20 October 2026, 19:20
Nga G.M
pamje
TIRANË- Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar me forcë aktet e dhunshme gjatë protestave në kryeqytet, ku u sulmuan godinat e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit dhe u dëmtuan dosjet gjyqësore. Sipas Shoqatës, këto akte rrezikojnë sigurinë e personelit dhe pengojnë funksionimin normal të drejtësisë, duke cenuar liritë dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve, ndërsa ka shprehur shqetësim për masat e pamjaftueshme parandaluese dhe mbrojtëse nga Policia e Shtetit.
Shoqata ka kritikuar edhe gjuhën e përdorur publikisht nga kryeministri ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar masat e sigurisë për protestuesit, duke paralajmëruar se sulmet personale dhe presioni publik rrezikojnë pavarësinë e drejtësisë. Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të tregojnë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje, si dhe ka kërkuar masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së gjykatave dhe mbrojtjen e gjyqtarëve nga çdo formë presioni.
Deklaratë e plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë. Sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, përbëjnë akte të papranueshme në një shoqëri demokratike. Këto veprime nuk rrezikojnë vetëm jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, por cenojnë drejtpërdrejt funksionimin normal të drejtësisë. Çdo pengesë në veprimtarinë e gjykatave përkthehet në pasoja konkrete për qytetarët, të cilëve u vonohet ose u vështirësohet marrja e drejtësisë. Liria kushtetuese e shprehjes dhe e tubimit është një vlerë themelore e demokracisë, por ushtrimi i saj nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën ndaj institucioneve dhe cenimin e sigurisë së njerëzve që ushtrojnë detyrën në to. Cenimi i gjykatave dobëson mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese.
Po aq alarmues është shqetësimi për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë përgjegjësinë ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Mbrojtja e institucioneve gjyqësore nuk mund të trajtohet si një detyrë dytësore, aq më pak të mbetet në varësi të zhvillimeve të paparashikuara gjatë tubimeve publike. Siguria e gjykatave dhe e personave që ushtrojnë funksione në to kërkon vëmendje të posaçme, planifikim dhe reagim efektiv nga autoritetet përgjegjëse. Drejtësia është qëllim i Shtetit, po aq sa i individit. Veçanërisht shqetësues është ekspozimi ndaj akteve të dhunës i institucioneve që japin shërbimin e drejtësisë, ndërkohë që mbrojtja e tyre është kusht i domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës. Garantimi i sigurisë së këtyre institucioneve nuk është çështje privilegjesh institucionale, por detyrim shtetëror ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
Në këtë klimë të tensionuar, Shoqata vlerëson po aq problematike gjuhën e papërshtatshme të përdorur publikisht nga Kryeministri ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve. Kritika ndaj vendimmarrjes gjyqësore është e ligjshme, por ajo nuk mund të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo trysni publike mbi ushtrimin e funksionit të tyre. Deklarime të tilla, veçanërisht kur vijnë nga drejtuesi i pushtetit ekzekutiv, rrezikojnë të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në vendimmarrjen e pavarur gjyqësore. Ato ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj vendimeve gjyqësore. Përgjegjësia e kreut të ekzekutivit është të garantojë respektimin e lirive kushtetuese dhe sigurinë publike, jo të paragjykojë vendimet e gjykatave apo të përcaktojë publikisht se cilat masa sigurimi duhet të caktohen. Ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtyre masave vlerësohen vetëm nga gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.
Shoqata u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe faktorëve me përgjegjësi politike e publike të tregojnë vetëpërmbajtje, përgjegjshmëri dhe respekt për pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Situatat e tensionuara në sferën publike kërkojnë qëndrime konstruktive dhe veprime institucionale me vizion dhe shtetari që forcojnë sigurinë, ligjshmërinë dhe besimin e qytetarëve, jo retorikë që përçajnë apo përplasin fiktivisht dhe pa dobi pushtetet. Shoqata kërkon marrjen e menjëhershme të masave efektive për sigurinë e gjykatave dhe të personelit të tyre, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, mbi të gjitha si detyrim në shërbim të qytetarëve. Njëkohësisht, ajo shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët që përmbushin funksionin e tyre me pavarësi, paanësi dhe integritet. Pa gjykata të sigurta dhe të pavarura, nuk mund të ketë drejtësi të prekshme për qytetarët dhe as shtet të së drejtës./Dosja.al
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë
Aktualitet
20 October 2026, 19:17
E.d
Pamje
TIRANA- Protestuesit kanë nisur marshimin drejt zonës së Zogut të Zi, ndërsa kanë ngriur barrikada për të pengua...
Aktualitet
20 October 2026, 19:07
E.d
Pamje
TIRANA- Situata në sheshin Skënderbej gjatë protestës është tensionuar, ku një person ka përfunduar pa ndjenja. ...
Aktualitet
20 October 2026, 19:01
E.d
Pamje
KORÇË- Protesta është masivizuar dhe shtrirë edhe në qytete të tjera, pasi një grup qytetarësh kanë ...
Aktualitet
20 October 2026, 18:55
E.d
Pamje
TIRANA- Protestuesit kanë nisur të hedhin në drejtim të policisë fishekzjarrë dhe molotovë, ndërsa situata n&eum...
Aktualitet
20 October 2026, 18:45
G.M
pamje
TIRANË- Protesta në Tiranë ka nisur që orët e para të paradites ndërsa janë shënuar tensione dhe përpl...
Aktualitet
20 October 2026, 18:44
E.d
Pamje
TIRANA- Protesta e studentëve është përshkallëzuar, ndërsa kanë nisur edhe përplasjet me policinë, ku k&eum...
Aktualitet
20 October 2026, 18:42
G.M
pamje
TIRANË- Policia ka sulmuar me gaz lotsejllës protestuesit e zhvendosur në sheshin Skënderbej, pas tensioneve të ashpra që ...
Aktualitet
20 October 2026, 18:22
E.d
Pamje
TIRANA- Situata është tensionuar sërish në Tiranë, ku pas përplasjes së protestuesve me policinë, këta t&eu...
Aktualitet
20 October 2026, 18:17
E.d
Pamje
FIER- Një aksident automobilistik është regjistruar pak minuta më parë në hyrje të bypass-it Mbrostar–Levan, pr...
Aktualitet
20 October 2026, 18:09
G.M
foto ilustruese
FIER- Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Fier, ku dy gra janë proceduar penalisht,...