14 October 2026, 20:43
Nga Mirko Mecaj

Kjo është lëvizje për shtet social. Njerëzit po ta thonë në të gjitha mënyrat e në çdo formë këtë të vërtetë të thjeshtë: Kërkojmë shtet social. Po ta thonë këtë kur ti fryhesh si gjeli mbi pleh dhe bën ushtrime retorike që s’t’i ka kërkuar njeri – e di ç’bëjnë ata që të shohin kur ti tund gjoksin me kollare me zhgarravina? Nxjerrin gjuhën dhe të përqeshin. Por ti s’dëgjon. Ta thonë me mospjesëmarrje përherë e më të madhe në votime duke i dhënë politikës suaj mesazhin e heshtur se ky drejtim ku po e çoni vendin nuk e ka pëlqimin e tyre. Po ti s’dëgjon. Po ta thonë duke i dërguar fëmijët sa më larg në shkolla, martesa e punë jashtë vendit, e duke e bojkotuar kështu “mrekullinë” tënde ekonomike të cilën, sa çudi, s’po shkul flokët askush për ta shijuar. Por ti prapë s’dëgjon. Po ta thonë duke u munduar t’u dalin përanash ligjeve të shtetit tënd e duke përfunduar me shumicë nëpër burgje si keqbërës të vegjël, duke të dhënë mesazhin se, kur në një shtet s’jeton dot si njeri me rrugë ligjore, shkelja e ligjit nuk është faj i shkelësve, por i ligjvënësit. Por ti s’dëgjon.
Ta thanë duke duruar kur ti kërkoje durim se po “operoje” trupin e sëmurë të shtetit. Po ti s’kuptove gjë. Ta thanë duke protestuar si flamingo. Po ti prapë s’deshe të dëgjosh. Tani, meqë deshe të talleshe me flamingot, na, merru me shqiponjat.
Nuk e do njeri këtë model shteti që ke ndërtuar, Edi Rama. Ky është shtet asocial, që i merr paratë me taksa nga të gjithë dhe, në vend që t’i shpërndajë duke ua dhënë atyre që kanë nevojë, mbingop ata që s’kanë ç’të bëjnë me paret, përpos se të të korruptojnë me gjithë lecka ty, qeverinë tënde, administratën tënde, parlamentin tënd, mediat e tua e gjithë sistemin tënd politik, me opozitë legale dhe ilegale përfshirë.
Njerëzit duan shtet social. Kot mundohesh ta përkthesh këtë si kërkesë për lekë qyl. Njerëzit duan një shtet i cili, kur mbledh nga të gjithë si kontribut kolektiv nga një copë bukë që ata ia heqin fëmijëve të tyre, buka të shkojë tek ata fëmijë që nuk kanë bukë, jo tek një grusht shushunjash. Njerëzit u lodhën nga karshillëku dhe promovimi i atyre që bëjnë edhe si shenjtorë se medemek janë “taksapagues të mëdhenj” në një sistem i cili gjithë taksat i çon po tek ata me tenderë e PPP të pakërkuara, dhe që procesin e tyre të paskrupullt të fitimit e shesin si mision humanitar të “mbajtjes me bukë” të sa e sa rrogëtarëve. Këtë shtet njerëzit nuk e duan.
Shqipëria që ne shohim sot, ajo e spitaleve të shkatërruara e të keqfinancuara, arsimit publik qëllimisht të dobësuar e të braktisur, shërbimeve publike qesharake, politikave inkurajuese e mbrojtëse të prodhimit vendas pranë zeros, e resurseve natyrore të nxjerra si plaçkë për çdo peshkaqen që i bie rruga këndejpari – kjo lloj Shqipërie, pra, që ke ndërtuar ti, është e padurueshme.
Por njerëzit Shqipërinë nuk mund ta zëvendësojnë. Prandaj duan të të zëvendësojnë ty që s’dëgjon kur po ta thonë me çdo mënyrë që kështu nuk shtyhet më. Njerëzit po kërkojnë Shqipëri sociale, shtet social, një shtet me fytyrën humane të prindit që kujdeset për fëmijët e tij. Ti shtetit i ke dhënë fytyrën tënde arrogante e vanitoze, e cila as hahet e as pihet më. Ta thanë për shumë kohë. Ta thanë shumë herë. Ta thanë në shumë mënyra. Ti s’dëgjon. Kurrë mos dëgjofsh, Edi Rama!
mirko mecaj
Insights
10 October 2026, 22:53
Paskal Kaçani
Nga errësira asfiksuese poshtë një mauneje TIR në rrugën drejt Como-s, te netët e gjata si mjek roje në urgjencat e Lombardi...
Insights
9 October 2026, 13:27
Auron Tare
Auron Tare
Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë nat&e...
Insights
7 October 2026, 17:44
Erion Periku
Dëftesa
Muajt e fundit të pranverës, vera dhe fillimi i vjeshtës kanë qenë një periudhë e trazuar për arsimin ...
Insights
5 October 2026, 10:03
Ben Blushi
Rastësisht dëgjova 500 studentë që thanë me një gojë Jam Mesdhetar.Megjithëse ata ishin të lumtur ngaqë po m...
Insights
5 October 2026, 07:19
Paskal Kaçani
foto ilustruese
TIRANË - 5 Tetori është ajo ditë në vit kur kalendari përkulet me përulësi përpara një pr...
Insights
2 October 2026, 10:54
Paskal Kaçani
VALDARNO – Nën diellin e butë të Toskanës, mes kodrave të gjelbra e vreshtave të Valdarnos aretino dhe fiorentino, komunit...
Insights
1 October 2026, 17:51
Irena Beqiraj
Irena Beqiraj
Intimiteti nuk është thjesht një akt fizik, as vetëm një akt emocional; është një urë midis shpi...
Insights
26 September 2026, 07:18
Bledian Koka
Edi Rama eshte i vetmi kryeminister qe doli para gjithe botes dhe i pershkroi qytetaret e tij si anti-semite pa iu dridhur qerpiku. E beri ne menyren me te ne...
Insights
25 September 2026, 20:57
Besmir Semanaj
Besmir Semanaj
Çmendet Rama
Sot ne OKB para përfaqësuesve të 193 shteteve, mes tyre SHBA-ja me miliardat e saj në çipa d...
Insights
20 September 2026, 17:39
Rezarta Gagani
Rezarta Gagani
Përballë pallatit tim po ndërtohet një pallat. Pallati ku banoj është i pari në vijën e rrugës....