Moti i keq përfshin vendin/ Pukë, Fushë-Arrëz, Kukës e Tropojë pa energji, reshjet e shiut shkaktojnë dëme në banesa dhe rrugë
Kushtet atmosferike në Shkodër shkaktojnë ndërprerjen e energjisë elektrike/ Erërat e forta rrëzojnë disa pem&eu...
Kushtet atmosferike në Shkodër shkaktojnë ndërprerjen e energjisë elektrike/ Erërat e forta rrëzojnë disa pem&eu...
Drejtori i burgut të Fierit kundër Veliajt: Do të bëjë zhurmë, refuzon ndërhyrjen! 22 Nëntor, 16:24 Nd&e...
Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit 2...
Plagosja me thikë në Korçë/ 30-vjeçari jep dëshminë para policisë: Më sulmuan disa persona të panj...
Sipas gazetës amerikane, banorët e zonës pretendojnë se tokat u janë marrë vite më parë në mënyrë të paligjshme, ndërsa çështja prej vitesh është pjesë e proceseve gjyqësore.
ZVËRNEC- Prestigjiozja amerikane “The Wall Street Journal” i ka kushtuar një artikull të gjatë projektit të Jared Kushner në Zvërnec, duke u ndalur te historiku i pronësisë së tokës dhe akuzat e ngritura ndaj Artur Shehut, një prej pronarëve që ia ka shitur tokën grupit të zhvillimit. Në artikullin e saj thuhet se prokurorët kanë kërkuar arrestimin e Shehut, duke e akuzuar se kishte luajtur një rol kryesor në një operacion të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës, përmes të cilit kokaina nga Amerika e Jugut dërgohej në Evropë e fshehur në ngarkesa me qymyr dhe pastë frutash.
Sipas prokurorëve, Shehu ka pastruar para përmes pasurive të paluajtshme, përfshirë edhe atë në Zvërnec, i cili, sipas tyre, ishte përvetësuar përmes metodave të tilla si falsifikimi i dokumenteve të pronësisë të periudhës osmane. Artikulli vëren se emri i Artur Shehut filloj të shafqej në vitin 1990, ku Shqipëria nuk pati një përmirësim të madh as gjatë viteve të paskomunizmit. Vendi u përfshi nga paqëndrueshmëria politike, krimi i organizuar, shpopullimi dhe një skemë masive piramidale që për pak e zhyti vendin në luftë civile.
Në mes të këtij kaosi, Shehu u shfaq si sipërmarrës, me prona që përfshinin edhe një hotel në qytetin e trazuar të Vlorës. Ai tërhoqi vëmendjen e policisë shqiptare antidrogë dhe autoriteteve italiane, të cilat dyshonin se kishte lidhje me mafian italiane duke trafikuar marijuanë dhe duke kontrabanduar emigrantë që përpiqeshin të shkonin në Itali me skafe. Sipas gazetës amerikane, banorët e zonës pretendojnë se tokat u janë marrë vite më parë në mënyrë të paligjshme, ndërsa çështja prej vitesh është pjesë e proceseve gjyqësore.
WSJ shkruan se grupi i zhvillimit të mbështetur nga Kushner i ka paguar Shehut 110 milionë euro, rreth 125 milionë dollarë, për tokën në Zvërnec. Gazeta thekson se banorët e Zvërnecit i kishin dërguar një letër Kushnerit që në vitin 2024, duke e paralajmëruar për konfliktet e pronësisë dhe duke i kërkuar të mos vijonte me zhvillimin e projektit.
Sipas investigimit, në disa raste janë përdorur dokumente të falsifikuara për të pretenduar pronësinë mbi tokat, ndërsa një pjesë e dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pronës është konstatuar më herët si i falsifikuar nga gjykatat shqiptare. Kryeministi Rama e ka cilësuar projektin prej 5 miliardë dollarësh si një investim të rëndësishëm të huaj, që do të ndihmojë ekonominë, por banorët e Zvërnecit kanë frikë se do të përballen sërish me humbjen e tokave të tyre. Nga ana tjetër, grupi zhvillues thotë se nuk është objekt hetimi dhe se beson që blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme.
