20 November 2026, 09:21
Nga E. D

ITALI- Italia është përfshirë sot nga një valë grevash dhe protestash në qytetet kryesore të vendit. Punëtorë, studentë dhe përfaqësues të sindikatave kanë dalë në rrugë, në kuadër të grevës së përgjithshme të thirrur nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), e cila ka organizuar aktivitete mobilizuese në më shumë se 100 qytete.
Në protestë janë bashkuar edhe përfaqësues të partive të majta, mes tyre Elly Schlein e Partisë Demokratike (PD), Giuseppe Conte i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S) dhe Nicola Fratoianni i Aleancës së të Gjelbërve dhe së Majtës (AVS). Sekretari i përgjithshëm i CGIL, Maurizio Landini, do të mbajë fjalimin kryesor në Romë.
Greva përfshin sektorin publik dhe atë privat, duke paralajmëruar ndërprerje në shkolla, spitale dhe transportin publik lokal. Paralelisht, në disa qytete janë organizuar edhe protesta të tjera nga sindikata COBAS dhe organizata të ndryshme sindikale. Mobilizimit i është bashkuar edhe Dita Ndërkombëtare e Veprimit Studentor, e cila ka përfshirë dhjetëra organizata rinore në mbi 45 qytete italiane.
Në qendër të protestave janë kërkesat për ndryshime të thella në modelin ekonomik dhe social të vendit, me theks te paqja, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe lufta kundër rritjes së kostos së jetesës. Ndërkohë, autoritetet kanë vënë në gatishmëri forcat e rendit për të garantuar sigurinë gjatë tubimeve.
Ndërprerje në shkolla dhe spitale
Ndikimi më i madh i grevës pritet të ndihet në sistemin arsimor. Funksionimi i shkollave do të varet nga numri i mësuesve dhe punonjësve që do t'i bashkohen protestës. Për këtë arsye, prindërve u është kërkuar të verifikojnë paraprakisht nëse institucionet arsimore do të jenë të hapura. Probleme priten edhe në shërbimet shëndetësore, ku mund të ketë anulime të vizitave, analizave dhe ndërhyrjeve kirurgjikale jo urgjente.
Transporti publik, disa qytete të prekura nga greva
Në sektorin e transportit publik, situata ndryshon sipas qyteteve. Pas ndërhyrjes së Komisionit të Garancisë për Grevat, disa kompani transporti janë përjashtuar nga ndërprerjet, përfshirë ATM në Milano, GTT në Torino, ANM në Napoli, AMTAB në Bari, ATVO në Venecia, si dhe operatorët e transportit në Bolzano dhe Trento. Në qytetet e tjera, autobusët, tramvajet dhe metroja mund të pësojnë ndërprerje gjatë ditës, sipas orareve të përcaktuara për secilin operator.
Në Gjenova, shërbimi do të pezullohet nga ora 09:00 deri në 17:30 dhe nga ora 20:30 deri në përfundim të shërbimit. Në Bolonjë, ndërprerjet parashikohen nga ora 08:30 deri në 16:30 dhe nga ora 19:30. Në Firence, transporti do të preket nga ora 08:15 deri në 12:30 dhe nga ora 14:30 e tutje. Në Romë, ndërprerjet do të zgjasin nga ora 08:30 deri në 17:00 dhe nga ora 20:00 deri në fund të shërbimit, ndërsa në Palermo nga ora 08:30 deri në 17:30 dhe nga ora 20:30.
Trafiku hekurudhor, rrezik për vonesa dhe anulime
Transporti ajror dhe ai hekurudhor janë përjashtuar nga greva e përgjithshme e sotme. Megjithatë, udhëtimet me tren mbeten të rrezikuara për shkak të një tjetër greve 24-orëshe, të organizuar nga sindikatat SGB dhe CUB, e cila nis në orën 21:00. Ministri i Transportit, Matteo Salvini, ka deklaruar në Senat se kompania shtetërore Ferrovie dello Stato do të garantojë funksionimin normal të trenave gjatë ditës së sotme. Sipas tij, të shtunën do të qarkullojnë 95% e trenave me shpejtësi të lartë dhe 85% e trenave Intercity.
Protesta dhe masa të shtuara sigurie në Milano dhe Romë
Milano dhe Roma janë ndër qytetet ku priten tubimet më të mëdha. Në Milano janë planifikuar disa marshime, përfshirë protestat e studentëve dhe sindikatave gjatë paradites. Ndërsa nga ora 17:30 pritet të mobilizohen edhe qendrat sociale dhe grupet e tjera aktiviste.
Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, ka deklaruar se situata po monitorohet nga afër, por deri tani nuk ka shenja konkrete shqetësimi. Nga ana tjetër, presidenti i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, ka shprehur shqetësim për zhvillimet e mundshme, duke kujtuar përplasjet e regjistruara gjatë protestave të 17 dhe 18 tetorit.
Edhe në Romë janë parashikuar tre marshime të veçanta: një i organizuar nga CGIL, një tjetër nga USB, që do të nisë pranë Universitetit La Sapienza, si dhe një marshim studentor. Policia ka hartuar një plan të posaçëm sigurie për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur incidentet.
Pavarësisht masave të shtuara të sigurisë dhe shqetësimeve për tensione të mundshme, kreu i CGIL, Maurizio Landini, është shprehur optimist për pjesëmarrjen, duke parashikuar një ditë me sheshe të mbushura dhe mobilizim të gjerë qytetar./Dosja.al
protesta ne itali
Bota
20 November 2026, 09:15
E. D
EUROPË- Diplomacia për Ukrainën është në aktivitet të plotë. Krahas takimit mes krerëve të Kinë...
Bota
20 November 2026, 09:09
E. D
Vladimir Putin, Donald Trump, Xi Jinping
KINË- Samiti historik trepalësh midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump, udhëheq&eum...
Bota
20 November 2026, 08:03
I.A
Foto Ilustruese
ITALI- Aeroporti “Cristoforo Colombo” në Xhenova të Italisë u mbyll për rreth dy orë mbrëmjen e djes...
Bota
19 November 2026, 21:32
G.M
Autoritetet iraniane kanë nisur të kufizojnë sasinë e bukës së subvencionuar që mund të blejnë familjet në t&...
Bota
19 November 2026, 21:20
G.M
Donald Trump
SHBA- E ardhmja e luftës në Ukrainë dhe përfshirja e Evropës në negociatat e paqes ishin në qendër...
Bota
19 November 2026, 20:00
G.M
Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin
SHBA- Për Donald Trump, takimi në Shenzhen ishte historik sepse ishte i pari i këtij lloji. Pë...
Bota
19 November 2026, 19:46
G.M
Recep Tayyip Erdogan
TURQI- Turqia ka hedhur një hap të ri në zhvillimin e industrisë së saj ushtarake, pasi tre njësit&e...
Bota
19 November 2026, 19:41
G.M
Vendet e Azisë Qendrore po planifikojnë investime miliardëshe në qendra të të dhënave, mes pikëpyetjeve për financ...
Bota
19 November 2026, 19:33
E. D
Donald Trump
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka telefonuar nga avioni presidencial “Air Force One” liderët evropianë t&eum...
Bota
19 November 2026, 18:50
G.M
Friedrich Merz dhe Zelenskyy
GJERMANI- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërkuar që çdo negociatë e ardhshme për përf...