16 August 2026, 15:45
Nga D.S
RUSI
RUSI- Një fotografi e turbullt, që tregon një burrë, i cili duket se po detyrohet të gjunjëzohet në dëborë nga dy burra të tjerë me rroba civile.
E publikuar javën e kaluar nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), fotografia pretendohet se tregon momentin e arrestimit në Jarosllavl, rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës, të një 48-vjeçari, për “fotografimin dhe filmimin në mënyrë të fshehtë” të varreve të ushtarëve të vrarë në Ukrainë.
Ky ishte i fundit në një seri rastesh në të cilat njerëz janë përballur me akuza për tradhti për fotografimin e varreve të ushtarëve rusë.
Në fund të qershorit, autoritetet në rajonin e Tomskut, në Siberi, njoftuan se “disa” persona ishin arrestuar për mbledhjen e informacioneve për ushtarët rusë, përfshirë të vrarët në luftë, në këmbim të pagesave në para.
Dy raste të ngjashme janë regjistruar edhe në rajonin e Sverdlovskut, ku dy të dyshuar janë akuzuar se u dërgonin “personave që i drejtonin” fotografi në këmbim të rreth 1 dollari për fotografi.
Në Jekaterinburg, kryeqytetin rajonal, autoritetet thanë se patrullimet e sigurisë në varreza po shtoheshin, “në mënyrë që personat që po synohen nga rekrutuesit [që kërkojnë fotografi të varreve] të kuptojnë se kjo nuk është një çështje e padëmshme – është krim që mund të sjellë dënim të vërtetë”.
Në shumicën e rasteve, FSB-ja pretendon se të dyshuarit punonin për persona që i drejtonin nga Ukraina.
Fotografitë e varreve kanë qenë burim informacioni për gazetarët dhe grupet e të drejtave të njeriut që përpiqen të vlerësojnë numrin e rusëve të vrarë duke luftuar në Ukrainë – shifër që autoritetet ruse janë të interesuara ta mbajnë të fshehtë.
Ekzistojnë vlerësime të ndryshme për numrin e viktimave.
Në maj, një drejtues i inteligjencës britanike tha se rreth 500.000 ushtarë rusë ishin vrarë që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022. Një raport i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me bazë në Uashington, muajin e kaluar e vlerësoi shifrën në 450.000.
“Kremlini ka bërë çdo përpjekje për ta fshehur numrin e vërtetë të viktimave”, tha për Radion Evropa e Lirë në fillim të këtij viti analisti i CSIS-it, Seth Jones. “Ushtria ruse ka performuar më keq se çdo ushtri tjetër e madhe që kemi shqyrtuar gjatë shekullit të kaluar".
CSIS-i citon intervista me zyrtarë amerikanë, ukrainasë dhe evropianë, si dhe raportime nga terreni të Mediazona-s, një media e pavarur ruse që autoritetet ruse e kanë klasifikuar si “agjent të huaj”.
Ajo ka regjistruar emrat e 236.000 ushtarëve rusë, për të cilët thotë se ka konfirmuar se kanë vdekur në Ukrainë. Në maj, vlerësimi i saj për numrin real të të vrarëve në luftë ishte rreth 350.000.
“Për ne, shkuarja në varreza ishte një burim mjaft i rëndësishëm informacioni”, tha për Current Time redaktori i Mediazona-s, Dmitry Treshchanin. “Asnjëherë më parë kjo nuk ishte interpretuar si tradhti".
Rastet e tradhtisë kanë ardhur duke u shtuar në Rusi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Treshchanin tha se, përveç interesit zyrtar për të fshehur numrin e të vrarëve në luftë, rastet e fundit vijnë në një kohë kur mashtruesit po përpiqen të synojnë familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në luftime.
Kjo mund të përfshijë kontaktimin e tyre me informacione të rreme se i afërmi i tyre është kapur nga forcat ukrainase dhe kërkimin e parave për të siguruar lirimin e tij. Fotografitë e varreve mund të ndihmojnë në identifikimin e viktimave të mundshme.
“Na kanë shkruar duke kërkuar emrat e të vdekurve”, tha Treshchanin, duke shtuar se situata po krijonte një rrezik të ri për vullnetarët që fotografojnë varret për hetime nga burime të hapura.
“Ata janë në rrezik të jashtëzakonshëm. Mund të dënohen me 12 deri në 20 vjet burg për këto fotografi”, tha ai.
Në rastin në Jarosllavl, prokurorët thonë se i dyshuari kishte nisur të fotografonte dhe filmonte në tetor të vitit 2024.
“Banori i Jarosllavlit ia dërgoi informacionin shërbimeve speciale ukrainase përmes Messenger-it”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga gjykata, e cila shton se rasti do të shqyrtohet me dyer të mbyllura.
Treshchanin tha se të dyshuarit mund të kurthohen lehtësisht nga FSB-ja, e cila mund t’u ofrojë para për të fotografuar varret.
“Mashtruesit as nuk kanë nevojë të ekzistojnë. I cakton dikujt një detyrë dhe më pas ‘zbulon’ krimin që gjoja kishte planifikuar të kryente”, tha ai.
Marrja e dëshmive të drejtpërdrejta për të vrarët rusë në luftë nga varrezat tani është bërë një veprim shumë më i rrezikshëm. Por, ka edhe mënyra të tjera, përfshirë njoftimet për vdekjet e publikuara në burime zyrtare ruse ose në media, postimet në rrjetet sociale nga miqtë apo familjarët, si dhe informacionet për ceremonitë mortore./REL
rusi
Aktualitet
16 August 2026, 15:37
D.S
PAMJE NGA OPERACIONI
TIRANË- Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore të kryeqytetit për parandalimin ...
Aktualitet
16 August 2026, 15:30
D.S
PAMJE NGA AKSIDENTI
DURRËS- Një aksident rrugor ka ndodhur pak minuta më parë në rrugën e re paralel me portin e ...
Aktualitet
16 August 2026, 15:18
D.S
pamje nga vendngjarja
SHKODËR-Një vatër zjarri e dyshuar si e vendosur qëllimisht në fshatin Vukatanë është vë...
Aktualitet
16 August 2026, 14:53
E.d
Foto ilustruse
TIRANA- Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim të ri mbi situatën e zjarreve në ven...
Aktualitet
16 August 2026, 14:44
I.A
Pamje nga sulmi
TIRANA- Dosja.al ka zbardhur detaje nga tentativa e vrasjes së Miri Bitocit ditën e djeshme në një lokal në Elbasa...
Aktualitet
16 August 2026, 14:42
E.d
World Changers Summi-porto palermo
Më 12 gusht 2026, Kalaja historike e Porto Palermos u shndërrua në një qendër ndërkomb&eum...
Aktualitet
16 August 2026, 14:35
E.d
Pamje
CËRRIK- Një zjarr ka përfshirë një parcelë me ullinj në Lagjen Nr. 1, në periferi të Cërrikut....
Aktualitet
16 August 2026, 14:20
E.d
Pamje
LURA- Situata me zjarret në vend vijon të mbetet problematike, ndërsa zjarri në Lurë vijon të jetë aktiv. Në ...
Aktualitet
16 August 2026, 14:00
E.d
Devi Kasmi dhe Aurel Hoxhallari
TIRANA- Autoritetet rumune kanë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë Aurel Hoxhall...
Aktualitet
16 August 2026, 13:31
E.d
Pamje
SARANDA- Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur në pranë ambienteve të “Orange Club” në Sarandë, për ...