Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit
2...
Politike
Protestat kërkojnë largimin e tij, Rama me drejtuesit sistemit bankar: Nuk janë duart e studentëve, por të duarve të huaja(VIDEO)
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, Rama ka akuzuar elementë të brendshëm dhe të jashtëm për organizimin e protestave të dhunshme në Shqipëri, duke pretenduar se synimi i tyre është destabilizimi i vendit.
21 October 2026, 11:56Nga I.A
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vijuar duke gjetur shkakun e protestave të studentëve kundër qeverisë së tij te element të jashtëm. Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, Rama ka akuzuar elementë të brendshëm dhe të jashtëm për organizimin e protestave të dhunshme në Shqipëri, duke pretenduar se synimi i tyre është destabilizimi i vendit.
Kryeministri përmendi lëvizjen Antifa, elementë kriminalë, krimin e organizuar dhe aktorë politikë, të cilët sipas tij synojnë destabilizimin e Shqipërisë. Rama theksoi se protestat kanë shkaktuar pasiguri te qytetarët dhe kanë paralizuar kryeqytetin dhe se situata mund të kishte përshkallëzuar më tej.
Edi Rama: Shumë faleminderit guvernator! Shumë faleminderit të gjithëve ju që jeni këtu të pranishëm. Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju pas një histerie dhune që krijoi një trysni shumë të madhe mbi njerëzit e mbi të gjitha që mori peng Tiranën duke krijuar në të njëjtën kohë edhe idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte përpara me flakë dhe me gurë gjithë Shqipërinë.
Natyrisht që për ne nuk ka asnjë dyshim. Kjo është një dhunë e orkestruar. Është një dhunë e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm. Është një dhunë e lidhur edhe me çka ndodh në qytete të tjera, në kryeqytete të tjera të Europës, përmes një lëvizje anarkiste neo-komuniste e cila quhet Antifa dhe njëkohësisht edhe pjesësh të tjera të radikalizuara të rinisë, por ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës. Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin, bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës apo si në kohën e pasluftës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe ana tjetër është komponenti i kriminalitetit.
Kriminaliteti i vogël i lagjeve dhe i periferive që mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar, por njëkohësisht edhe të subjekteve të tjera politike. Dhe të gjitha këto së bashku pastaj kanë një mbështetje të jashtëzakonshme, të provuar dhe që provohet dita ditës nga forca të huaja të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe të interesuara për të destabilizuar edhe Europën në tërësi.
Natyrisht që këta elementë të bashkuar në një front të vetëm nuk janë studentët, nuk janë pjesa e shoqërisë që ka të gjitha arsyet e veta legjitime për të shprehur pakënaqësi, për të protestuar, për të kërkuar ndryshim, për të kërkuar shumëçka tjetër.
Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës. Fatkeqësisht ka njerëz gjithmonë e më pak për hir të vërtetës, po sidoqoftë ka njerëz si rasti i kinse pedagogëve të universitetit, një pjesë shumë e vogël e pedagogëve në tërësi, së bashku me të tjerë të përzier aty që i bëjnë jehonë, i japin mbështetje dhe që nuk bëjnë asgjë për të distancuar nga dhuna, gjë që pastaj e merr të plotë jehonën edhe në ekrane ku për fat të keq himnizohet dhuna dhe sulmohet në bllok shteti përmes sulmeve me policinë.
E bëj këtë panoramë sepse është shumë e rëndësishme të kuptohet që çfarë po ndodh nuk ka asnjë lidhje me fantazmat e të kaluarës, nuk ka asnjë lidhje me mos o Zot 97-ën, nuk ka asnjë lidhje me ato momente dramatike kur gjëja që e mishëron djersën dhe mundin e njerëzve, paraja u vu nën presionin e tmerrshëm të rrënojave dhe të pasojave të mashtrimit.
Sot është krejt tjetër. Sot jetojmë në një botë paralele njerëzish të cilët duan të na imponojnë me gurë, duan të na imponojnë me zjarr, duan të na imponojnë me kërcënime, me sharje, me trysni të gjithanshme atë botën e tyre në një perimetër të qendrës së Tiranës që është kthyer si në një skenë të një filmi horror ku shfaqen njerëz me kapuç të maskuar edhe përballen me Policinë e Shtetit dhe ku Policia e Shtetit bën natyrisht punën dhe rezistencën e vetë.
Në ndërkohë që, jashtë këtij perimetri patjetër që ka një Shqipëri e cila ka halle, e cila ka probleme, e cila ka nevoja dhe e cila kërkon me të drejtë që shumëçka të shkojë më mirë, por të gjitha këto duhet të vlejnë si një panoramë për të pasur një durim të madh edhe një qetësi maksimale në të gjitha institucionet dhe pa diskutim edhe në këtë institucion këtu dhe në institucionet e rrjetit të bankave të cilat janë gardiane dhe garante të kursimeve dhe të investimeve të shqiptarëve./Dosja.al