15 October 2026, 17:13
Nga E. D
Sandro Gozi
TIRANË- Shqipëria nuk mund të kërkojë të ardhmen europiane duke mbyllur sytë përballë korrupsionit, duke shpërfillur zemërimin qytetar dhe duke iu përgjigjur protestave me forcën e policisë. Ky është mesazhi politik që përcjell Sandro Gozi, eurodeputeti italian i zgjedhur në Francë, në një intervistë për gazetaren Alba Kepi, ku zhvillimet e fundit në Tiranë, përgjegjësia e qeverisë Rama dhe heshtja e Romës vendosen në qendër të debatit për standardet demokratike të një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin European.
Gozi nuk është një zë periferik në politikën europiane. Ish-ministër italian për Çështjet Europiane dhe aktualisht anëtar i grupit parlamentar liberal Renew Europe në Parlamentin Europian, ai është një përfaqësues i politikës proeuropiane dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane. I njohur për angazhimin e tij në çështjet e integrimit europian, ai e sheh perspektivën e Shqipërisë jo thjesht si një proces diplomatik, por si një angazhim që duhet të shoqërohet me respektimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore.
Në intervistën e tij, Gozi e zhvendos përgjegjësinë politike në qendër të debatit: “Përgjegjësi i parë për këtë situatë është kryeministri Edi Rama.” Sipas tij, kreu i qeverisë duhet të garantojë realisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ai kritikon përgjigjet që, sipas tij, Rama u ka dhënë protestuesve dhe studentëve, duke i cilësuar si provokuese dhe sarkastike, ndërsa thekson se deri tani nuk ka parë një angazhim të vërtetë të kryeministrit për dialog.
Eurodeputeti shpreh shqetësim edhe për reagimet e forcave të rendit, të cilat i konsideron joproporcionale, dhe kërkon hetim të pavarur për abuzimet e mundshme. Por qëndrimi i tij nuk është një justifikim për dhunën nga asnjëra palë: Gozi dënon edhe dhunën e protestuesve dhe kërkon që përplasjet të zëvendësohen nga dialogu.
Përtej skenave të protestave, ai e lidh zemërimin qytetar me probleme që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt besueshmërinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian: korrupsionin e vazhdueshëm, respektimin e pamjaftueshëm të standardeve mjedisore dhe konfliktet që lidhen me mbrojtjen e territorit e të pasurisë publike. Mesazhi i tij është se mbështetja për integrimin europian të Shqipërisë nuk mund të jetë një çek i bardhë për qeverinë në pushtet.
Por një nga pjesët më të forta të intervistës lidhet me Italinë dhe kryeministren Giorgia Meloni. Gozi e konsideron strategjikisht të gabuar heshtjen e saj përballë protestave dhe zhvillimeve politike në Shqipëri. Ai argumenton se marrëveshja Rama–Meloni për qendrat e emigrantëve ndikon në këtë qëndrim dhe akuzon kryeministren italiane se e përdor marrëveshjen për propagandë politike, duke e paraqitur atë si zgjidhje europiane të problemit të migracionit.
“Giorgia Meloni ka interes të vazhdojë propagandën e saj për qendrat e emigrantëve”, deklaron Gozi, duke e cilësuar marrëveshjen si një nismë që nuk funksionon dhe duke e përshkruar atë si një dështim kombëtar italian të paraqitur në nivel europian si sukses. Sipas tij, pikërisht ky pakt shpjegon mungesën e kritikave të Romës ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Kritika merr peshë të veçantë për shkak të lidhjeve historike mes dy vendeve dhe rolit tradicional të Italisë në mbështetjen e integrimit europian shqiptar. Për Gozin, miqësia mes dy vendeve nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë korrupsionit, problemeve demokratike apo dhunës ndaj protestuesve. Përkundrazi, ai beson se një partner i vërtetë duhet të flasë hapur kur standardet europiane vihen në pikëpyetje. Gozi paralajmëron gjithashtu se Parlamenti Europian do të vazhdojë ta ndjekë nga afër situatën dhe se, nëse do të jetë e nevojshme, demokratët europianë mund të kërkojnë nisma më të forta dhe më formale.
