Ndërhyrja kirurgjikale e Veliajt, Ndreca: Nuk e përcakton prokurori se kush mjek do e operojë, por familja
24 Nëntor, 12:44
...
Aktualitet
VIDEO/ Hynin në banesa dhe kryenin grabitjet për 10 minuta, arrestohen tre shqiptarë në Spanjë, sekuestrohen pajisje të sofistikuara
Të arrestuarit, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., u kapën më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën Pontevedra, gjatë operacionit të Guardia Civile të koduar “Ziralla”.
25 November 2026, 09:34Nga E. D
SPANJË- Tre shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen si autorë të 17 grabitjeve në banesa në tri provinca të rajonit të Galicisë: Ourense, Pontevedra dhe A Coruña. Të arrestuarit, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., u kapën më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën Pontevedra, gjatë operacionit të Guardia Civile të koduar “Ziralla”.
Sipas hetimeve, grupi vepronte në mënyrë të organizuar dhe arrinte të kryente një grabitje brenda rreth 10 minutash. Autorët përdornin pajisje speciale për të hyrë me forcë në banesa, si dhe reagentë kimikë për të verifikuar pastërtinë e arit dhe diamanteve të vjedhura.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi gërshërë hidraulike, targa të përthyera që dyshohet se përdoreshin për të fshehur identitetin e automjeteve, si dhe pajisje të tjera të përdorura gjatë grabitjeve.
Hetuesit bëjnë me dije se të dyshuarit shmangnin hyrjen në banesa kur kishte njerëz brenda dhe largoheshin menjëherë nëse përballeshin me banorët. Për t'iu shmangur policisë, tre shqiptarët përdornin një automjet me katër rrota aktive dhe fuqi mbi 350 kuaj fuqi. Gjatë tentativave për arrestim, ata dyshohet se kanë përplasur automjetet e policisë për të hapur rrugën e arratisjes.
Sipas autoriteteve, gjatë periudhës së hetimit të dyshuarit strehoheshin në një tendë kampingu në një zonë pyjore dhe kishin lëvizur jashtë Galicisë për disa ditë, përpara se të riktheheshin në rajon. Guardia Civile dyshon se tre të arrestuarit mund të kenë kryer edhe grabitje të tjera, përtej 17 rasteve të dokumentuara deri më tani, ndërkohë që hetimet po vijojnë./Dosja.al