Artikulli i plotë nga The Wall Street Journal
Banorët e këtij fshati të vogël bregdetar mbetën të habitur dy vjet më parë, kur Jared Kushner publikoi projektet për një resort mesdhetar në një gadishull të ngushtë, të rrethuar nga deti i kaltër dhe një lagunë ku mblidhen flamingot.
Imazhet paraqisnin një copë toke ku prindërit dhe gjyshërit e tyre dikur kultivonin patate. Banorët pretendonin se prona u ishte marrë në mënyrë të paligjshme në vitet 2000 nga Artur Shehu, një gangster i dyshuar, i cili u largua drejt Majamit pas një përplasjeje me armë në lokalin e tij.
Për këtë arsye, ata i dërguan një letër Kushnerit, duke i bërë me dije se prej gati dy dekadash ishin përfshirë në procese gjyqësore me Shehun dhe duke i kërkuar zhvilluesve të mos vijonin me projektin.
Prona, shkruanin ata, “i përket fshatit dhe banorëve të tij”. Megjithatë, një grup zhvillimi i mbështetur nga Kushner vazhdoi përpara dhe në fillim të këtij viti i pagoi Shehut më shumë se 120 milionë dollarë për tokën.
Dy muaj më vonë, prokurorët shqiptarë kërkuan arrestimin e Shehut, duke e akuzuar se kishte luajtur një rol kryesor në një operacion të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës, përmes të cilit kokaina nga Amerika e Jugut dërgohej në Evropë e fshehur në ngarkesa me qymyr dhe pastë frutash.
Sipas prokurorëve, Shehu kishte pastruar para përmes pasurive të paluajtshme, përfshirë edhe gadishullin në Zvërnec, i cili, sipas tyre, ishte përvetësuar përmes metodave të tilla si falsifikimi i dokumenteve të pronësisë të periudhës osmane.
Kontroversa është goditja e fundit për ambiciet e Kushnerit në sektorin e pasurive të paluajtshme jashtë SHBA-së — një pjesë e karrierës së biznesit që ai nisi pas vitit 2020, pas përfundimit të administratës së parë Trump.
Ndërsa pjesa më e madhe e investimeve të tij është bërë përmes fondit të kapitalit privat prej 6 miliardë dollarësh, të mbështetur nga fonde sovrane të Gjirit, Kushner iu rikthye edhe rrënjëve të tij në pasuritë e paluajtshme. Ai ka folur për mundësinë e investimit në Ballkan, ku turizmi dhe çmimet e pronave po rriten, duke synuar Serbinë dhe Shqipërinë.
Ai arriti një marrëveshje pa tender me qeverinë serbe për zhvillimin e një trualli shtetëror në qendër të Beogradit, duke shkaktuar kritika lokale se qeveria serbe po përpiqej t’i afrohej Trumpit — akuzë që qeveria e mohoi.
Projekti në Serbi dështoi pas disa javësh protestash dhe pas ngritjes së akuzave ndaj një ministri të kabinetit që kishte shtyrë përpara miratimet e projektit. Kushner u tërhoq nga projekti në dhjetor.
Projekti në Shqipëri, në Zvërnec, ka shkaktuar një reagim edhe më të madh publik. Një video ku shfaqeshin roje private të grupit të mbështetur nga Kushner duke goditur me grushte një banor vendas dhe duke e tërhequr zvarrë përgjatë një plazhi shkaktoi protesta të përditshme në Tiranë.
Protestat kanë vijuar për më shumë se dy muaj, ndërsa demonstruesit i kanë zgjeruar kritikat ndaj korrupsionit endemik dhe zhvillimit të pakontrolluar urban. Lëvizja është pagëzuar prej tyre si “Revolucioni i Flamingove”.
Ndryshe nga Serbia, në Shqipëri paratë tashmë kanë kaluar dorë më dorë. Sipas një personi në dijeni të transaksioneve, grupi i mbështetur nga Kushner ka paguar më shumë se 240 milionë dollarë për tokat e blera nga pronarë privatë, mes tyre edhe Shehu.
Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, thotë se klienti i tij nuk është as trafikant droge dhe as hajdut pronash dhe se ai nuk ka negociuar drejtpërdrejt me Kushnerin, por vetëm përmes një ndërmjetësi.
“Ai nuk ka absolutisht asnjë lidhje me akuzat”, tha Cakrani. “Ai është thjesht një pronar toke, që vjen nga një familje e madhe pronarësh”, duke shtuar se marrëdhëniet e tij me personat e tjerë të përfshirë në dosje kanë qenë vetëm për transaksione të ligjshme biznesi.
Një zëdhënës i grupit të zhvillimit — një sipërmarrje e Kushnerit dhe partnerëve të tjerë — tha se sistemi shqiptar i drejtësisë është “vendi i përshtatshëm për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me pronësinë e tokës dhe integritetin e transaksioneve të mëparshme”.
Grupi është në dijeni të akuzave “në lidhje me shitësin e tokës” dhe nuk është vetë objekt i ndonjë hetimi, tha zëdhënësi, duke shtuar: “Ne vazhdojmë të besojmë se blerjet e tokave janë kryer në mënyrë të ligjshme.”
Prokurorët thonë se kanë sekuestruar paratë e Shehut të përfituara nga shitja e tokës.
“Në teori, gjykatat kanë autoritetin të bllokojnë përkohësisht zhvillimin e pronave të kontestuara”, tha Sotir Dhamo, profesor i planifikimit urban në Universitetin Polis në Tiranë. “Në praktikë, gjykatat nuk janë plotësisht të pavarura nga politika dhe interesat e fshehura ekonomike.”
Flamingo Drive
Shehu, 60 vjeç, jeton sot në Majami, ku sipas të dhënave të pronave zotëron një shtëpi rreth 370 metra katrorë, me kolona, në Flamingo Drive, në Miami Beach, së bashku me bashkëshorten e tij, një ish-yll i televizionit shqiptar.
Rruga e tij drejt Floridës së Jugut kalon përmes disa prej dekadave më të trazuara të historisë së Shqipërisë.
E izoluar dhe e varfër gjatë Luftës së Ftohtë, kur qeveria e saj u shkëput fillimisht nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas nga Kina, Shqipëria nuk pati një përmirësim të madh as gjatë viteve të paskomunizmit në vitet 1990.
Vendi u përfshi nga paqëndrueshmëria politike, krimi i organizuar, shpopullimi dhe një skemë masive piramidale që për pak e zhyti vendin në luftë civile.
Në mes të këtij kaosi, Shehu u shfaq si sipërmarrës, me prona që përfshinin edhe një hotel në qytetin e trazuar të Vlorës.
Ai tërhoqi vëmendjen e policisë shqiptare antidrogë dhe autoriteteve italiane, të cilat dyshonin se kishte lidhje me mafian italiane — duke trafikuar marijuanë dhe duke kontrabanduar emigrantë që përpiqeshin të shkonin në Itali me skafe, tha Dritan Zagani, një ish-oficer i policisë shqiptare që e kishte hetuar.
Një ditë në vitin 1999, Zagani tha se policia u njoftua për të shtëna me armë në një lokal. Shehu, sipas tij, ishte përfshirë në një përplasje të armatosur me një grup rival.
“Pas kësaj, Arturi u zhduk”, tha Zagani.
Avokati Cakrani tha se Shehu ishte sulmuar nga banda prokomuniste për shkak të bindjeve të tij antikomuniste. Sipas tij, vëmendja e autoriteteve ndaj klientit të tij ishte e motivuar politikisht.
As hetimet italiane dhe as ato shqiptare nuk çuan në ngritjen e akuzave.
Shehu u rishfaq në Majami. Ai u zhvendos në SHBA në vitin 2001 dhe fitoi azil, pasi pretendoi se ishte sulmuar nga banda komuniste, të cilat, sipas Cakranit, kishin vrarë xhaxhain dhe vëllain e tij.