Intervista e plotë
Alba Kepi: Mirëmbrëma, zoti Sandro Gozi. Ju falënderoj shumë për pranimin e kësaj interviste. Po e nis menjëherë me pyetjen: ju jeni ndër të paktët eurodeputetë që janë shprehur mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri. Cili është komenti juaj për gjithçka që po ndodh?
Sandro Gozi: Jam shumë i shqetësuar. Në të vërtetë, jemi të shqetësuar, të paktën ne, demokratët europianë, sepse është e qartë se ka pasur, së paku, reagime absolutisht joproporcionale nga policia dhe forcat e rendit ndaj protestuesve. Besoj se kjo është pika e parë ku duhet të këmbëngulim patjetër: reagimi duhet të jetë proporcional.
Unë i ndjek prej muajsh zhvillimet në Shqipëri dhe jam prononcuar disa herë për këtë çështje, si në Bruksel, ashtu edhe në mediat shqiptare. Besoj se edhe rastet e dhunës, si ai i përmendur në lidhje me Ledion Ballën, janë shumë serioze dhe të rënda. Është mirë që personat që dyshohet se janë përgjegjës janë pezulluar, por, në përgjithësi, ekziston një klimë që na shqetëson shumë.
Ne kemi shumë interes për Shqipërinë dhe për rrugëtimin e saj europian.
“Ursula von der Leyen ishte tepër e kujdesshme”
Alba Kepi: Pak ditë më parë, Shqipëria priti presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila nuk shprehu asnję fjalë mbi130 ditët e protestave në Shqipëri. Ajo foli për objektivin e Shqipërisë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, reformat e asgjë më shume. Si e shpjegoni heshtjen e institucioneve europiane? Çfarë mendojnë eurodeputetët e tjerë për realitetin shqiptar, protestat dhe këto dy ditë të zjarrta në Tiranë?
Sandro Gozi: Ursula von der Leyen ka qenë, pa dyshim, tepër e kujdesshme. Shpresoj që, të paktën në takimin dypalësh me kryeministrin tuaj, Edi Rama, me dyer të mbyllura, presidentja e Komisionit Europian t'i ketë thënë gjërat ashtu siç janë dhe ashtu siç i mendojmë ne. Besoj se shumë eurodeputetë mendojnë si unë.
Siç e thashë, duhet të mbrohen patjetër të drejtat themelore. Përgjegjësi i parë për këtë situatë është kryeministri Edi Rama, sepse, mbi të gjitha, kryeministri duhet të angazhohet për të garantuar realisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Kjo është një kërkesë e fortë që ne bëjmë dhe që, deri tani, nuk është përmbushur.
Natyrisht, abuzimet e mundshme duhet të hetohen në mënyrë të pavarur, siç duket se po ndodh në rastin e Ledion Ballës. Gjithashtu, ne shpresojmë që të hapet një dialog për kërkesat e studentëve.
Deri tani, nga kryeministri Edi Rama kemi parë përgjigje provokuese dhe sarkastike. Nuk kemi parë një kryeministër të angazhuar në dialog me studentët.
Sigurisht, dhuna duhet dënuar gjithmonë. Nëse ka dhunë edhe nga ana e lëvizjes protestuese, kjo është e papranueshme. Dhuna është gjithmonë e papranueshme. Prandaj është e domosdoshme që edhe protestuesit të respektojnë të drejtën e shqiptarëve për një dialog paqësor. Jo dhunës nga ana e protestuesve.
Megjithatë, besoj se ajo që mungon është një angazhim i vërtetë i kryeministrit Edi Rama për dialog.
“Korrupsioni dhe mungesa e mbrojtjes së mjedisit na shqetësojnë”
Alba Kepi: Po flasim për atë që po ndodh rreth protestave, por shkaqet e zemërimit qytetar janë më të thella. Protestuesit flasin për korrupsionin në nivele të larta, mungesën e ligjeve në favor të komunitetit, mbrojtjen e territorit dhe të pasurisë publike. A i analizojnë Bashkimi Europian dhe eurodeputetët këto shkaqe që kanë çuar në përshkallëzimin e zemërimit të shqiptarëve?
Sandro Gozi: Po, ne i analizojmë dhe pikërisht për këtë arsye jemi të shqetësuar.
Nga njëra anë, duam që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj europian. Shqipëria është një vend i rëndësishëm dhe ne dëshirojmë që ajo të bëhet plotësisht pjesë e Bashkimit Europian.
