9 November 2026, 16:51
Nga E. D

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar një shkresë kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, ku kërkon mbështetje për sigurimin e 265.4 milionë lekëve shtesë, të cilat kanë mbetur të pambuluara në projektbuxhetin e vitit 2027.
Në shkresën drejtuar Xhafajt, Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, bën me dije se nga kërkesa shtesë prej 364.7 milionë lekësh, në projektbuxhet janë përfshirë vetëm 99.3 milionë lekë. Pjesa e mbetur lidhet kryesisht me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Ndër zërat për të cilët kërkohet financim janë 51.7 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe rinovimin e licencave, 33.7 milionë lekë për qiranë e magazinave në Vaqarr dhe 180 milionë lekë për projektin e magazinës dhe shërbimin e supervizimit.
KQZ paralajmëron se mungesa e fondeve për teknologjinë mund të vonojë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve kritike, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe cenimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor. Një tjetër problem i evidentuar është edhe Platforma Elektronike e Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare.
Për përmirësimin e saj nevojiten rreth 20 milionë lekë, për të cilat KQZ pret financim nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë. Në rast se donatori nuk e mbulon këtë shumë, institucioni kërkon që ajo të financohet nga buxheti i shtetit. Në të njëjtën shkresë, KQZ raporton edhe mbi ecurinë e rekomandimeve të Kuvendit, duke evidentuar se programi për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është ende në hartim, ndërsa fushatat informuese nuk kanë nisur.
LETRA E PLOTË-:
Drejtuar: Z. Fatmir XHAFAJ
Kryetar, Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
KUVENDIT TË SHQIPËRISË
I nderuar z. Kryetar,
I nderuar z. Kryetar,
Në përgjigje të shkresës suaj me nr. 606/1 prot., datë 27.10.2026, lidhur me shqyrtimin e
projektbuxhetit për vitin 2027, ju përcjellim informacionin e kërkuar mbi ecurinë e zbatimit të
rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit, relacionin mbi realizimin e buxhetit të vitit 2026, si dhe
kërkesat buxhetore për vitin 2027.
1. Ky raportim mbulon informacionin për statusin e zbatimit të rekomandimeve nr. 3, 4, 7, 8, 10 dhe
14, sipas materialeve të administruara deri në datën e përgatitjes së kësaj përgjigjeje.
Për rekomandimin nr. 3, përmirësimi i Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF) është
në proces, ndërsa platforma ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare.
Për rekomandimin nr. 4, raporti i gjetjeve nga auditimi i financimit të fushatës për zgjedhjet e 11 majit
2025 është miratuar me Vendimin nr. 49, datë 23.07.2026, të ndryshuar me Vendimin nr. 57, datë
04.09.2026. Propozimet për vendosjen e masave administrative iu përcollën për shqyrtim Komisionit
të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Me Vendimin nr. 8, datë 02.11.2026, KAS vendosi pranimin e
kërkesës nr. 01, datë 03.10.2026, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosjen e
sanksioneve administrative. Ndërkohë, auditimi i raporteve financiare vjetore të partive politike për
vitin 2025 vijon.
Për rekomandimin nr. 7, janë inventarizuar dhe klasifikuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it sipas
përgjegjësive institucionale, janë përgatitur tabelat e ndjekjes së statusit të zbatimit dhe masat
përkatëse janë përfshirë në procesin e monitorimit. Pasqyrimi i tyre në raportin vjetor të KQZ-së është
në proces.
Për rekomandimin nr. 8, programi i standardizuar për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është
në proces hartimi, ndërsa fushatat e informimit dhe matja e nivelit të njohurive para dhe pas zhvillimit
të tyre ende nuk kanë nisur.
Për rekomandimin nr. 10, KQZ ka përgatitur një analizë të mekanizmave të monitorimit, verifikimit,
administrimit të provave dhe vendosjes së sanksioneve administrative, të shoqëruar me propozime
për ndryshime në aktet nënligjore. Dokumentet bashkëlidhur përbëjnë produktin analitik për hartimin
e projekt-ndryshimeve përkatëse.
