14 November 2026, 09:41
Nga E. D

TIRANË- Kryebashkiaku, Erion Veliaj deklaroi se kryeministri Edi Rama është pengesa kryesore për reformimin e partisë. Në fjalimin drejtuar Asamblesë Kombëtare, ai ka kërkuar gjithashtu aktivizimin e procedurës statutore për mocionin e mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së. Veliaj kritikon edhe nismën “Prania Besnike”, duke thënë se ajo është hartuar nga kryetari pa debat dhe pa miratim real nga forumet e partisë.
Sipas tij, PS-ja nuk përfshihet në vendimmarrje, por thirret të mbajë përgjegjësi për pasojat e saj. Po ashtu, Veliaj kërkon që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të së drejtës për mocion mosbesimi, në përputhje me statutin e PS-së.
Pjesë fjalimi i Veliajt:
V. A KEMI ENDE MUNDËSI TË NDRYSHOJMË?
Unë besoj se Partia Socialiste e ka potencialin për të ndryshuar. Ka njerëzit, historinë, përvojën
dhe energjinë për t'u ringritur. Por, sipas gjykimit tim, ky ndryshim nuk mund të realizohet pa
ndryshuar më parë modelin e drejtimit dhe kryetarin që e ka ndërtuar atë.
Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është
kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar
te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë
demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi
që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka
përqendruar vendimmarrjen.
Shembulli më i fundit është “Prania Besnike”. Përballë pakënaqësisë qytetare dhe nevojës së
ethshme për ndryshim, përgjigjja ishte sërish një nismë e hartuar nga kryetari, jo nga forumet e
Partisë Socialiste, pa debat, pa votim dhe pa një miratim real nga organet e saj. Një instrument që
ia ngarkon Partisë Socialiste përgjegjësinë për të zgjidhur një problem për të cilin ajo nuk është
përgjegjëse, sepse nuk është dëgjuar. Një problem që është shkaktuar nga institucionet shtetërore
që nuk u përgjigjen qytetarëve. Sepse drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përzgjedhur
përmes një procesi politik që pasqyron ndjeshmërinë, vlerat dhe vullnetin e socialistëve, por
përmes emërimeve klienteliste, jashtë vendimmarrjes së forumeve të partisë dhe brenda një sistemi
marrëdhëniesh që i shërben ruajtjes së pushtetit.
Pra, partia nuk pyetet kur merren vendimet, por thirret të mbajë përgjegjësi kur ato dështojnë. Nuk
vendos për njerëzit që qeverisin, por duhet të dalë përpara qytetarëve për të mbrojtur pasojat e
qeverisjes së tyre. Ja ky është përdorim i grushtit dhe trëndafilit të Partisë Socialiste për interesa
që nuk kanë asgjë të përbashkët as me grushtin, si simbol i forcës sonë kolektive, as me trëndafilin,
si simbol i vlerave tona socialiste.
Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai
përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste.
VI. PËRGJEGJËSIA E ASAMBLESË KOMBËTARE
Përgjegjësia politike nuk mund të mbetet një diskutim pa përfundim dhe pa pasoja institucionale.
Për këtë arsye, në cilësinë time si anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së Partisë
Socialiste, kërkoj që kjo Asamble të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të kryetarit të
partisë, Edi Rama, për mënyrën e drejtimit të saj, funksionimin e organeve kolegjiale dhe
respektimin e parimeve të demokracisë së brendshme.
Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit
të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje Statutin dhe me rregullat përkatëse
të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën
e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen
sipas Statutit.
Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka
drejtuar fitore të rëndësishme elektorale. Ai është një marrëdhënie përgjegjësie politike, e
cila duhet t'i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit që parashikon vetë Statuti.
Nuk kërkoj që një çështje e tillë të zgjidhet me përjashtime, presione apo vendime të paracaktuara.
Kërkoj që ajo të shqyrtohet përmes procedurës së rregullt statutore, me debat të hapur, me respekt
për mendimin ndryshe dhe me mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët që kanë të drejtë të marrin
pjesë. Vendimmarrja mbi besimin ndaj kryetarit duhet të jetë rezultat i një procesi demokratik, jo
i autoritetit personal të cilit i kërkohet llogari. Partia Socialiste ka institucione, rregulla dhe
anëtarësi. Pikërisht këtyre duhet t'u besohet zgjidhja e çështjeve që lidhen me drejtimin e saj.
Të dashura shoqe dhe shokë,
Kam pasur 21 muaj kohë për të menduar për politikën, pushtetin, miqësinë, besnikërinë dhe
përgjegjësinë. Kam menduar për gjithçka kemi ndërtuar së bashku. Për fitoret, për gabimet dhe për
njerëzit që na kanë besuar. Kam menduar edhe për një të vërtetë që pushteti shpesh na e bën të
vështirë ta pranojmë: askush nuk është i pazëvendësueshëm.
As unë. As Edi Rama. Askush. Ne jemi të përkohshëm në detyrat që mbajmë. Por institucionet,
vlerat dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve duhet të mbeten.
Kërkoj që askush të mos heqë dorë nga e drejta për të menduar, për të folur dhe për të gjykuar në
mënyrë të pavarur. Unë mbetem përgjegjës për vendimet e mia dhe do të kërkoj që çdo drejtues të
përballet me të njëjtin standard përgjegjësie.
Një parti demokratike nuk është pronë e kryetarit të saj sot. Nuk është as pronë e atyre që aspirojnë
ta drejtojnë nesër. Ajo u përket njerëzve që e kanë ndërtuar, që i kanë besuar dhe që kanë të drejtë
të kërkojnë llogari prej saj.
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se mandati i çdo kryetari. E ardhmja e saj nuk mund
të mbështetet te paprekshmëria e askujt.
Nëse duam që institucionet e Shqipërisë të jenë më të forta se njerëzit që i drejtojnë, duhet të
fillojmë duke zbatuar të njëjtin parim brenda partisë sonë.
Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë
institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerzit e tij./Dosja.al
Erion Veliaj
Politike
14 November 2026, 09:38
E. D
FIER- Erion Veliaj ka kritukuar ashpër Kryetarin e Partisë Socialiste, duke theksuar se ai mban përgjegjësinë kryesore për d...
Politike
14 November 2026, 09:34
E. D
FIER- Kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama për ndërhyrje politike në pushteti...
Politike
14 November 2026, 09:31
E. D
TIRANË- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj drejtimit të Partisë Socialiste, duke u ndalur te mënyra e përzgjedhjes së kandidat&...
Politike
14 November 2026, 09:28
E. D
FIER- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj drejtimit të Partisë Socialiste, duke u ndalur te mënyra e formimit të qeverisë dhe r...
Politike
14 November 2026, 09:22
E. D
FIER- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj Partisë Socialiste dhe drejtimit të saj, duke kërkuar reflektim mbi mënyrën se si fun...
Politike
14 November 2026, 09:19
E. D
FIER- Erion Veliaj ka vijuar kritikat ndaj Partisë Socialiste në fjalimin drejtuar Asamblesë Kombëtare, duke ngritur një sërë...
Politike
14 November 2026, 09:15
E. D
FIER- Erion Veliaj i është drejtuar Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste përmes një mesazhi, ku ka folur p&e...
Politike
14 November 2026, 08:50
E. D
Erion Veliaj
FIER- Kryebashkiaku, Erion Veliaj u ka dërguar me SMS anëtarëve të Partisë Socialiste fjalimin që kishte p&eu...
Politike
14 November 2026, 08:02
E. D
Edi Rama
DURRËS- Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare, në një moment të vështirë për partinë, p...
Politike
13 November 2026, 20:07
E. D
TIRANË- Zyrtarja e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe përgjegjëse për Shqipërinë, Sarah Hutchison, ka zhvilluar nj&e...