Gjatë këtij procesi Shqipëria ka shënuar përparime dhe ka bërë hapa përpara. Por pikërisht sepse Shqipëria është e rëndësishme për ne dhe sepse duam që ajo të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Europian, jemi shumë të shqetësuar për nivelin e korrupsionit që vazhdon të ekzistojë në vend.
Jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për mungesën e respektimit të parimeve dhe normave mjedisore.
Lëvizja Flamingo nisi nga një operacion që, siç duket, bie ndesh me parimet e mbrojtjes së mjedisit, të cilat janë themelore për Bashkimin Europian.
Kjo është pikërisht arsyeja pse jam i shqetësuar: sepse ne i ndjekim nga afër zhvillimet në Shqipëri.
Parlamenti Europian nuk po kthen kokën nga ana tjetër dhe nuk po tregon mungesë interesi për Shqipërinë. Përkundrazi, pikërisht sepse interesohemi për të, kemi nisur të ndërhyjmë edhe publikisht.
Ne konsiderojmë se Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe, si i tillë, duhet të pranojë dialogun, por edhe kritikat e Parlamentit Europian, në të cilin shpresoj që së shpejti Shqipëria të ketë mundësinë të zgjedhë përfaqësuesit e saj.
“Meloni po e europianizon një dështim kombëtar të Italisë”
Alba Kepi: Italia ka deklaruar gjithmonë se është partner strategjik i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Dje, kryeministrja Giorgia Meloni mbajti fjalimin e saj në Parlament, në kuadër të samitit që zhvillohet sot në Bruksel. Ajo foli edhe për integrimin e Shqipërisë, por nuk tha asnjë fjalë për situatën shqiptare.
Duket i çuditshëm ky qëndrim i heshtur nga një vend kaq i afërt me Shqipërinë. Mendoj se kjo situatë shqetësuese e rendit publik duhet të jetë gjithashtu në fokusin e qeverisë italiane.
Sandro Gozi: Për mua nuk është e çuditshme. Giorgia Meloni ka interes për një gjë: të vazhdojë propagandën e saj për qendrat e emigrantëve.
Ekziston një marrëveshje që Giorgia Meloni ka bërë me Edi Ramën, një marrëveshje që ka probleme nga të gjitha anët dhe që nuk funksionon, por që i lejon Melonit të bëjë shumë propagandë, duke thënë se po e zgjidh problemin e migracionit përmes krijimit të qendrave jashtë Italisë dhe jashtë Europës.
Ajo ka qenë aq e aftë në komunikimin e kësaj nisme, sa ka arritur ta bindë Europën se këto qendra, të paraqitura si qendra pritjeje apo qendra në vende të treta, janë vërtet efektive.
Nga ky këndvështrim, komplimente Melonit, sepse ka arritur të europianizojë një dështim kombëtar të Italisë.
Edi Rama është bërë pjesë e kësaj loje dhe Giorgia Meloni nuk ka asnjë interes ta kritikojë Shqipërinë, pikërisht për shkak të këtij pakti mes saj dhe Ramës, i cili lidhet para së gjithash me qendrat e emigrantëve.
Megjithatë, Italia si vend ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm. Edhe unë, kur isha pjesë e qeverisë dhe përgjegjës për çështjet europiane dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian, kam punuar për ta shoqëruar Shqipërinë drejt Europës.
Është e vërtetë që Italia dhe Shqipëria kanë një miqësi të veçantë. Është gjithashtu e vërtetë se Italia ka qenë gjithmonë një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë, pavarësisht nëse në pushtet ka qenë e djathta ekstreme apo qendra e majtë.
Italia e ka mbështetur gjithmonë aspiratën europiane të Shqipërisë.
Por pikërisht sepse jemi miq dhe sepse dëshirojmë një Shqipëri europiane, besoj se Giorgia Meloni duhet të thotë një fjalë për atë që po ndodh.
Duhet të shprehet për protestat e qytetarëve shqiptarë. Duhet të flasë për nevojën për të luftuar korrupsionin kudo, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.
Besoj se heshtja e Giorgia Melonit është strategjikisht shumë e gabuar, por arsyeja e saj më duket mjaft e qartë.
