14 August 2026, 13:22
Nga D.S
Partia Demokratike
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, përmes një deklarate për mediat, ka denoncuar koncesionin 10-vjeçar të hemodializës, duke e cilësuar atë si një tjetër model klientelist të qeverisë në sektorin e shëndetësisë.
Spahia theksoi se një shërbim që më parë ofrohej përmes një modeli të decentralizuar u përqendrua në një kontratë të vetme tek një operator privat, duke ngritur hije të forta dyshimi mbi procedurën e tenderimit, përzgjedhjen e fituesit dhe faturën përfundimtare për buxhetin e shtetit.
Duke ju referuar raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deputeti demokrat deklaroi se janë zbuluar raste ku koncesionari është paguar nga paratë e taksapaguesve edhe për shërbime që nuk janë kryer realisht.
Sipas Spahias, vetëm përgjatë vitit 2022 janë evidentuar pagesa abuzive në vlerën e rreth 99 milionë lekëve, të cilat lidhen me 8,854 raste me shmangie nën dhe mbi projeksionet zyrtare të qendrave të dializës.
Lidhur me zbatimin e kontratës në terren, deputeti mori si shembull Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku sipas tij ka pasur dublikim investimesh dhe lënie mënjanë të kapaciteteve ekzistuese të spitalit publik në favor të infrastrukturës private.
Në përmbyllje, Bardh Spahia u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të nisin hetimet për të gjithë zinxhirin e procesit—nga vendimmarrja dhe procedurat e tenderimit, e deri te pagesat nga buxheti i shtetit dhe identifikimi i përfituesve realë të kësaj kontrate.
Deklarata e deputetit të PD, Bardh Spahia:
"Koncesioni i hemodializës është një tjetër dëshmi e mënyrës se si Edi Rama e ka përdorur shëndetësinë jo për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por për të krijuar skema klienteliste dhe kontrata të kushtueshme që rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve.
Përpara këtij koncensioni ekzistonte një modeli i decentralizuar, fleksibël dhe konkurrues, ku spitalet publike ofronin shërbimin aty ku kishin kapacitet. Dhe nevoja plotësohej nga operatorë privatë të licencuar, të kontraktuar dhe të paguar nga FSDKSH.
Atëherë, çfarë ndryshoi me Edi Ramën? Nuk ndryshoi nevoja e pacientëve. Nuk u shpik hemodializa. Nuk u krijua një treg i ri.
U ndryshua modeli, duke u kaluar nga një sistem i decentralizuar dhe me kontraktim periodik në një kontratë 10-vjeçare, të centralizuar dhe të përqendruar në një operator të vetëm. Ndonëse në procedurën morën pjesë disa operatorë, përzgjedhja e fituesit ende sot ngre pikëpyetje serioze. Kompania nuk dha ofertën më të ulët. Përkundrazi, ajo ishte 11.1% më e lartë se oferta më e ulët. Megjithatë, ajo u shpall fituese.
Akoma më problematik është fakti se kjo kompani mori pikët maksimale në kriterin e eksperiencës, ndërkohë që nga të dhënat e dokumentuara në material nuk rezulton se kishte administruar më parë qendra hemodialize, duke anashkaluar kësisoj ofertues të tjerë të cilët kishin eksperiencë të drejtpërdrejtë në shërbimet spitalore dhe dializë.
Por pyetja që ende sot nuk ka marrë përgjigje, as dhe nga drejtësia shqiptare, se si mundet një kompani e krijuar vetëm dy vjet përpara tenderit, me kapital fillestar prej vetëm 100 mijë lekësh, të marrë pikët maksimale për eksperiencën dhe të fitojë një kontratë rreth 75 milionë euro?
Këto nuk janë rrethana që mund të kalohen në heshtje. Ato kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi. Por problemet nuk mbarojnë me tenderin. Zbatimi i koncesionit ka prodhuar gjithashtu abuzime dhe kosto të pajustifikuara për buxhetin.
KLSH ka konstatuar raste ku koncesionari ka faturuar shërbime për periudha kur qendrat e dializës nuk ekzistonin ende dhe kur shërbimi vazhdonte të ofrohej nga spitalet publike. Pra, shteti paguante koncesionarin, ndërkohë që për të njëjtët pacientë shërbimi ofrohej nga spitali publik me fondet e veta.
Në auditimin e FSDKSH-së, KLSH konstatoi se edhe në vitin 2022, pra në vitin e 6-të operimit, koncesionari ishte paguar mbi bazën e faturimit dhe jo vetëm të shërbimit faktikisht të kryer. Për 8,854 raste nën dhe mbi projeksionin e qendrave, pagesat arritën në 99 milion lekë ose rreth 1 milion euro, të evidentuara si pagesa për shërbim të pakryer.
