
ELBASAN- Policia e Elbasanit ka konfirmuar se shkak i shpërthimit të fuqishëm në pallatin në Elbasan, që shkaktoi dy viktima, është bërë rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro. Ky i fundit u gjet i pajetë mes rrënojash pas orësh kërkime. Shpërthimi ndodhi në apartamentin e 69-vjeçarit Hamit Ibro, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shembur një pjesë të shkallëve të pallatit.
Viktima e parë e kësaj tragjedie ishte 83-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila banonte një kat mbi apartamentin ku dyshohet se ndodhi shpërthimi. E moshuara u nxor e pajetë nga ballkoni me ndihmën e shkallëve të zjarrfikësve. Ndërkohë, nën rrënoja u gjet edhe viktima e dytë, 69-vjeçari Hamit Ibro, pronari i apartamentit ku dyshohet se nisi shpërthimi.
Përveç dy viktimave, nga shpërthimi dhe zjarri kanë mbetur të plagosur edhe 10 persona të tjerë, mes tyre fëmijë. Të lënduarit janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës, të cilat punuan për shuarjen e flakëve, kërkimin e personave të bllokuar dhe evakuimin e banorëve.
Përmes shkallëve të jashtme të zjarrfikësve u bë i mundur nxjerrja e disa banorëve, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Në pallatin pesëkatësh, i ndërtuar gjatë viteve 1970-1980, jetonin rreth 15 familje. Banorët e evakuuar pritet të sistemohen përkohësisht në një konvikt aty pranë. Sipas dëshmive të banorëve, shpërthimi është ndjerë edhe në pallatet përreth, ndërsa zona u mbulua nga re të dendura tymi. Shpërthimi shkaktoi panik dhe dëme të konsiderueshme në të gjithë ndërtesën.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/ Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.
Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.
Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim./Dosja.al