9 September 2026, 13:29
Nga Meri Lika
Meri Lika
Ka një moment në jetën e çdo vendi kur ajo që dyshohet dhe flitet ndër popull, kthehet papritur në dokument. Shqipëria po e kalon këtë moment tani. Intervista e pestë e Arben Ahmetajt, e shoqëruar këtë herë me përgjime që përfshijnë biznesmenin Ron Yefet, nuk është thjesht një episod tjetër spektakli mediatik. Është një copë e re e një mozaiku që, ngjyrë pas ngjyre, po vizaton konturet e një shteti të trajtuar si pronë private.
Le ta themi qartë, sepse askush nuk duhet ta fshehë: vetë Arben Ahmetaj nuk është një dëshmitar i pastër. Ai është nën hetim dhe i kërkuar ndërkombëtarisht nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në dosjen e inceneratorëve. Askush s'duhet ta dëgjojë si peshkop moral. Por procesi penal nuk funksionon me kredenciale morale, funksionon me prova. Dhe këtu qëndron pika që qeveria e Edi Ramës nuk mund ta shpërfillë më me batuta.
Ajo që përshkruan Ahmetaj në serinë e intervistave të tij nuk është korrupsion i rëndomtë administrativ, është arkitekturë. Një person, Ron Yefet, i quajtur nga vetë ai "amerikano-izraelito-shqiptar", shfaqet i lidhur me pushtetin që në 2008, sot pronar i 49% të kompanisë Timak, degët e së cilës Timak Defense, Timak Aviation, Advanced Arms Technology, Timak Special Vehicles përfshihen në pretendime trafiku armësh nën atë që Ahmetaj e quan "skema KAYO".
Në përgjime Yefeti flet për pasuri shtetërore me tonin e dikujt që diskuton për "mallin e vet", ndërsa administrator, siç duken bathët, është vetë kryeministri. Tani i shtohet edhe gazi i Delvinës burim kombëtar që, rrezikon të trajtohet si mall për miqtë dhe klientët e pushtetit. Nga inceneratorët te Balluku dhe kontratat mbi 200 milionë euro të prokurimit publik, e tani te energjia dhe armatimi, vija është e njëjtë: burime publike që kalojnë në duar private përmes rrjetesh që nuk zgjidhen me konkurrim, por paracaktohen dhe nuk përgjigjen para asnjë institucioni.
Kjo është arsyeja pse protesta që po mbush sheshet shqiptare prej muajsh nuk është kapriço apo "gjendje mendore" e një pakice të zhgënjyer, siç u përpoq ta paraqesë propaganda zyrtare. Lëvizja nisi si kundërshtim ndaj një projekti ndërtimi në Zvërnec dhe u shndërrua, në mënyrë krejt të natyrshme, në një kërkesë të gjerë qytetare: dorëheqja e Edi Ramës, një qeveri teknike jopartiake, ndryshim i kodit zgjedhor, kufizim mandatesh, rikthim i referendumeve si mjet kontrolli qytetar.
Kur mijëra njerëz dalin përditë, në Tiranë dhe në diasporë, nga Italia e Anglia te Gjermania, Belgjika, Holanda, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara, kjo nuk është më zhurmë e organizuar nga "armiqtë e jashtëm", siç pëlqen t'i quajë pushteti, por është diagnoza e një populli që ka mësuar të lexojë modelin: zgjedhje të kontestuara në maj 2025, shkarkimi i një zëvendëskryeministreje për shkelje flagrante të prokurimit publik, AKSHI, Durana dhe një ish-zyrtar i lartë i të njëjtit sistem që përshkruan nga jashtë, në detaje teknike, se si funksiononte "makina".
Përgjigja institucionale, deri tani, ka qenë heshtje kolektive, delegjitimim i denoncuesit dhe shpërqendrim publik. Por delegjitimimi i lajmëtarit nuk e zhbën lajmin, dhe as pyetjen që rri pezull mbi çdo qytetar që paguan taksa në këtë vend: nëse pasuritë kombëtare si gazi, kontratat e mbrojtjes, prokurimet miliona-euroshe, administrohen sipas marrëdhënieve personale dhe jo sipas ligjit, atëherë çfarë mbetet nga shteti si institucion i përbashkët?