Për rekomandimin nr. 14, KQZ i është drejtuar AKSK-së, AMA-s dhe AKEP-it për caktimin e pikave
të kontaktit për koordinimin ndërinstitucional. Përgjigjet e institucioneve përkatëse janë administruar
në dokumentacionin bashkëlidhur dhe pikat e kontaktit janë përcaktuar për të vijuar koordinimin në
funksion të zbatimit të këtij rekomandimi.
Materialet dhe dokumentet provuese për ecurinë e zbatimit të secilit prej rekomandimeve të
sipërcituara janë renditur në shtojcën bashkëlidhur kësaj shkrese.
Në Planin e Veprimit për zbatimin e Rezolutës së Kuvendit janë identifikuar masa që vijojnë gjatë
vitit 2027, një pjesë e të cilave do të duhet të zbatohen përpara zgjedhjeve vendore. Lidhur me
rekomandimet me ndikim financiar, paraqesim sa vijon:
Rekomandimi nr. 2 – Teknologjia e informacionit
Fondi shtesë prej 51.700.000 lekësh, i kërkuar dhe ende i pambuluar në projektbuxhet, ka si
destinacion mirëmbajtjen e infrastrukturës TIK dhe rinovimin e licencave. Masat për vitin 2027
përfshijnë mirëmbajtjen, testimin dhe garantimin e sigurisë së sistemeve kritike, në përputhje me
objektivat e Planit Strategjik 2027-2031 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezultati i pritshëm
është garantimi i gatishmërisë dhe vazhdimësisë së shërbimeve digjitale gjatë procesit zgjedhor.
Mungesa e financimit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve, duke rritur rrezikun e
ndërprerjeve të shërbimeve dhe të cenimit të sigurisë.
Rekomandimi nr. 3 – Sistemi elektronik i raportimit financiar (PERF)
Nevojitet mbështetje për përshtatjen me regjimin juridik dhe funksional të platformës PERF,
standardizimin e kategorive të raportimit, validimin e të dhënave, testimin dhe publikimin e raporteve
në format të hapur. Për këtë masë, fondet i janë kërkuar Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë dhe
KQZ mbetet në pritje të konfirmimit nëse fondi prej rreth 20.000.000 lekësh do të alokohet nga
donatori. Do të vlerësonim që në rast pamundësie financimi nga donatori, kjo kërkesë shtesë e
pambuluar të konsiderohej për mbulim me fonde buxhetore. Rezultati i synuar është një sistem
funksional dhe një raportim financiar më i verifikueshëm. Pa mbulimin e nevojës teknike, vënia në
përdorim e përmirësimeve mund të vonohet.
Rekomandimi nr. 6 – Aksesueshmëria e votimit
Masat përfshijnë verifikimin paraprak të qendrave të votimit, përgatitjen e materialeve në formate të
aksesueshme, trajnimin për votimin e asistuar dhe hartimin e një plani për përshtatjen e objekteve në
bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore. Plani synon vlerësimin e të gjitha qendrave të
votimit përpara zgjedhjeve dhe garantimin e materialeve në të paktën tri formate të aksesueshme. Nuk
është përcaktuar një kosto e veçantë, pasi realizimi i këtyre masave përbën përgjegjësi ligjore të
njësive të vetëqeverisjes vendore dhe financohet nga buxhetet e tyre. Pa mbështetjen e nevojshme
financiare, pengesat e identifikuara mund të mos adresohen në kohë.
Nevojat logjistike me ndikim ndërsektorial
Përveç fondit për TIK-un, kërkesa buxhetore evidenton 33.767.232 lekë të pambuluara për qiranë e
magazinave në Vaqarr dhe 180.000.000 lekë diferencë të pambuluar për projektin e magazinës dhe
shërbimin e supervizimit. Këto nevoja mbështesin ruajtjen dhe administrimin e materialeve dhe
pajisjeve zgjedhore, por nuk janë identifikuar në dokumentet burimore si fond i dedikuar për një
rekomandim të vetëm. Shuma e përgjithshme e nevojave të pambuluara në projektbuxhetin e
zakonshëm është 265.467.232 lekë. Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe
gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027.