Më pas ai siguroi shtetësinë amerikane, tha Cakrani, por vazhdoi të kishte interesa në Shqipëri, duke ndërtuar një portofol të pasurive të paluajtshme.
Shehu ra sërish në radarët e autoriteteve në vitin 2012, kur prokurorët italianë kërkuan arrestimin e tij në kuadër të një hetimi më të gjerë ndaj një familjeje kriminale italiane.
Sipas një vendimi të një gjykate italiane, Shehu ishte bashkëpronar i një akulloreje në Shqipëri me një bos të mafias italiane, i cili i kishte transferuar Shehut më shumë se 1 milion euro, rreth 1.3 milionë dollarë në atë kohë. Prokurorët thanë gjithashtu se Shehu i kishte dhënë me qira atij hapësira në një ndërtesë për një kazino.
Gjykatësi italian rrëzoi kërkesën për arrestim, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të treguar se Shehu ishte i lidhur me ndonjë aktivitet të paligjshëm.
Cakrani tha se përfshirja e Shehut ishte vetëm ajo e një qiradhënësi.
Megjithatë, emri i tij vazhdoi të shfaqej në hetime për trafik droge.
Sipas prokurorëve shqiptarë, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit e kishin vëzhguar Shehun në Monako në shoqërinë e personave të dyshuar për trafik droge. Në vitin 2019, ata siguruan edhe fotografi të tij në Mallorca, në një takim me një person të dyshuar si një nga bosët kryesorë të mafias, i cili më vonë u arrestua.
Shehu nuk u akuzua në këto hetime.
Avokati i tij tha se Shehu nuk ka pasur probleme ligjore me asnjë vend evropian përveç Shqipërisë dhe se ai ishte përfshirë vetëm në aktivitete të ligjshme biznesi.
Pasuritë e Shehut dhe dosja e drogës
Gjithçka ndryshoi në qershor.
Hetuesit evropianë të trafikut të drogës në Spanjë, Belgjikë dhe disa vende të tjera i dorëzuan një sasi të madhe materialesh Prokurorisë së Posaçme shqiptare, SPAK, një strukturë e krijuar në vitin 2019, pjesërisht për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Bashkimit Evropian lidhur me korrupsionin në Shqipëri.
Korrupsioni mbetet një problem i madh në vend. Gjatë katër viteve të fundit, prokurorët e SPAK kanë ngritur akuza për korrupsion ndaj dy ish-kryeministrave, dy ish-zëvendëskryeministrave dhe disa ish-ministrave të kabinetit, të cilët të gjithë i kanë mohuar akuzat.
Bazuar në materialet e hetuesve evropianë, SPAK siguroi në qershor një urdhër gjykate për arrestimin e Shehut dhe 19 personave të tjerë, të cilët prokurorët i konsiderojnë pjesë të një rrjeti të madh evropian të trafikut të drogës.
Sipas prokurorëve, Shehu kishte një “pozicion drejtues brenda organizatës”. Ai u akuzua për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal — vepra penale të ngjashme me akuzat për organizim kriminal në SHBA.
Rrjeti i dyshuar i drogës shtrihej në të gjithë zinxhirin e furnizimit me kokainë.
Sipas prokurorëve, anëtarët e rrjetit shqiptar mbikëqyrnin prodhimin në Ekuador, ngarkonin kokainën në anije duke e fshehur mes frutave, sojës, sheqerit dhe produkteve të tjera, e transportonin përmes porteve holandeze, e përpunonin në fabrika të vogla dhe më pas e shpërndanin në të gjithë Evropën.
Fitimet nga kokaina, sipas prokurorëve, hynin në Shqipëri përmes kriptomonedhave dhe parave të transportuara kontrabandë me autobusë.
Më pas, grupi i pastronte paratë përmes pasurive të paluajtshme. Sipas prokurorëve, një pjesë e tyre përfundoi në financimin e një kulle të kuqe në qendër të Tiranës dhe në vila bregdetare.
