Veliaj refuzon të operohet në Fier, kërkon ndërhyrjen në Tiranë: I jam drejtuar GJKKO-së, nuk ja besoj jetën Kryeministrit
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit 2...
Plagosja me thikë në Korçë/ 30-vjeçari jep dëshminë para policisë: Më sulmuan disa persona të panj...
“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari tregon dhunën në polici: Më gjobitën 5 mi...
Takimet në Abu Dabi synojnë t’i qartësojnë qëndrimet e Rusisë dhe Ukrainës dhe t’i identifikojnë çështjet për të cilat palët vazhdojnë të kenë mospajtime.
Shtetet e Bashkuara shpresojnë se bisedimet mes Uashingtonit, Kievit dhe Moskës, që nisën mëngjesin e 10 nëntorit në Abu Dabi, mund të sjellin përparim të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Zyrtarë të lartë amerikanë u thanë gazetarëve se ka shenja të një gatishmërie në rritje nga të dyja palët për të arritur marrëveshje. Megjithatë, optimizmi amerikan bie ndesh me skepticizmin e zyrtarëve evropianë dhe analistëve të Rusisë, të cilët thonë se ka pak dëshmi që Moska është e gatshme të bëjë lëshime lidhur me territoret apo sigurinë e ardhshme të Ukrainës.
Sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, presidenti amerikan, Donald Trump, mbetet i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës dhe i ka udhëzuar përfaqësuesit e tij të synojnë një paqe të qëndrueshme, në vend të një marrëveshjeje të shpejtë, por të brishtë. Bisedimet me përfaqësuesit rusë dhe ukrainas janë intensifikuar muajve të fundit, thanë zyrtarët amerikanë. Sipas tyre, kontaktet tani zhvillohen çdo ditë, ndonjëherë edhe disa herë brenda ditës.
“Tani kemi një mundësi për të bërë përparim të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës”, tha njëri nga zyrtarët.
Takimet në Abu Dabi synojnë t’i qartësojnë qëndrimet e Rusisë dhe Ukrainës dhe t’i identifikojnë çështjet për të cilat palët vazhdojnë të kenë mospajtime. Zyrtarët amerikanë, megjithatë, paralajmëruan se nuk presin që gjatë këtyre bisedimeve dyditore të arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare. Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, tha se synimi përfundimtar i bisedimeve duhet të jetë arritja e një paqeje të qëndrueshme. Homologu i tij rus, Vladimir Medinsky, tha se Moska beson se përfundimi i luftës do të ishte në interes të të dyja vendeve.
Synimi për një paqe të qëndrueshme
Zyrtarët amerikanë thanë se sfida kryesore është të binden Rusia dhe Ukraina se armëpushimi nuk do t’i shërbejë palës tjetër për t’u riarmatosur dhe për t’u përgatitur për një konflikt të ri. Sipas tyre, Uashingtoni po shqyrton masa për të parandaluar një skenar të tillë, përfshirë konsultimet për sigurinë, komunikimin në raste krizash, shkëmbimin e informacioneve për aktivitetet ushtarake dhe hapa të ndërsjellë për uljen e tensioneve.
“Përveç përqendrimit kryesor në arritjen e një paqeje të qëndrueshme, diskutimet përfshinë edhe mënyrat se si mund të shfrytëzohen dhe forcohen institucionet dhe marrëveshjet ekzistuese të sigurisë evropiane, pas përfundimit të luftës në Ukrainë”, shkroi i dërguari amerikan, Steve Witkoff, në platformën X.
Ai e bëri këtë deklaratë pas takimit të zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë më 10 nëntor, përpara bisedimeve të planifikuara me Rusinë dhe Ukrainën. Zyrtarët amerikanë thanë se synimi është krijimi i një kuadri më të gjerë të sigurisë pas luftës, që do të merrte parasysh shqetësimet e Rusisë, Ukrainës dhe vendeve evropiane, duke respektuar njëkohësisht sovranitetin dhe të drejtën e secilit shtet për të marrë vendime të pavarura. Ata theksuan se NATO-ja do të vazhdonte ta kishte rolin qendror në mbrojtjen kolektive të Evropës.
Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni i ka kërkuar Moskës të pranojë garanci të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me ato që parashihen në nenet 4 dhe 5 të Traktatit të NATO-s. Këto nene parashohin konsultime mes aleatëve kur njëri prej tyre ndihet i kërcënuar dhe mbrojtje kolektive në rast të një sulmi të armatosur. Sipas një zyrtari amerikan, çdo garanci sigurie nga SHBA-ja do të varej përfundimisht nga presidenti Donald Trump dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Megjithatë, Trump dëshiron që vendet evropiane të mbulojnë barrën financiare të sigurisë së Ukrainës.
