24 October 2026, 09:38
Nga I.A

Një grup cisternash ruse, që janë të sanksionuara, u ankoruan rreth 1.300 kilometra në veri të Rrethit Arktik në korrik, pasi mbetën të bllokuara dhe u detyruan të përgatiteshin për një pritje të gjatë në ujërat e ngrira në skajin verior të botës. Ndihma nga dy akullthyese, që funksionojnë me energji bërthamore, ishte disa ditë lundrim larg.
Anijet kishin mbetur të bllokuara në Ngushticën e Vilkitskit, një pikë e ngushtë detare që është 55 kilometra e gjerë dhe që gjendet midis bregdetit të Siberisë veriore dhe ishullit Bolshevik, në Rrugën Veriore Detare të Rusisë (NSR) drejt Kinës.
Kremlini ka investuar shumë në pritjet se tërheqja e akullit detar në Arktik do të hapë një rrugë që më parë ishte e pakalueshme – një rrugë që ndodhet më larg rrezes së sulmeve me dronë ukrainas dhe të mundësisë së ndërhyrjes së flotave detare evropiane kundër anijeve të flotës në hije.
Këtë vit, nëpërmjet NSR-së, eksportet ruse të naftës bruto dhe gazit të lëngshëm natyror (LNG) kanë arritur nivele rekord. Por, siç e tregon bllokimi i trafikut detar në Arktik, lundrimi nuk është gjithmonë i lehtë.
“Ky është një shembull i mirë i një prej mesazheve tona kryesore: më pak akull nuk nënkupton lundrim më të lehtë”, tha për Radion Evropa e Lirë Ksenia Vakhrusheva, drejtuese e projektit për Arktikun në organizatën mjedisore Bellona, me seli në Lituani.
“Kur akulli shkrihet, pjesë të tij shkëputen dhe pluskojnë dhe ndonjëherë ndodh që në vende të caktuara, veçanërisht nëpër ngushtica, akulli grumbullohet dhe një anije pa klasifikimin e duhur për lundrim në akull nuk mund të kalojë”, shtoi ajo.
Vakhrusheva iu referua klasifikimit që përcakton shkallën në të cilën një anije është e aftë të përballojë akullin detar. Mungesa e anijeve të këtij lloji në Rusi është një nga disa faktorët që pengojnë zhvillimin e NSR-së, pavarësisht deklaratave optimiste të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarëve të tjerë rusë për këtë rrugë.
“Rrugë e sigurt”
NSR-ja ka “rëndësi kyç në situatën e tanishme sfiduese ndërkombëtare – është një rrugë e besueshme dhe e sigurt drejt tregjeve më të mëdha të botës”, tha Putin muajin e kaluar, gjatë ceremonisë së nisjes së projektit kryesor të naftës, Vostok Oil, në Gadishullin Tajmir, në jug të Ngushticës së Vilkitskit.
Putin tha se në vitin 2025, përgjatë kësaj rruge ishin transportuar 37 milionë tonë mallra, ndonëse jo përgjatë gjithë gjatësisë së saj, dhe parashikoi se kjo shifër do të “dyfishohej” deri në vitin 2030. Në fakt, që në vitin 2019, zyrtarët e Kremlinit janë përpjekur të përmbushin objektivin e Putinit prej 80 milionë tonësh deri në vitin 2024.
Kjo është vetëm një nga mënyrat se si shifrat tregojnë një tablo më të ndërlikuar për NSR-në.
Deri në fund të muajit të kaluar, Qendra për Logjistikën e Veriut të Largët (CHNL), e financuar nga Norvegjia, raportoi se Rusia kishte transportuar rreth 2 milionë tonë ngarkesa, kryesisht naftë bruto, ose afërsisht 15 milionë fuçi, përgjatë gjithë NSR-së drejt Kinës dhe destinacioneve të tjera aziatike. Shumica e këtyre ngarkesave ishin nisur nga porti i Murmanskut, në Detin Barent.