“Parlamenti Europian do të vazhdojë ta ndjekë Shqipërinë”
Alba Kepi: Ky është gjithashtu mendimi i shumë shqiptarëve që kanë lidhje të forta me Italinë, jo vetëm për shkak të familjarëve, pasi, siç e dini, në Itali jetojnë më shumë se 700 mijë shqiptarë, por edhe për shkak të lidhjeve historike mes dy vendeve.
Kam edhe dy pyetjet e fundit. E para: a parashikoni një nismë politike në nivel europian për atë që po ndodh në Shqipëri, nga grupi juaj parlamentar, nga partia juaj apo edhe në një nivel më të gjerë?
Pyetja e dytë: dua një përgjigje të qartë. A mendoni se ka ardhur momenti që qeveria e Edi Ramës të japë dorëheqjen? Sot, kryeministri ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, edhe pse situata në rrugët e Tiranës vazhdon të jetë kaotike dhe, sipas përshkrimit tuaj, edhe më shqetësuese se dje. Cili është mendimi juaj, edhe në cilësinë e një politikani me përvojë të gjatë?
Sandro Gozi: Sigurisht, ne do të vazhdojmë ta ndjekim çështjen shqiptare.
Së fundmi, një delegacion i Parlamentit Europian ka qenë në Shqipëri. Anëtarët e tij e kanë ngritur këtë çështje dhe kanë qenë shumë të qartë për atë që Parlamenti Europian pret nga Shqipëria: ndalimin e dhunës, respektimin e së drejtës për të protestuar dhe nevojën për të nisur një dialog mes qeverisë dhe protestuesve.
Pra, Parlamenti Europian është i pranishëm dhe, natyrisht, edhe ne, si demokratë europianë, do të vazhdojmë ta ndjekim situatën.
Nëse do të jetë e nevojshme, do të kërkojmë edhe marrjen e masave më të forta dhe të nismave më formale.
Shpresojmë që tensionet të ulen dhe që dialogu të fillojë. Por, në çdo rast, ne do të vazhdojmë të merremi me këtë çështje.
Sa i përket pyetjes suaj të dytë, sinqerisht, nuk më takon mua, si anëtar i Parlamentit Europian, të them nëse kryeministri juaj duhet të japë dorëheqjen apo jo.
Nuk është ky roli im. Detyra ime është të mbikëqyr që Shqipëria të jetë në përputhje me parimet themelore të Bashkimit Europian.
Më duket se tensionet janë shumë të larta, para së gjithash, për shkak të qëndrimit të kryeministrit. Mendoj se kryeministri mban një përgjegjësi të madhe për mënyrën se si situata është përshkallëzuar në Shqipëri.
Alba Kepi: Ju falënderoj shumë, zoti Gozi, për kohën dhe gatishmërinë tuaj.
Sandro Gozi: Ju falënderoj juve./Dosja.al
Sandro Gozi
Politike
15 October 2026, 16:19
E. D
TIRANË- Partia Socialiste e Shqipërisë ka reaguar lidhur me situatën e përshkallëzuar nga protestat në Tiran&eum...
Politike
15 October 2026, 16:06
E. D
Sali Berisha
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar kryeministrin Rama se asnjë provokacion nuk do të...
Politike
15 October 2026, 15:12
E.d
Ilaria Salis
TIRANA- Eurodeputetja Ilaria Salis ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend, ku Tirana është kthyer në simbo...
Politike
15 October 2026, 13:00
I.A
Sali Berisha
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe varfërimin e shqiptarëve, nd&eu...
Politike
15 October 2026, 12:47
I.A
Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të dorëhiqet, pasi ky i fundit...
Politike
15 October 2026, 12:45
I.A
Sali Berisha
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, u ka bërë thirrje maturantëve dhe nxënësve në të...
Politike
15 October 2026, 12:38
I.A
Mirela Kumbaro
TIRANË- Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje prindërve që të mos lejojnë përfshirjen ...
Politike
15 October 2026, 12:02
E.d
Fredi Beleri
TIRANA- Eurodeputeti Fredi Beleri ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. Në një deklarat&eu...
Politike
15 October 2026, 11:39
E.d
Edi Rama
TIRANA- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar për Reuters, se nuk do të japë dorëheqjen. Në përgjigjet me shkrim...
Politike
15 October 2026, 10:45
E.d
Pamje
TIRANA- Partia Demokratike ka reaguar pas protestave masive që kanë përfshirë vendin. Përmes një deklarate zyrtare, Grupi ...