2. Në përgjigje të kërkesës për informacion buxhetor, ju përcjellim të dhënat e përgatitura nga
Drejtoria e Financave dhe Menaxhimit të Buxhetit mbi realizimin e buxhetit për procesin zgjedhor të
vitit 2025, realizimin e buxhetit të KQZ-së deri më datë 30.10.2026 dhe parashikimin deri në fund të
vitit, si dhe kërkesat buxhetore për vitin 2027 kundrejt fondeve të reflektuara në projektligjin e
buxhetit. Për vitin 2027, nga kërkesa shtesë prej 364.767.232 lekësh mbi tavanin e Programit
Buxhetor Afatmesëm, në projektligj janë reflektuar 99.300.000 lekë, ndërsa 265.467.232 lekë mbeten
të pambuluara. Kjo diferencë lidhet me nevojat për mirëmbajtjen e infrastrukturës TIK dhe rinovimin
e licencave, qiranë e magazinave, si dhe investimin për zgjerimin e infrastrukturës së magazinimit të
materialeve dhe pajisjeve zgjedhore.
3. Për vitin 2027, përparësia kryesore e KQZ-së është përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve
vendore. Në këtë kuadër, KQZ do të përqendrohet në trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin
e gatishmërisë dhe sigurisë së sistemeve e pajisjeve zgjedhore, informimin e zgjedhësve dhe
përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit. Në funksion të procesit të integrimit
evropian, KQZ do të vijojë ndjekjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të
Venecias që lidhen me kompetencat e saj. Gjithashtu, në përputhje me gjetjet e Raportit të Komisionit
Evropian për Shqipërinë 2026, do të kontribuojë me analiza dhe propozime teknike për reformën
zgjedhore, mbikëqyrjen e financimit politik, transparencën e reklamimit politik, si dhe përballimin e
dezinformimit dhe kërcënimeve hibride.
Sa u përket burimeve njerëzore, me strukturën organizative të KQZ-së të miratuar nga Kuvendi, nuk
paraqitet nevoja për shtesa në personel për përmbushjen e prioriteteve të mësipërme. Nevojat
financiare janë adresuar në kërkesën buxhetore për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe zbatimi i
aktiviteteve do të mbështetet në fondet që do të alokohen për këtë proces. Rezultatet e synuara janë
administrimi i sigurt dhe transparent i zgjedhjeve, përgatitja në kohë e administratës zgjedhore dhe
ndjekja e dokumentuar e rekomandimeve ndërkombëtare.
Bashkëlidhur kësaj shkrese gjenden shtojca me materialet dhe dokumentet provuese që lidhen me
informacionin e përcjellë më sipër.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ilirjan celibashi fatmir xhafaj
Dokumenta bashkëngjitur
Politike
9 November 2026, 16:16
E. D
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një skemë të re të bonusit të bebeve, e cila parashikon mb&eu...
Politike
9 November 2026, 16:05
E. D
Taulant Balla
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas dështimit të mbledhjes s&eum...
Politike
9 November 2026, 15:48
E. D
Delina Ibrahimaj
TIRANË- Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se protestat kanë ndikuar në aktivitetin ekonomik të v...
Politike
9 November 2026, 15:33
E. D
Florjan Binaj
TIRANË- Aktori dhe Florjan Binaj ka konfirmuar zyrtarisht kandidimin për kryetar të Bashkisë së Tiranës n&e...
Politike
9 November 2026, 13:59
E.d
Oerd Bylykbashi
TIRANA- Komisioni për Reformën Zgjedhore është kthyer në një arenë pqërplasjesh mes opozitës dh...
Politike
9 November 2026, 13:29
E.d
Erald Kapri dhe Sadleva Bodo
TIRANA- Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe takimi i tij me ministrin e Dre...
Politike
9 November 2026, 13:17
E.d
Foto ilustruse
TIRANA- Një dëshmi e rëndësishme është dhënë këtë të hënë në proce...
Politike
9 November 2026, 12:51
E.d
Arbjan Mazniku
TIRANA- Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka nisur zyrtarisht fazën e d...
Politike
9 November 2026, 12:48
E.d
Benet Beci
TIRANA- SPAK ka kërkuar ditën e sotme dy vite burg për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, pasi akuzohet p&...
Politike
9 November 2026, 12:36
G.M
Sali Berisha
TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Rama dhe familjarë të tij për përvetësimin e ...