7 August 2026, 16:45
Nga E.d
Deputetët e legjislaturës së re gjatë betimit
Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë vetëm edhe disa orë kohë për t’u mbledhur, të premten, në ditën e fundit të afatit 30 ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, për përfundimin e seancës konstituive të organit ligjvënës.
Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj, njohës të çështjeve juridike, ndajnë mendimin se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por japin interpretime të ndryshme për hapat që duhet ose mund të pasojnë.
Cakolli: Nga nesër, nuk mund të thirret seanca konstituive
Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta fuste Kosovën në një situatë të shkeljes së rëndë kushtetuese, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ai argumenton se afati i 7 gushtit është absolut, dhe se nuk mund të tejkalohet, pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon se cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të tij.
"Më shumë sesa zbrazëti kushtetuese, mungesa e këtij, le të themi, sanksioni, unë besoj që është fakti që nuk është supozuar kur është shkruar Kushtetuta që mund të arrijmë pikën ku Kuvendi nuk e konstituon as veten", thotë Cakolli.
Me arsyetimin se duhet kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 6 gusht kërkoi që seanca konstituive të shtyhej, dhe nuk dha emër për kryeparlamentar, duke e ndërprerë procesin e konstituimit të organit ligjvënës.
Por, nëse konstituimi nuk ndodh deri në mesnatë, Cakolli vlerëson se nuk do të ekzistojë më bazë kushtetuese që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj.
“Unë besoj që është e qartë që deputetët, pas mesnatës së sotme, nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë, e lëre më që t'i thërrasë zoti Dehari, në këtë rast, si kryesues i seancës, për shkak të moshës së tij”, thotë Cakolli.
Për të, pasojat e ngërçit nuk kufizohen vetëm te Kuvendi.
Ai argumenton se, pas betimit si deputetë, ministrat dhe zëvendësministrat deri tani në detyrë nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Për këtë arsye, ai e konsideron Qeverinë në detyrë të Kosovës “pa legalitet dhe pa legjitimitet”, duke paralajmëruar se vendimet e saj mund të jenë objekt kontestimi në gjykata.
Sipas Cakollit, zgjidhja e parë juridike, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, do të ishte inicimi i një rasti në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ai beson se, në aspektin politik, epilogu është pothuajse i pashmangshëm.
"Zgjedhjet janë të pashmangshme, thjesht mbetet të gjendet rruga drejt tyre", thotë ai.
Ai shton se vendi tashmë ka humbur kohë me krizat institucionale, dhe se një proces i ri zgjedhor do të ishte skenari më i pafavorshëm, por nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet, ai nuk sheh një rrugë tjetër kushtetuese për dalje nga ngërçi.
Jakaj: Moskonstituimi e fut Kosovën në një situatë të paprovuar kushtetuese
Ndonëse pajtohet se mosrespektimi i afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka një interpretim tjetër për hapat që duhet të ndërmerren pas mesnatës së 7 gushtit.
Jakaj thotë se, meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati, është e mundshme edhe thirrja e seancës konstitutive edhe pas 7 gushit.
“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”.
Edhe mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ai e sheh me rezervë.
Sipas Jakajt, një rast i ri nuk do të zgjidhte domosdoshmërisht krizën politike, pasi Kushtetuesja nuk ka çfarë të thotë tjetër përveç asaj që “deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të obliguar që të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe që [Kuvendi] është dashur të konstituohet brenda 30 ditëve”.
Megjithatë, edhe Jakaj paralajmëron pasoja serioze nëse bllokada vazhdon.
Ai e lidh ngërçin aktual me afatin për zgjedhjen e presidentit, duke kujtuar se ushtrimi i detyrës së presidentit nuk mund të zgjasë më tepër së 6 muaj, përkatësisht deri në fillim të tetorit.
Kryetarja e legjislaturës së 10-të, Albulena Haxhiu, e betuar më 6 gusht si deputete e legjislaturës së 11-të, është ushtruese e detyrës së Presidentes që nga prilli 2026, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit të Kosovës.
"Ne do të hyjmë në një situatë të cilën nuk e kemi shkelur asnjëherë... kjo do të prodhojë pasoja të cilat ne nuk i kemi parë më herët, dhe të cilat në rendin demokratik lirisht mund të quhen rrënim i demokracisë", thotë Jakaj.
Sipas tij, nëse deri në përfundimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit nuk zgjidhen institucionet e reja, Kosova mund të mbetet pa autoritetin që do të mund të shpallte zgjedhjet ose t'ia besonte mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit për kryeministër.
Për këtë arsye, ai vlerëson se partitë politike duhet të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje që do t'i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të shmangte, siç e quan ai, një "anarki institucionale".
Përveç Cakollit dhe Jakajt, edhe pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë kanë bërë thirrje që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet brenda afatit kushtetues.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një reagim publik, tha "se interesat partiake kanë tejkaluar interesin publik duke bllokuar funksionimin e institucioneve dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve".
"Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional", tha GLPS në reagimin e tij./REL
kuvendi i kosovës gjykata kushtetuese analiza
Politike
7 August 2026, 16:35
E.d
Julinda Emiri
TIRANA- Kryetare e Këshillit Kombëtar të PD, Julinda Emiri ka akuzuar ditën e sotme se kryeministri Ram...
Politike
7 August 2026, 16:23
E.d
Albano Stolaj
TIRANA- Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me reformën e re territoriale e cila është propozuar ng...
Politike
7 August 2026, 16:13
E.d
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika.
Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se Kosova ndodhet n&eum...
Politike
7 August 2026, 14:43
E. D
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i LVV-së, Albin Kurti
KOSOVË- Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dh...
Politike
7 August 2026, 13:19
E. D
Albin Kurti
KOSOVË- Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën për takim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albi...
Politike
7 August 2026, 13:17
E. D
Partia Demokratike
TIRANË- Partia Demokratike ka shprehur shqetësim për rregulloren e re të GJKKO-së, duke e konsideruar at&e...
Politike
7 August 2026, 11:57
E. D
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Financial Times, ku ka folur për rrugëtimin e...
Politike
7 August 2026, 10:50
E. D
Genta Vangjeli
TIRANË- Partia Demokratike ka denoncuar një rast, ku ujësjellësi i Elbasanit ka gjobitur një familjeje që...
Politike
7 August 2026, 07:24
E. D
Albin Kurti
KOSOVË- Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, n...
Politike
6 August 2026, 20:19
E.d
Foto ilustruse
Nuk do të ketë pushime vere deri në fund të gushtit për ministrat e Qeverisë Rama 4. Kryeministri Edi Ram...