Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit
2...
Bota
Kush është Gadi Eisenkot, ish-gjenerali izraelit që sfidon Netanyahun?/ Profili i kandidatit që premton një qasje ndryshe për Izraelin
Ai hyri në politikë rreth katër vite më parë dhe partia e tij, Yashar, mban një emër që përkthehet si “i drejtë” ose “i ndershëm”.
8 November 2026, 21:30Nga E.d
Gadi Eisenkot
IZRAEL- Gadi Eisenkot është ish-gjenerali izraelit që po shfaqet si një nga figurat kryesore të opozitës kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu. Me një profil të ndryshëm nga ai i kreut aktual të qeverisë, Eisenkot po përpiqet të fitojë besimin e votuesve duke u paraqitur si një figurë më e drejtpërdrejtë, e matur dhe larg skandaleve politike.
The Guardian shkruan se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite është përshkruar nga komentatorët si e kundërta e Netanyahut. Ndryshe nga stili i kuruar dhe komunikimi i kontrolluar i kryeministrit, Eisenkot njihet për paraqitjen e thjeshtë dhe karakterin e drejtpërdrejtë. Ai hyri në politikë rreth katër vite më parë dhe partia e tij, Yashar, mban një emër që përkthehet si “i drejtë” ose “i ndershëm”.
Nga një familje modeste në krye të ushtrisë izraelite
Eisenkot vjen nga një familje hebreje me origjinë marokene. Ndryshe nga Netanyahu, i cili vjen nga një familje akademike, ai u rrit në një mjedis të klasës punëtore dhe e nisi karrierën ushtarake si këmbësor, përpara se të ngjitej gradualisht në hierarkinë e ushtrisë dhe të merrte drejtimin e saj.
Sipas analistëve politikë izraelitë, pikërisht prejardhja e tij modeste dhe mënyra e komunikimit kanë ndikuar në perceptimin e tij si një figurë më pranë qytetarëve.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se popullariteti i tij lidhet më shumë me imazhin personal sesa me një program të qartë politik për çështjet më të rëndësishme të vendit.
Qëndrimet për Palestinën dhe vendbanimet izraelite
Pavarësisht profilit të tij si alternativë ndaj Netanyahut, Eisenkot nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë në disa prej çështjeve më të rëndësishme të konfliktit izraelito-palestinez.
Ai nuk e ka mbështetur shprehimisht zgjidhjen me dy shtete dhe ka deklaruar se aktualisht nuk sheh mundësi për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.
Edhe për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, qëndrimet e tij janë të përziera. Ai kundërshton projektin e vendbanimit E1, i cili konsiderohet pengesë e mundshme për krijimin e një shteti palestinez, por në të njëjtën kohë mbështet vazhdimin e vendbanimeve izraelite në përgjithësi.
Një nga dallimet kryesore me qeverinë aktuale lidhet me administrimin e Bregut Perëndimor. Eisenkot ka kritikuar vendimin e Netanyahut për t'i dhënë ministrit të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, kompetenca mbi këtë territor. Ai ka premtuar se, në rast se merr drejtimin e qeverisë, do ta rikthejë ushtrinë në kontrollin e kësaj përgjegjësie.
Qëndrimi për luftën në Gaza dhe përdorimin e forcës ushtarake
Eisenkot nuk konsiderohet kundërshtar i përdorimit të forcës ushtarake. Gjatë luftës së vitit 2006 në Liban, kur drejtonte komandën veriore të ushtrisë izraelite, ai ishte një nga arkitektët e doktrinës ushtarake Dahiya, e cila parashikonte përdorimin e forcës dërrmuese dhe shkatërrimin e gjerë të infrastrukturës së kundërshtarit.
Megjithatë, për luftën në Gaza ai ka shfaqur një qasje më pragmatike, duke paralajmëruar se Izraeli nuk mund të arrijë një “fitore totale” ndaj Hamasit. Ai ka kërkuar një strategji që t'u japë përparësi edhe jetëve të pengjeve izraelite që mbaheshin nga grupi palestinez.
Çështja ka edhe një dimension personal për ish-gjeneralin, pasi djali i tij, Gal Meir Eisenkot, 25 vjeç, humbi jetën në fund të vitit 2023, pasi u plagos gjatë një operacioni ushtarak në Gaza.
Eisenkot ka kritikuar gjithashtu deklaratat e Netanyahut për shndërrimin e Izraelit në një “Super-Sparta”, duke kundërshtuar idenë e një shteti gjithnjë e më të militarizuar dhe të izoluar nga fqinjët e tij.
A do të sjellë Eisenkot një ndryshim të vërtetë?
Analistët politikë mbeten skeptikë nëse ardhja e Eisenkot në pushtet do të sillte ndryshime të thella në politikën izraelite, veçanërisht në raport me palestinezët.
Sipas ekspertëve të cituar nga The Guardian, ai dhe aleatët e tij mund të synojnë kryesisht një administrim më efikas të vendit dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pa ndryshuar rrënjësisht strategjinë ndaj konfliktit palestinez.
Një qeveri e drejtuar prej tij mund të ndërmarrë masa më të forta kundër dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor dhe të përpiqet të rikthejë marrëdhëniet e Izraelit me partnerët ndërkombëtarë.
Por mbetet e paqartë se sa hapësirë politike do të kishte për reforma të mëtejshme dhe nëse një koalicion i mundshëm i drejtuar prej tij do të ishte i qëndrueshëm.
Sipas ish-diplomatit izraelit Shai Bazak, një pjesë e votuesve mund të kërkojnë pikërisht një drejtues më pak dominues pas viteve të tensioneve politike nën Netanyahun.
“Ata nuk duan më gjithë atë dramë”, është shprehur ai, duke argumentuar se votuesit mund të preferojnë një figurë që premton më shumë qetësi dhe stabilitet./Dosja.al