Deri në mesin e muajit tetor, shifra u rrit në rreth 20 milionë fuçi, raportoi Reuters, duke cituar tregtarë dhe të dhëna për transportin detar. Kjo përbën një rritje prej 50 për qind krahasuar me vitin 2025. Megjithatë, në të njëjtën kohë, kjo sasi përfaqëson vetëm rreth 1 për qind të eksporteve të përgjithshme të naftës ruse që transportohet përmes rrugëve detare.
“Pa dyshim, atje ka një rritje të ndjeshme të aktivitetit. Megjithatë, ajo nis nga një nivel relativisht i ulët”, tha për Radion Evropa e Lirë Tomas Alexa, analist në kompaninë e konsulencës për sigurinë detare Ambrey.
“Mesazhi i drejtohet kryesisht audiencës së brendshme, por edhe Indisë dhe Kinës. Rusia po përpiqet të riafirmojë veten si një partnere e besueshme, e aftë të sigurojë sasitë e dakorduara ose të parashikuara”.
Alexa shtoi se, ndonëse Rusia ka vënë në shërbim një numër anijesh të reja të afta të lundrojnë në Arktik, aftësia e saj për t’i ndërtuar dhe mirëmbajtur këto anije, si dhe infrastrukturën tjetër në rajon, është penguar në mënyrë të konsiderueshme nga sanksionet perëndimore.
“Pjesët e këmbimit dhe materialet e ndërtimit shpesh duhet të sigurohen përmes palëve të treta për të shmangur regjimet e sanksioneve, sepse ato mund të bliheshin vetëm nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Koreja e Jugut ose Evropa”, tha ai. Ai shtoi se mirëmbajtja dhe riparimet më parë kryheshin nga kompani norvegjeze, daneze dhe holandeze, të cilat tani nuk janë më të gatshme t’i ofrojnë këto shërbime.
Një front i ri
Ndonëse pjesa dërrmuese e transportit përgjatë kësaj rruge përbëhet nga eksportet ruse të energjisë, edhe vende të tjera po nisin të provojnë të lundrojnë nëpër këto ujëra të ftohta.
Më 22 tetor, Qeveria e Koresë së Jugut njoftoi se anija e parë kontejner e vendit kishte përdorur këtë rrugë. Ajo e vlerësoi si një rrugë më të shkurtër drejt Evropës, por vuri në pah edhe kushtet e vështira, përfshirë masat e mëdha të akullit lundrues në ngushticat e Beringut dhe të Vilkitskit.
Këtë vit, Kina, për herë të parë, nisi një shërbim të rregullt transporti me anije kontejnerë drejt Evropës përgjatë NSR-së, duke realizuar disa udhëtime.
Catherine Sendak, drejtuese e programit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Transatlantike në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), tha se ka pikëpyetje të mëdha lidhur me mënyrën se si Rusia do ta menaxhojë këtë rrugë.
“Rusia e konsideron Arktikun, pjesën më të madhe të tij, si territor të vetin dhe mendon se… kjo është një rrugë e brendshme ujore”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Ka pasur diskutime për tarifat e kalimit… dhe për atë që autoritetet ruse do t’u ofronin anijeve tregtare që kalojnë nëpër këtë rrugë”, u shpreh ajo.
“Nuk mendoj se për momentin ka përgjigje të qarta për këto çështje. Do të më interesonte të shihja nëse pas një viti Rusia ende do të mendojë se përdorimi i kësaj rruge është në interesin e saj më të mirë, por ndoshta pa e hapur atë aq shumë për aktorët e tjerë”.
Një raport i CEPA-s i publikuar në shtator tha se “Rusia po e shndërron Arktikun në një fortesë”. Zyrtarët në Uashington, Bruksel dhe vende të tjera kanë përdorur gjuhë të ngjashme.
“Me rritjen e pranisë dhe ambicieve të Rusisë dhe Kinës, Arktiku është shndërruar në një vijë të frontit të konkurrencës globale për pushtet”, tha shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, më 21 tetor, teksa prezantoi një strategji të re të BE-së për Arktikun. “Qasja në rrugët detare të Arktikut dhe në burimet natyrore është me interes strategjik për BE-në”.
