LIVE UPDATES
Art&Argëtim

Dy këngët labçe që ka kënduar Lord Bajroni, ja si ia kthenin lebërit nderin poetit!

10 February 2020, 07:55 Nga DOSJA
Dy këngët labçe që ka kënduar Lord Bajroni, ja si ia

– një esse mbështetur mbi gërmimet koniciane mbi shqiptarët-

Dyqind vjet më parë, hipur mbi një anije me vela që voziste lumit Rhin, ylli i madh i poezisë botërore, lordi “me gjak blu”, Bajroni, u kthehet e iu thotë shokëve; tani më dëgjoni se do t’ju këndoj nja dy këngë arbërore.

Dhe pastaj ia dha një sokëllime me një o-ooo të gjatë rrëqethëse sa i shastisi të gjithë e i la pa mend. Fjalët e kënduara shqip prej poetit të madh nuk i kuptonin, po drithërima e melodisë së saj ta çante zemrën më dysh.

Nderi, këngës labe i vinte nga njeri prej gjenive të poezisë botërore. Labërit nuk e dinin këtë lajm, po arb(v)anitasit që luftuan me të ia dinin emrin dhe bëmat në Mesolongj e gojë më gojë emri i tij ish ngjitur maleve shqip deri në Labëri. Një kumt misterioz, nga ata që vetë Zoti mezi i shpjegon, u thoshte labërve se nderi duhet shlyer me nder, pra kënga me këngë, sepse borxhi duhej larë.

Kushedi në cilin katund a pllajë, pak vite më vonë, një lab kërreu këngën e nderimit që do ta citojmë më poshtë.

Borxhi ishte larë kokë për kokë, nderi ishte kthyer siç e do zakoni. Por në fillim le të citojmë Faik Konicën që bie lajmin e madh përmes gazetës “Albania” kur shkruan për udhëtimin e tij në Shqipëri më 1809, në artikullin “Udhëtimi i Lord Bajronit në Shqipëri”

“Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen.”

Ky është varianti i ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.

Kënga e parë:

“Bobobo, bobo!

Na ç’arriva, po pusho.

Na ç’arriva, na çë vinj,

Hape derënë të hinj.

Hape derën e shkretë

Të vinj të marrë xhebhanetë*

Kalariote (?) me sermé*

Eja hape se dua t’i ve.

Bobobo, bobo!

Digju shpirt, u zemëro.

Kalariote vure funde,

Edhe vete tunde-tunde.

Kalariote me sermé

Ti më puth e po më le.

Se të putha që t’i mora,

Zemërën vetë e dogja.

Vallenë e ke me kadale,

Kalo moj, kalo në valle

Pluhëri……….? Pluhuron…

Kënga e Dytë:

Në sevda tënde u llavosa,

Vetëmë u përvëlofsha

Ah vashëzë më përvëlove

Si më rëndë më llavose.

U të thashë roba s’dua,

Sitë e vetullat dua

Robat… s’i dua,

Qumështinë vetë dua.

…………………….? /

Robatë zjarmi t’i diegë.

U tërbova vashëzë

Me zemrën të haptë,

E ti më bëre……..

Si një dhëndrë të lartë .”

Tani, mund të themi se me aq sa dimë e derisa nuk kemi dëshmi tjetër të shkruar, se Bajroni është njeriu i parë evropian që e çoi këngën labe në Europë, madje në zemër të saj. Gati 100 vjet më parë se një djalë himariot, Neço Muko, së bashku me grupin e tij të regjistronte i pari ca këngë labe në mes të Parisit. Dhe pastaj në kohërat e shtetit shqiptar ta çonin atë aty, radiot apo televizionet, ansamblet shtetërore apo grupet e famshme të Labërisë. Ky fakt i shkruar është një thesar i madh për kulturën shqiptare. Nuk ke sesi të mos drithërohesh kur mendon se këtë e ka bërë një nga mendjet më poetike të shekullit të 19-të dhe një nga poetët më të famshëm të kësaj bote. Dhe jo vetëm i ka mbledhur e i ka shkruar, por dhe i ka mësuar shqip përmendësh. Duhet t’i kenë qëndruar si një lëmsh përvëlues për vite me radhë në zemër, derisa një pasditeje a mbrëmjeje mbi një anije me vela se ka duruar dot shtrëngimin e tyre në kraharor dhe i ka nxjerrë mes shokëve përmes një ulërimë tronditëse, siç shkruan Konica. Faiku i mençu,r sa shok ka vetëm veten e tij, ka gjetur të vetmen fjalë të shqipes për të na përçuar drithërimën që ajo ka shkaktuar tek miqtë e Bajronit, fjalën “ulërimë”. E ndërsa poeti i madh i flakëruar në fytyrë këndonte, dikush prej shokëve të tij i ka mbajtur shënim fjalët e tyre.

Le të mendojmë për një çast se sa “heroike” është që ato të na vinin “të sakta” si këngë, kur një anglez aty për aty mban shënim fjalët e tyre. Vetë Bajroni, që nuk e njihte shqipen, edhe pse i ka mësuar përmendësh duhet t’i ketë kënduar plot deformime. Shtoj pastaj kësaj mikun e tij që po i transkripton me alfabetin anglez aty për aty në këmbë, duke i shkruar shatra- patra do të thoshte një lab, po ti dëgjonte të katranosura kështu të deformuara. Faik Konica duhet të ketë hequr të zitë e ullirit për t’i rregulluar e shkruar drejt këngët drejt origjinalit. E megjithatë, edhe kështu, me plot mungesa, ato janë qartësisht të kuptueshme dhe të mahnitshme për bukurinë e tyre. Të dyja janë këngë dashurie plot përgjërata për një vajzë që i ka përvëluar zemrën një burri. (E çfarë këngësh të tjera mund ta tronditnin një poet si Bajroni?) Të dyja vezullojnë nga kulti për vajzën e zemrës, kësaj “kalariote me serme” që e plagos një burrë për jetë a vdekje nëse ajo nuk i hap derën “të vinj e të hinj.”

