Ndërhyrja kirurgjikale e Veliajt, Ndreca: Nuk e përcakton prokurori se kush mjek do e operojë, por familja
24 Nëntor, 12:44
...
Politike
VIDEO/ A do të krijoni parti të re? Spiropali: Jam socialiste e bindur, do bëj betejën time
E pyetur nëse do të krijojë një forcë të re politike apo do të vijojë betejën brenda PS-së, Spiropali nuk dha një përgjigje konkrete për këtë mundësi, por theksoi se identiteti i saj politik mbetet i pandryshuar.
25 November 2026, 11:46Nga I.A
Elisa Spiropali
TIRANË- Deputetja Elisa Spiropali ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga beteja e saj politike, duke riafirmuar se mbetet socialiste dhe e majtë, pavarësisht përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. E pyetur nëse do të krijojë një forcë të re politike apo do të vijojë betejën brenda PS-së, Spiropali nuk dha një përgjigje konkrete për këtë mundësi, por theksoi se identiteti i saj politik mbetet i pandryshuar.
Ajo deklaroi se nuk iu dha mundësia të ishte e pranishme në mbledhjen ku u diskutua përjashtimi i saj, ndërsa shtoi se edhe disa prej kolegëve kishin kërkuar që ajo të ishte aty për të dhënë shpjegimet e saj. Spiropali u shpreh se nuk pendohet për qëndrimet dhe betejat e saj politike, duke pranuar se mban përgjegjësi për pjesën që i takon në zhvillimet e deritanishme.
"Gjenerata Z nuk është armiku i pushtetit, i shërben themelit të tij. Nuk isha në atë mbledhje, nuk kishte rend dite të bëhej votim, aty u bë një legjitimim i Asamblesë Kombëtare. Kolegët kërkuan që unë minimalisht të isha aty që të flisja. Nuk e kuptoj se kaq e madhe qenka frika nga fjala e një gruaje. Gruaja nuk është fasadë, por ka qëndrim. Unë nuk jam flamingo e parë, do ta kisha për nder, por flamingot janë pjesë e shoqërisë për t’u ngritur në një nivel tjetër. Unë e kam ngritur dorën grusht për të bërë beteja brenda mazhorancës. Kam mbajtur debate me Berishën në Kuvend.
Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla legjitimiteti, ato shprehin arbitraritet. Jam një socialiste e bindur, jam e majtë, qytetare e këtij vendi. Nuk di që në ndonjë çështje timen të kem bërë ndonjëherë turp. Unë do ta bëj betejën time dhe për t’u rrëfyer janë ata që i kanë Shqipërisë në qafë, ata që kanë abuzuar me pushtetin, ata që sot, deputetë të PD-së, kanë frikë të mbajnë qëndrime. Unë kam vënë fytyrën, kam vënë jetën, kam vënë gjithçka dhe jam krenare, nuk pendohem. Mbaj përgjegjësi për aq sa më takon, kjo nuk diskutohet. Është momenti për të kuptuar që pushteti mbahet nga besimi dhe ata që të kanë dhënë votën mund të ta kthejnë, mund të dalin në bulevard”, u shpreh Spiropali./Dosja.al