Prokurorët thonë se Shehu dhe njerëzit që vepronin në emër të tij ishin thelbësorë për këtë skemë.
Cakrani, megjithatë, tha se Shehu kishte kryer vetëm transaksione të ligjshme të pasurive të paluajtshme dhe nuk ishte përfshirë në pastrim parash apo në ndonjë nga krimet e tjera të pretenduara.
Toka në Zvërnec
Ndër akuzat e prokurorëve është edhe pretendimi se Shehu dhe rrjeti i tij kishin siguruar toka për pastrimin e parave duke pretenduar pronësi historike, shpesh duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Një nga sipërfaqet më të mëdha të përmendura nga prokurorët është pikërisht toka në Zvërnec, ku Kushner synon të ndërtojë resortin.
Fshati i vogël i Zvërnecit ndodhet në bregdet, pranë Vlorës, dhe njihet për manastirin e tij bizantin, më shumë se 700-vjeçar, në skajin e Lagunës së Nartës.
Shtëpitë janë të grumbulluara në një kodër që ofron pamje nga deti dhe pemët e mbuluara me fiq dhe shegë.
Zoi Pula, 71 vjeç, u rrit në këtë fshat përpara se të shpërngulej në Greqi, ku mundësitë për punë ishin më të mëdha. Ai rikthehet gjatë verës në shtëpinë e familjes në kodër.
Stërgjyshi i tij ishte zhvendosur në fshat dhe përdorte një pjesë të tokës në gadishullin aty pranë për kullotje, tha ai.
Kur prona u kolektivizua gjatë komunizmit, familja e tij e përdorte tokën për të kultivuar patate, qepë dhe produkte të tjera.
Pas rënies së qeverisë komuniste në vitin 1991, familjes së tij iu rikthye pronësia mbi pjesën e tokës bujqësore në gadishull, e cila ndërkohë kishte mbetur djerrë.
Në mesin e viteve 2000, ai mësoi atë që kishin zbuluar njëri pas tjetrit edhe banorë të tjerë: zyrtarët lokalë të pronave ia kishin kaluar Shehut kontrollin mbi tokat e tyre në gadishull.
“U çmendëm. U zemëruam. Ishte një problem psikologjik”, tha ai.
Pronësia mbi tokat në Shqipëri ka qenë problematike prej dekadash.
Pas rënies së komunizmit, qeveria e re miratoi një sërë ligjesh për kthimin e pronave të shpronësuara, duke hapur rrugën për një mori pretendimesh të mbivendosura mbi pronësinë.
Këto çështje përfunduan në sistemin e brishtë gjyqësor të vendit, ku autoritetet kanë konstatuar raste të shumta korrupsioni.
Ndërsa ndiqnin çështjen e tyre, banorët dhe persona të tjerë që pretendonin pronësinë zbuluan se Shehu kishte përdorur metoda të ngjashme për të grumbulluar një pjesë të madhe të tokave në Zvërnec.
Përmes një avokati, ai kishte përdorur dokumente historike për të pretenduar se një paraardhës i tij, Seit Shehu, kishte qenë pronari i mëparshëm i tokës.
Një pjesë e tokës u sigurua nga një prej avokatëve të Shehut në vitin 2007, pasi paraqiti pranë zyrtarëve të pronave një dokument të përkthyer gabimisht nga periudha osmane.
Gjatë përkthimit nga osmanishtja, një arkivist kishte zëvendësuar emrin e pronarit origjinal me emrin Seit Shehu, sipas një vendimi gjykate.
Avokati dhe arkivisti u dënuan më vonë për vepra penale që lidhen me dokumentet e falsifikuara, megjithëse çështja ndaj avokatit po rigjykohet.
“Falsiteti i këtij dokumenti është provuar”, vendosi Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Shehu dhe pretendues të tjerë të pronësisë kanë fituar dhe humbur në procese të ndryshme gjyqësore dhe apelime, por asnjë prej tyre nuk ka detyruar Shehun të heqë dorë nga toka.
Proceset e rigjykimit dhe apelimet vijojnë prej vitesh.