Bajroni e njihte Shqipërinë disi vagullimthi prej atyre pak përmendjeve historike mbi shqiptarët, por vetëm pasi zbriti në pashallëkun e Ali Pashës dhe në Greqinë që vlonte nga gjuha dhe kultura arvanitase, mësoi se ç’ishte shpirti i tyre i paepur për këngën dhe luftën. Ishte kjo tronditje që i përjetësoi pastaj tek vepra e famshme “Shtegtimet e Childe Haroldit” kur përmend virtytet e tyre dhe shkruan për këngët e vallet e rralla:

“Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,

darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe;

Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,

Ju muar mentë fare nga ajo pamje;

Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,

Përcjellësit ia nisën këngës tyre;

Çdo Palikar e flaku tutje shpatën

Kërcyen dorë për dorë njëri pas tjetrit,

Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat…”

Kaq e fortë ka qenë goditja emocionale e poetit prej këtyre këngëve me iso, sa që edhe pas kaq kohe e kaq mijëra kilometra larg nuk i ndahen nga mendja. Derisa një dite, aty mbi Rhin-in e gjerë ua përçon miqve të tij duke i lënë edhe ata gojë hapur. I vetëm, pa shokë isosh, pa kthyesin që ia mban, vetëm me shushurimën e lumit të shtruar pranë.

Lebërit e mi nuk e kanë ditur këtë ngjarje, por dinin që një burrë i lartë anglez, i pasur dhe i famshëm kish ardhur në viset e tyre, kish takuar një bir e vëlla lab, vetë Ali Pashë Gjëmëmadhin e ca më vonë kish luftuar me vëllezërit arvanitas ne Mesolongj. Kaq u mjaftonte, u kish ardhur në shtëpi e i kish respektuar, kish luftuar me ta krah për krah dhe ish i fisëm e trim. Kjo dilte e tepronte për ta nderuar me një këngë. Nderi lahet me nder, kokë për kokë. Paçka se ai nuk do ta dëgjonte dot kurrë, aty në varrin e tij të ftohtë. Por kjo nuk kish pikë rëndësie. Rëndësi kish të ruhej zakoni, kodi i nderimit, ky institucion i famshëm i maleve që e mbante në ekuilibër jetën e tyre të varfër. Dhe ia morën këngës në një qafë mali:

“Lord Baroni ill i rrallë,

Që kish mik Ali Pashanë,

Shkoi e luftoi për Elladhë,

Po trimat i kish shqiptarë,

Si besnikë e kordhëtarë.”

Doemos emrin nuk do t’ia shqiptojnë dot mirë, si e kish në atë gjuhën e tij, po kjo nuk ish fare e rëndësishme. Ai plotësonte dy kushte të mëdha e të denja për një këngë, “kish mik Ali Pashanë” djalin dhe vëllanë e tyre dhe luftoi krah për krahë me “trimat i kish shqiptarë”. Doemos derisa ish në krah të tyre dhe ai ish trim, e kish hak këngën. Derisa plotësonte këto kushte Bajroni ish për ta një “ill i rrallë.”

Sikur ta dinte poeti i madh që do të përmendej maleve e grykave për dekada me radhë dasmë më dasmë e sebeb më sebeb do të rrotullohej në varr me fytyrë andej nga endeshin këto këngë të mahnitshme.

I çuditshëm dhe i paharrueshëm mbetet për ne ky çast për të cilin është fol e është shkruar aq pak dhe që do të duhej të tretej në shumë emisione e në mësimet që u bëhen shkollarëve tanë.

Ministria e Kulturës, në se do të dinte e do të ndjente gjera kaq të vyera, me siguri do të lëvizte vendit. Më e pakta do të vinte një pllakë të madhe tek kalaja e Gjirokastrës ku bëhet Festivali Folklorik Shqiptar e do të shkruante me germa të argjendta këtë fakt. (E kisha fjalën me bojë të argjendtë, se argjendin nuk kemi ku e gjejmë) ta shkruante në anglisht e në shqip shënimin e Konicës te “Albania” që ne por dhe të huajt të ndjeheshim krenarë për këngën tonë. Mbase aty në Gjirokastër apo në Tepelene mund te ngrihej një monument i Bajronit i veshur me fustanellë si lab e ku të shkruhej se Poeti i madh ka kënduar dy këngë labe mbi Rhin në vitin njëmijë e tetëqid e …

Literaturë mbështetëse:

Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi.

Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë: 2016

Dorian Koçi: “Childe Harold, Shtegtimi i polifonisë shqiptare në Evropë përmes Bajronit”

Mbledhës të Folklorit, vëllimi 8, Këngë popullore të Labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë, 1991

* Marrë nga  Facebook-u i autorit

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

kulture kulture dy këngët labçe labërit lord bajroni poeti dy këngët labçe labërit lord bajroni poeti

Sondazh

Art&Argëtim 10 February 2020, 07:27

Në fundin e viteve ’20,në Shqipëri ishte projektuar dhënia e dy koncesioneve për ndërtimin e fabrikave të birrës. Megjithatë, rrethanat do të bënin që vetëm një...

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin