15 October 2026, 09:57
Nga Auron Janku
Auron Janku
Kjo tokë është djegur disa herë. Ka parë perandori që janë zhdukur, diktatura që kanë sunduar me frikë dhe tranzicione që kanë premtuar liri, por kanë prodhuar zhgënjim. Ka parë breza që janë larguar, duke kërkuar diku tjetër atë që vendi i tyre nuk ua dha dot. E megjithatë, Shqipëria ka mbijetuar, sepse populli ka ditur të durojë, të shpresojë dhe të rifillojë. Por mos e ngatërroni durimin me pafuqinë dhe heshtjen me miratimin. Kjo tokë është djegur disa herë. Mos i hidhni kripën!
Shteti është biznes serioz, jo pronë private e atyre që fitojnë pushtetin. Është përgjegjësi publike, kontratë me qytetarin dhe detyrim ndaj brezave që vijnë. Institucionet nuk janë poste për të shpërblyer besnikët, as mburoja për të mbrojtur pushtetin nga llogaridhënia. Ato kërkojnë njerëz seriozë, që kuptojnë se interesi publik qëndron mbi interesin e partisë.
Kur populli nuk dëgjohet, shqetësimet e tij shpërfillen dhe atij i ofrohen vetëm bukë e cirk, problemi nuk është më thjesht politik. Është krizë e një sistemi që ka harruar arsyen për të cilën ekziston. Qytetari nuk është spektator që thirret vetëm për të votuar, pastaj përjashtohet nga vendimmarrja. Ai është sovrani.
Kur Kryeministri sillet më shumë si sekretar shtypi sesa si drejtues i qeverisë, kur përgjegjësitë delegohen dhe vendimmarrja humbet drejtimin, shteti nuk mund të funksionojë mbi autopilot. Aq më pak kur paaftësia, mungesa e përgjegjësisë dhe problemet që kërkojnë përgjigje nga drejtësia rëndojnë mbi institucionet. Askush nuk është mbi institucionin që përfaqëson dhe askush nuk mund ta përdorë atë si strehë nga përgjegjësia.
Kur shtetarët nuk ngrihen në lartësinë e detyrës, vonesat prodhojnë kaos dhe, për hir të mbajtjes së pushtetit, rrezikojmë të shkatërrojmë vetë shtetin, deklaratat nuk mjaftojnë më. Nuk mjaftojnë as ndërrimi i emrave dhe as premtimet e radhës. Duhet guxim për të pranuar se sistemi ka nevojë për ndryshim rrënjësor.
Nuk mund të shpëtojmë shtetin duke sakrifikuar shtetin për pushtetin. Prandaj kërkohet një zgjidhje e guximshme dhe e përgjegjshme: dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike me mandat të kufizuar njëvjeçar, përmes një marrëveshjeje të gjerë politike dhe qytetare. Jo për të zëvendësuar një grup pushtetarësh me një tjetër, por për t’i dhënë vendit mundësinë të dalë nga rrethi vicioz i krizave.
Ky vit duhet të jetë vit themelimi, jo një tjetër tranzicion pa destinacion. Një vit për të vendosur rregulla të reja loje, të barabarta për të gjithë, që nuk ndryshojnë sipas interesit të atyre që qeverisin.
Na duhet një arkitekturë e re kushtetuese, e hartuar me pjesëmarrje qytetare dhe ekspertizë të pavarur, që garanton ndarjen reale të pushteteve, kontrollin reciprok dhe përgjegjësinë institucionale. Na duhet një ligj i ri për partitë politike, që siguron demokracinë e brendshme, transparencën financiare dhe llogaridhënien. Na duhet një Kod Zgjedhor që garanton konkurrencë të ndershme dhe përfaqësim real.
Duhet t’i japim fund monopolit politik që e kthen partinë në pronare të mandatit dhe deputetin në zgjatim të vullnetit të kryetarit. Përfaqësuesi i zgjedhur duhet t’i përgjigjet Kushtetutës dhe qytetarëve, jo urdhrave të selisë. Parlamenti duhet të jetë tempulli i debatit dhe përfaqësimit, jo një sallë ku vendimet mbërrijnë të vulosura.
Na duhet demokraci pjesëmarrëse. Referendumet duhet të bëhen instrumente reale të sovranitetit popullor, me procedura të qarta dhe efekt juridik të përcaktuar. Qytetari duhet të ketë mundësi të ndikojë në vendimet madhore, jo vetëm të ankohet pasi ato janë marrë. Qeveria teknike duhet të ketë mandat të kufizuar, objektiva të matshëm dhe afate të qarta. Reformat duhet të zhvillohen përmes procedurave kushtetuese e ligjore, me konsensus sa më të gjerë dhe pa u kthyer në instrument të asnjë pale politike. Pas një viti, zgjedhje! Por jo për të përsëritur të njëjtën histori me aktorë të tjerë. Zgjedhje mbi rregulla të reja, me institucione të besueshme dhe me qytetarin në qendër, ku vota nuk është çek i bardhë për katër vjet.
Dhe tani, kjo është thirrja për intelektualët, juristët, pedagogët, gazetarët, ekonomistët, profesionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët që besojnë se Shqipëria mund të bëhet. Mos qëndroni në distancën e rehatshme të kritikës private. Dilni në media, shkruani, debatoni, propozoni zgjidhje. Bashkojeni dijen me përgjegjësinë qytetare. Popullit nuk i mjafton t’i thuhet se gjërat shkojnë keq; duhet t’i tregohet rruga për të dalë nga kriza. Zemërimi duhet të kthehet në program, shpresa në organizim dhe fjala në veprim.
Kjo nuk është thirrje për kaos, por për ta parandaluar atë. Nuk është thirrje për të rrëzuar shtetin, por për ta shpëtuar nga ata që e trajtojnë si pronë. Nuk është luftë për t’i hapur rrugë një partie tjetër, por për të ndryshuar rregullat që e lejojnë pushtetin të bëhet monopol.
Tani është koha të flasim! Tani është koha të bashkohemi! Tani është koha të veprojmë!
Intelektualë, mos heshtni! Qytetarë, mos u dorëzoni! Të rinj, mos e kërkoni të ardhmen vetëm përtej kufijve! Ky vend nuk ka nevojë për spektatorë të tjerë, por për njerëz që marrin përgjegjësi; jo për shpëtimtarë të radhës, por për institucione që u shërbejnë qytetarëve. Mos prisni që dikush tjetër të bëjë atë që sot është detyrë e secilit prej nesh. Historia nuk do të na pyesë sa herë u ankuam, por çfarë bëmë kur e kuptuam se vendi po shkonte drejt greminës. Heshtja sot mund të bëhet pengu i fëmijëve tanë nesër.
SOT KJO TOKË JU KËRKON!
DILNI, BASHKOHUNI, VEPRONI!
NESËR MUND TË JETË VONË!
Mos e lini Shqipërinë të digjet edhe një herë. Dhe mbi hirin e shpresës së fundit, MOS I HEDHNI KRIPËN!
Auron Janku
Editorial
10 October 2026, 22:50
Auron Janku
Nuk mjafton të ndryshojmë herë pas here një nen të Kushtetutës, një dispozitë të ligjit për partitë pol...
Editorial
10 October 2026, 15:36
Bojken T
Në Shqipëri, duket se gjithçka mund të kthehet në para: pushteti, fama, trupi, marrëdhëniet dhe madje edhe turpi. Mjafton...
Editorial
4 October 2026, 07:34
Auron Janku
Auron Janku
Kur pushtetet harrojnë se shteti nuk është pronë e askujt
Ka një moment kur një konflikt për para pushon s&...
Editorial
2 October 2026, 14:08
Nga Agim Nesho
Agim Nesho
Korrupsioni ka kohë që e ka shkatërruar shtetin, hequr shpresën dhe larguar shqiptarët në masë. Deri te rasti...
Editorial
2 October 2026, 10:57
Auron Janku
Auron Janku
Ka ligje që mbrojnë qytetarin nga pushteti dhe ligje që i japin pushtetit më shumë mjete për ta mbrojtur qytetari...
Editorial
28 September 2026, 11:54
Meri Lika
Meri Lika
Fillimisht po e sqaroj lexuesin për opinionin që jep një auditues kur auditon pasqyrat financiare të një shoqërie. ...
Editorial
27 September 2026, 18:42
Enton Abilekaj
Enton Abilekaj
Që nga kanabizimi i organizuar prej qeverisë në vitin 2016, dhjetra skandale të mëdha kanë ndodhur, qindr...
Editorial
26 September 2026, 09:47
Auron Janku
Auron Janku
Çfarë ndodh me një vend kur ata që fituan luftën nuk dinë të largohen nga pushteti?Lufta ka një fund....
Editorial
21 September 2026, 18:05
Eriseld Zeneli
Edi Rama
Ekziston një paradoks politik që Europa vazhdon ta vëzhgojë me njëfarë tolerance. Shqipëria është qev...
Editorial
21 September 2026, 07:21
Irena Beqiraj
Irena Beqiraj
Kostot e jetesës edhe lajmi se ekonomia po ecën mirë. Qeveria vazhdon të na sigurojnë se ekonomia po ecën mjaf...