Sot SPAK ka detyrim ligjor, jo thjesht moral, të hetojë çdo emër, çdo kompani dhe çdo përgjim të përmendur në këto denoncime, pavarësisht kush i ka nxjerrë në dritë dhe me çfarë motivi personal. E njëjta kërkesë vlen edhe për Kuvendin, i cili ka mjete mbikëqyrëse që i ka përdorur rrallë kur bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv të vet partisë.
Protesta që vazhdon prej muajsh në Shqipëri nuk kërkon të shpallë faj para se ta bëjë drejtësia, kërkon diçka më elementare: llogaridhënie. Kërkon që një vend të mos qeveriset si pronë familjare, ku burimet publike shpërndahen sipas besnikërisë dhe jo sipas interesit kombëtar. Kjo kërkesë nuk është "destabilizim", siç e paraqet retorika zyrtare, është përkufizimi i demokracisë funksionale. Një qeveri që i frikësohet hetimit nuk mbrohet duke sulmuar dëshmitarin; mbrohet duke hapur dosjet.
Nëse Edi Rama dhe rrethi i tij s'kanë asgjë për të fshehur, siç pretendojnë vazhdimisht, atëherë s'ka asnjë arsye pse SPAK të mos e ndjekë çdo fije të kësaj skeme deri në fund, dhe s'ka asnjë arsye pse zëri i qytetarëve në shesh të trajtohet si armik, kur në fakt është i vetmi mekanizëm kontrolli që i ka mbetur një demokracie ku institucionet kanë ngecur.
Sheshi sot po bën atë punë që dokumentet zyrtare refuzojnë ta bëjnë. Deri sa drejtësia të flasë me vendime, dhe jo me shtyrje hetimesh që zgjasin vite, protesta mbetet legjitime, e nevojshme, dhe për një vend të lodhur nga premtimet e pambajtura, ajo është thjesht e drejtë.
meri lika
Editorial
9 September 2026, 09:18
Tasos Kokkinidis
Në shumë pjesë të Evropës Jugore, turizmi cilësohet si një “industri e rëndë” moderne, një motor...
Editorial
3 September 2026, 07:38
Enver Robelli
Enver Robelli
Të “rebeluarit” e LDK-së vetëm duhet t’u tregojnë qytetarëve se për çka po “rebe...
Editorial
31 August 2026, 16:22
Andi Bejtja
Andi Bejtja
Nuk ka nevoje te shikosh te dhenat e Eurostat ku nenvizohet se cmimet e ushqimeve ne Shqiperi jane rritur 5 here me shume se mesatarja europian...
Editorial
17 August 2026, 14:20
Irena Beqiraj
Pyesni një shqiptar për qeverisjen Parlamentit a ndonjë ngjarje politike, edhe padyshim do ta merrni një përgjigje. Por kur e pyet &c...
Editorial
10 August 2026, 16:04
Agim Nesho
Deklarata e fundit për qëndrimin e Zelenskit në Beograd kundër njohjes së Kosovës u paraqit nga shtypi pro-qeveritar me shë...
Editorial
10 August 2026, 15:50
Lutfi Dervishi
1. Pershtajta me natyrën
Kur romakët ndërtuan rrugën Egnatia, aty ku ishte e mundur, ndoqën rrjedhën e lumit dhe nuk tentuan ta...
Editorial
30 July 2026, 22:50
Agim Nesho
Agim Nesho
Konsullata serbe në Shkodër nuk është për të përfaqësuar 56 serbët e vetëm, por një flamu...
Editorial
25 July 2026, 14:25
Alketa Ramaj
Kur dëshiron të kuptosh një krizë politike, mos pyet vetëm çfarë thuhet. Pyet kush fiton, kush humbet dhe kush paguan n&e...
Editorial
8 July 2026, 17:56
Irena Beqiraj
Irena Beqiraj
Kur nuk ka përllogaritje zyrtare për përfitimet e një koncerti le të luajmë kungulleshkash me Kryeministrin !Kr...
Editorial
8 July 2026, 17:39
Agim Nesho
Agim Nesho
Vetëm një figurë e errët në historinë e një kombi mund të jetë indiferent kur populli i ka dalë...