Cakrani tha se pretendimet e Shehut bazohen në dokumentacion të konsiderueshëm që provon se familja e tij ka qenë një familje e madhe pronare toke, në Zvërnec dhe në zona të tjera.
Në dosjet gjyqësore janë paraqitur dokumente të shumta nga periudha e pushtimit fashist italian, si dhe dokumente të tjera të fillimit të viteve 1900.
“Ka dokumente të ligjshme që provojnë se kjo tokë është e tij”, tha ai.
Telat me gjemba
Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, u interesuan për herë të parë për Shqipërinë gjatë një udhëtimi me jaht në Mesdhe, pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit. Ata u ndalën në rrugën mes Malit të Zi dhe Greqisë.
Ata vizituan ishullin e Sazanit, një ish-zonë ushtarake në pronësi publike, ku vendasit shkojnë me varka për ekskursione ditore.
“Notuam deri në ishull. Bëmë një shëtitje”, tha Ivanka në një podcast në maj. “Ishim thjesht të mahnitur.”
Më pas, Kushner arriti një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për zhvillimin e Sazanit dhe nisi të punonte për planet me Asher Abehsera, një zhvillues amerikan që kishte qenë partner i Kushnerit në rindërtimin e disa zyrave në Brooklyn gjatë viteve 2010.
Menjëherë pas kësaj, tha Abehsera në një intervistë në qershor, dyshja e zhvendosi vëmendjen te një sipërfaqe e pazhvilluar toke rreth 8 kilometra larg, në bregdetin e Zvërnecit.
Aty, vendasit përdorin makina 4x4 për të shkuar në plazhet e paprekura, ku folezojnë breshkat e detit dhe kullosin delet.
Abehsera tha se kishte arritur një marrëveshje me partnerët lokalë, konglomeratin shqiptar Kastrati, emri i të cilit shfaqet në pikat e karburantit në të gjithë vendin.
Grupi kontaktoi pronarët e tokave në Zvërnec, fillimisht duke u ofruar një partneritet, tha Abehsera për The Wall Street Journal në vitin 2024.
Në pranverën e atij viti, Kushner publikoi në Instagram projektet e planit, me vila të ndërtuara në shpatet e gadishullit të Sazanit dhe hotele përgjatë plazheve të Zvërnecit.
Disa muaj më vonë, në shtator 2024, një grup banorësh i dërgoi një letër kompanisë së Kushnerit, duke i kërkuar zhvilluesit të mos ndërmerrte “veprime që cenojnë të drejtat reale të pronës së fshatit”, për sa kohë që mosmarrëveshjet vazhdonin.
Në atë kohë, konfliktet mbi pronësinë e tokave në Zvërnec ishin të njohura lokalisht dhe ishin raportuar vazhdimisht në media.
“Ne nuk kemi asnjë interes të zhvillojmë diçka që nuk është ligjërisht apo me të drejtë pronë e jona për t’u zhvilluar”, i tha Abehsera Journal në vitin 2024, kur u pyet për konfliktet.
Kur iu dërgua një listë me katër pronarë tokash — mes tyre edhe Shehu — Abehsera tha në një mesazh për Journal në vitin 2024 se “asnjëri prej tyre nuk është partneri ynë”.
Kushner dhe Abehsera vijuan të përpunonin planet dhe krijuan një sipërmarrje të quajtur Sazan Real Estate Development.
Në projekt u përfshi edhe një grup i madh investimesh nga Katari, i drejtuar nga familja Al-Khayyat. Kushner ishte njohur me familjen Al-Khayyat gjatë Kupës së Botës 2022 dhe më vonë iu drejtua atyre si partnerë, pasi familja kishte eksperiencë në zhvillimin e resorteve ishullore në Maldive dhe në vendet e Gjirit.
Grupi i zhvillimit, përmes një entiteti të quajtur Albania Land Development, i pagoi Shehut 110 milionë euro, ekuivalente me 125 milionë dollarë, për tokën e tij në prill, sipas prokurorëve në çështjen e pastrimit të parave ndaj Shehut.