NATO-ja nisi në shkurt misionin e ri Roja e Arktikut, me qëllim shtimin e pranisë së saj në rajon. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan për planet për të zgjeruar praninë e tyre ushtarake në Grenlandë, si pjesë e një marrëveshjeje që synon po ashtu kapërcimin e një përplasjeje të ashpër brenda aleancës, të nxitur nga thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, që ishulli të vihet nën sovranitetin e SHBA-së.
Krahas shqetësimeve të sigurisë, organizata si Bellona vazhdojnë të tërheqin vëmendjen ndaj rreziqeve mjedisore që vijnë nga rritja e transportit detar në rajon, veçanërisht nga cisternat e vjetra dhe të mirëmbajtura keq të flotës në hije, si disa prej atyre që mbetën të bllokuara në Ngushticën e Vilkitskit.
Vetëm njëra prej tyre arriti të kalonte. Anijet e tjera në fund gjetën një rrugë alternative, pasi pritën deri në dy javë për akullthyeset, por sërish nuk arritën të lundronin përmes ngushticës.
“Një rrjedhje nafte në mjedisin e Arktikut është më e rrezikshme për natyrën sesa në pjesët e tjera të botës, sepse degradimi natyror i naftës në temperatura të ulëta është shumë më i ngadaltë sesa në rajonet më të ngrohta. Për më tepër, nafta mund të përhapet edhe mbi akull, gjë që mund t’i përshpejtojë efektet e ndryshimeve klimatike”, tha Vakhrusheva.
“Rusia nuk publikon asnjë informacion për incidentet ose aksidentet përgjatë Rrugës Veriore Detare, ndërsa zona është aq e madhe dhe e largët, saqë nuk ka organizata të pavarura apo aktivistë që mund të raportojnë për ndonjë ngjarje”, paralajmëroi ajo./REL
Bota
24 October 2026, 09:02
Peter Zoehrer
Në një takim të kohëve të fundit, të publikuar gjerësisht në Moskë, Steve Witkoff bëri pohimin e jashtëz...
Bota
23 October 2026, 22:20
G.M
Universiteti Cornell në SHBA
SHBA- Një studente e Universitetit Cornell në SHBA, e cila pretendon se është droguar dhe pë...
Bota
23 October 2026, 22:12
G.M
The Telegraph
GJERMANI- Grupi mediatik gjerman Axel Springer, pronari i gazetës britanike “The Telegraph”, ka paralajmërua...
Bota
23 October 2026, 21:56
G.M
Tom Barrack
SHBA- Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një sulm ushtarak ndaj Iranit që këtë fundjavë, deklaroi diplomati...
Bota
23 October 2026, 21:54
G.M
Në këto stërvije u përfshin aeroplanët francezë, Rafale (sikurse fluturaket në këtë fotografi), dhe ata Typhoon t&...
Bota
23 October 2026, 21:38
E.d
Elon Musk
SHBA- Elon Musk raportohet se ka investuar rreth 1 miliard dollarë në Skydance, grupin e ri mediatik të drejtuar nga David Ellison, p...
Bota
23 October 2026, 21:13
E.d
Hunter Biden
SHBA- Dy ish-zyrtarë të FBI-së, të specializuar në hetimin e ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje, janë...
Bota
23 October 2026, 21:03
G.M
pamje
JORDANI- Pamje tronditëse kanë regjistruar momentet e sulmit të armatosur në një kishë ortodokse greke në fshatin Ham...
Bota
23 October 2026, 19:56
G.M
pamje
BELGJIKA- Stuhia Austen ka përfshirë Belgjikën me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, duke shkaktuar dëme mate...
Bota
23 October 2026, 19:39
G.M
KILI- Një debat i fortë politik ka shpërthyer në Kili pas vendimit për uljen e dënimeve të të paktën 56 personave ...