KLSH kërkoi rishikimin e projeksioneve dhe kalimin në parimin “Pay x Use”, pikërisht për të eliminuar pagesat për shërbime që nuk kryhen.
Një tjetër absurditet është mos shfrytëzimi i infrastrukturës dhe pajisjeve ekzistuese të spitaleve publike. Rasti i Spitalit Rajonal të Shkodrës, i evidentuar nga KLSH, ngre pikërisht shqetësime për mosshfrytëzimin e investimeve publike ekzistuese, dublikimin e infrastrukturës, eficiencën e fondeve dhe dëmin ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.
Ky është thelbi i PPP-ve të shëndetësisë së Edi Ramës: jo të zgjidhin problemin, por të krijojnë një kontratë afatgjatë për të mbushur xhepat nga taksat e shqiptarëve.
Por edhe kur KLSH ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH të negociojnë me koncesionarin për rishikimin e projeksioneve sipas nevojave reale dhe për ndryshimin e mënyrës së pagesës, me qëllim eliminimin e pagesave për shërbime të pakryera, këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër dhe asgjë nuk ka ndryshuar.
Hemodializa nuk është një rast i izoluar.
Të gjitha kontratat koncesionare në shëndetësi vazhdojnë të konsumojnë qindra milionë euro nga paratë publike, ndërkohë që sistemi shëndetësor shqiptar përballet ende me mungesë kapacitetesh, pajisjesh, personeli dhe shërbimesh cilësore.
Ku është drejtësia?
Ky koncesion ka qenë prej vitesh objekt shqyrtimi dhe hetimi. Por shqiptarët ende nuk kanë parë drejtësi për një skemë që ngre kaq shumë pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes, lidhjet e subjekteve, zbatimin e kontratës dhe përdorimin e parave publike.
Partia Demokratike nuk kërkon një drejtësi selektive. Kërkon që drejtësia të hetojë deri në fund çdo hallkë të kësaj skeme: nga vendimmarrja politike, te procedura e tenderimit, pikëzimi i ofertave, krijimi i strukturës koncesionare, përfituesit realë dhe çdo pagesë e kryer nga paratë e shqiptarëve.
Sepse kur një shërbim ekzistues kthehet në monopol 10-vjeçar, kur operatori fitues nuk kishte eksperiencën e pritshme, kur krijohet një shoqëri e posaçme vetëm pak ditë përpara shpalljes së fituesit dhe kur KLSH konstaton pagesa edhe për shërbime të pakryera, institucionet nuk mund të bëjnë sikur nuk kanë parë asgjë.
Edi Rama nuk mund të fshihet më pas propagandës.
Shëndetësia nuk është biznes privat i qeverisë. Shëndetësia është e drejta e qytetarit dhe detyrimi i shtetit. Partia Demokratike e konsideron koncesionin e hemodializës një nga shembujt e modelit klientelist që duhet të marrë fund. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe t’u hapë rrugë institucioneve që të hetojnë pa pengesa korrupsionin dhe tu mundësojë qytetarëve që të kenë një sistem shëndetësor në shërbim të tyre, jo të një grushti përfituesish.", u shpreh Spahia./Dosja.al
bardh spahia
Politike
14 August 2026, 13:06
D.S
Vjosa Osmani
KOSOVË- Policia e Kosovës ka arrestuar ditën e sotme Beki Sylejmanin, i dyshuar për kanosje të drejtpë...
Politike
14 August 2026, 11:51
D.S
Albin Kurti
KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se partitë politike duh...
Politike
14 August 2026, 11:30
D.S
Kuvendi i Kosoves
KOSOVË- Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e K...
Politike
14 August 2026, 08:59
D.S
KOSOVË- Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës PDK dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë...
Politike
14 August 2026, 08:58
D.S
Kuvendi i Kosoves
KOSOVË- Sa herë që bllokohej situata rreth krijimit të institucioneve të Kosovës gjatë viti...
Politike
14 August 2026, 07:34
D.S
Arben Visoqi
KOSOVË- Arben Visoqi, efektiv i Policisë së Kosovës dhe kunati i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka njoftu...
Politike
13 August 2026, 21:03
E. D
Vjosa Osmani
KOSOVË- Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës p&eum...
Politike
13 August 2026, 20:52
E. D
Ilir Meta
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka denoncuar publikisht monitorimin me kamera të takimeve të tij m...
Politike
13 August 2026, 19:59
E. D
TIRANË- Dy ditë më parë Thesari i Shtetit kaloi një pagesë 331.1 milionë lekë ose rreth 3.6 milionë euro në ...
Politike
13 August 2026, 19:57
E. D
TIRANË- Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë hapi të enjten një thirrje të hapur për rekrutimin e stafit t&e...