Të dhënat e kompanive shqiptare tregojnë se ky entitet zotërohet nga Sazan Real Estate Development.
Në fund të prillit, grupi i mbështetur nga Kushner vendosi rrethimin e kantierit në skajet e gadishullit të mbrojtur mjedisor, duke e rrethuar me tela me gjemba.
Kur vendasit u mblodhën për të protestuar, rojet private të kontraktuara bllokuan zonën.
Njëri prej tyre goditi me grusht në fyt një banor vendas dhe më pas e tërhoqi zvarrë përgjatë plazhit, ndërsa policia ndodhej pranë dhe e shikonte situatën.
Grupi i zhvillimit dënoi publikisht veprimet, duke ia atribuar ato një kompanie sigurie të paidentifikuar.
Por videoja e incidentit u bë virale. Zemërimi u përhap dhe protestuesit nisën të mbushnin qendrën e Tiranës, duke mbajtur pankarta me imazhe të Kushnerit, flamingove dhe Trumpit.
Disa ditë më vonë, në mediat shqiptare u raportua edhe për akuzat ndaj Shehut, duke bërë që protestat të merrnin përmasa edhe më të mëdha.
Menjëherë pas kësaj, Abehsera, kryetari i Sazan Real Estate, u distancua nga kontroversa.
Në qershor, ai i tha Journal se nuk e dinte nëse kompania e tij kishte paguar Shehun për tokën.
Ai mohoi gjithashtu se kishte pasur dijeni më parë për konfliktet mbi pronësinë e tokës.
“Ne nuk pamë dhe nuk dëgjuam për asnjë konflikt”, tha ai.
Grupi aktualisht po punon për një dokument të vlerësimit mjedisor, një kusht paraprak për marrjen e miratimeve qeveritare përpara nisjes së ndërtimit.
Pavarësisht reagimit të madh publik, i cili ka përfshirë dhjetëra mijëra protestues, zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe personazhe të njohura si Dua Lipa, projekti gëzon mbështetje të fortë nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Rama e ka cilësuar projektin prej 5 miliardë dollarësh si një investim të rëndësishëm të huaj, që do të ndihmojë ekonominë.
Banorët e Zvërnecit kanë frikë se do të përballen sërish me humbjen e tokave të tyre.
“E vetmja gjë që dua tani është të ma kthejnë tokën time”, tha Kostaq Konomi, kryetari i fshatit Zvërnec.
Kryetari i fshatit, Kostaq Konomi, pretendon se është një nga pronarët e tokës ku është planifikuar ndërtimi i resortit luksoz./Dosja.al
Foto ilustruse KRUJA- Ministria e Mbrojtes ka bërë me dije se zjarri në Krujë që prej orës 06:00 të mëngjesit,...
Pamje KRUJË- Një zjarr i madh përfshiu ditën e djeshme Malin e Kujës, ku situata u përshkallëzua pasi flakët hyn&eu...
Autori TIRANA- Policia ka dalë në një njoftim zyrtar pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi ditën e djeshme në qytetin...
Kristjan Sterjo KORÇË- Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Korçës, ku një 20-vje&...
Foto ilustruse MALLASASTRA- Situata me zjarret në vend vijon të jetë problematike, ndërsa zjarret në zonën e “Mall...
Pamje GJIROKASTRA- Situata me zjarret vijon të jetë problematike, ndërsa një tjetër vatër zjarri është regjistruar ...
Pamje nga arrestimi VLORA- Policia ka arrestuar Renardo Nallbanin, i cili ishte shpallur në kërkim prej dy vitesh nën akuzë pë...
Foto ilustruse Ekonomia e Kosovës po importon mallra me ritëm gjithnjë e më të lartë. Brenda rreth pesë vjetësh e g...
Foto ilustruse Agjentët imobiliarë theksojnë se faktori kryesor që po ndikon te rritja e çmimeve të qirave është ...
Pamje KRUJA- Situata me zjarrin në Malin e Krujës është përkeqësuar, ndërsa në terren janë angazhua...