Një tjetër çështje e rëndësishme në bisedime do të jetë territori, veçanërisht e ardhmja e rajonit lindor të Donjeckut, për të cilin Rusia pretendon se i përket asaj, por nuk e kontrollon plotësisht. Rusia vazhdon të kërkojë kontrollin mbi të gjithë rajonin e Donjeckut, ndërsa Ukraina këmbëngul që çdo marrëveshje të bazohet në vijën aktuale të frontit. Por, sipas zyrtarëve amerikanë, të dyja palët kanë treguar në bisedime jopublike njëfarë gatishmërie për kompromis, ndonëse nuk kanë dhënë më shumë hollësi.
Presidenti ukrainas, Zelensky, ka refuzuar të heqë dorë nga territoret që vazhdojnë të kontrollohen nga forcat ukrainase, përfshirë një pjesë të Donjeckut. Humbja e këtij territori mund ta bënte Ukrainën më të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme ruse. Zyrtarët amerikanë theksuan se çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës, duhet të negociohen njëkohësisht dhe të përfshihen në një marrëveshje të përbashkët përfundimtare. Në takimet në Abu Dabi marrin pjesë edhe përfaqësues të vendeve evropiane, pasi Uashingtoni synon t’i zgjerojë bisedimet përtej formatit trepalësh mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.
Pjesëmarrja e vendeve evropiane
Në bisedime janë duke marrë pjesë edhe Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe - të njohura si grupi E3 - si dhe Italia, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Ukraina. Megjithatë, konsultimet e tyre fillestare me përfaqësuesit amerikanë do të zhvillohen ndaras nga negociatat trepalëshe me Rusinë.
Përfaqësuesit evropianë pritet të diskutojnë për garancitë e sigurisë dhe mënyrën se si do të organizohet siguria në Evropë dhe marrëdhëniet me Rusinë, pas përfundimit të luftës. Propozimi më i gjerë ka ngritur shqetësime në kryeqytetet evropiane se Moska mund të fitojë ndikim mbi mënyrën se si organizohet siguria e kontinentit. Kjo mund të dobësojë rolin e NATO-s dhe të cenojë sovranitetin e vendeve që dikur ishin nën dominimin sovjetik.
“Ne tashmë kemi një arkitekturë evropiane të sigurisë”, tha më 6 nëntor shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje.
Por, Rusia vazhdon të ketë mosbesim të thellë ndaj qeverive evropiane, të cilat i fajëson për dështimin e një marrëveshjeje të mëhershme të negociuar në Stamboll, thanë zyrtarët amerikanë. Bisedimet e vitit 2022 nuk kishin rezultuar me një marrëveshje përfundimtare, pasi palët vazhdonin të kishin mospajtime të mëdha për sigurinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni ia ka bërë të qartë Moskës se vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe aleatët e tij evropianë. Sipas tyre, përfshirja e Evropës do ta ndihmonte arritjen e një marrëveshjeje, në vend që ta pengonte atë.
“Për t’i dhënë fund luftës, na duhet patjetër Evropa në tryezën e negociatave”, tha njëri nga zyrtarët.
Sipas tyre, bashkëpunimi me Ukrainën dhe qeveritë evropiane është intensifikuar gjatë gjashtë javëve të fundit, përfshirë diskutimet në Bruksel për sigurinë e Ukrainës pas luftës dhe rimëkëmbjen e saj ekonomike. Zyrtarët e përshkruan këtë bashkëpunim si të ngushtë dhe konstruktiv, duke hedhur poshtë pretendimet se po thellohen përçarjet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë.
Paralelisht, një grup tjetër pune, në të cilin rol udhëheqës ka edhe Banka Botërore, po shqyrton reformat që do t’i nevojiten Ukrainës për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme pas luftës. Diskutimet përfshijnë nevojat ushtarake dhe financiare të vendit, rindërtimin ekonomik dhe problemet e vazhdueshme me korrupsionin.
Të pyetur nëse Rusia po tregon gatishmëri për kompromis, zyrtarët amerikanë thanë se Moska ka dhënë sinjale pozitive se dëshiron t’i japë fund luftës, veçanërisht gjatë diskutimeve për mënyrën se si do të organizohet siguria pas konfliktit. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se Moska mund të jetë duke i shfrytëzuar negociatat për të fituar kohë, ndërsa vazhdon të kërkojë territore të Ukrainës dhe të ushtrojë presion ushtarak ndaj këtij vendi.
