?
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se drejtimi i çdo kryetari. Ajo nuk mund të
identifikohet me interesin politik të një individi dhe as me vazhdimësinë personale të askujt në
pushtet. Prandaj, debati për përgjegjësinë e Edi Ramës nuk duhet të kufizohet te marrëdhënia e tij
me mua, sado e rëndë të jetë ajo. Ai duhet të përfshijë mënyrën se si funksionon Kryesia, rolin real
të Asamblesë, lirinë e mendimit në Grupin Parlamentar, përzgjedhjen e drejtuesve, marrëdhënien
me anëtarësinë dhe respektimin e autonomisë së institucioneve.
Sepse pasojat e një modeli drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë. Kur meritokracia dobësohet,
dobësohet administrata. Kur vendimmarrja përqendrohet, dobësohet kontrolli. Kur mendimi kritik
nuk dëgjohet, gabimet nuk korrigjohen. Kur institucionet perceptohen si të varura nga
marrëdhëniet personale, dobësohet besimi i qytetarëve te shteti. Kur anëtarësia nuk merr pjesë
realisht në vendimmarrje, dobësohet lidhja ndërmjet partisë dhe shoqërisë.
Për këtë arsye, kërkimi i përgjegjësisë politike nuk duhet të konsiderohet sulm ndaj partisë por
ndaj sëmundjes që i kanë injektuar. Asnjë drejtues nuk mund të jetë i përjashtuar nga llogaridhënia
për shkak të kontributit të tij historik. Asnjë arritje e së kaluarës nuk e shuan detyrimin për të
shqyrtuar problemet e së tashmes. Asnjë konflikt personal nuk duhet të pengojë një debat të
nevojshëm për mënyrën se si funksionon Partia Socialiste.
Respektimi i historisë së Partisë Socialiste nuk kërkon heshtje përballë problemeve të saj. Kërkon
aftësinë për t'i identifikuar, për t'i shqyrtuar dhe për t'i korrigjuar përmes institucioneve të saj
demokratike.
V. A KEMI ENDE MUNDËSI TË NDRYSHOJMË?
Unë besoj se Partia Socialiste e ka potencialin për të ndryshuar. Ka njerëzit, historinë, përvojën
dhe energjinë për t'u ringritur. Por, sipas gjykimit tim, ky ndryshim nuk mund të realizohet pa
ndryshuar më parë modelin e drejtimit dhe kryetarin që e ka ndërtuar atë.

Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është
kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar
te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë
demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi
që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka
përqendruar vendimmarrjen.
Shembulli më i fundit është “Prania Besnike”. Përballë pakënaqësisë qytetare dhe nevojës së
ethshme për ndryshim, përgjigjja ishte sërish një nismë e hartuar nga kryetari, jo nga forumet e
Partisë Socialiste, pa debat, pa votim dhe pa një miratim real nga organet e saj. Një instrument që
ia ngarkon Partisë Socialiste përgjegjësinë për të zgjidhur një problem për të cilin ajo nuk është
përgjegjëse, sepse nuk është dëgjuar. Një problem që është shkaktuar nga institucionet shtetërore
që nuk u përgjigjen qytetarëve. Sepse drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përzgjedhur
përmes një procesi politik që pasqyron ndjeshmërinë, vlerat dhe vullnetin e socialistëve, por
përmes emërimeve klienteliste, jashtë vendimmarrjes së forumeve të partisë dhe brenda një sistemi
marrëdhëniesh që i shërben ruajtjes së pushtetit.
Pra, partia nuk pyetet kur merren vendimet, por thirret të mbajë përgjegjësi kur ato dështojnë. Nuk
vendos për njerëzit që qeverisin, por duhet të dalë përpara qytetarëve për të mbrojtur pasojat e
qeverisjes së tyre. Ja ky është përdorim i grushtit dhe trëndafilit të Partisë Socialiste për interesa
që nuk kanë asgjë të përbashkët as me grushtin, si simbol i forcës sonë kolektive, as me trëndafilin,
si simbol i vlerave tona socialiste.
Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai
përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste.
VI. PËRGJEGJËSIA E ASAMBLESË KOMBËTARE
Përgjegjësia politike nuk mund të mbetet një diskutim pa përfundim dhe pa pasoja institucionale.
Për këtë arsye, në cilësinë time si anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së Partisë
Socialiste, kërkoj që kjo Asamble të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të kryetarit të
partisë, Edi Rama, për mënyrën e drejtimit të saj, funksionimin e organeve kolegjiale dhe
respektimin e parimeve të demokracisë së brendshme.
Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit
të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje Statutin dhe me rregullat përkatëse
të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën
e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen
sipas Statutit.
Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka
drejtuar fitore të rëndësishme elektorale. Ai është një marrëdhënie përgjegjësie politike, e
cila duhet t'i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit që parashikon vetë Statuti.
Nuk kërkoj që një çështje e tillë të zgjidhet me përjashtime, presione apo vendime të paracaktuara.
Kërkoj që ajo të shqyrtohet përmes procedurës së rregullt statutore, me debat të hapur, me respekt

për mendimin ndryshe dhe me mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët që kanë të drejtë të marrin
pjesë. Vendimmarrja mbi besimin ndaj kryetarit duhet të jetë rezultat i një procesi demokratik, jo
i autoritetit personal të cilit i kërkohet llogari. Partia Socialiste ka institucione, rregulla dhe
anëtarësi. Pikërisht këtyre duhet t'u besohet zgjidhja e çështjeve që lidhen me drejtimin e saj.
Të dashura shoqe dhe shokë,
Kam pasur 21 muaj kohë për të menduar për politikën, pushtetin, miqësinë, besnikërinë dhe
përgjegjësinë. Kam menduar për gjithçka kemi ndërtuar së bashku. Për fitoret, për gabimet dhe për
njerëzit që na kanë besuar. Kam menduar edhe për një të vërtetë që pushteti shpesh na e bën të
vështirë ta pranojmë: askush nuk është i pazëvendësueshëm.
As unë. As Edi Rama. Askush. Ne jemi të përkohshëm në detyrat që mbajmë. Por institucionet,
vlerat dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve duhet të mbeten.
Kërkoj që askush të mos heqë dorë nga e drejta për të menduar, për të folur dhe për të gjykuar në
mënyrë të pavarur. Unë mbetem përgjegjës për vendimet e mia dhe do të kërkoj që çdo drejtues të
përballet me të njëjtin standard përgjegjësie.
Një parti demokratike nuk është pronë e kryetarit të saj sot. Nuk është as pronë e atyre që aspirojnë
ta drejtojnë nesër. Ajo u përket njerëzve që e kanë ndërtuar, që i kanë besuar dhe që kanë të drejtë
të kërkojnë llogari prej saj.
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se mandati i çdo kryetari. E ardhmja e saj nuk mund
të mbështetet te paprekshmëria e askujt.
Nëse duam që institucionet e Shqipërisë të jenë më të forta se njerëzit që i drejtojnë, duhet të
fillojmë duke zbatuar të njëjtin parim brenda partisë sonë.
Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë
institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerzit e tij.

Erion VELIAJ
IEVP FIER, 13/11/2026.

erion veliaj

Sondazh

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin