LIVE UPDATES
Ekonomi

Kostot e një pakete fiskale të hartuar me nxitim, sa goditet biznesi i vogël nga TVSH

Efekti neto i paketës së re fiskale vlerësohet në rreth 4 miliardë lekë të ardhura shtesë, apo rreth 42,3 milionë euro.

1 November 2026, 08:25 Nga G.M

Kostot e një pakete fiskale të hartuar me nxitim, sa goditet biznesi i

Në një kohë kur rritja e çmimeve dhe pakënaqësia qytetare për shtrenjtimin e kostos së jetesës janë në rritje, qeveria ka propozuar një paketë të re fiskale me 9 masa, me efekte të ndryshme në buxhetin e shtetit.

Gjashtë prej masave parashikohet të kenë efekt pozitiv në të ardhurat buxhetore, me një rritje prej 23,8 miliardë lekësh, ndërsa tri masat e tjera llogaritet të sjellin një reduktim të të ardhurave prej 19,7 miliardë lekësh. Efekti neto i paketës së re fiskale vlerësohet në rreth 4 miliardë lekë të ardhura shtesë, apo rreth 42,3 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se përmes këtyre masave synohet të zbutet efekti social i shtrenjtimit të kostos së jetesës për familjet shqiptare dhe të reduktohet informaliteti në ekonomi.

Por a do të arrijë ky kombinim masash të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve, të ruajë qëndrueshmërinë e të ardhurave buxhetore për financimin e shërbimeve dhe investimeve publike, si dhe të garantojë konkurrueshmërinë e bizneseve të mëdha, dhe të mos rrisë kostot për bizneset e vogla?

Propozimi për uljen, për herë të parë të TVSH-së për shportën ushqimore nga 20% në 6%, që pritet të zbatohet për 54 produkte, vlerësohet nga qeveria si një instrument nxitës për zbritjen e çmimeve. Sipas relacionit të projektligjit, zbatimi i kësaj mase pritet të reduktojë të ardhurat buxhetore me 12,8 miliardë lekë.

Ndërkohë, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% synon të kompensojë një pjesë të efektit negativ në të ardhurat buxhetore që vjen nga aplikimi i normës së reduktuar për produktet ushqimore. Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacionet përkatëse, kombinimi i këtyre dy masave, së bashku me rritjen e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%, pritet të ketë një efekt neto pozitiv prej rreth 1,6 miliardë lekësh në buxhet.

Sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo, kombinimi i ndryshimeve në normat e TVSH-së mund të sjellë fillimisht efekte negative për konsumatorët, përmes shtrenjtimit të mallrave që nuk përfshihen në kategorinë e produkteve ushqimore të përjashtuara nga rritja e normës standarde, si dhe të një sërë shërbimesh.

“Rritja e TVSH-së me një pikë përqindjeje, pra kalimi nga 20% në 21%, sigurisht që do të reflektohet në rritjen e çmimeve, minimalisht me 1%, sepse praktika ka treguar se, kur rriten taksat, çmimet mund të rriten në një masë më të madhe se vetë rritja e normës tatimore.

Pra, mund të rriten çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tilla si energjia elektrike, karburantet, uji, materialet e ndërtimit, veshjet etj., ndërkohë që pagat nuk rriten domosdoshmërisht në të njëjtën masë”, shprehet ai.

Ulja e TVSh-së për ushqimet, masë pozitive, por a do të ketë efekt?!

Ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore, një kërkesë e përsëritur nga prodhuesit dhe importuesit, vlerësohet si masë pozitive nga kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Megjithatë, ai thekson se ulja e tatimit nuk do të thotë se çmimet do të ulen automatikisht në të njëjtën masë. Sipas tij, ndryshimi i normës tatimore duhet të shoqërohet me një analizë të plotë të kostove të bizneseve që ndikojnë në formimin e çmimeve.

“Ulja e TVSH-së për mallrat e shportës në 6% është një masë në drejtimin e duhur dhe mund e duhet të ishte ndërmarrë edhe më parë. Në fakt, më shumë sesa bizneset, këtë kërkesë e kanë bërë qytetarët dhe forcat politike.

Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera, por edhe e Shqipërisë, si dhe studimet e kryera nga studiues vendas dhe të huaj, kanë evidentuar se ulja e normave të taksave indirekte, siç është TVSH-ja, nuk reflektohet në uljen e çmimeve në të njëjtën masë me reduktimin e normës tatimore.

Pra, nëse TVSH-ja për mallrat e shportës ulet nga 20% në 6%, kjo nuk do të thotë se çmimet e këtyre mallrave do të ulen me 14%”, argumenton z. Dhamo.

Sipas tij, ulja e çmimeve është e pritshme, por jo domosdoshmërisht në të njëjtën masë me reduktimin e TVSH-së. Kjo lidhet me disa faktorë, përfshirë mënyrën se si bizneset e reflektojnë uljen e taksës në çmime, kostot e transportit dhe energjisë, si dhe ndryshimet në taksimin e mallrave dhe shërbimeve të tjera që ndikojnë në zinxhirin e furnizimit.

“Një pjesë e bizneseve mund të përpiqen të përthithin një pjesë të kësaj uljeje në marzhin e tyre të fitimit. Ndërkohë, mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si rritja e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e tjera që lidhen me produktet e shportës. Për shembull, mund të rriten kostot e transportit dhe të energjisë.

Prandaj, në analizën e kostove që përcaktojnë çmimin ndikojnë shumë faktorë dhe jo vetëm norma e TVSH-së”, pohon ai.

Ndërsa eksperti i politikave fiskale Sajmir Laçej vlerëson pozitivisht uljen e TVSH-së për efektin rënës te çmimet e produkteve ushqimore.

“Kjo është një masë e kërkuar me të drejtë prej vitesh. Justifikimi se çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta dhe se masa mund të mos ketë ndikim nuk qëndron. Fakt janë çmimet e këtyre produkteve në vendet përreth nesh, të cilat e aplikojnë me sukses këtë skemë prej shumë kohësh”, shprehet ai.

Bizneset e vogla me TVSH, ekspertët paralajmërojnë rritje kostosh dhe çmimesh

Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik të bizneseve të vogla do të jetë ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Sipas relacionit të projektligjit, ndryshimet në skemën e TVSH-së synojnë formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe përafrimin me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe politikat e Bashkimit Europian.

Efekti i parashikuar në të ardhurat buxhetore është rreth 4,5 miliardë lekë. Bizneset që aktualisht operojnë jashtë skemës së TVSH-së, por që do të përfshihen për shkak të pragut të ri, do të duhet të përshtatin procedurat e faturimit, mbajtjes së evidencave dhe deklarimit tatimor.

Sipas ekspertëve, ndryshimet do të kërkojnë gjithashtu rishikimin e kontratave me furnitorët dhe përcaktimin e mënyrës së trajtimit të mallrave që kanë në gjendje në momentin e kalimit në skemë.

Eksperti fiskal Sajmir Laçej i konsideron kostot administrative që do të përballojnë bizneset e vogla si një lloj “takse të fshehtë”. Ai propozon që administrata tatimore të ofrojë shërbime falas për deklarimet fiskale, veçanërisht për bizneset e reja dhe ato të vogla.

“Përmbushja e detyrimeve të deklarimit është një kosto që duhet të konsiderohet si një ‘taksë e fshehtë’ që paguan biznesi për zyrat kontabël, veçanërisht bizneset që janë të detyruara të deklarojnë TVSH-në.

Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit shoqërohet me kosto, për të cilat administrata tatimore duhet të ofrojë shërbime pa pagesë”, argumenton z. Laçej.

Edhe për disa ekspertë të ekonomisë dhe anëtarë të Këshillit Tatimor, ky ndryshim mund të krijojë vështirësi për bizneset e vogla dhe të ndikojë në planet e tyre për investime. Shqetësimi lidhet veçanërisht me zbatimin e menjëhershëm të masës dhe mungesën e kohës së nevojshme për përshtatje.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo paralajmëron se përfshirja e më shumë bizneseve në skemën e TVSH-së mund të sjellë kosto shtesë administrative dhe rritje çmimesh për konsumatorët. Sipas tij, në disa, rritja e çmimit mund të jetë e konsiderueshme, në varësi të mënyrës se si bizneset e përthithin ose e transferojnë te konsumatori barrën e re tatimore.

