Rama “rikthehet” në vitin 1908 me AI, shfaqet krah rilindasve në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit
2...
Bota
Kaosi në trafikun ajror në SHBA/ Mbi 5 mijë fluturime të anuluara dhe mijëra të tjera me vonesa! Situatë e ngjashme edhe në vitin 2023
Vendimi u mor papritur të premten, në orën 22:54, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në aeroportet amerikane dhe duke prekur edhe fluturimet ndërkombëtare drejt SHBA-së. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 10 mijë fluturime pësuan vonesa të konsiderueshme, ndërsa mbi 5 mijë të tjera u anuluan.
14 November 2026, 07:42Nga E. D
SHBA- Një situatë e pazakontë ka përfshirë trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi pezullimin e përkohshëm të ngritjeve të avionëve për shkak të problemeve teknike që, sipas autoriteteve, mund të ndikonin në sigurinë e fluturimeve.
Vendimi u mor papritur të premten, në orën 22:54, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në aeroportet amerikane dhe duke prekur edhe fluturimet ndërkombëtare drejt SHBA-së. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 10 mijë fluturime pësuan vonesa të konsiderueshme, ndërsa mbi 5 mijë të tjera u anuluan.
Sipas vlerësimeve, rreth 1.5 milionë pasagjerë kishin udhëtime të planifikuara dhe u përballën me probleme, duke mbetur të bllokuar në aeroporte ose në avionë. Pezullimi zgjati rreth katër orë e gjysmë, deri në orën 03:15 të së shtunës, kur autoritetet lejuan rifillimin e operacioneve. Megjithatë, pasojat vijuan edhe më pas, pasi anulimet dhe vonesat e krijuara shkaktuan çrregullime në oraret e fluturimeve.
Çfarë shkaktoi ndërprerjen e fluturimeve?
Fillimisht, FAA e justifikoi vendimin me praninë e rrethanave të jashtëzakonshme që kërkonin masa paraprake për garantimin e sigurisë ajrore. Më vonë, agjencia bëri të ditur se problemi lidhej me një defekt në sistemin e telekomunikacionit. Sipas shpjegimeve paraprake, shkaku mund të ketë qenë mbingarkesa e sistemeve të vjetra teknologjike, të cilat përdoren ende paralelisht me platformat moderne të kontrollit të trafikut ajror.
Autoritetet amerikane kanë përjashtuar deri më tani mundësinë e një sulmi kibernetik, ndërsa hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të defektit vijojnë. Gjithashtu, është sqaruar se problemi nuk kishte lidhje me ndërprerjen globale të sistemeve të Microsoft.
Gjatë kësaj kohe, avionët që ndodheshin tashmë në ajër u lejuan të vazhdonin fluturimet dhe të uleshin në destinacionet përkatëse. Ndërkohë, ngritjet nga aeroportet amerikane u pezulluan deri në marrjen e një vendimi të ri nga FAA. Fluturimet ndërkombëtare u trajtuan sipas rastit, ndërsa transporti ajror i mallrave dhe disa fluturime kritike vijuan operacionet.
Ndërhyrja preku edhe trafikun ajror nga Evropa. FAA kërkoi bashkëpunimin e Eurocontrol për pezullimin e fluturimeve drejt Shteteve të Bashkuara nga 42 vende evropiane. Masa ishte në fuqi nga ora 17:00 e së premtes deri në mesnatë, sipas orës lokale amerikane.
Për shkak të vështirësive në transportin ajror, shumë udhëtarë iu drejtuan trenave si alternativë. Kërkesa e lartë ishte aq e madhe sa kompania hekurudhore Amtrak pati probleme edhe me sistemin e saj të rezervimit të biletave.
Qeveria amerikane: Sistemet e kontrollit duhet të modernizohen
Pas rikthimit të fluturimeve, Sekretari i Transportit, Sean Duffy, dhe Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, dolën në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Duke folur për shkaqet e mundshme të incidentit, Duffy deklaroi se infrastruktura e kontrollit të trafikut ajror në SHBA mbështetet në një kombinim sistemesh të vjetra dhe teknologjish moderne.
Sipas tij, disa prej sistemeve ekzistuese janë të mbingarkuara dhe kanë nevojë për zëvendësim. Ai e cilësoi infrastrukturën aktuale si një kombinim të teknologjive të ndryshme, të cilat nuk funksionojnë gjithmonë në mënyrë optimale së bashku.
Duffy bëri të ditur se për modernizimin e sistemit janë investuar rreth 12 miliardë dollarë, por kjo shumë nuk konsiderohet e mjaftueshme. Për këtë arsye, ai kërkoi nga Kongresi amerikan miratimin e 50 miliardë dollarëve të tjera për përmirësimin e infrastrukturës së aviacionit.
A mund të ketë lidhje inteligjenca artificiale me incidentin?
Një tjetër çështje që u ngrit pas ndërprerjes së fluturimeve ishte mundësia e përfshirjes së sistemeve të inteligjencës artificiale në këtë problem. Vëmendja u përqendrua te SMART, një platformë e re për menaxhimin e trafikut ajror, e cila përdor inteligjencën artificiale për të analizuar të dhënat mbi motin, itineraret e avionëve, trafikun ajror dhe disponueshmërinë e kontrollorëve.
Sistemi, me një kosto prej rreth 875 milionë dollarësh, synon të ndihmojë në përcaktimin e rrugëve më efikase të fluturimit dhe në reduktimin e vonesave. FAA kishte vendosur së fundmi të zgjeronte përdorimin e kësaj teknologjie në 22 qendra rajonale të kontrollit ajror, pas një faze pilot në zonën e Uashingtonit.
Megjithatë, agjencia ka sqaruar se SMART ka vetëm rol mbështetës në procesin e menaxhimit të trafikut ajror. Edhe kompania ASI, e cila ka zhvilluar sistemin, mohoi çdo lidhje mes platformës së saj dhe pezullimit të fluturimeve, duke deklaruar se vendimi i FAA-së nuk ishte shkaktuar nga SMART apo nga produktet e kompanisë.
Çfarë ndodhi në vitin 2023?
Pezullimi i ngritjeve të avionëve në të gjithë territorin amerikan është një ngjarje shumë e rrallë. Një rast i ngjashëm u regjistrua më 11 janar 2023, kur FAA urdhëroi përkohësisht ndalimin e nisjeve të avionëve për shkak të një defekti në sistemin NOTAM, i cili informon pilotët për rreziqet dhe ndryshimet që mund të ndikojnë në sigurinë e fluturimeve.
Ky sistem përcjell informacione për pistat e mbyllura, kufizimet në hapësirën ajrore dhe probleme të tjera që duhet të njihen nga ekuipazhet përpara nisjes.
Në atë kohë, ndërprerja zgjati rreth 90 minuta. FAA deklaroi se nuk kishte prova që problemi të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik. Megjithëse fluturimet rifilluan brenda pak orësh, por pasojat u ndjenë gjatë gjithë ditës, pasi rreth 9 mijë fluturime u vonuan dhe 1,300 të tjera u anuluan./Dosja.al