“Për Perëndimin, negociatat janë një mjet për t’i dhënë fund luftës; për Putinin, ato mund të jenë një mjet për ta fituar atë”, shkroi më 8 nëntor në platformën X Sam Greene, profesor në Institutin për Rusinë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Skeptike u shpreh edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila, më 9 nëntor, tha se Rusia vetëm “po shtiret sikur po negocion” dhe se nuk ka treguar vullnet të mirë. Zyrtarët amerikanë iu referuan edhe bisedimeve të mëhershme me presidentin rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg, ku ishte diskutuar mundësia e krijimit të një sistemi të përbashkët rregullash dhe mekanizmash të sigurisë mes Rusisë dhe Perëndimit.
“Kjo është hera e parë që kam përshtypjen se pala ruse ka vërtet dëshirë t’i japë fund luftës”, tha njëri nga zyrtarët amerikanë.
Sidoqoftë, Moska vazhdon të refuzojë një armëpushim pa kushte dhe këmbëngul që Ukraina të heqë dorë nga pjesët e rajonit të Donjeckut që ende i kontrollon. Delegacioni rus në Abu Dabi udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i Kremlinit, i cili ka udhëhequr edhe disa runde të mëhershme negociatash, përfshirë bisedimet në Gjenevë, në shkurt. Gjatë atyre takimeve, ai kryesisht ka përsëritur kërkesat e Moskës, pa treguar shumë gatishmëri për kompromis. Marrëveshja e mundshme mund të përfshijë edhe lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, si një mënyrë për ta nxitur Moskën t’i përmbahet asaj.
Sipas një zyrtari amerikan, sanksionet mund të hiqen gradualisht, por të rikthehen nëse Rusia shkel marrëveshjen. Zyrtarët amerikanë thanë se synojnë përparim të shpejtë në negociata, për shkak të numrit në rritje të viktimave civile dhe ushtarake. Por, paralajmëruan se arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme do të kërkojë kompromise të vështira.
Sipas tyre, takime të tjera me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të zhvillohen së shpejti, varësisht nga rezultati i bisedimeve në Abu Dabi. Zyrtarët përmendën edhe përpjekjet humanitare, përfshirë një armëpushim të fundit gjashtëditor në Oleshki, në rajonin ukrainas të Hersonit, i cili, sipas tyre, mundësoi evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.
Ata thanë se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë edhe për shkëmbimin e të burgosurve dhe çështje të tjera humanitare. Përpjekjet diplomatike po zhvillohen në kohën kur gjendja e civilëve në Ukrainë po përkeqësohet. Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike rrezikojnë t’i lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ujë për periudha të gjata, ndërsa po afrohet dimri.
Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 9 nëntor, zyrtarët e çështjeve humanitare paralajmëruan për përkeqësimin e kushteve të jetesës. Ndihmëssekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështje Humanitare, Mohamed Yahya, tha se ndihma emergjente “nuk mund ta zëvendësojë një rrjet elektrik që shkatërrohet vazhdimisht nga sulmet”.
Për Uashingtonin, synimi i menjëhershëm i bisedimeve në Abu Dabi është që kontaktet diplomatike, të cilat janë intensifikuar kohët e fundit, të shndërrohen në një proces të mirëfilltë negociatash. Ky proces duhet të trajtojë mosmarrëveshjet territoriale dhe të krijojë kushtet për një paqe të qëndrueshme.
“Po përpiqemi t’ua shpjegojmë palëve të gjitha arsyet pse paqja është zgjidhja më e mirë, t’i bëjmë ato konkrete, t’i bindim se është e mundur dhe pastaj t’i ndihmojmë të gjejnë rrugën drejt saj”, tha njëri nga zyrtarët amerikanë./REL
ura hekurudhore në Arkhangelsk RUSI- Një urë hekurudhore është shembur mëngjesin e së martës, më 10 në...
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mund të përballet këtë javë me nj&...
pamje BULLGARI- Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Bullgarinë juglindore këtë të martë, ku të paktën 1...
Supermarket FRANCË- Franca ka drejtuar gishtin nga Garda Revolucionare e Iranit, duke e akuzuar për një sulm të gjerë kibernet...
Gadi Eisenkot IZRAEL- Blloku opozitar në Izrael, i udhëhequr nga Gadi Eisenkot, ka arritur një marrëveshje për ndarjen e poste...
pamje ABU DHABI- Negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë kanë hyrë në një fazë të re, pas...
pamje SHBA- Një darkë në një restorant luksoz japonez në Los Angeles është kthyer në një incident të ...
Pamje TURQI- Një tragjedi e rëndë është regjistruar në Turqinë perëndimore, ku të paktën 17 persona kanë...
Dana White dhe Donald Trump SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr sërish vëmendjen me një skenë humoristike në Sht&...
Jensen Huang SHBA- Investitorët pretendojnë se drejtuesit e kompanisë fshehën informacione të rëndësishme mbi rreziq...