“Ulja e kufirit të TVSH-së në 5 milionë lekë do të ketë efekte për bizneset, por edhe për konsumatorët.

Bizneset që aktualisht operojnë pa TVSH, deri në kufirin prej 10 milionë lekësh, do të duhet të përfshihen në skemë, të mbajnë evidenca, të kryejnë deklarime dhe të ndryshojnë kontratat e furnizimit.

Këto detyrime sjellin kosto shtesë të vazhdueshme. Gjithashtu, bizneset do të duhet të zgjidhin mënyrën e trajtimit të mallrave që kanë aktualisht në gjendje”, shprehet z. Dhamo.

Sipas tij, përfshirja në skemën e TVSH-së mund të çojë në rritje çmimesh, pasi disa tregtarë mund të zgjedhin ta transferojnë te konsumatori një pjesë të barrës së re tatimore, në vend që ta përthithin atë përmes marzhit të fitimit.

“Një njësi e vogël tregtare që deri tani ka shitur pa TVSH mund të rrisë çmimin pas përfshirjes në skemë. Në disa raste, rritja mund të jetë deri në 20%, ndërsa në raste të tjera mund të jetë më e ulët. Kjo varet nga struktura e kostove, marzhi i fitimit dhe mënyra se si biznesi e përballon ndryshimin”, argumenton ai.

Nga ana tjetër, mund të rritet numri i bizneseve që rezultojnë me TVSH të kreditueshme. Nëse skema e rimbursimit nuk funksionon në kohë dhe nuk bëhet më efikase, kjo mund të krijojë probleme likuiditeti për bizneset e vogla. Z. Dhamo nuk parashikon që masa të çojë domosdoshmërisht në mbylljen apo falimentimin e bizneseve, por vlerëson se disa subjekte mund të përballen me vështirësi të veçanta financiare dhe administrative.

Për këtë arsye, ai rekomandon që ulja e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë të realizohet në mënyrë graduale, duke u dhënë bizneseve kohën e nevojshme për t’u përshtatur me detyrimet e reja fiskale.

“Mendoj se momenti dhe koha kur po bëhet kjo ndërhyrje nuk janë të duhurat dhe se procesi po ndiqet me nxitim. Ulja e pragut të TVSH-së duhet të realizohet me faza.

Fillimisht, pragu mund të ulet nga 10 milionë në 8 milionë lekë, me zbatim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm ose pas një periudhe përgatitore prej një viti”, argumenton z. Dhamo.

Sipas tij, zbatimi gradual do ta bënte më të lehtë administrimin e ndryshimit dhe do t’u jepte sipërmarrjeve kohën e nevojshme për t’u përgatitur.

“Kjo do të ishte më e lehtë për t’u menaxhuar, pasi numri i bizneseve që do të përfshiheshin në fazën e parë do të ishte më i vogël, ndërsa sipërmarrjeve do t’u lihej koha e nevojshme për t’u përshtatur me detyrimet e reja.

Më pas, në vitin 2029, pragu mund të ulet në 5 milionë lekë, madje mund të shqyrtohet edhe mundësia e një uljeje të mëtejshme”, shprehet ai.

Rritja e dividendit me 7% për bizneset e mëdha, a do të vendosë në pikëpyetje investimet

Paketa e re fiskale parashikonte fillimisht rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17%, por qeveria është tërhequr nga kjo masë, duke e mbajtur normën në 15%. Ndërkohë, propozohet rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, me të ardhura shtesë të parashikuara prej rreth 3 miliardë lekësh.

Me këtë ndryshim, Shqipëria do të barazohej me Serbinë, Malin e Zi dhe Hungarinë për sa i përket normës së tatimit mbi dividendin. Përfaqësues të biznesit, në mbledhjen e Këshillit Tatimor, paralajmëruan se rritja mund të ndikojë në investime dhe të nxisë zhvendosjen e kapitalit drejt vendeve me taksim më të favorshëm.

“Rritja e tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi fitimin e korporatave rrezikon ta bëjë Shqipërinë një vend me norma të larta taksimi në rajon.

Kompanitë e huaja, kur shqyrtojnë mundësitë për të investuar, analizojnë edhe nivelin e taksave. Me rritjen e këtyre normave, Shqipëria rrezikon të bëhet më pak tërheqëse për investitorët, ndërsa bizneset e vendeve të tjera të rajonit mund të fitojnë avantazh konkurrues ndaj bizneseve shqiptare.

Rritja e taksave për TVSH-në, dividendin dhe tatimin mbi fitimin rrezikon të ndikojë në çmimet e produkteve dhe ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investimet.

Këto ndryshime mund të nxisin zhvendosjen e një pjese të aktivitetit ekonomik drejt vendeve të tjera të rajonit”, paralajmëroi një përfaqësues i biznesit në mbledhjen e Këshillit Tatimor.

Efektet e ndryshimit të taksës së qarkullimit

Një tjetër masë që u prezantua papritmas ishte edhe zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve. Kjo masë parashikohet të rrisë të ardhurat e kësaj kategorie me 26,6 miliardë lekë. Të ardhurat aktuale nga taksimi i automjeteve llogariten në 7,2 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimit parashikohet të arrijnë në 33,8 miliardë lekë.

Efekti neto i kësaj mase llogaritet me rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave. Ndërsa çmimi i karburanteve llogaritet të bjerë 32,3 lekë për litër. Eksperti fiskal Sajmir Laçej vlerëson se, pavarësisht peshës së konsiderueshme që ka pasur në buxhet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet pritet të sjellë efekte pozitive për individët, turistët dhe, veçanërisht, zinxhirin e prodhimit dhe të furnizimit.

Sipas tij, kjo taksë ka ndikuar në rritjen e kostove të transportit dhe ka dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas kundrejt atyre të rajonit. Megjithatë, sipas tij, efekti përfundimtar do të varet nga mënyra se si ndryshimi reflektohet në çmimin e karburanteve dhe nga barra e re që do të krijojnë taksat vjetore të automjeteve.

Laçej: Ndryshimet fiskale të kenë një vit konsultim, bizneset kanë nevojë për parashikueshmëri

Eksperti fiskal Sajmir Laçej rekomandon që ndryshimet fiskale të mos hyjnë në fuqi menjëherë, por bizneseve t’u lihet të paktën një vit kohë për t’u përgatitur. Sipas tij, parashikueshmëria e politikave tatimore është e rëndësishme për planifikimin financiar dhe marrëdhëniet kontraktuale të sipërmarrjeve.

“Duhet të aplikohet një rregull që asnjë ndryshim të mos hyjë në fuqi pa kaluar të paktën një vit nga data e prezantimit zyrtar për konsultim publik. Në këtë mënyrë, bizneset përgatiten për rishikimin e marrëdhënieve kontraktuale”, argumenton z. Laçej.

Ai thekson se rritja e taksave duhet të shoqërohet me analiza të thelluara për të matur ndikimin real në ekonomi, përtej përllogaritjeve teorike të të ardhurave buxhetore.

“Ministria e Financave nuk mund të mjaftohet me llogaritjen matematikore të efekteve teorike të rritjes së një takse apo tatimi, por duhet të kryejë simulime të thelluara ekonometrike për të matur ndikimin real në buxhet, duke marrë parasysh edhe sjelljen e konsumatorëve dhe efektet te bizneset”, shprehet ai.

Përtej masave të propozuara në paketën fiskale, z. Laçej kërkon ndërhyrje të tjera për uljen e kostove të sipërmarrjeve, përfshirë përjashtimin nga akciza të lëndëve djegëse të përdorura në proceset teknologjike të prodhimit.

“Është një parim i parashikuar në direktivën përkatëse të Komisionit Europian, por edhe në Ligjin e Akcizës, zbatimi i të cilit është kufizuar me akte nënligjore. Nëse duam të jemi konkurrues në rajon dhe në Bashkimin Europian në të ardhmen, duhet të zbatohen rregulla të barabarta loje për prodhuesit edhe në Shqipëri”, thekson ai.

Një tjetër propozim është heqja e detyrimit për pagesën e TVSH-së në momentin e importit, për shkak të ndikimit që parapagimi ka në likuiditetin e bizneseve.

