Berisha: Do të ngremë një agjenci kombëtare që do të merret me pronat e krimit dhe pronat e paligjshme të politikan&e...
Aktualitet
Pesë shkolla në Astir? Tre vite nga premtimi i Veliajt, asnjë godinë e përfunduar
Në fakt, premtimi për ndërtimin e shkollave në këtë zonë nuk ishte i ri, pasi është përsëritur në disa periudha elektorale.
14 September 2026, 20:43Nga E. D
Erion Veliaj
TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, premtoi gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 se në zonën e Astirit do të ndërtoheshin pesë shkolla.
“Ne do të bëjmë 5 shkolla në Astir që do t’i ketë zili e gjithë dynjaja”, deklaroi Veliaj gjatë fushatës elektorale.
Në fakt, premtimi për ndërtimin e shkollave në këtë zonë nuk ishte i ri, pasi është përsëritur në disa periudha elektorale.
Çfarë ndodh sot në terren?
Një verifikim në terren, tregon se në zonën kufitare mes Astirit dhe Yzberishtit, në rrugën “3 Dëshmorët”, kanë nisur punimet për ndërtimin e vetëm dy (nga pesë) e institucioneve arsimore, një shkolle 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme, brenda të njëjtit truall, që Faktoje po e ndjek nga viti në vit
Punimet për këto dy objekte janë ende në proces.
Shkolla e mesme ka avancuar më shumë: struktura e godinës është ngritur, ka marrë formë dhe është lyer, por punimet nuk kanë përfunduar, pasi pirgjet me dhera nuk janë hequr dhe objekti ende nuk është funksional.
Ndërkohë, për shkollën 9-vjeçare punimet janë në një fazë më të hershme. Në terren është ngritur vetëm kati i parë i strukturës, me kolonat e betonit ende të ekspozuara, ndërsa puna vijon mes punëtorëve dhe makinerive të ndërtimit.
Autoritetet kanë deklaruar se kjo shkollë do të ketë kapacitet për rreth 900 nxënës.
Sipas të dhënave të projektit, investitori është Bashkia Tiranë, ndërsa vlera e kontratës për ndërtimin e dy objekteve është 431.540.207 lekë pa TVSH.
Përfundimi
Punimet për përfundimin e të paktën njërës prej shkollave, ajo 9 vjecare, sipas afateve të parashikuara nga një tjetër drejtuese në detyrë (ish-kryetarja e komanduar Anuela Ristani) nuk janë mbyllur ende.
Verifikimi në terren konfirmon se punimet për dy shkollat kanë nisur dhe punimet kanë avancuar, duke kaluar nga fazat fillestare të kantierit në ngritjen e strukturave.
Megjithatë, asnjë prej objekteve të verifikuara nuk është përfunduar dhe vënë në funksion./Faktoje.al