Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit
2...
Aktualitet
Ekspozon koleksionin e orëve luksoze me vlerë 500 mijë paund/ Shqiptari i dënuar dhe deportuar dy herë sfidon autoritetet britanike, rrezikon dëbimin për herë të tretë
Dorian Puka, 29 vjeç, po përballet me një tjetër procedurë dëbimi nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa në rrjetet sociale ka ekspozuar një koleksion orësh luksoze, vlera e të cilave vlerësohet në afro 500 mijë paund.
7 November 2026, 15:56Nga E.d
Dorian Puka
ANGLI- Një shtetas shqiptar, i dënuar dy herë për vjedhje në Britaninë e Madhe dhe i deportuar po aq herë, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave britanike. Dorian Puka, 29 vjeç, po përballet me një tjetër procedurë dëbimi nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa në rrjetet sociale ka ekspozuar një koleksion orësh luksoze, vlera e të cilave vlerësohet në afro 500 mijë paund.
Në një artikull të publikuar, gazeta britanike “The Telegraph” shkruan se shqiptari ka publikuar në Instagram fotografi me ora të markave prestigjioze, makina luksoze dhe ambiente të shtrenjta. Kjo duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e të ardhurave të tij, ndërsa qëndron në Britani pavarësisht statusit të tij të emigracionit.
Një prej fotografive të publikuara tregon një Rolex Cosmograph Daytona “Le Mans”, prej ari 18 karatësh, me vlerë të përllogaritur rreth 145 mijë paund. Në një tjetër postim, Puka shfaqet me tre ora Rolex Day-Date 36, gjithashtu prej ari 18 karatësh, me vlera që variojnë nga 33 mijë deri në 45 mijë paund secila.
Koleksioni përfshin edhe dy ora Patek Philippe Aquanaut, me vlerë të përllogaritur nga 65 mijë deri në 80 mijë paund secila. Në një prej postimeve të tij, shqiptari ka shoqëruar fotografinë e një ore Rolex me mbishkrimin: “Dikur isha i varfër, të kujtohet?”.
Sipas “The Telegraph”, Puka është dënuar dy herë me burg për vjedhje dhe është deportuar nga Britania e Madhe, por ka arritur të rikthehet sërish në vend. Në vitin 2016, ai u dënua me nëntë muaj burg pasi tentoi të hynte në një banesë për të kryer vjedhje. Pronari i shtëpisë, i cili ndodhej me pushime në Francë, e kishte pikasur përmes një kamere sigurie. Një vit më pas, shqiptari u deportua.
Megjithatë, brenda një viti ai arriti të rikthehej në Britani, ku kreu një seri vjedhjesh në Londër. Më vonë u arrestua nga efektivë civilë të policisë në zonën e Surbitonit, në jugperëndim të Londrës. Në momentin e arrestimit, sipas medias britanike, ai mbante një orë luksoze të vjedhur.
Për këto vepra, Puka u dënua me tre vite e gjashtë muaj burg dhe u deportua në mars të vitit 2020. Edhe pas këtij dëbimi, ai arriti të rikthehej sërish në Mbretërinë e Bashkuar.
Pse nuk është deportuar ende?
Aktualisht, shqiptari po përballet me procedurën e tretë të deportimit. Sipas gazetës britanike, Ministria e Brendshme ka fituar një shkallë të parë të procesit gjyqësor të emigracionit, duke marrë vendimin për largimin e tij pas refuzimit të kërkesës për azil.
Megjithatë, autoritetet britanike nuk mund ta deportojnë deri në përfundimin e shqyrtimit të apelimit të tij në një gjykatë më të lartë të emigracionit. Rasti ka sjellë edhe reagime politike. Chris Philp, sekretari në hije për Çështjet e Brendshme, ka kërkuar deportimin e menjëhershëm të shqiptarit, duke kritikuar mënyrën se si të dënuarit e huaj përdorin procedurat ligjore për të kundërshtuar dëbimin.
Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se bëhet fjalë për një shtetas të huaj me precedentë penalë dhe se autoritetet po bëjnë gjithçka për ta larguar nga vendi, por nuk mund të japin komente të mëtejshme për shkak të procedurave ligjore në vazhdim./Dosja.al