“Parapagimi i TVSH-së lehtëson shpenzimet buxhetore, por përbën një kosto për biznesin, pasi ndikon në fluksin e parasë (cash flow). Për më tepër, ndërhyrjet arbitrare të Doganës në vlerën e transaksionit mund të krijojnë kosto edhe më të larta për biznesin”, argumenton z. Laçej.

Ai kërkon gjithashtu që bizneset e vogla të kategorizohen sipas tipologjisë dhe aktivitetit, duke rishikuar kriteret e TVSH-së së zbritshme për të shmangur kostot e panevojshme, veçanërisht për bizneset që ofrojnë shërbime.

Një tjetër propozim i z. Laçej lidhet me rishikimin e tatimit mbi fitimin kapital nga shitja e banesës së parë, kur ajo përdoret për qëllime personale dhe jo tregtare.

“Taksimi i individëve që shesin shtëpinë ku kanë jetuar për disa vite, për qëllime jotregtare, është një deformim që nuk aplikohet në asnjë vend të BE-së e jo vetëm. Ky korrigjim do të çlironte tregun dhe do ta bënte të panevojshëm rivlerësimin periodik me nivel taksimi të reduktuar”, shprehet ai.

Efektet e parashikuara të masave fiskale

1.Rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% parashikohet t’i shtojë buxhetit të shtetit 3 miliardë lekë të ardhura.

2.Rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% parashikohet të shtojë 10,6 miliardë lekë të ardhura.

3.Ulja e TVSH-së për shportën ushqimore në 6% pritet të ketë efekt negativ në buxhet prej 12,8 miliardë lekësh.

4.Ulja e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore parashikohet të shtojë 4,5 miliardë lekë të ardhura.

5.Rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% parashikohet të sjellë 593 milionë lekë të ardhura shtesë.

6.Rritja e akcizës për produktet e duhanit dhe ndryshimi i taksimit për gazoilin e përzier me biodizel parashikohen të sjellin një efekt prej 4,1 miliardë lekësh në buxhet.

7.Rritja e pragut për zbatimin e normës 23% të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të ardhura bruto, parashikohet të reduktojë të ardhurat me 1,9 miliardë lekë.

8.Vendosja e një norme të tretë margjinale prej 30% për të ardhurat bruto mujore mbi 700 mijë lekë parashikohet të shtojë 700 milionë lekë të ardhura.

9.Zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve parashikohet të rrisë të ardhurat e kësaj kategorie me 26,6 miliardë lekë. Të ardhurat aktuale nga taksimi i automjeteve llogariten në 7,2 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimit parashikohet të arrijnë në 33,8 miliardë lekë. Efekti neto i kësaj mase llogaritet me rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave./Monitor.al

TVSH

Sondazh

Ekonomi 1 November 2026, 07:21 G.M

Fytyra e re e tregut të veshjeve

Shqiptarët vijojnë të mbeten të pasionuar pas modës së veshjeve dhe për blerjet e tyre ndjekin më tepër modelet mo...

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Vorë dhe Shkodër

Rama sqaron deklaratën: Mendimi im, nuk i japim leksione qeverisë maqedonase për vendimet...

Mickoski pyetet për incidentin e himnit në Pustec: Nuk e kemi ndjekur aktivitetin deri në fund...

Rama përballet me gazetarin në Qafë Thanë: Çfarë je ti, protestues?

“One Stop Shop”/ Mickoski: Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli...

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, arrestohet 40-vjeçari...

Vodhën sende me vlerë dhe 30 mijë euro në një banesë, arrestohen dy persona në Durrës

Aksident në Fier/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, mister fati i drejtuesit

Nis nga nesër “One Stop Shop” me Maqedoninë e Veriut, Rama: Kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë...

Rama mbërrin në Qafë Thanë, takim me Mickoskin, në fokus sistemi i përbashkët kufitar...

Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit ngjiten në monumentin e Skënderbeut

Tensione në protestë/ Policia hyn në lokale dhe shoqëron protestuesit me forcë

Rama: Tirana që do të fitojmë në 9 maj kërkon fuqi të madhe qeverisjeje në 10 maj

Protestuesit zhvendosen tek Kryeministria/ Policia vendos kordone në akse kryesore rrugore

"Kemi nevojë për një PS më të organizuar"/ Rama: Rruga e Durrësit sot, si një film i së shkuarës

Rama: Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin që kërkon cilësi

“Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes/Protestuesit ngrenë banderolen gjigande para Ministrisë së Arsimit

Policia “gardh” para Ministrisë së Arsimit, nuk lejon protestuesit të bllokojnë Rrugën e Durrësit

Rama nga Asambleja e PS-së: Vit pas viti do të dyfishojmë rritjen e pensioneve

Revoltat kundër qeverisë Rama, protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit

"Deri në 2030 do japim 55 mijë celësa"/ Rama: Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

"Kanë mbajtur mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet"/Rama:Jemi në borxh me pensionistët

“Poshtë diktatura”/ Studentët e presin me thirrje pasi doli nga Asambleja, Rama i përshëndet me dorë

Rama: PS do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë se është rruga nga kalon bashkimi me Europën

Rama: Me trëndafilin në dorë dhe kurajën në zemër, asgjë s’na ndal

Rama: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi

"Goditja e njerëzve në krye të detyrës nuk falet"/ Rama: Erion Veliaj je në gabim!

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca jashtë PS-së/ Rama e konfirmon nga Asambleja e Tiranës

Rama: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, s’ka vend në këtë familje politike

Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’

"Veliaj ta kuptojë se është gabim me PS-në"/ Rama: Kush ndjek këtë kuturisje do ndëshkohet

Rama: Vendimi i GJK-së për ta lënë Veliajn në detyrë është absurd

Mbërrijnë socialistët te Akademia e Arteve, kontrolle në hyrje dhe prani e shtuar e policisë

Berisha: Pas 35 vitesh, rikthehet partia-shtet,ekipet ndërkombëtare damkosën zgjedhjet e 11 majit

Peleshi u përgjigjet kritikave të Spiropalit: Në parlamentin shqiptar politika bëhet personale

Revolta studentore në Tiranë/ Qytetarët njëzërëshi: Në 28 nëntor ne do dalim

Qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, policia i ndjek nga mbrapa

Përplasje në protestën përpara Kryeministrisë, policia zhvendos protestuesit nga Bulevardi

Protesta tek Kryeministria/Qytetarët shtyhen më forcë, focat policore nuk lejojnë protestën paqësore

Debat në Komisionin e Ligjeve për aktin normativ të tubimeve/ Bylykbashi: Rama nuk i përballon...

Pas reshjeve të dendura të shiut, hapet njëra nga portat e HEC-it të Komanit

Kanosi me armë zjarri një 31-vjeçar, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohet penlisht i ati

Elementët dekorativë shkëputen nga fasada e pallatit në Durrës, bien mbi një makinë...

Ish-kandidati për Bashkinë e Himarës paraqitet në SPAK, ende pa detaje mbi arsyen e thirrjes

Arrestohet 25-vjeçari, do t'i merrte 1 mln euro një biznesmeni duke iu prezantuar si funksionar...

Përplasje tek Kryeministria/ Efektivët e policisë presin me forcë protestuesit, i shtyjnë me dhunë

Policia nuk i la të protestonin te Kryeministria, qytetarët marshojnë mes për mes makinave në rrugë

Policia i shtyn me forcë në trotuar, protestuesit thirrje: Poshtë diktatura

Greta Thunberg: Shqiptarët kanë treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës

Protestat qytetare në Tiranë/ Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Balla përplaset me Shehajn: A do ta votosh kërkesën e prokurorisë italiane...

Berisha: Rreth 1 miliard euro do jenë shpenzime operative për hajdutët e administratës...

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%, rrogat e mesme me 30%!

Berisha: Buxheti nuk është 10 miliardë euro, por 5.5 miliardë! Pensionistët marrin 1 përqind...

Drogë në berberhane, thika në servis dhe përforcues grushti në banesë, arrestohet 44-vjeçari...

Marshimi paqësor i protestuesve / Forcat e policisë i ndjekin nga pas me furgona të shumtë

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, efektivët i ndjekin nga mbrapa

"Pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani"/ Korreshi për spitalin e Lushnjes

Tensionohet situata te Kryeministria/ Policia shtyn me forcë protestuesit paqësorë

Protestuesit zhvendosen te kryeministria, policia iu bën thirrje të lirojnë bulevardin