19 May 2026, 17:06
Nga Endi Tufa

Kur Mario Kempes erdhi në Lushnjë, nuk kërkoi as pasaportë, as leje banimi. Erdhi, pa, dhe u largua me avionin e fundit. Sylvinho, Zabaleta dhe Doriva, nga ana tjetër, bënë të kundërtën: erdhën, fituan dhe u bënë lushnjarë.
Ishte dhjetori i vitit 1996 kur Lushnja bëri bujë në botë. Jo për naftën, jo për bujqësinë dhe as sepse dikush kishte gjetur thesar nën rrugicat e saj. Por, sepse njëri nga golashënuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit, Mario Kempes, kampioni i Botërorit të vitit 1978, zbriti në stadiumin “Roza Haxhiu” si një spektakël surreal mes dimrit ballkanik. Presidenti i klubit, Rrapush Xhaferri, pronar i një firme piramidale, financier i guximshëm dhe ish-volejbollist, kishte nxjerrë nga kasaforta e firmës 350 mijë dollarë për të blerë shërbimet e një legjende të futbollit botëror.
Kempes erdhi. Fitoi dy ndeshje. Dhe u largua natën, fshehurazi, nëpër rrugë dytësore e me avionin e fundit drejt Romës, duke e përmbledhur përvojën e tij me fjalët: “Ishim në dorë të Zotit.”
Pa pasaportë shqiptare. Pa certifikatë banimi në lagjen “Çlirimi”. Pa asnjë dokument të vulosur nga Bashkia e Lushnjës. Kempes ishte një vizitor i vërtetë: erdhi, punoi dhe iku pa lënë asnjë gjurmë administrative.
Kaluan rreth tridhjetë vjet. Lushnja u qetësua. Piramidat u shembën, por qyteti mbijetoi. Dhe më pas, si një dhuratë nga qielli, u lajmërua se tre latino-amerikanë “kishin zgjedhur” Lushnjën si qytetin e tyre të zemrës.
Sylvinho, i lindur në São Paulo, i formuar në Barcelonë dhe me familjen në Porto të Portugalisë, u bë banor zyrtar i lagjes “Çlirimi”. Zabaleta, ish-ylli i Manchester City-t dhe argjentinas i kulluar, u bë po ashtu lushnjar me dokumente. Doriva, braziliani i dytë i stafit, ndoqi me përpikëri shembullin e kolegëve të tij.
Të tre u betuan në sallën e Bashkisë së Lushnjës. Të tre morën pasaportën e kuqe shqiptare. Dhe të tre…vazhduan të jetojnë e të punojnë në Tiranë, ashtu siç kishin bërë gjithmonë. Lushnja kishte fituar tre qytetarë të rinj, të cilët stadiumin “Roza Haxhiu” nuk e kishin parë kurrë nga brenda.
Dallimi mes Kempes dhe treshes sonë trajneriale është një hendek i thellë i qytetërimit administrativ.
Kempes erdhi me paratë e piramidës dhe u largua pa lënë asnjë letër. Sylvinho, Zabaleta dhe Doriva erdhën me paratë të deklaruar me një faturë stafi rreth 1 milion euro në vit, e bashkëfinancuar drejtpërdrejt nga qeveria dhe u larguan duke lënë pas tre karta identiteti, tre dosje në gjendjen civile dhe, ndoshta, tre numra telefoni të zyrtarit të bashkisë që i ndihmoi me procedurat. Progresi, fundja, është i dukshëm.
Sot, më 19 maj 2026, FSHF mbajti një konferencë për shtyp. Presidenti Duka deklaroi me zë të dridhur se “mbyllëm një cikël”. Sylvinho foli plot emocione: “Tani e njoh shumë mirë Shqipërinë dhe Tiranën.” Tiranën, jo Lushnjën, vini re, por ky është një detaj i vogël periferik që nuk duhet të turbullojë ndjenjat kombëtare. Dhe kur një gazetar imagjinar do të pyeste nëse Sylvinho do të vizitonte ndonjëherë lagjen “Çlirimi”, ku dhe figuron si banor i rregullt, burimet e afërta me stafin mund të kishin deklaruar me lehtësi se “nuk është planifikuar asnjë vizitë e tillë”.
Ndërkaq, Lushnja vazhdon rrugën e saj. Ka humbur tre taksapagues të rinj (sepse kur lë Shqipërinë, zhbëhet edhe dokumentat e gjendjes civile). Megjithatë, ka fituar një vend të nderuar në historinë kurioze të futbollit shqiptar: i vetmi qytet në Ballkan që ka strehuar administrativisht si kampionin e Botërorit 1978, ashtu edhe stafin teknik që çoi Shqipërinë në Europianin 2024.
Mario Kempes erdhi me piramidë dhe iku me avionin e e parë që i doli përpara. Sylvinho erdhi me buxhet të dekaruar dhe iku me konferencë shtypi. Të dyja palët lanë pas kujtime të bukura.
Lushnja, qyteti që nuk i zgjedh banorët e vet, por banorët e zgjedhin atë. Të paktën, në letër.
Editorial
18 May 2026, 14:10
Agim Nesho
Agim Nesho
Ne nuk e kishim besuar asnjëherë që Europa kishte nevojë për Talibanizmin perëndimor, për të mbijetuar n...
Editorial
12 May 2026, 15:30
Agim Nesho
Për kombin tonë, integrimi europian është më shumë se pranimi në familjen europiane. Ky është momenti historik ku...
Editorial
7 May 2026, 13:58
Endri Xhafo
Endri Xhafo
Pashë sot avokatin e të pandehurit Erion Veliaj, Plarent Ndrecën, që "qahej" në një konferencë për shty...
Editorial
25 April 2026, 14:38
Agim Nesho
Agim Nesho
Integrimi i Edi Ramës në Bashkimin Europian duhet të jetë një nga pikësynimet kryesore të BE-së. Gabimis...
Editorial
23 April 2026, 14:04
Ermal Mulosmani
Ermal Mulosmani
Qëllimi më i qartë i çdo opozite në botë është gjetja e mënyrës për të shkuar...
Editorial
18 April 2026, 08:30
Dorian Sadiku*
Është e vështirë të flasësh për sektorin farmaceutik sot pa pasur ndjesinë se po përsërit të njëjt...
Editorial
15 April 2026, 13:11
Klaudia Meta
Ngjarja e ndodhur së fundmi në Tiranë përfaqëson një tjetër shembull të një tragjedie të paralajmëruar....
Editorial
14 April 2026, 17:25
Agim Nesho
Agim Nesho
Një shtet serioz, që ka vizion për të ardhmen e tij, sigurisht pjesën e bashkëpunimit me Diasporën duhet ta k...
Editorial
13 April 2026, 21:57
Enver Robelli
Një ditë pasi fitoi zgjedhjet, kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Peter Moxhar, arriti që me një fjali ta nervozojë presi...
Editorial
9 April 2026, 10:21
Gjergj Erebara
Edi Rama
Kryeministri Edi Rama, në përpjekjen e tij për të bërë fushatë zgjedhore pa zgjedhje si dhe me shpresën se...