25 October 2026, 13:00
Nga DOSJA
Stanley Matthews, fituesi i parë i Topit të Artë
ANGLI - “Do të largohem nga shtëpia sapo të mbush 18 vjeç, për t’u bërë futbollist.” Kjo ishte përgjigjja e Stanley Matthews kur babai i tij, Jack, këmbëngulte që ai të ndiqte rrugën e boksit. Ish-boksieri i peshave të lehta dëshironte që djali i vogël të vazhdonte traditën familjare, por Stanley kishte një tjetër pasion: futbollin.
Për një kohë të gjatë, Jack nuk pranoi të hiqte dorë nga ideja e tij. Ai e stërviste të birin në boks, pavarësisht dëshirës së tij për t’u marrë me topin. Situata ndryshoi vetëm kur Ada, nëna e Stanley-t, ndërhyri dhe kërkoi që djali të lejohej të ndiqte ëndrrën e vet. Në fund, edhe babai u bind, duke pranuar se dëshira për ta parë të birin të arrinte më larg se ai vetë kishte ndikuar në këmbënguljen e tij.
Kushti i Jack ishte që Stanley të përfaqësonte Anglinë. Ai nuk e dinte se djali i tij kishte tërhequr tashmë vëmendjen e vëzhguesve të futbollit. Matthews u përzgjodh për ekipin e të rinjve të Anglisë dhe, në moshën 15-vjeçare, nisi rrugëtimin drejt futbollit profesionist te Stoke City, fillimisht si punonjës i klubit.
Talenti i tij nuk vonoi të binte në sy. Më 29 shtator 1934, në moshën 19 vjeç e 240 ditë, ai debutoi me kombëtaren e Anglisë në fitoren 4-0 ndaj Uellsit, në Cardiff, duke shënuar edhe golin e fundit të takimit. Ishte fillimi i një karriere që do ta kthente në një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit anglez.
Lufta, vështirësitë dhe rikthimi i madh
Lufta e Dytë Botërore ndërpreu karrierën e tij në kulmin e zhvillimit. Matthews shërbeu në Forcat Ajrore Mbretërore, ku u angazhua edhe me ekipin e futbollit të RAF-it. Ndërkohë, vdekja e të atit, dëmtimet dhe mosmarrëveshjet me Stoke City-n e shtynë drejt një kapitulli të ri.
Në vitin 1947, ai u transferua te Blackpool për 11.500 paund. Shumëkush mendonte se karriera e tij po i afrohej fundit, por Matthews kishte ende shumë për të dhënë. Trajneri Joe Smith besonte te aftësitë e tij edhe kur lojtari kishte kaluar të tridhjetat dhe i dha mundësinë të vazhdonte të shkruante historinë.
Momenti më i madh me klubin erdhi më 2 maj 1953, në finalen e Kupës së Anglisë kundër Bolton Wanderers. Blackpool fitoi 4-3 në një ndeshje dramatike, ku Stan Mortensen shënoi tre gola dhe Bill Perry realizoi golin vendimtar në minutat e fundit. Matthews, me fanellën numër 7 në krahun e djathtë, ishte një nga protagonistët e triumfit që i dha klubit trofeun e tij të vetëm madhor.
Për të, ajo fitore kishte edhe një domethënie personale: ishte trofeu që i kishte premtuar të atit.
I pari në historinë e Topit të Artë
Në vitin 1956, Stanley Matthews fitoi edicionin e parë të Topit të Artë, çmimin e krijuar nga revista franceze France Football. Ai u bë kështu futbollisti i parë që e mori këtë vlerësim, duke hyrë përgjithmonë në historinë e sportit.
Një nga veçantitë e historisë së tij është se Matthews mbetet fituesi i vetëm i Topit të Artë që, në kohën e çmimit, përfaqësonte një klub që nuk e ka fituar kurrë titullin e kampionit të ligës në vendin e tij. Blackpool nuk u shpall asnjëherë kampion i Anglisë, por me Matthews në përbërje arriti një nga sukseset më të paharrueshme të historisë së vet.
Ai përfaqësoi Anglinë në Kupat e Botës të viteve 1950 dhe 1954, përpara se të rikthehej te Stoke City në vitin 1961. Më 1 janar 1965, Mbretëresha Elizabeth II e dekoroi me titullin kalorës, duke u bërë futbollisti i parë që mori këtë nderim.
Matthews, pas marrjes së Urdhrit të Perandorisë Britanike
Matthews ndërroi jetë më 23 shkurt 2000, në moshën 85-vjeçare. Në funeralin e tij, të zhvilluar në Stoke, morën pjesë figura të mëdha të futbollit anglez, mes tyre Bobby Charlton, Jack Charlton, Gordon Banks, Nat Lofthouse dhe Tom Finney.
Hiri i tij u vendos nën rrethin qendror të stadiumit të Stoke City-t, të cilin ai e kishte inauguruar zyrtarisht në vitin 1997. Një simbolikë që e lidh përgjithmonë legjendën me vendin ku nisi rrugëtimi i tij.
Djali që dikur kërcënonte të largohej nga shtëpia për të ndjekur ëndrrën e vet u bë një nga pionierët e futbollit modern dhe emri i parë në historinë e Topit të Artë. Stanley Matthews nuk fitoi shumë trofe të mëdhenj, por la pas një trashëgimi që nuk matet vetëm me kupa: ai u bë simbol i talentit, këmbënguljes dhe dashurisë së pakushtëzuar për futbollin.
Stanley Matthews, në ndeshjen e tij të lamtumirës, me Ferenc Puskas dhe Alfredo di Stefano
B.T (Dosja.al)
Sport
25 October 2026, 12:30
SPANJE - Inés García ka rrëfyer anën më pak të bukur të famës që ka përjetuar muajt e fundit, pas li...
Sport
25 October 2026, 12:00
Neymar Jr, një mbrëmje në vitin 2017, kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve
BRAZIL - Neymar nuk i ka harruar vitet e t...
Sport
25 October 2026, 11:30
ANGLI - Rayan Cherki është një futbollist që mund të vendosë fatin e një ndeshjeje me një veprim të vetëm, por...
Sport
25 October 2026, 11:00
SPANJE - El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit nuk është thjesht një përballje për tri pikë. Përtej rivalite...
Sport
25 October 2026, 10:30
SPANJE - Hansi Flick nuk ka ndërmend të përfshihet në lojën e deklaratave përpara El Clasicos. Në prag të përballje...
Sport
25 October 2026, 10:00
SPANJE - José Mourinho e di më mirë se kushdo se çfarë do të thotë El Clasico. Përpara përballjes mes Barcelon...
Sport
25 October 2026, 09:45
ANGLI - Arsenali ka përfituar nga hapi fals i Manchester City-t për t’u barazuar me të në krye të Premier League. Skuadra londin...
Sport
25 October 2026, 09:30
GJERMANI - Momenti magjik i Niklas Fullkrug vazhdon. Ish-sulmuesi i Milanit, tani te Werder Bremen, nuk është ndalur që kur u kthye në...
Sport
25 October 2026, 09:25
Maximilian Beier shënoi golin e tij të dytë në Bundesligë për këtë sezon, me asist nga Jobe Bellingham
GJERMANI -...
Sport
25 October 2026, 09:00
ANGLI - Kura spanjolle e dëshiruar nga Roberto De Zerbi po fillon të japë fryte të çmuara dhe të prekshme për Tottenh...