Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit
2...
Bota
Fundi i një epoke për anijen legjendare oqeanike SS United States, fundoset në brigjet e Floridës (VIDEO)
Procesi i fundosjes u realizua përmes lejimit të kontrolluar të ujit në brendësi të anijes, pa përdorimin e eksplozivëve, dhe zgjati disa orë.
12 November 2026, 09:49Nga G.M
pamje
SHBA- Anija historike SS United States, dikur një nga mjetet më të famshme dhe më të shpejta të pasagjerëve në botë, është fundosur qëllimisht në brigjet e Floridës, për t'u shndërruar në shkëmb artificial dhe për të krijuar një habitat të ri për jetën detare. Operacioni u zhvillua të mërkurën, më 11 nëntor, në Gjirin e Meksikës, në jugperëndim të Destin. Procesi i fundosjes u realizua përmes lejimit të kontrolluar të ujit në brendësi të anijes, pa përdorimin e eksplozivëve, dhe zgjati disa orë.
SS United States ka një histori të rëndësishme në lundrimin ndërkombëtar. Ajo nisi udhëtimin e saj të parë në vitin 1952, kur theu rekordin e shpejtësisë për kalimin e Oqeanit Atlantik, duke u bërë simbol i teknologjisë dhe inxhinierisë detare amerikane. Për 17 vite, deri në tërheqjen nga shërbimi në vitin 1969, anija kreu qindra udhëtime transatlantike, duke transportuar mijëra pasagjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Mediat e huaja raportojnë se, në bord kanë udhëtuar personalitete të njohura të politikës, artit dhe kinematografisë, mes tyre presidentët Harry Truman, Dwight Eisenhower dhe John F. Kennedy, si dhe aktorë e artistë të famshëm si Marlon Brando, Cary Grant, Walt Disney dhe Coco Chanel. Pas daljes nga shërbimi, anija qëndroi për dekada e ankoruar në porte të ndryshme, ndërsa disa projekte për ta kthyer në muze apo hotel lundrues nuk arritën të realizoheshin.
Pavarësisht përpjekjeve për ta ruajtur si pjesë të trashëgimisë detare, u vendos që ajo të merrte një funksion të ri nën ujë. Me fundosjen e saj, SS United States pritet të bëhet shkëmbi artificial më i madh në botë, duke tërhequr organizma detarë dhe duke krijuar një destinacion të ri për zhytësit./Dosja.al