
VLORË- Policia ka reaguar zyrtarisht lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën “100 Vjetori”, në aksin Fier-Vlorë, ku humbi shefi i Krimeve Ermal Lula. Sipas bluve, Ermal Lula duke drejtuar një mjet tip “Toyota" ka humbur drejtimin për shkak të motit të keq dhe është përplasur me një automjet tip skrep, që drejtohej nga 63-vjeçari Thanas Poçaj.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i “Toyota”-s, oficeri i policisë Ermal Lula, ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i skrepit, Thanas Poçaj, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të tij. Paraprakisht, policia dyshon se moti i keq dhe humbja e kontrollit të automjetit kanë qenë faktorët që çuan në aksidentin tragjik.
Njoftimi i policisë
Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Thanas Poçaj, 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë. Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit./Dosja.al